Prof. Dr. Agron FICO*/ Debat shkencor për gjuhën, jo duel inatçorësh

552
Sigal

Debati, ose më saktë dueli, që po zhvillohet pothuajse vetëm në masmedia për gjendjen e çoroditur të gjuhës shqipe të njësuar letrare kombëtare mund të vlerësohet si një duel midis dy grupimeve: “profesoriatit postkomunist” me “arixhofkat gojëgardhe”.

Kam qenë dhe jam kundër kësaj mënyre që risjell e ringjall fatkeqësisht konceptet dhe metodat e mykura të ideologjisë totalitariste-komuniste, që më parë kundërshtari (më saktë, debatuesi) njollosej, damkosej politikisht ose moralisht, pra çpersonalizohej dhe paskëtaj thirrej në diskutim etj. Kjo është metodë antidemokratike dhe antinjerëzore.

Në bashkësinë e intelektualëve të vërtetë duhet të përdoret metoda e debatit shkencor, gjykimit të arsyetuar dhe mbi të gjitha të ketë respekt njerëzor midis dialoguesve. Nuk më duket i drejtë as arsyetimi i disa shkruesve që thonë se kështu sillen në Kuvendin e Shqipërisë edhe disa deputetë, që në debate dhe fjalime llokoçisin frazë e fjalë rrugaçërie. Ky nuk mund të jetë justifikim, por mbetet përgjegjësia jonë qytetare dhe demokratike që në këtë foltore kemi zgjedhur këta sojsëzë, pa vlerë qytetëruese, kolltukofagë dhe me sjellje banditeske. Po le të kthehemi tek çështja në diskutim.

Thënë thjesht dhe pa etiketime politike përçmuese, në grupin e parë janë ish-hartuesit dhe përkrahësit e sotëm të gjuhës së njësuar kombëtare, që u miratua në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972 dhe u pranua nga shqipfolësit në Shqipëri, Kosovë, hapësirat e tjera shqiptare dhe nga arbëreshët e Italisë.

Në grupin e dytë janë ata që ishin haptazi kundër gjuhës së njësuar letrare kombëtare, me Arshi Pipën në krye, si dhe pasues të këtij qëndrimi si Bari Beci, Ledi Shamku etj. Madje, pa u shtyrë shumë larg në kohë, kishte edhe nga ata që nismëtarët e këtij Kongresi si Androkli Kostallarin etj., i cilësonin si “talebanë të gjuhës shqipe”.

Nuk është vështirë të kuptohet e të ndjehet filozofia politike e përkatësia partiake e secilit grupim, që u shpreh e shprehet haptazi edhe me terma tepër të politizuar.

Para viteve 1990, me vendosjen e pluralizmit politik demokratik në Shqipëri, debati për gjuhën kombëtare pati dallgëzimet e veta, por tashmë faktori politik ka marrë përparësi të dukshme.

Faktet janë të qarta dhe dëshmojnë për një qëndrim kundër gjuhës së njësuar edhe nga ndonjë institucion shkencor shtetërore. “Fryma antistandard – shkruan Prof. Rami Memushaj – u aktivizua edhe në Shqipëri pas krijimit të Qendrës së Studimeve Albanologjike”, ku “drejtuesi i QSA-së shpalli që në fillim se duhej bërë rishikimi i gjuhës, sepse sipas tij, ‘5 milionë shqiptarë nuk mund të ndjekin një milion shqiptarë, po duhet të ndodhë e kundërta’”. (Gazeta “Dita” 11 maj 2014, f. 7)

Po të shqyrtohet me kujdes programi i tyre kundër gjuhës së njësuar duket qartë se kanë zgjedhur një mënyrë pak më të fshehur, d.m.th. hiqen sikur janë për të ruajtur frymën e vendimeve të Kongresit të viti 1972, por kërkojnë të bëhen ndryshime të cilat nuk janë thjesht teknike, siç thuhet, por prekin elemente bazë të gjuhës së njësuar.. Dihet se herë pas here janë hartuar projekte të ortografisë si në vitet 1948, 1951, 1957 dhe 1967, por pa ngjallur diskutime dhe shqetësime, siç po ndodh në ditët tona; sepse ato kanë qenë në përputhje me ligjësitë e pranuara bashkërisht të gjuhës shqipe.

Gjuha shqipe, siç thoshte gjuhëtari i madh, prof. Eqrem Çabej, është baza e bazave të kombit. Gjuha shqipe është e shenjtë dhe pasuria më e madhe dhe më e vyer e kombit shqiptar. Shqetësimi mbarë-shqiptar për këtë gjendje të dallgëzuar të shqipes në ditët tona është i natyrshëm dhe i ligjshëm.

