Prof. Dr. Agron F. Fico/ Gjuha shqipe në Pekin

635
Sigal

Para pak ditësh Kryeministri Edi Rama në fjalën e hapjes së Institutit “Konfuci” për gjuhën e kulturën kineze tha se, që të flasim e shkruajmë saktë e mirë gjuhën shqipe duhet shkuar në Pekin! Kuptohet mendimi i hollë dhe njëherazi shqetësimi i drejtë dhe i përsëritur i Kryeministrit Rama për gjendjen e çoroditur të shqipes. Gjendja e gjuhës shqipe në ditët tona është një temë madhore që meriton një trajtesë tjetër. Por le të kthehemi tek “gjuha shqipe në Pekin”. Më 1 prill 1962 filloi jetën katedra e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Pata fatin e bardhë të jem profesori i parë që vura këtë gur themeltar në ngritjen e këtij institucioni të shqipes në Kinën e madhe. Tashmë ka kaluar gjysmë shekulli dhe katedra, veprimtaria e saj mësimore e shkencore, është rritur e zhvilluar dhe gjuha shqipe ende mësohet në Pekin të Republikës Popullore të Kinës. Në vitet 60 të shekullit XX midis Shqipërisë dhe Kinës u krijuan marrëdhënie miqësore të ngushta. Krushqia politike me Kinën u shoqërua edhe me zgjerimin e marrëdhënieve si dhe nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh dypalëshe në fushën e kulturës dhe arsimit. Pala kineze kishte kërkuar të dërgohej edhe një specialist për mësimdhënien e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Pas një udhëtimi prej 24 ditësh me vaporin “Vlora” zbrita në një port detar në Kinën e Jugut,  dhe pas 3-4 ditësh arrita në Pekin, kryeqyteti i Republikës Popullore të Kinës. Atje, pas 2-3 javësh pushimi, siç përmenda më lart, më 1 prill 1962 filloi mësimi i gjuhës shqipe, për herë të parë, në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Ora e parë e ditës së parë më është ngulur në mendje me gjithë emocionet e rastit. Pas fjalës së Dekanes Cin Pi thashë edhe unë pak fjalë: “Do të shënohet si ngjarje e veçantë në historikun e gjuhës shqipe fakti që sot po filloni të mësoni edhe ju gjuhën e bukur dhe të lashtë shqipe…” Emocione të fuqishme më pushtuan. Kurrë nuk kisha menduar se do të vinte ajo ditë që të ndodhesha përpara 30 studentëve dhe tre ndihmësve aty, në Pekin, në Kinën e largët, që t’u mësoja gjuhën time, gjuhën shqipe. Emocionet i zotërova dhe u ktheva nga dërrasa e zezë, në të cilën kisha shkruar më parë vargjet e  njohura të poetit të shquar të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit:

Gjuha jonë sa e mirë,

Sa e ëmbël, sa e gjerë,

Sa e lehtë, sa e lirë,

Sa e bukur, sa e vlerë.

Bashkë me ndihmësit e mi i kishim përkthyer këto vargje nga shqipja në rusisht dhe pastaj në kinezçe. Fillova nga tema e parë, alfabeti i gjuhës shqipe, zanoret dhe shqiptimi i tyre. Pasi shkrova në dërrasën e zeze shkronjën “a” të vogël dhe të madhe, u ktheva nga klasa që t’u tregoja shqiptimin. Mbeta i shtangur dhe nuk kuptova pse çdo student kinez mbante në dorë një pasqyrë. Kontrollova heshtjen time dhe u përpoqa të kuptoja domethënien e këtij veprimi. Shpejt u sqarua se, studentët nëpërmjet pasqyrës në duar imitonin shqiptimin tim dhe verifikonin artikulimin e gojës për shqiptimin e shkronjës përkatëse. Pas hartimit të programit të plotë të kursit 4-vjeçar të gjuhës shqipe i hyra punës për hartimin e metodës së gjuhës shqipe, që në mbarim arriti në katër vëllime. Një punë të veçantë bëja 3 herë në javë me ndihmësit, të cilët ishin të diplomuar në rusisht dhe anglisht.

