Prof. Dr. Agron FICO/Vlera universale e kulturës çame

828
Sigal

Kultura është pasaportë e identitetit kombëtar dhe njëherazi dhe ADN-ja e tij. Në gjirin e kulturës së kombit shqiptar, kultura çame shquhet për origjinalitet dhe lashtësi, e duke parafrazuar Ernest Koliqin kjo do të thotë se është edhe e pasur. Kultura çame para shumë dhjetëvjeçarëve ka tërhequr vëmendjen e dijetarëve të huaj për vlerat e saj universale. Kështu, më 1895 gjuhëtari i njohur Holger Pedersen botoi në vëllimin “Albanische Texte mit Glossar” edhe 12 përralla çame, të cilat tërhoqën vëmendjen e studiuesve skrupulozë jo vetëm për subjektet e veçanta, por mbi të gjitha për gjuhën, të quajtur “e folmja çame”, plot origjinalitet, njomështi, muzikalitet, me karakteristikat e grupit bashkëtingëllor “kl”, “gl”, klumësht, gluha etj.

Danezi Holger Pedersen ecte në gjurmët e pionierit të albanologjisë, Johann Georg von Hahn, që në veprën “Studime shqiptare” (1854) botoi edhe mjaft margaritarë nga folklori çam, sidomos këngë lirike. Në qershor të viti 1960 në një ekspeditë folklori që bëra në Konispol dhe fshatrat Vërvë, Xarë, etj., në kërkimin të varianteve të mbledhura dhe botuara nga Pederseni shekuj më parë, doli se ende ruheshin variante të atyre tregimeve popullore. Një ndihmesë të pamasë për kulturën folklorike çame pati puna kërkimore e përbashkët shqiptaro-gjermane, e vitit 1958, në zonat e populluara me banorë çamë në Shqipëri. Me metoda kërkimore shkencore u gjurmuan dhe u regjistruan me teknikën moderne dhjetëra e dhjetëra variante të këngëve dhe tregimeve popullore çame në një shtrirje kohore prej disa muajsh. Grumbullimi i një thesari folklorik kaq të madh dhe me regjistrime teknike bashkëkohore ishte i pari në historinë e traditave folklorike shqiptare. Botimi i kësaj “enciklopedie të letërsisë gojore çame” në dy vëllime, shoqëruar edhe me transkriptimin muzikor nga Akademia Gjermane e Shkencave e lartësoi dhe e bëri të njohur botërisht pasurinë, origjinalitetin e artit poetik krijuar brez pas brezi në Thesprotinë antike, Çamërinë e sotme.

Kultura folklorike çame me lashtësinë, origjinalitetin e veçantë jep dorë, sipas studiuesit Vasil Tole, për të trajtuar edhe enigmën e vështirë të prejardhjes së iso-polifonisë shqiptare, e cila më 2005 u pranua si “Trashëgimi gojore botërore e njerëzimit”. Etnomuzikologu Vasil Tole shkruan: “Shihet se Hadi, ky territor i nëntokës ku, sipas Homerit, kori i Sirenave vajtore dhe të gjitha shpirtrat e luftëtarëve të mëdhenj të antikitetit… tërheq vëmendjen me faktin se mbitoka e tij ruan, ende sot, një ndër të vetmet tradita shumëzërëshe më origjinale të trashëgimisë shpirtërore botërore: vajtimin iso-polifonik dhe iso-polifoninë në tërësi…” (Vasil S. Tole: “Pse qanë kuajt e Akilit”, 2011, f.53). Më tej autori sqaron: “…Hadesi… lokalizohen si të tilla në rajonin e maleve të Sulit, Thesprotia e dikurshme: Çamëria e sotme…” (Po aty, f.53).

Po kështu edhe mjaft njësi koreografike, masa muzikore dhe poetike si “vallja pirrike” me një figurë muzikore dy-pjesësh dhe përbërë nga dy rrokje të patheksuara, e quajtura “këmbëza pirrike” si dhe “këmbëzën mollose” me tre elemente të gjatë që lidhet gjithashtu me fisin epirotas të mollosëve, “këmbëzën peone” me origjinë po ashtu nga një fis ilir, peonët.