Pyetja e mundshme do të ishte: Po kush mban përgjegjësi për këtë gjendje të shqipes?

Dihet se gjuhën e krijon populli në rrjedhën e gjatë historike dhe ajo evoluon bashkë me historinë e kombit, por ruan gjithmonë origjinalitetin dhe rolin e saj komunikues dhe të bashkimit të etnisë së vet.

Shkencëtarët e gjuhës janë ata që e kodifikojnë, e mbrojnë edhe e ruajnë gjuhën nga papastërtitë e ndikime të tjera të dëmshme.

Shoqëria dhe shteti këtë detyrë parësore, këtë përgjegjësi shkencore dhe atdhetare kombëtare, ua ka besuar institucioneve shkencore të specializuara, siç janë Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, po edhe katedrave dhe njësive mësimore të gjuhës në universitete publike dhe private.

Këto institucione, siç është Akademia e Shkencave, kanë bërë disa aktivitete si p.sh kanë  organizuar konferenca shkencore për 20 dhe 30-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, diskutime shkencore dhe botime gjuhësore etj. Por ato nuk kanë pasur ndonjë ndikim në ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës së njësuar kombëtare shqipe. Ka disa arsye, por kryesore është se i janë nënshtruar kërkesave politike partiake dhe nuk kanë pasur guximin shkencor e qytetar t’i kundërviheshin trysnisë kundër gjuhës së njësuar. Qëndrimi ka qenë letargjik dhe mendimet e shprehura të vakëta edhe pa ndikim në ndryshimin e gjendjes së gjuhës.

Një faktor i përhershëm i mbrapshtë që sjell zbehjen e gjuhës së njësuar është padyshim masmedia, e cila nuk tregon asnjë kujdes dhe vëmendje për pastërtinë e gjuhës shqipe. Në shkrimet, programet televizive, në debate, intervista etj. përdoret një gjuhë individuale aspak normative apo sipas gjuhës së njësuar.

Një problem më vete janë përkthimet e shumta nga gjuhët e huaja, që dëshmojnë për një qëndrim haptazi nënvleftësues për gjuhën e njësuar kombëtare kur, në shumicën e tyre, bëhen nga studentë ose njerëz që gjuhën e huaj mezi e lëçisin me fjalorë.

Roli i shkollës është i madh dhe i pazëvendësueshëm për formimin gjuhësor të të rinjve dhe përdorimin e saj sipas kërkesave të gjuhës së njësuar. Në boshllëqet që ka shkolla dhe deformimet që ka marrë gjatë kësaj periudhe mbi njëzet-vjeçare, del nevojë urgjente rishikimi i programit të gjuhës shqipe në sistemin parauniversitar dhe hartimi e përdorimi i teksteve të njësuara shkencore e metodike. Tekste gramatikore të Kristaq Cipos, Aleksandër Xhuvanit, Mahir Domit, Eqrem Çabejit etj., janë modele që nuk duhen quajtur të kapërcyer.

Në  një shoqëri demokratike natyrisht shteti ka rolin e vet për mirë-trajtimin edhe të gjuhës kombëtare, veçanërisht në institucionet administrative, në programet shtetërore televizive, por edhe në përgjithësi në gjithë jetën ekonomike-shoqërore e politike. Siç u theksua edhe në hyrje të këtij shkrimi, në disa hallka të shtetit, si Kuvendi Popullor, në debate shtetërore etj., vihet re një keqpërdorim i gjuhës kombëtare dhe kjo nuk ka të bëjë fare me lirinë e fjalës dhe të mendimit,  siç përpiqen të justifikohen keqpërdoruesit e gjuhës. Ishte një gjë e mirë njoftimi i Kryeministrit Rama që në ditët e para të marrjes së detyrës kërkoi që për dikasteret qendrore të caktohen redaktorë të gjuhës shqipe, shembull që mund e duhet ta ndjekin edhe organet kombëtare të masmedias (gazetat qendrore, rrjetet televizive kryesore etj).

Është rasti t’iu kujtojmë lexuesve të gjerë se vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit për njësimin e gjuhës letrare kombëtare u përshëndetën dhe mbështeten edhe nga Diaspora shqiptare dhe elita e saj intelektuale shkencore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Prof. Peter Prifti, bashkëkohës dhe Sekretar i Fan Nolit, shkruan: “Arritjet e Kongresit përbëjnë një gur-nishan në historinë e gjuhës shqipe” dhe më tej shton: “Ato ishin fryti i punës së disa brezave dijetarësh.” (Cit. Peter Prifti: “Mozaik shqiptar” 2003, f. 150)

*N/Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve