Prof. Dr. Agron F. Fico/ Lule për mjekët tanë

915
Sigal

Kam disa vjet që jap mësimin e gjuhën angleze në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme. Ky është brezi i tretë me mjekët e ardhshëm. Zakonisht, orët e para studentëve u kërkoj të flasin pse zgjodhën profesionin e mjekut. Nga studentët mund të dëgjosh mendime nga më të ndryshmet. Por e përbashkëta e këtyre reflektimeve është dashuria dhe vlera njerëzore e profesionit të mjekut. Disa shtojnë se ishte dëshira e prindërve, por ndonjëri edhe dëshira e krenaria e gjyshit ose gjyshes. Në provimin përfundimtar dhashë dy tema, njërit grup temën: A Loving Care for the Patients – the Highest Standard (Kujdesi e përkushtimi me dashuri ndaj pacientit – standardi më i lartë), ndërsa grupit tjetër temën: Being a Doctor – a Noble Humanitarian Mission (Të jesh mjek – detyrë njerëzore fisnike). Këto ese apo hartime me rreth 150 fjalë ishin një befasi e bukur për mendimet, ndjenjat që shprehën studentët e mi, filizat më të njomë të lulishtes së madhe të mjekëve tanë. Dua të besoj se këta mjekë të ardhshëm (në vetëm 5 muaj mësim) këtë nderim, këtë dashuri e adhurim gati hyjnor për profesionin e mjekut dhe “betimin” se do t’i shërbejnë me përkushtim pacientit e kanë të kultivuar, të dëgjuar e të skalitur nga familjet e tyre. Shqiptarët e duan, e nderojnë dhe e dinë se si të shprehin mirënjohjen për mjekët tanë. Në qytetin tim të lindjes, në Gjirokastër, doktorët Laboviti i madh dhe “I vogli” (“i vogli”, “i madhi” përdoreshin për t’i dalluar njërin nga tjetri, se të dy kishin emrin Laboviti) nderoheshin më shumë se edhe zyrtari i shkallës më të lartë ose çdo njeri i një profesioni tjetër. Dhe kjo se ata ishin mjekë, ishin mishërimi i sakrificës njerëzore dhe përkushtimit, ishin sa të aftë aq edhe gojë ëmbël. Madje shkrimtari i madh Ismail Kadare doktor Labovitin e madh e bëri personazhin kryesor të romanit të njohur “Dasma e gabuar”. Mjekët tanë, të qytetit dhe të fshatit, në ambulancë ose në klinika private, por mbi të gjitha në ato publike, i duan dhe respektojnë pacientët, edhe kur këta të fundit janë të stresuar ose të frikësuar nga sëmundja apo të nxituar në fjalë ose në ndonjë gjest jo korrekt ndaj mjekut. Secili nga ne, si pacient ose nga njerëzit e vet të afërt, familjarë, ose nga miq e të njohur di e ka dëgjuar mjaft histori e ngjarje interesante të marrëdhënieve mjek-pacient. Shumë vite më parë një njeriu im i afërt u shtrua në spitalin e neurologjisë, ose siç quhej atëherë spitali nr. 5, ku ishte shef pavijoni Dr. Hysen Baboçi, i njohur si shembull i bukur i komunikimit me pacientët. Pas daljes nga spitali, njeriu im, që atëherë banonte në qytetin e Kukësit, më dërgoi si dhuratë për doktor Baboçin një dantellë punuar me grep, që ta vinte në këllëfin e jastëkëve të gjumit, që sa herë të vinte kokën në të, të kujtonte edhe mirënjohjen pacientes. Një gjetje sa e veçantë aq dhe bujare. Dija mjekësore, shkenca mjekësore është ndër më të ndjeshmet ndaj zhvillimit dhe përparimit. Informatika dhe telemjekësia e kanë bërë pothuajse globale. Sot kemi një mjek më të ditur, por edhe një pacient më të mësuar, i cili kur shkon tek mjeku ka lexuar dhe mësuar diçka për problemin që ka. Kjo sfidë e re kërkon edhe një përsosje të vazhdueshme të mjekut, pra kualifikimi i tij është një domosdoshmëri. Nuk jam mjek, jam albanolog dhe etnolog. Si i tillë kam një përvojë në këto shkenca, që lehtësisht të kuptoj edhe kërkesën e kohës për domosdoshmërinë e  kualifikimit dhe modernizimit të dijeve të personelit mjekësor.

