Prof. Dr. Agron F. Fico/ Xheki Myler dhe Reforma e Drejtësisë në Shqipëri

609
Lexuesit do t’i duket sa i habitshëm, aq edhe i bujshëm dhe absurd e qesharak ky titull. Po ia thjeshtoj lexuesit këtë “enigmë”, të këtij shkrimi. Sapo u rivendosën marrëdhëniet diplomatike midis Republikës ë Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, erdhi edhe personeli i parë i Ambasadës Amerikane, e cila u vendos në godinën e ish-Ambasadës Italiane në rrugën e Elbasanit. Ndërtesa ishte e vogël, njëkatëshe dhe kishte një oborr livadh. Në shtator të vitit 1992 fillova të jap mësimin e gjuhës shqipe me disa nga këta diplomatë amerikanë të sapo ardhur, po përmend diplomaten e karrierës Xheki Myler (Jackie Muller), atasheun ushtarak Pol Mysen (Paul M. Mussen), sekretaren e parë Sinthia Keipëls (Synthia Caples), këshilltarin Filip Leidlou (Philip Laidlow), ndihmës konsullin etj. Në fillim mësimet i zhvilloja në ndërtesën e Ambasadës (kati i poshtëm), por shpejt u zhvendosëm në një mjedis të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës (QNK), që u quajt ish-Muzeu i diktatorit Hoxha. E para diplomate, e para studente amerikane që filloi mësimin e gjuhës shqipe ishte Xheki Myler. 

Një zonjë me shtat mesatar, me tipare të imta dhe e hirshme, natyrë e heshtur dhe intelektualisht e sofistikuar. Orët e mësimit zhvilloheshin dy herë në javë në mjediset e QNK e më vonë në vilën e saj, diku pas Ambasadës Amerikane. Mësimi dukej pak si surrealist. Ajo vinte fiks në orën 8:00, para portës së QNK dhe priste sa rojet tekanjoze të ndërtesës t’i hapin derën dhe në klasë ishte shpesh e vetme. Përgatitej me kujdes, por unë nuk i pyesja detyrat me shkrim, se e dija që shpesh mungonte edhe drita elektrike. Në të vërtetë kisha hartuar një metodë të gjuhës shqipe për të huaj, që në kapakun e së cilës kisha shënuar, UNË FLAS SHQIP (Metodë për të mësuar shqip të huajt). Ishte krijuar një farë ngërçi në orën e mësimit, si pasojë e stresit që mbartja unë. Në vitet 1992-93 në Shqipëri ndjehej thellë varfëria ekonomike, kaosi politik e shoqëror, rrjedhojë e regjimit të egër totalitarist që e kishte katandisur vendin në këtë derexhe. Dritat priteshin shpesh ose së shumti për orë të tëra nuk kishte dritë, uji vinte me ndërprerje, vihej re një dëshpërim ulëritës. Kështu, sa herë filloja mësimin, padashur përpiqesha edhe të justifikoja (në fakt të shpjegoja) këtë realitet të paparë ekonomik-shoqëror. Studentja, Xheki e kuptonte dhe e ndjente këtë gjendje gjysmë mësim e gjysmë hutim dhe një ditë, ndërsa e shoqëroja gjer tek dera e jashtme e godisë, u ndal dhe me tonin e saj fisnik më tha: “Zoti Fico, mos u shqetësoni, se ne e dimë dhe e kuptojmë këtë gjendjen tuaj, por realisht ndjehemi mirë, se kur dalim në rrugë qytetarët shqiptarë, madje më shumë fëmijët, na përshëndesin “mirë mëngjes” me buzëqeshje! Kam qenë edhe në disa vende të tjera me këtë detyrë, edhe pse të zhvilluara ekonomikisht, ne jemi ndjere vetëm si të huaj”! Në këtë bashkëbisedim tepër njerëzor ka në thelb një mesazh të thellë – Dashurinë e shqiptarëve, pavarësisht nga gjendjet dhe politikat për – “Beautiful America”. Studentja e parë e gjuhës shqipe, diplomatja Xheki Myler u bë dhe mbeti edhe dallëndyshja parë e këtij mesazhi. 

