Prof. Dr. Agron F. Fico: Libri i tri dashurive

622
“Një Lato – me dyqind fashistë”, nga Sevo Tarifa

Të dashur zonja dhe zotërinj,

Poeti i shquar Lasgush Pogradeci, sa herë e pyesnin, se çfarë është kultura, përgjigjej vetëm me një fjalë – “LIBRAT”. Pra, edhe ky tubimi ynë i sotëm është një akt i mirëfilltë kulture, organizuar me përkushtim të veçantë nga një grup vullnet-mirë, me në krye të palodhurin zotin Kastriot Hadëri.

Libri me titullin e sfidues “Një Lato – me dyqind fashistë” ka dalë nga pena e figurës së shquar të kulturës shqiptare, publicistit veteran, shkrimtarit Sevo Tarifa dhe është redaktuar nga sqimatari i gjuhës shqipe, zoti Izet S. Çulli. Sevo Tarifa është autor i 130 librave, por edhe i dhjetëra e dhjetëra shkrimeve dhe një ndër speech writers më të talentuar. Është e pamundur që në këtë rast solemn të flasësh plotësisht për krijimtarinë e gjerë letrare dhe publicistike të Sevo Tarifës, por do ta karakterizoja si një ditar të madh, kronikë letrare e një periudhe të ndritur të historisë së Shqipërisë, asaj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të ndërtimit të vendit. Prandaj librat e Sevo Tarifës, sado të thjeshta mund të jenë, kanë mesazhe të larta, kanë mesazhin e madh të dashurisë dhe heroizmin për atdheun, Shqipërinë; rreh në to jeta e popullit shqiptar, të përfaqësuar nga bijat dhe bijtë e tij më të mirë. Autorit nuk i duhej të shkonte në Arkivat e Vatikanit ose të Stambollit dhe as në Muzeun e famshëm britanik ose Bibliotekën e njohur të Nju Jorkut, në rrugën 42 të Manhatenit, që të gjente personazhet e librave të vet. Jo, sepse ai i gjeti në çetat partizane ku bënte pjesë ose i kishte në lagje, në fshat, në qytet, i kishte përballë në Erindin piktoresk. Ko shpjegon edhe faktin që në dhjetëra e qindra faqe të bibliotekës së krijuar nga shkrimtari Sevo Tarifa ndjehet fuqishëm sa historia aq edhe jeta e gjallë, jeta me hallet dhe dertet e saj, por gjithmonë plot besim në fitoren e së mirës. Ne, që e kemi pasur afër shkrimtarin, ia njohim mirë përpjekjet këmbëngulëse drejt kulturës. Sa herë vinte dhe na fliste në gjimnazin e famshëm “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, Sevo Tarifa shfaqej edhe me një bllok me kapakë të zinj, që e mbante nën sqetull. Gjithmonë i ilustronte bisedat e veta me shembuj të fjalëve të urta, citate, vargje poetike, që i kishte grumbulluar në atë bllok magjik. Kjo prodhimtari kaq e gjerë dhe e larmishme e zotit Tarifa dëshmon rininë e tij të përjetshme, jo vetëm fizike, por edhe krijuese, që populli i mençur e ka sintetizuar në vargjet: “Vitet tutje e ti tëhu”. Se, siç thonë amerikanët: “Age is only a number”, (mosha është thjesht numër!) 

