Prof. Dr. Agron F. Fico: Rauf Fico për Kosovën dhe Shqipërinë

640
Sigal

Rauf Fico është një nga personalitet më të shquara të diplomacisë shqiptare, të politikë së Jashtme të Shqipërisë. Shkrimtari i shquar Ismail Kadare ka thënë: “Rauf Fico është Ministri i Jashtëm më me nam i të gjitha kohërave në Shqipëri”. (I. Kadare, “Mëngjeset në Kafe Rostand” – Motive të Parisit; Onufri, 2014, f. 219). Veprimtaria jetësore, publike dhe politike e këtij personaliteti të shquar shtrihet në një hark kohor tepër të gjatë dhe dramatik, në fillim të shekullit XX-të, me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, e gjer te sfidat e formimit dhe të forcimit të shtetit të ri shqiptar. Në të gjithë këtë lëvizje të historisë, Fico ka qenë aktor kryesor në përfaqësimin e shtetit shqiptar në marrëdhëniet me shtetet e tjera, herë si Ambasador, herë si Ministër i Jashtëm dhe njëherazi duke skalitur tiparet e veta si diplomat i talentuar dhe atdhetar i zjarrtë. Fico mori pjesë në Kongresin e Alfabetit shqip në Manastir (1908) bashkë me Bajo Topullin, të dy si përfaqësues të Gjirokastrës. Fico ka mbajtur poste të larta shtetërore dhe diplomatike: më 1920 Nënsekretar i Brendshëm i Shtetit në Tiranë; më 1922 bëhet Ministër i Brendshëm; më 1929 emërohet Ministër i Punëve të Jashtme. Fico ka qenë ambasador në vende parësorë për marrëdhëniet e shtetit shqiptar me shtetet e tjera. Më 13 mars 1926 Rauf Fico i paraqiti Gazi M. Qemal Ataturkut letra-kredencialet; më 1928 Ambasador në Beograd; në Athinë më 1937; Berlin më 1938 me qendër në Budapest etj. Në Beograd, gjithë vëmendja e Raut Ficos ishte fati i shqiptarëve, që ishin nën regjimin e egër serb. Ai, shpesh, edhe nën një vëzhgim të rrepte të policisë sekrete serbe, dilte nëpër Kosovë dhe shikonte se si reforma agrare e ndërmarrë nga qeveria shoviniste e Beogradit po i zhvishte fshatarët shqiptarë nga pronësia e tokës dhe i hapte udhë shtegtimit të detyrueshëm. Në këto vite janë të shumta raportet që Ministri Rauf Fico i dërgonte mbretit për gjendjen e vështirë dhe shumë të vështirë të shqiptarëve të Kosovës. Ishte meritë e Rauf Ficos që kudo që ishte ngarkuar si përfaqësues i shtetit shqiptar, ambasadat i kishte kthyer në shtëpi mikpritëse, në radhë të parë, të shtetasve të vet. Studenti gjakovar, profesori i mirënjohur Selman Riza, kujton se sa herë takonte ambasadorin tonë në Beograd, zotin Rauf Fico, mbushej me gëzim”. Ai ishte i dashtun, i mençëm, gjithnjë e sillte fjalën, pa e tepruar te Shqipëria, kultura dhe gjuha shqipe. Mjaft dijetarë të huaj kanë bërë studime serioze për historinë dhe gjuhën shqipe, theksonte ambasadori, dhe tash ka ardhë koha që ju, studentët shqiptarë, të bëheni shtylla e studimeve shqiptare”. (A. Fico, “Diaspora e Rilindur”, Tiranë 2006, f. 134.). Ndërsa studenti çam, gazetari dhe shkrimtari Veis Sejko më kumtonte një ditë se, kur ishte student për gazetari në Zagreb të Kroacisë, sa herë shkonte në Beograd, kthehej edhe nga ambasada shqiptare, se kishte kënaqësi të takohej me zotin Fico, i cili shpesh i thoshte: “Zoti Sejko, kur të vish herën tjetër, sill edhe ndonjë student të huaj, shok ose mikun tënd, se kemi shumë gjëra të bukura që t’iu tregojmë nga Shqipëria dhe kultura e saj e lashtë. Gazetarët miq na duhen, se janë posta më e mirë e lajmeve të vërteta…”. (Po aty, f. 134.). Ndërsa sa kohë ishte në Athinë i ngarkuar i shtetit shqiptar, ai bëri përpjekje të vazhdueshme për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Greqi e veçanërisht të çamëve. Janë të shumta dokumentet e firmosura nga Fico drejtuar Ministrisë së Jashtme në Tiranë për hapjen e shkollave shqip dhe emërimin e mësuesve shqiptarë. Më 1907 kajmekami i Prevezës ishte Fico dhe akti i parë zyrtar që kreu në atë detyrë ishte lejimi i mësimit të gjuhës shqipe. Fico ka lindur në Gjirokastër në një nga familjet e mëdha dhe më të shquara të saj, nga dera e së cilës kana dalë intelektualë në zë e të nderuar, si inxhinieri i talentuar dhe profesori i gjuhës esperanto Çefo Fico, pediatri i mirënjohur Remzi Fico, përkthyesi Enver Fico, karikaturisti Bardhyl