Garda e brezit “veteran”-pasuri kombëtare intelektuale

Ne kemi ende dhe kjo është pasuri kombëtare, një gardë të brezit “veteran” të mjekëve tanë, që nga Akademik Ylli Popa, prof. Isuf Kalo, prof. Zabit Broka, Akademik Besim Elezi, prof. Panajot Boga, Dr. Kastriot Dautaj etj., etj. Është e gjatë lista e tyre. Ata janë shembull i përkushtimit profesional, por edhe i etjes për dije dhe kulturë mjekësore. Po sjell një nga shembujt e shumtë. Në vitet 70 të shekullit të kaluar u krijua “Brigada luftarake” e Universitetit Shtetëror si njësi luftarake në rast agresioni imperialist-revizionist. Në shtabin e saj isha bashkë me kardiologun Pandeli Çina, që ishte caktuar shef i shëndetësisë së brigadës. Në një stërvitje, në stinën e dimrit na takoi që të banonim në një dhomë të vogël të konviktit të studentëve. Ishte dimër i fortë. Dr. Pandeliu ishte me ethe, me temperaturë të lartë, por vazhdonte të mësonte gjermanisht dhe e dëgjoja që përsëriste me zë edhe lakimin e emrave.

-Pse vazhdon me kaq këmbëngulje kur je me ethe dhe po dridhesh? E pyeta.

-Më duhet shpejt gjermanishtja – ma priti doktor Pandeliu – se sapo më kanë ardhur nja dy libra të rrallë me të rejat e fundit në kardiologji e më duhet t’i lexoj sa më parë!Kardiologu i njohur atëherë dinte frëngjisht, polonisht, rusisht. Dikujt sot mund t’i duket një shembull modest, por që mbart një mendim bashkëkohor se kualifikimi i mjekut është një nevojë e përhershme e këtij profesioni. Ashtu sikurse çmojmë mjekët që kanë bërë emër në mjekësi, një vëmendje të veçantë meritojnë edhe dhjetëra e dhjetëra mjekë specialistë që kanë kryer cilësisht studimet në vendet e zhvilluara perëndimore. Ky fond njerëzor duhet të trajtohet me një përparësi të veçantë për rritjen e cilësisë së punës mjekësore në klinikat e spitaleve publike ose private. Ligjet e hekurta të ekonomisë së tregut janë shtrirë edhe në mjekësi duke e bërë atë konkurruese dhe disa-llojesh, d.m.th. mjekësi publike, private ose e përzier (publiko-private), madje edhe me kombësi të ndryshme, shqiptare dhe e huaj: spitali amerikan, klinika gjermane, greke, franceze, italiane, kineze etj. Në tërësi, marrëdhëniet mjek-pacient në vendin tonë kanë mbetur miqësore, pavarësisht nga përfoljet mediatike ose raste të veçanta të sjelljeve të vrazhda nga ndonjë mjek apo pacient. Debati publik që bëhet sot për të ashtuquajturin testim të mjekëve dhe infermierëve, që po merr formën e një kundërshtimi, pengohet dhe vështirësohet në disa raste edhe nga politizimi i saj. Pavarësisht “nga ngrirja” ose mendimet e ndryshme, domosdoshmëria e zbatimit të një sistemi të vazhdueshëm kualifikimi dhe verifikim mbeten si kërkesa e kohës moderne. Gjatë këtyre 20 e ca viteve të shoqërisë pluraliste të papjekur ende mirë, në vendin tonë, në Shqipëri janë përgatitur dhjetëra e dhjetëra mjekë të fushave të ndryshme. Niveli i tyre është përcaktuar nga vetë niveli mësimor i fakulteteve tanë mjekësore me probleme të shumta, madje gjer në diploma të pamerituara. Ka pasur edhe mjaft emërime në klinika dhe shërbime mjekësore me kritere partiake. Ky është një kontingjent jo i vogël, shto këtu edhe faktin se mjaft kanë mbaruar me notën nën mesatare dhe atëherë e kupton më mirë domosdoshmërinë jetike të kualifikimit dhe të testimit të tyre profesional. Natyrisht, forma dhe metodat janë të diskutueshme, por mund të përfitohet nga përvoja e shumtë nga vendet e zhvilluara. Kam jetuar për shumë vite në Amerikë dhe gracka e rrethanave të jetës më ka lidhur mjaft me jetën spitalore. Kështu kam fituar mjaft ndjesi dhe mendime për punën e atyre specialistëve aq të përkushtuar e cilësorë. Pa marrë përsipër të sjell ndonjë kontribut publik, mund të them se ata vraponin sa në punë aq edhe për t’iu përgjigjur kërkesës së përhershme për të mbajtur pozitën e fituar të vendit të punës me një punë të madhe për kualifikimin dhe modernizimin e njohurive të tyre. Po sjell një shembull. Kardiologu shqiptaro-amerikan nga shqiptarët e Vuthajt historik, i biri një atdhetari të shquar në luftën për pavarësinë e Kosovës, Kujtim Balidemaj, anëtar i Akademisë së Kardiologëve të Nju Jorkut, bën një punë të madhe kërkimore-shkencore. Ai është edhe një specialist i aftë dhe fisnik, prandaj e donin dhe e respektonin bashkësia shqiptare e Nju Jorkut, po aq e donin dhe e nderonin edhe pacientët e shumtë amerikanë.

