Prof. Dr. Ago Nezha/ Si e duron Dulen Parlamenti?

143
Teatri ynë parlamentar, s’ka të ndalur. Ndoqëm në ekranet televizive një interpelancë të Kryeministrit Rama, të provokuar nga Vangjel Dule. Objekti i interpelancës ishte tepër qesharak. Shqetësimi i Dules,që preokupoi një seancë parlamentare, ishte për shembjen e një muri në Dhërmi, që Dulja e kishte pagëzuar Kishë. Qoftë dhe kishë të kishte qenë, muri i shembur, ky apostull i krishterimit, s’do ja kishte prishur gjumin vetes dhe parlamentit, në një situatë kritike që po kalon vendi. Shqipëria përmbytet në gjithë territorin e Jugut ku është deputet dhe idhëtari Dule dhe parlamenti krihet, bën tualet. Bukur thotë Buast: “Një popull i molepsur nga besëtytnitë, bëhet pre e sharlatanëve”. Ky fanatik fetar, që sillet si urtar, do ishte e udhës t’i bënte lutje zotit te muret e kishës, që mos përmbyste dhunshëm Vlorën, ku ai është i besuari i komunitetit me votë dhe i dërguari i Krishtit për t’i dalë zotë. Shqetësimi i tij në emër të ortodoksisë, ishte një përjetim deri në dhimbje. Ai, u prezantua në parlament me tërë qenien e tij alarmante. E ndiente, e vuante, e shqetësonte, e lëndonte, e mundonte, sa që s’mund ta duronte dot, t’i shihte gurët e vendit të shenjtë të rrëzuar për tokë. Këtë “tragjedi”, që ndodhi në Dhërmi, ai e përcjell si shqetësim edhe të etërve të tij, ortodoksisë greke. Grekët, “pronarë” të ortodoksisë rajonale, mbrojtjen e vendeve të shenjta në bregdetin Jonian, ja kanë besuar besnikut të tyre, Dules. S’kanë tjetër, atë kalorës të krishterimit kanë në këto zona dhe ngule e shkule të del para i shenjti Dule. Ka dhe një motiv më tepër, për të qenë i përgjegjshëm për çdo “incident”, që ndodh në zonën e Himarës, se etërit e tij e quajnë krahinë minoritare, nga vjen dhe vetë Dulja. Sa herë shfaqen apo krijohen artificialisht nga aktorë shërbëtor të fqinjit tonë Jugor, problematika që lidhen me komunitetin e fesë ortodokse, na dalin në skenë partizanë mbrojtës të flaktë, misionarë të politikës të partisë minoritare, PBDNJ-së, që drejtohet nga Dule. Interpelanca e kërkuar prej tij, s’është gjë tjetër veçse një provokim i rastit, në vazhdën e gjithë odisesë provokative që i bëhet Shqipërisë së çoroditur gjatë këtyre 25 vjetëve, nën demokraci. Vazhdimisht është luajtur me dinjitetin dhe integritetin e shqiptarëve, nga qarqe ekstremiste greke. Në fjalën e tij në interpelancë, Dule zhurmonte se janë shkelur të drejtat e njeriut në fushën e besimit. Toleranca dhe liria religjioze apo komunitare në Shqipëri, s’ka të krahasuar me atë të vendit të origjinës të tij, Greqisë. Minoritarët në Shqipëri jo vetëm që kanë gëzuar të drejta dhe privilegje më shumë se vendasit, por në shumë aspekte ato janë tejkaluar në favor të tyre. Në një kohë që shqiptarëve në Greqi u është mohuar, emri, identiteti, arsimi, kultura, deri edhe kombësia, gjë që nuk ndodh në asnjë vend demokratik europian. Në vendin e origjinës së tij, nuk bëhet fjalë për të ngritur objekte kulti, Xhami apo Teqe, edhe pse shumica e shqiptarëve janë të besimit Mysliman, por duke ju ndryshuar emrin janë konvertuar në ortodoks, që një ditë t’u mohohet origjina, kontributi dhe vlerat kombëtare. Ndjeshmëria e Dules, i nxitur nga fryma e ortodoksisë, bëri që të paraqitet tepër agresiv në parlament, si tutor dhe përçues i fjalës së lirë të fqinjit tonë Jugor, jashtë çdo etike institucionale. Ai, i kërkonte llogari Kryeministrit Rama, si një gjykatës i “ndershëm” dhe përfaqësues i komunitetit të dëmtuar. Në këtë sfond ballafaques, Kryeministri Rama nuk mungoi t’ia jepte përgjigjen që meritonte, por ndryshe nga akuzuesi, me tone më të qeta dhe më të kultivuara. Mjaftonte shprehja se Greqia nuk është qendra e ortodoksisë botërore, që merr në mbrojtje “padrejtësitë” që ju bëhen komunitetit ortodoks të vendeve të ndryshme të rajonit, që Dule të kuptoj pozitën dhe pozicionin e tij parlamentar. Për më tepër, Rama nënvizoi prerazi se “ortodoksët shqiptarë nuk janë grek”. Ajo që ra në sy veç të tjerave ishte reagimi i Dules gjatë ekspozesë historike që bëri Rama, mbi origjinën e himarjotëve, si kryeqendra e Labërisë me 53 fshatra, që përfshin Bregdetin, Krahinën e Kurveleshit dhe shkon deri në Delvinë. Sigurisht që dishepulli i