Fico etj. Shtëpia e Rauf Ficos në lagjen Palorto të Gjirokastrës është ndër më karakteristiket dhe më të bukurat dhe gjendet fare pranë shtëpisë së Kadaresë. Mund të thuhet se rastësia ose fati historik i ka vënë pranë njëri-tjetrit dy personalitete të historisë sonë politike dhe kulturore. Çështja e Kosovës, e fatit të popullit shqiptar të Kosovës ishte dhe mbeti kryesore, parësore në veprimtarinë diplomatike të Rauf Ficos. Para paraqitjes së letrave kredenciale Kancelarit të Gjermanisë, në variantin e parë të këtyre letrave, ambasadori Fico shprehte me shkathtësi edhe dëshirën që të bisedonte edhe për Kosovën. Ministri i Jashtëm gjerman e kishte gjetur jo të përshtatshme. Megjithatë, në takimin direkt me Kancelarin gjeti mënyrën e zgjuar që të fliste edhe për fatin e Kosovës. Fakti që foli gjermanisht dhe sjellja e qëndrimi diplomatik klasik bënë përshtypje befasuese. Kur mbaroi takimi, Kancelari i tha Ministrit të vet të Jashtëm se “Shqipëria qenka vend i burrave, përderisa ka dërguar këtu këtë burrë”. Fico dëshmoi se ishte një politikan dhe diploamat i formuar europian, kur gracka e rrethanave të ndërlikuara të kohës e detyruan të jepte dorëheqje nga posti i Ministrit të jashtëm, ai vuri interesat e larta dhe të shenjta të Shqipërisë mbi kolltukun administrativ. Kur Kisha e Shën Naumit iu dha Jugosllavisë, deputeti i Durrësit, Fico mbajti një fjalim-klithmë: “Kjo është një plagë e pashërueshme në zemër dhe në trutë tona”. Dhe shtoi: “Do t’i drejtojmë nipat dhe stërnipat tanë dhe dikur këmba-dorazi, barkazi do të vemë në Kosovë nën hijen e Shkabës Dykrenore”. (A. Fico, “Beautiful America”, Tiranë 2014, f. 135.). Do të gëzohej, do të lumturohej Rauf Fico sot kur të dëgjonte dhe të mësonte se Kosova është shtet i Pavarur demokratik, i lidhur ngushtë e drejt bashkimit me Shqipërinë, me një njohje të madhe në gjithë rruzullin tokësor. Vizoni i tij i plotë politik-atdhetar shprehet qartë në dëshirën dhe mendimin e tij: “Dhashtë zoti, me flamurin kombëtar në krye, të marrim edhe Kosovën dhe Çamërinë”! Fico është njihet si një nga burrat më të aftë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit, shkruante një gazetë gjermane. Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Sër Robert Hodgson, shkruante për Rauf Ficon: “Një nga personalitet më tërheqëse në jetën publike shqiptare dhe një njeri i padiskutueshëm për ndershmërinë dhe patriotizmin, me pikëpamje përparimtare”. (Enciklopedia Britanike, f. 8) dhe Sër R. Hodgson e karakterizon “Republikan sipas bindjeve”. Fico ishte diplomat i formatit europian, i njohur dhe i nderuar. Kjo shpjegohet edhe me faktin se më 1933, Fico u përzgjodh në botimin vjetor europian “Who’s Who” (1933) midis intelektualëve më të shquar të kontinentit. Fico mban këto dekorata dhe urdhra: Kordonin e Madh të Urdhrit të Skënderbeut, Kordonin e madh të Urdhrit të Leopoldit të Belgjikës, Kordonin e madh të Urdhrit të Luksemburgut, Kordonin e Madh të Kurorës së Rumanisë, Oficer i Legjionit të nderit të Francës dhe Oficer Nderi i Urdhrit të Franc Jozefit.  Që nga botimi i fjalorit enciklopedik më 1933 e gjer në vitin 1944 kur ndërroi jetë, Rauf Fico mori edhe mjaft dekorime dhe urdhra nga shtete europiane dhe institucione të larta të kulturës dhe shkencës. Lista e këtyre dekorimeve është e gjatë. Po përmendim vetëm ndonjë prej tyre si: “Palma Akademike Franceze” dhe “Doktor Nderi nga Akademia e Napolit” etj. Një meritë e veçantë e Ficos është propozimi për të nderuar kujtimin e presidentit, mik të SHBA, Uillson. Prof. Shyqyri Hysi, autor i monografisë “Rauf Fico-shtetar dhe diplomat i shquar”, shkruan: “Në mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë Rauf Fico, duke ndërprerë seancën e sapofilluar, kërkoi fjalën dhe tha: Pa bisedimin e rendit të ditës, dua të bëj një propozim. Me hidhnim murmë vesh se ish-kryetari i SHBA U. Uillson vdiq. Duke marrë parasysh shërbimet e mëdha që i ka bërë Shqipërisë, propozoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi dhe t’i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit”. (Vep. cit., f. 63.)