Prof. Dr. Ago Nezha/ Nuk mund të ketë Shqipëri të pasur me fshat të varfër

627
Sigal

Fushata pranverore ka nisur duke populluar parcelat me një mozaik kafshësh shtëpiake që tërheqin parmendën duke filluar nga kuaj, mushka e gomarë që janë në garë. Fermerët janë të zhgënjyer nga premtimet paradë 23 vjeçare, që e kanë lënë bujqësinë në një prapambetje gati feudale, tregues të kësaj gjendje janë kryerja e proceseve të punës me kafshë. Qeveria e Rilindjes ka premtuar se do ta ndryshojë situatën, duke bërë revolucion në bujqësi. Por, që të ndodhë ndryshimi, duhen investime dhe vlerësime nga qeveria, duke e konsideruar degë prioritare duke e mbështetur me buxhet të privilegjuar, dhe jo të privuar si deri më sot. Qeveria, duhet të bindë në radhë të parë veten, se nuk mund të ketë Shqipëri të përparuar me fshat të prapambetur. Stafetën e ndryshimit të gjendjes në zonat rurale do ta marrë ajo qeveri që do përmbushi kërkesat e fermerëve, që kanë pësuar deziluzion gjatë këtyre 23 vjetëve nëpërmjet premtimeve dhe angazhimeve që kanë dhënë qeveritë e radhës. Tashmë, u ka ikur koha ritualeve të qeverive që kanë ardhur në pushtet më premtime butaforike dhe nuk kanë gjetur zbatim në asnjë rast, dhe bujqësia ka një prapambetje të trashëguar nga njëra qeveri te tjetra. Është koha që të thënës t’i shtojnë dhe të bërën për të qenë në rregull. Në horizontin politik të qeverisë së majtë, duket një rreze drite që urojmë të mos shuhet kurrë, ku Ministria e Bujqësisë po tregon vëmendje dhe po konsultohet me fermerët se si mund të dilet nga kolapsi ku ka rënë bujqësia. Në vazhdën e takimeve me bazën e fermerëve që po bën Ministri i Bujqësisë, Prof. Dr. Edmond Panariti, i bashkërenduar me Kryetarin e Grupit Parlamentar Petrit Vasilin dhe Kryetarin e Entit Kombëtar Rural Agim Rrapaj, rezulton që kjo situatë mund të kapërcehet vetëm atëherë kur të zgjidhet problemi i çmimit të karburantit, për t’u përgjysmuar kuotat ekzistuese dhe të investohet për të kooperuar në fermat e vogla ekzistuese. Këta dy faktorë, janë përcaktues në ndryshimet rrënjësore që kërkohet të realizohen në transformimin e bujqësisë. Të gjitha takimet, në profilin e tyre, kanë një emërues të përbashkët në fokusin e kërkesave që parashtrojnë, si përfaqësuesit e Shoqatës së fermerëve, ashtu edhe ata të mekanizatorëve. Nuk është e rastit që, në harkun kohor të jo më shumë se një muaji, në zonën e Tërbufit të Myzeqesë së Lushnjës, janë bërë dy takime të zgjeruara me pjesëmarrjen e legjislativit dhe ekzekutivit, me grupet e interesit. Ministri i Bujqësisë, z.Panariti, ka ardhur i shoqëruar nga ekspertë të fushave të ndryshme për t’u dhënë përgjigje kërkesave që kanë fermerët ndaj ekzekutivit. Nga diskutimet, ka rezultuar se gatishmëria dhe gjendja efiçente e mjeteve në zonën e Tërbufit, që ka pjellorinë më intensive, krahasuar me të gjitha zonat bujqësore të Shqipërisë, nuk e përligj as efektivitetin e punimeve dhe as prodhimtarinë e kulturave bujqësore, gjatë këtyre 23 viteve. Agro-mekanizatorët dhe fermerët që morën fjalën në këtë takim, shtruan me shqetësim, çmimin e lartë të karburanteve si kryefjalën e gjithë të këqijave që i vijnë bujqësisë në zinxhirin e problemeve, për ta çuar në një prapambetje katastrofike. Po të bësh krahasimin me bujqësinë e rajonit, qoftë në jug apo në veri të Shqipërisë, këtë prapambetje 23 vjeçare, nuk e përligjin as kushtet natyrore e as ato tokësore, përveçse politikat e mbrapshta të qeverisjes. Bilancet e prodhimeve bujqësore, eksport-import, janë ekstremisht të disfavorshme për efektivitetin ekonomisë kombëtare. Mjafton të përmendim këtu që, bilanci eksport-import është tepër negativ. Ministri Panariti, shtroi detyrën që të ndryshojmë raportet e deri më sotme ku, eksportojmë 110 milion euro dhe importojmë 730 milion euro nga produktet bujqësore. Sekreti i kapërcimit të kësaj situate u artikulua si rrallë herë edhe nga eksperienca interesante, që shpalosi në këtë takim një ekspert i bujqësisë japoneze që tregoi tërë përvojën që kanë shkelur Japonezët në fushën e bujqësisë në vite. Ai, solli përvojën e Japonisë në dy segmente dominuese: në fushën e kooperimit dhe mekanizimit. Mjaft interesante ishte dinamika e krijimit dhe ndryshimit që kanë pësuar kooperativat në vendet më të zhvilluara të botës. Lëvizja kooperativiste ka filluar në vitin 1900 në Gjermani, me një ligj të veçantë. Sot, citoi eksperti japonez është krijuar Aleanca Kooperativiste që përbëhet nga 120 shtete me 1 milion