 Krahas mësimdhënies synoja të krijoja edhe një bërthamëz modeste albanologjike. Prura një bibliotekëz të librit shqip: fjalorë, botime të letërsisë shqipe, revista etj.

 Studentët kinezë mësonin me një këmbëngulje të habitshme edhe pse vështirësitë i kishin të shumta, sepse shqipja dhe gjuha kineze janë dy gjuhë të largëta në hartën botërore të gjuhëve. Përdorja mënyra nga më të larmishmet që të krijoja një mjedis gjuhësor shqiptar, që nga incizimet e mësimeve dhe pjesëve të zgjedhura nga letërsia shqipe e gjer tek ekskursionet mësimore jashtë universitetit, ku nxënësit loznin rolin e përkthyesit. Atëherë në Pekin kishte shumë studentë shqiptarë, kështu organizonim veprimtari kulturore e gjer edhe sportive midis studentëve kinezë që mësonin gjuhën shqipe dhe studentëve shqiptarë. Në shtator të vitit 1963 erdhi për vizitë në Kinë një delegacion kulturor shqiptar i përbërë nga Kadri Baboçi, Zëvendësministër i Arsimit, nga Prof. Dhimitër Shuteriqi dhe poeti Llazar Siliqi. Ata shfaqën dëshirën që të vizitonin fakultetin dhe të merrnin pjesë në një orë mësimore të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Studentët, edhe pse të emocionuar nga prania e personaliteteve shqiptare, recituan dhe iu përgjigjën saktë pyetjeve të ndryshme nga letërsia, bënë ushtrime gramatikore dhe morën pjesë në bisedën që shkrimtari Dhimitër Shuteriqi zhvilloi me ta. Të pranishmit u kënaqën pa masë nga përparimi i studentëve kinezë. Profesor Shuteriqi ndër të tjera tha: “As në ëndërr nuk e kisha parë që gjuha e bukur shqipe, gjuha e Naimit, Nolit, Migjenit, Asdrenit të flitej e të shkruhej kaq mirë nga studentët kinezë. Është një ngjarje e shënuar për kulturën shqiptare. Ju lumtë juve dhe profesorit tuaj.” Katedra e gjuhës shqipe në Pekin ka vazhduar të punojë dhe të ekzistojë duke rritur cilësinë e tematikën mësimore dhe shkencore.

 Katedra e gjuhës shqipe u bë edhe furnizuesja kryesore e redaksisë së gjuhës shqipe në radion e Jashtme të Kinës. Në një letër që më dërgonte para disa kohësh një ish-studentja ime, Ho Y Ping, e njohur si Pina, më shkruante: “Pasi u diplomuam ne, grupi i parë i studentëve që mësuan gjuhën shqipe, për katër vjet u ndërpre pranimi i studentëve për shkak të ‘revolucionit kulturor’. Ndërsa në vitin 1970 u pranuan dy grupe studentësh e, qysh nga ai vit, çdo katër vjet pranohen të paktën 15 studentë.” Është një kënaqësi sa njerëzore, intelektuale dhe profesionale që m’u dha mundësia të vë themele të qëndrueshme në një institucion mësimor universitar në Kinë, që studentët kinezë ta flasin e ta shkruajnë saktë gjuhën shqipe; prandaj do të shtoja se nuk ka pse të shkohet gjer në Pekin për të mësuar shqipen e saktë, se ishin shqiptarët e Tiranës ata që ua mësuan studentëve kinezë gjuhën “e ëmbël dhe të bukur” shqipe.

Si u bëra pedagog i gjuhës shqipe në Pekin

Puna si pedagog i ri dhe e bashkëpunëtor shkencor në fushën e folklorit, por sidomos qenia si Sekretar Shkencor i Fakultetit dhe Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, e kishin bërë të dukshme punën time. Në shtator 1961 më thirrën në Ministrinë e Arsimit dhe më njoftuan për detyrën e re – pedagog i gjuhës shqipe në Pekin. Kisha punuar dhe isha gjendur midis personalitetesh të shquar të gjuhës dhe kulturës shqiptare si: Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Riza, Androkli Kostallari, Mahir Domi etj., të cilët më kishin ndihmuar të përfitoja nga përvoja e tyre shkencore-mësimore dhe të kuptoja standardet e larta për detyrën e ngarkuar.