Shqiptarët u buzëqeshnin sinqerisht atyre, por u hapën zemrat dhe i vunë në krye të traditës së tyre të miqësisë. Shqiptarët u dhanë dashurinë, nderimin dhe mirënjohjen e pamasë dhe ata, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, treguan se janë miqtë dhe aleatët tanë më të mëdhenj dhe misionarë të demokracisë dhe të lirisë. Me Xhekin dhe me të shoqin, Riçard Mylerin (Richard Muller), u bëmë miq dhe një herë i ftova edhe për vizitë në apartamentin tim modest në rrugën “Tefta Tashko”. Ishte herë e parë që një çift amerikan, e për më tepër diplomatë të karrierës, do t’i kisha mysafirë. U dola përpara dhe i prita para ndërtesës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Ishin veshur thjesht dhe gjatë gjithë kohës flisnin dhe qeshnin lirisht. Kur u hap dera e apartamentit, nëpër këmbë, kaloi macja jonë, Kiti. Riçardi u ul, e mori dhe po e përkëdhelte. U habita, se nuk e merrja me mend se amerikanët kishin ndjenja kaq delikate edhe për kafshët e shtëpisë, se akoma në kokë kisha imazhin e ndërtuar nga propaganda 50-vjeçare zyrtare për amerikanët si njerëz të fortë dhe pa ndjenja. Dua të shtoj se vite më vonë, kur do të vendosesha në Nju Jork, në pjesën e sipërme të Lagjes Manhatan (Manhattan), shumë nga fqinjët e apartamentit tim mbanin mace dhe qen, që i shëtisnin dhe kujdeseshin për ta, si për fëmijët e tyre. 
Reforma në Drejtësi, një reformë jetike për demokracinë funksionale dhe shtetin ligjor
Po le të kthehemi te historiku i reformës në drejtësi, një reformë jetike për demokracinë funksionale dhe shtetin ligjor. Hartimi, diskutimet e pafundme dhe të sforcuara, gërr-mëret për miratimin e saj janë kthyer në një makth stresues për popullin e thjeshte dhe një teatër, një lojë qesharake dhe e pështirë për politikanët dhe partitë politike. Deklaratat dhe mesazhet e krerëve të Bashkimit Europian dhe të Sekretarit të Shtetit Xhon Keri për drejtuesit e partive politike të Shqipërisë për reformën në drejtësi, sado të sinqerta dhe të drejtpërdrejta që kanë qenë, kanë zgjatur sa flaka e zjarrit të kashtës. Kjo është pafytyrësi e politikës shqiptare dhe shpërdorim i besimit të popullit, që u ka dhënë votën këtyre kolltukofagëve. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu, si dhe ajo e Bashkimit Europian zonja Vlahutin kanë mbi një vit që venë e vijnë nëpër zyra dhe bëjnë takime me drejtuesit e partive politike. Ata kanë përdorur të gjitha mundësitë diplomatike, që nga takimet, fjalimet, opinionet etj. për të bindur të pabindurit tekanjozë të stanit politik shqiptar. Ambasadori Lu, ashtu si të gjithë ambasadorët amerikanë që kanë punuar në Shqipëri, shpreh dhe përfaqëson politikisht Qeverinë amerikane dhe Presidentët e saj. 