Universi i folklorit çam është edhe tepër i gjerë, që përfshin vallet magjike si, vallja e Osman Takës; meloditë e ëmbla, si tek “Kënga e Çelo Mezanit”, etj., kostumet me ngjyrën e kaltër të detit Jon dhe të verdhën e kopshteve me limona e portokall.

Çamët janë autoktonë dhe pasardhës të drejtpërdrejtë të fiseve ilire. “Kaonët dhe thesprotët e pas tyre edhe kasopët, të gjithë bashkë janë thesprotë, – shkruan Straboni, – dhe banojnë në bregdetin që fillon nga malet Keraune gjer në gjirin e Ambrakisë”. (Selman Sheme: “Çamëria”, 2005, f.27).

Me interes është edhe emri i krahinës dhe popullit të saj. Në ditët tona përdoren paralelisht dy emra si dublim të njëri-tjetrit: në të folmen e popullit përdoret emri “Çamëri” për vendin dhe ‘çam’ për banorët e tij; ndërsa në literaturë përdoret emri ‘Epir’ dhe përkatësisht ‘epirot’. Emrat Epir dhe epirot ndeshen veçanërisht në literaturën greke. Edhe emri Çamëri ka gjithashtu një prejardhje të lashtë historike. Të parët që kanë trajtuar origjinën e fjalës Çamëri kanë qenë M. Leak dhe F. Pouqueville në shekullin e XIX. Argumenti kryesor është vetë toponimia, që ka një natyrë konservative. Është vërejtur një lidhje e ngushtë e emrit Çamëri me emrin e lumit që përshkon krahinën, Thjamis -in antik. Thjamisi është identifikuar me lumin Kalamas, që derdhet në detin Jon. Dijetari i njohur Uiliam Lik pa te fjala “çam” një reflektim të emrit të vjetër Thjamis, duke paraqitur si një vazhdimësi jo greke. Madje etimologu i madh shqiptar Prof. Eqrem Çabej shpjegoi me rregullat e fonetikës historike shqipe evolucionin e ‘Thjamis -çam’.

Emrat “Çamëri” (“Thesproti”) dhe “Epir” kanë bashkëjetuar për një kohë të gjatë, por ndërsa emri Çamëri ka mbetur në shtrirjen historike nga gjiri i Artës në jug gjer në gjirin e Sarandës në veri, shtrirja e emrit Epir ka ndryshuar.

Në bibliotekën e popullit çam ka me dhjetëra njerëz të shquar dhe krijues vlerash intelektuale si Hoxha Tahsini nga Filati (Ninat), themelues dhe Rektori i parë i Universitetit të Stambollit, në shekull. XIX-të, Abedin Dino Preveza, Muahmet Kyçyky Çami, Esat Pashë Janina, mbrojtësi heroik i Janinës, Dr. Asaf Çami-Ajdonati,  e gjer tek poeti antikomunist Bilal Xhaferri.

Ky komunitet i talentuar në gjirin e kombit iliro-arbëresh- shqiptar ka krijuar një kulturë të lashtë, të pasur e të njohur, me përmbajtje te thellë demokratike e paqësore. Ai meriton të ketë te drejtat e veta njerëzore dhe te kthehet në viset e të parëve te vet, që ia kanë mohuar. E gjithë kjo tragjedi e dëbimit me forcën e armëve të popullsisë çame nga trojet e tyre është plasmuar artistikisht në penën e poetit  Bilal Xhaferri:

“Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta thesprote,

Mbi të shtrenjtat trojet tona stërgjyshore,

Mbi kullotat e braktisura kullotnin rrufetë.

Ullishtat e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër  bregore

Dhe kudo toka çame nën savanin e reve,

Me thikë në ije, në gjak e mbytur dergjet…”