Në profilin e vet krijues shkrimtari Sevo Tarifa shquhet si krijues fisnik, edukator i së mirës dhe shpërndarës i kulturës. Këto veçori duken edhe më qartë tek libri që po përurojmë sot, me titullin e bukur “Një Lato – me dyqind fashistë”. Populli shqiptar, në Luftën e Dytë Botërore, doli para historisë së popujve të rruzullit tokësor me një status të nderuar. Kjo vulosi vendimin e drejtë të Shqipërisë, që u radhit në krahun e drejtë të historisë, u bashkua me koalicionin e madh antifashist, SHBA, BS dhe Britani e Madhe. Shqipëria ishte një ndër viktimat e para të agresionit ushtarak fashist italian, i cili e pushtoi më 7 prill 1939. Populli shqiptar bëri sakrifica të mëdha dhe luftoi me heroizëm pushtuesit fashistë e nazistë. Libri “Një Lato – me dyqind fashistë” është libri i tri dashurive: Dashuri e parë, dashuria më e madhe, është dashuria për atdheun Shqipërinë, për tokën dhe historinë, për brezat dhe kulturën. Këtë dashuri të madhe shqiptarët e kanë mësuar nga gjiri nënave tona hyjnore, që në ninulla u këndonin fëmijëve të tyre që të rriteshin dhe të bëheshin trima dhe burra si Skënderbeu, Rrapo Hekali, Muji e Halili e të tjerë. E dyta është dashuria për popullin, një popull i lashtë sa historia, që mishërohet në gjuhën kombëtare, si një ndër më të vjetrat dhe origjinale në gjirin e familjeve hindo-europiane. Nga gjiri i këtij populli dolën dëshmorët-heronj: Qemal Stafa, Mihal Duri, Misto Mame, Myzafer Asqeriu, Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, Lato Braho e qindra e qindra të tjerë. E treta është dashuria dhe nderimi për vlerat e larta morale dhe qytetare shqiptare si trimëria, guximi, besa, mikpritja, ndershmëria, dhe mbi të gjitha liria nga frika.

Në libër skalitet figura e ndritur e intelektualit të ri, juristit të Sorbonës, Lato Brahos, por mbi të gjitha shkëlqen atdhedashuria e tij, trimëria dhe shpirti i lartë i sakrificës. Autori Sevo Tarifa ka skalitur jetën dramatike të kryetrimit Lato Braho: “Tri herë i plagosur në kokë, i dënuar me pushkatim, i internuar, i burgosur me zinxhirë dhe i ndjekur këmba-këmbës nga armiqtë, i rrethuar nga 200 fashistë dhe, po citoj autorin: “Luftoi me dyqind dhe fitoi! Mbeti në histori”. (F. 179.). Zoti Tarifa është një pjesëmarrës në ngjarjet e kohës dhe si i tillë na jep plot kolorit rrethanat historike, lindjen dhe zhvillimin e Luftës Antifashiste e veçanërisht në gjirin e popullit të Lunxhërisë piktoreske dhe Erindit, ku lindi dhe u brumos Lato Braho. Lunxhëri është vatra e figurave të njohura të Rilindjes Kombëtare: e Koto Hoxhit nga Qesarati, Pandeli Sotirit nga Selcka, Urani Rumbos nga Stegopulli etj. Një vlerë e shtuar e librit “Një Lato – me dyqind fashistë”, të Sevo Tarifës, është edhe përfshirja në brendinë e tij edhe të poemës “O Lato Braho luani”, të poetit-tribun Arben Duka.
Vargjet e poetit:
Trim, o trim mbi trima,
Merrje gjak në vetull,
Një vit nga të tutë
Baras me një shekull.
tingëllojnë si trumbeta luftarake në këtë ditë nderimi dhe përjetësimi.
Me një përvojë të gjatë botimesh dhe shkrimesh, autori Sevo Tarifa, ka kultivuar edhe një stil origjinal. Ndërtimet gjuhësore janë të thjeshta, mendimi lexohet qartë dhe fjalitë rrjedhin e rrinë pranë njëra tjetrës si rruazat e një gjerdani. Në brendinë e këtyre fjalive ka dritë, ndjenja të sinqerta dhe shprehen mendime fisnike dhe optimiste. Stili është vetë autori, Sevo Tarifa. Librat, kjo pasuri e mrekullueshme e mendimit njerëzor, janë të shumta, të pamatshme dhe kaq të ndryshme sa edhe yjet ne qiell. Por vlera e tyre nuk kushtëzohet as nga sasia faqeve, ngjyrave, figurave, skicave, as e kapakëve tronditës, por nga mesazhet që përcjellin. Libri “Një Lato- me dyqind fashistë”, i shkrimtarit Sevo Tarifa, mbart një krye-mesazh, që përbën edhe vlerën e madhe të këtij libri – mesazhin e madh dhe të shenjtë të Atdhedashurisë, të skalitur aq bukur në figurën e Lato Brahos, dëshmorit-hero, dhe e vendos atë në Panteonin e përjetshëm të Lavdisë. Përgëzime autorit, shkrimtarit të nderuar, zotit Sevo Tarifa!
Lavdi dhe nder dëshmorit-hero, Lato Braho!
Sigal