Një arritje e mirë kohët e fundit ishte edhe konkursi i organizuar nga Fakulteti i Mjekësisë për përzgjedhjen e kandidatëve për specializimet. Pati tek-tuk edhe ndonjë kontestim, që edhe ai doli jo i saktë. Komisioni, nën drejtimin e Prof. Mira Rakacolli, Dekane e Fakultetit, hartoi një program shkencor, por edhe lehtësisht të verifikueshëm e transparent. Reforma mjekësore është ndër më të vështirat. Po të ndjekësh fatin e reformës mjekësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërmarrë nga Presidenti Obama, e ke të vështirë të kuptosh debatin e madh kombëtar amerikan në favor dhe kundër saj, sepse ajo është komplekse: ekonomike, financiare, shoqërore dhe politike. Reforma në shëndetësi tek ne është edhe më e vështirë, sepse pasqyron vështirësitë e trashëguara dhe shtrëngesën ekonomike (varfëri, papunësi etj.)  Reforma do të sigurojë një shërbim mjekësor falas për të gjitha dhe më cilësor. Padyshim që duhet të shoqërohet edhe me një përmirësim të kushteve financiare të mjekëve dhe infermierëve duke u shtuar edhe pagën.

Mjeku i familjes, hallkë e burokratizuar

Vëmendje duhet më shumë për mjekun e familjes, ku përplasen shumë qytetarë dhe ata, mjekët e këtyre njësive janë kthyer në njerëz që plotësojnë vazhdimisht formularë të shumtë. Çdo muaj duhet të shkosh tek mjeku i familjes kryesisht për të marrë recetën e ilaçeve. Mjeku, sapo hyn, fillon të plotësojë së bashku me një punonjëse (infermiere) këto letra: 1. Plotësimi i kartelës. 2. Regjistrimi në regjistrin e ilaçeve. 3. Një formular për USAID-in. 4. Receta për çdo ilaç. Kur del nga salloni i klinikës, tek tryeza e sportelit edhe aty kryhen dy veprime të tjera: 5. Vuloset secila recetë. 6. Regjistrimi përsëri në një libër të ilaçeve.

Në fakt, mjeku, sado i përkushtuar, nuk ka kohë fizike për të të vizituar. Madje, është stresuese që të shkosh çdo muaj vetëm për të marrë recetën. Ndërsa në Amerikë mjeku të lëshon recetë për 5-6 muaj. Pse mos të ndiqet i njëjti shembull edhe këtu në Shqipëri, në mos për 6, së paku për çdo 3 muaj? Zgjidhja do të ishte vendosja e një sistemi kompjuterik, në të cilën të grumbulloheshin të gjitha të dhënat qysh në fillim dhe e gjithë vëmendja të kufizohej dhe përqendrohej tek vizita e mjekut për pacientin dhe pajisja me recetë.

U bë mirë që po zëvendësohen blloqet mjekësore me kartelat mjekësore. Është më se e nevojshme të kompjuterizohet puna e mjekut të familjes për ta çliruar nga barra shkresore.

Mirënjohja

Pak javë pas daljes nga spitali i njohur Presbiterian i Nju Jorkut, e pyeta një mik amerikan se si ishte zakoni i shprehjes së mirënjohjes ndaj mjekut që më kishte pasur pacient. Në fillin i tregova se tek ne, në Shqipëri, ishte bërë zakon që mjekut që të kishte mjekuar t’i shpije ndonjë shishe me raki “Përmeti” ose “Skrapari”, ndonjë shishe verë “Kallmeti”, por edhe ndonjë darkë me këngë e dolli. Ai u kënaq me këtë zakonin shqiptar, por shtoi se në Amerikë veprohej ndryshe dhe më tha se mirë do të ishte t’i dërgoja ndonjë buqetë ose vazo me lule dhe shtoi se në rastin tim si i huaj edhe ndonjë dhuratë artistike kombëtare do të pëlqehej. E kështu bëra. Përveç luleve i dërgova edhe një pikturë të Bashkim Ahmetajt me pamjen argjend të Gjirokastrës me kështjellën në mes. Dhurojuni lule mjekëve tanë dhe ata do të ndjehen më të nderuar dhe më të përkushtuar e do të na japin ne, pacientëve, shërbimin e tyre humanitar me mirësi dhe me buzëqeshje besimi dhe shprese për jetën.