Po është për të ardhur keq që të gjithë këta ambasadorë, që nga i pari zoti Rayerson e gjer tek zoti Lu, janë etiketuar pa të drejtë dhe si të njëanshëm. Kjo dukuri nuk është e rastit. Zanafilla e këtyre qëndrimeve partiake është në trashëgiminë e neveritshme ideologjike komuniste të së kaluarës që propagandonte dhe ushqente urrejtje ndaj “imperializmit të egër amerikan”. Janë disa pinjollë të atij regjimi që shkarravitin mërira dhe qëndrime kundër ambasadorëve amerikanë. Kjo ka ndodhur nga përfaqësues të të gjitha partive politike, pavarësisht nga ngjyra e xhaketës politike që mbajnë veshur. Madje ditët e fundit një ish – ministër i jashtëm dhe kryetar i një partie joparlamentarte nxitoi t’i komunikonte Ambasadorit amerikan, zotiti Donald Lu që të “mos kalonte vijën e kuqe”, se Shqipëria është shtet sovran dhe anëtar i NATO-s. Kjo deklaratë e ish – ministrit është një show publik për konsum vetjak politik. Ambasadori Lu, me shqipen e vet , ka shprehur dhe shpreh nderimin, respektin për popullin shqiptar arritjet e tij, por si Ambasador i një vendi aleat, mik dhe model i demokracisë funksionale, ka synuar dhe synon të ndikojë për mirë në partitë aktuale politike, për të ndjekur drejtimin e duhur. Me qenë se ish – ministrit i pëlqejnë fjalët e urta , por i dhuroj edhe një tjetër. Mirë thonë shqiptarët e thjeshtë :”Eja baba të tregojë arat (pronat). Populli shqiptar nga përvoja e vet historike ka fituar edhe aftësinë për të dalluar miqtë e vërtetë nga ata hipokritë dhe të pabesë. Do të mjaftonte një reflektim i shpejt historik dhe të kujtojmë pak fakte kryesore për përkrahjen dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fatet e kombit shqiptar në çaste kyçe të ekzistencës. Me përkrahjen e Udro Uillsonit, me deklaratën e tij të njohur se “Një zë do të kem në Kongresin e Paqes dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë”, Shqipëria u pranua anëtare në Lidhjen e Kombeve. Këtë ngjarje historike Fan Noli e vlerëson si meritën e vet më të madhe publike në interes të Shqipërisë. Shqiptarët fisnikë dhe mirënjohës ia njohën këtë meritë presidentit Udrou Uillson (Woodrow Willson). Me rastin e vdekjes së presidentit amerikan Udrou Uillson, Rauf Fico, deputet i Durrësit, i propozoi Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë të nderohej kjo figurë e përmasave botërore. Në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit, Tiranës, shqiptarët kanë vendosur shtatoren e presidentit Udrou Uillson. Shqiptarët, me përvojën e vet të gjatë e plot luftëra e përpjekje për liri e pavarësi, kanë ndrequr gabimin gjeopolitik kryesor, mungesën e miqve të vërtetë. Tek Shtet e Bashkuara të Amerikës shqiptarët kanë gjetur aleatin, përkrahësin e fuqishëm dhe modelin e rendit demokratik. Presidenti Bill Klinton udhëhoqi aleancën ushtarake të NATO-s, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën për shkatërrimin e makinës ushtarake serbe në Kosovë dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Më 1 prill 2009 Shqipëria u pranua anëtare me të drejta të plota në NATO me përkrahjen e presidentit amerikan Xhorxh Bush. Aksioni politik e diplomatik i pandërprerë i Ambasadorit amerikan Donald Lu për të miratuar reformën në drejtësi dëshmon për politikën miqësore e demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me në krye presidentin Obama. Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pritja zyrtare në Shtëpinë e Bardhë dhe në Zyrën Ovale ishte e mbarë. Ajo dëshmoi sërish të vërtetën historike, se ne i përshëndesim me buzëqeshje amerikanët, siç vinte re para 25 vjetëve diplomatja dhe studentja e parë e gjuhës shqipe Xheki Myler, por edhe kemi qenë dhe jemi mirënjohës për përkrahjen e gjithanshme, duke përfshirë edhe reformën në drejtësi.
Sigal