minoritetit grek nuk mund ta pranonte këtë argument, edhe pse është një e vërtetë e pakontestueshme. Si “njohës i thellë” i minoriteteve greke ai e përfshin Himarën në krahinat minoritare, pse di edhe greqishten si gjuhë tregtare, krahas gjuhës shqipe. Si “studiues” karizmatik, që na u paraqit Dulja në foltoren e parlamentit, na mallëngjeu me erudicionin e tij etno-kulturor, kur debatoi për etnicitetin e krahinës së Himarës. Atë, nuk e di nëse e ka nga padija apo dredhia, por ai do ta mësojë herët a vonë, se krahina e Himarës është autoktone dhe pjesërisht janë të ardhur nga Veriu, po tu referohesh mbiemrave të tyre. Këtë e përligjin fare mirë folklori, ritet, zakonet, kultura dhe marrëdhëniet shoqërore e familjare me trevën e Labërisë. Dulja, që është i shqetësuar për drejtësi, pse nuk kërkoi interpelancë kur u nënshkrua marrëveshja famëkeqe e faljes së detit Greqisë, kur u shkatërruan varrezat në Përmet dhe Boboshticë të Korçës, pse nuk shprehu ndonjë indinjatë për masakrën e ushtarëve grek në postën kufitare të Peshkëpisë në Gjirokastër, vrasjet makabër për tifozëri në Greqi apo për festa kombëtare, këngët genocidiste të ushtarëve grek, procesin Bollano, për helenizimin e Himarës, e deri në deklamime monstruoze mesjetare, se me zorrët e shqiptarëve do bëjmë lidhëse këpucësh, e tjera marrëzira si këto. Thirri kujtesës, i dashur Dule, se kush ka cenuar të drejtat dhe liritë e individit në këto 25 vjet, ju si zëdhënës të qeverisë greke, apo qeveria Shqiptare. Shteti Shqiptar s’ka njohur kurrë barazi në marrëdhënie me Greqinë. As juve dhe as hirësia e tij Janullatos, Kryepeshkopi i kishës Autoqefale Shqiptare, nuk keni treguar ndonjë reagim apo keqardhje për gjithë këtë kalvar padrejtësish ndaj shqiptarëve. Ju jeni dashnori i diskriminimit të Shqiptarëve, në aleancë me qarqe të errëta të shovinizmit grek. Me frymën tuaj nacionaliste, ju amplifikuat edhe rastin e të riut himarjot Aristidh Guma, që humbi jetën aksidentalisht duke e politizuar për kapital politik. Ju trumbetoni pa u lodhur, se Greqia ka të drejtë të interesohet për minoritarët dhe qytetarët shqiptar, si anëtare e BE-së, sikur këta të ishin jetim. S’kemi dëgjuar të flasësh qoftë edhe një rast të vetëm për komunitetin Çam dhe Arvanitas në Greqi, për t’ju siguruar të drejtat e etnisë, besimit fetar dhe arsimimit të tyre. E keqja më e madhe e derimësotme, qëndron te inferioriteti i shtetit shqiptar, që ka toleruar një maskaradë 25-vjeçare në kurriz të qytetarëve të vetë, duke bërë kompromise denigruese në favor të klanit tuaj ekstremist. Ju i shërbeni jo miqësisë dhe fqinjësisë së mirë, por konflikteve ndëretnike. Urojmë mos ndodhtë të shembet ndonjë tualet me përkatësi ortodokse,se me të “drejtë” Dulja do kërkoj interpelancë me Kryeministrin. Në sfondin e dy shteteve Shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, po të heqësh një paralele do shohësh një fenomen të ngjashëm. Në Kosovë projekti për krijimin e asosacioneve brenda enklavave me popullsi serbe, ngjan me një shtet brenda shtetit, një Sanmarino serbe. E njëjta filozofi qarkullon edhe në mentalitetin e disa qarqeve greke, përfshirë këtu dhe Dulen, që krahinat me besim ortodoks, që dinë greqisht (megjithëse brenda Himarës duhet përjashtohen fshatrat Vuno, Kudhës, Qeparo, që nuk dinë greqisht), duan ti quajnë krahina greke. E gjithë kjo situatë që është gatuar për 25 vjet, është faji i inferioritetit të politikës shqiptare, që në të gjitha rastet e diskriminimit të shqiptarëve nuk ka pasur një reagim të ashpër nga të dy krahët e politikës, por kanë treguar një politesë politike, profetike. Do ishte tepër normale, që Kryeministri Rama, ta refuzonte një interpelancë kaq bajate, në një situatë kritike për vendin, kur ishte pushtuar nga ujërat. Në këndvështrimin tim, faji nuk qëndron tek juve, por te politikanët tanë “kozmopolitë”, që për interesa koniunkturale dhe përfitime personale, ju kanë toleruar juve pa limit dhe kanë bërë kompromise në kurriz të vendit të tyre. 
Situata toleruese dhe abuzive, s’ka nevojë për koment dhe interpretim. Aq më tepër për juve që jeni një politikan që mbani në kokë një kurorë me dafina minoritare dhe që keni lulëzuar si i përkëdhelur me pekule, për 25 vjet, sa majtas-djathtas.