anëtarë. Duke qenë të kooperuar anëtarët në kooperativa Prodhimi, janë krijuar edhe kooperativa konsumi, Kooperativa Sigurimesh, Kooperativa kreditesh si dhe Kooperativa Strehimi. Të gjitha këto kooperativa krijojnë një ansambël që ngjan me mënishtet, që funksionon sipas ligjësive të pavarura të grupit. Pjesëmarrja në to është e lirë, mund të hysh dhe të dalësh vullnetarisht. Kjo dinamikë zhvillimi në Japoni, ka sjellë ndryshime strukturore të kooperativave, duke u zvogëluar numri i tyre nëpërmjet procesit të bashkimit është reduktuar nga 15000 në 7000 kooperativa. Tek ne kur përmend fjalën kooperativë, ndihen të trembur, të pasigurt, për vetë trashëgiminë që kemi nga e kaluara komuniste. Këtë situatë e përligj edhe fakti që, gjatë 23 vjetëve janë krijuar disa kooperativa në rrethe të ndryshme të vendit, si në Manzë të Durrësit, në Divjakë të Lushnjës, në Zadrimë të Lezhës, etj., që nuk patën jetë të gjatë dhe sot ato janë shuar pa lënë gjurmë. Për të rritur besimin, dhe për të parë efektivitetin ekonomik dhe leverdishmërinë e kooperimit, është e domosdoshme që shteti të bëjë disa modele ku të tregojë epërsinë e kooperimit mbi atë privatë. Eksplorimi, që po i bën Ministria e Bujqësisë zonës intensive të Myzeqesë, është një pararendje për të krijuar disa modele kooperimi ku të bëhen shembull për gjithë fermerët e vendit. Për të siguruar suksesin e kësaj pjesëmarrje të shtetit në krijimin e kooperativave duhet të investohet nëpërmjet kredive financiare, për të futur teknika e teknologji të reja me fara të reja bimësh e raca kafshësh, të standardeve europiane. Po nuk u fut shteti me investime, do përsëritet sërish situata e mëparshme ku kooperativat do dështojnë si deri më sot.  Në rast se nuk do ketë pjesëmarrje shteti, situata do të përkeqësohet e varfëria në zonat rurale do të thellohet. Fermeri që është kthyer në mesjetë duke e punuar tokën me forcën e krahut me bel, kazmë, lopatë, apo me kafshët shtëpiake, kuaj, mushka e gomarë, tregon se e kanë të pamundur të përdorin punimet mekanike me çmimet e larta të karburantit, që ekzistojnë deri më sot. Fermerët presin dhe shpresojnë se Qeveria do të reflektojë para kësaj situate kritike që ka zona rurale, e cila është braktisur për 23 vjetësh nga kujdesi i shtetit për zhvillimin tërësor të saj. Qeveria e sotme ka një shans që t’ia besojë Entit Kombëtar Rural, zgjidhjen e ‘nyjës gordiane’ zhvillimin e bujqësisë, administrimin e karburantit që sot e manipulojnë sekserët për përfitime personale duke abuzuar në kurriz të fermerëve. Po të përgjysmohet çmimi i blerjes së karburantit nga 2 dollarë, që është sot në 1 dollarë sipas platformës që ka hartuar Enti Kombëtar Rural, atëherë fermeri është i interesuar ta punojë tokën sepse ka leverdi ekonomike. Duhet kuptuar përfundimisht se, të gjitha disekulibrat për këto rezultate i sjell çmimi i lartë i karburanteve, që pengon kryerjen e mekanizuar të punimeve bujqësore. Ky problem është trajtuar në disa takime me fermerët, por ende s’ka gjetur zgjidhje. Po të vazhdohet me këtë praktikë ka ardhur koha që fermerët të reagojnë me mjete demokratike që kjo odise 23 vjeçare të marrë fund. Premto dhe mos realizo angazhimet, është një demagogji e dalë mode. Ajo politikë dhe qeveri, që nuk e kupton këtë aksiomë, detyrimisht është e dështuar në implementimin e programit të saj. Duke marrë parasysh që, aktualisht Shqipëria, krahasuar me rajonin dhe me gjerë ka një kosto shumë më të lartë të produkteve bujqësore, agro-përpunuese, të agro-industrisë, për rrjedhojë ka edhe nivelet shumë më të ulëta të përpunimit të lëndëve të para të prodhuara në vend. Është për të ardhur keq që vendet tona fqinjë si, Maqedonia dhe Greqia, fondet për bujqësinë i kanë dhjetë- fish e më shumë krahasimisht me fondet e qeverisë tonë dhe për rrjedhojë edhe prodhimet i kanë shumë herë më të larta se ne. Suksesi i Qeverisë Rama, është i kushtëzuar me shkallën e zhvillimit të bujqësisë që do ndodhë kur masa e investimeve do jetë shumë më tepër se sa është aktualisht në buxhetin e shtetit. Duhet të ndërgjegjësohet politika dhe pushteti, se Shqipëri të pasur me fshat të varfër, nuk ka për të pasur kurrë. Shqipëria, edhe për shumë dekada do jetë një vend me prirje rurale që kërkon një vlerësim dhe vëmendje të veçantë jo vetëm nga qeveria, por edhe nga parlamenti, e media që deri më sot ka bërë shumë pak për këtë sektor jetik për vendin, për ta sensibilizuar dhe orientuar edhe opinionin shoqëror drejt zonave rurale.