Prof. Dr. Alfred Frashëri/ Nafta, gazi dhe mineralet e ngurta nën dritën e rilindësve

696
Sigal

Rilindësi i madh Sami Frashëri, në librin e tij “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të jetë” (1899), shkroi: “Metaletë do të kërkohenë nëpër të gjith’ anët e Shqipërisë e të nxirrenë kudo të gjendenë….. Në kryeqytet të Shqipërisë, përveç shkollave të dyta e të tretat do të jetë një gjithmësime (Universitet)….një këshillë diturie (akademië) duhet të jetë në kryeqytet….për të shpënë përpara dhe shkronjënë, istorinë, dhekërkonjënë (gjeologjia), metalet e të tjera punëra të Shqipërisë…..”

Në veprën e tij “Probleme Shqiptare” Mehdi Frashëri shkroi “…Në kohën e arthme të afërt, vajguri i Shqipërisë si në Kuçovë ashtu edhe në Pathos,  … formon një burim pasurie kombëtare dhe një objekt të rëndësishëm për të ardhurat e shtetit” dhe se “…në Shqipëri janë shfaqur disa xehe që po të shfrytëzohen me methodha edhe me mënyra të arsyeshme mund të shërbejnë për zhvillimin e ekonomisë dhe të industrisë së vendit, dhe mund t’i sjellin edhe shtetit një të ardhur të mirë. Xehet në fjalë janë: Sera e Selenicës në qarkun e Vlorës; Vajguri i Kuçovës dhe i Patozit në qarkun e Beratit dhe në Mallakastër; Bakri në Pukë dhe në Rubik në qarkun e Shkodrës dhe të Mirditës; Hekuri në luginën e Shkumbinit të lartë, midis Librazhdit e Pogradecit; Kromi në qarkun e sipërpërmendur; Kromi dhe boksidi në Qarkun e Kukësit (Prefektura e Kosovës); Qymyr-ligniti në katundet Mbrorje – Drenovë, Krrabën e Tiranës”. Më tej ai apelon:

“…Të gjeturit e karburanteve, si në kohën e paqes ashtu edhe në kohën e luftës, ka marrë një rëndësi aqë të madhe sa lot një rol kryesor edhe në politikën e jashtme të shteteve. Për këto arsye karburantet në shumicën e madhe të shteteve kanë qënë sende monopoli. Më nj’anë, për t’i dhënë të ardhura të mjaftueshme arkës së shtetit, më anë tjetër, për ti pasë nën kontroll; në ç’do rasë monopolizimi i kaburanteve në duart e huaja, është një vetëvrasje, se në rast nevoje shtetit i mungon faktori kryesor i çdo lëvizje

Për të realizuar zhvillimin e Shqipërisë, Sami Frashëri kërkon të “…krijohet një universitet, i frymëzuar me shkencat aplikative….Fakulteti i Inxhinierisë duhet të përfshijë të gjitha specialitetet…Ky institut i lartë, do të krijojë kulturën shqiptare dhe shtatmadhorinë intelektuale të kombit tonë.”

Në vitet njëzet-tridhjetë u zbuluan dhe filloi nxjerrja e naftës në Kuçovë, e mineraleve të bakrit në Rubik dhe pak më vonë edhe nxjerrja e kromit, etj..

Programi i rilindësve u vu në jetë pas çlirimit të vendit, kur kërkimi dhe nxjerrja e naftës dhe mineraleve të tjerë të dobishëm  ishin përparësi, gur themeli i zhvillimit tē qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare. Ky zhvillim shkoi krahas edhe me formimin e specialistëve të degëve të ndryshme të gjeoshkencave dhe minierave. Për të argumentuar kapacitetet e industrisë shqiptare të naftës e gazit dhe asaj minerare mjafton të përmendim prodhimin maksimal  të arritur në vit:

— 1,007,000 ton/v bakër (1984),

— 960,000 ton/v kromite (1984),

— 2.250.000 ton/v  naftë (1973).

— Deri nē vitin 1990 u nxorrën 49, 5 milionë ton naftë, rreth 12 millonë m3 gaz, dhe 47 milionë ton qymyr.

Për fat të keq gjaë periudhës së tranzicionit 1990- 2010 dhe më pas, është zvogëluar në mënyrë drastike nxjerrja e mineraleve dhe i naftës e gazit. Sipas IINSTAT,prodhimi mineral kishte rënë 4 herë në vitin 2001.

Të gjithë brezat e gjeo-fizikanëve, nga më të vjetërit e deri tek ata që janë diplomuar vitet e fundit, me pasion, këmbëngulje, vullnet e disiplinë, realizuan detyrat e tyre, zhvilluan gjeofizikën shqiptare, dhanë kontribut të shquar në kërkimet e vendburimeve të naftës dhe të gazit (Marinzë, Arrëz, Kallm-Verri, Cakran, Mollaj, Amonicë, Divjakë, Frakull, Povelçë,  Durrës-shelf, etj.), të shumë vendburimeve të bakrit (Gjegjan, Tuçi lindor, Kaçinar, Qafë Bari, Palucë, Lak Roshi, Munellë, Golaj-Nikoliq, Palaj-Karmë, Perlat, Rehovë, etj.) dhe mineraleve të tjerë të dobishëm, në studimet gjeologjike krahinore të Albanideve dhe e bënë të njohur atë tej kufijve të vendit. Janë me dhjetëra artikuj të botuar në periodikun shkencor ndërkombëtar dhe të referuar me sukses nga gjeofizikanët shqiptarë, në forume shkencore madhore ndërkombëtare, duke u renditur midis ambasadorëve më të mirë shqiptarë në komunitetin ndërkombëtar.

Për fat të keq, gjatë viteve të tranzicionit tejet të vështirë, ashtu si edhe në kërkimet gjeologjike dhe veprimtari të tjera shkencore, edhe gjeofizika shkoi në tatëpjetë. Janë prishur ndërmarrjet gjeofizike, vëllimi i punimeve për kërkimin e mineraleve të dobishëm të ngurta ka rënë në minimumin e mundshëm, si edhe kërkimet e vendburimeve të naftës dhe të gazit nga gjeofizikët shqiptarë. Në Fakultet u përgatiten inxhinierët e fundit, tashmë dega e gjeofizikës është mbyllur. Shumë nga gjeo-fizikanët më të mirë kanë emigruar dhe punojnë në specialitetin e tyre në Francë, SHBA, Kanada etj..

Interpretimi i vrojtimet gjeofizike me aparaturat moderne dhe programe për përpunimin e tyre janë për studimet e shkencave të tokës e ato gjeologjike, siç janë radioskopia e radiografia, skaneri dhe ekot, rezonanca magnetike dhe sondat e ndryshme për diagnozën në mjekësi. Në se sot nuk do të vlerësojmë përdorimin e gjeofizikës, atëherë kërkimet gjeologjike të mineraleve të dobishme, të studimit të truallit për ndërtim, të studimeve mjedisore dhe të vlerësimeve të rreziqeve gjeologjike, do të kthehen në nivelin e atyre që kryheshin në shekullin e nëntëmbëdhjetë.

Prandaj për të realizuar Rilindjen sot  dhe për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare në të ardhmen, kërkimi dhe nxjerrja e naftës, gazit dhe e mineraleve të ngurta duhet të jenë pērsēri një përparësi. Dhe bashkë me kërkimin gjeologjik duhet të rilindë edhe gjeofizika.