Prof. Dr. Ago Nezha/ Në një takim me Dr. Bujar Leskaj

824
Sigal

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Dr. Bujar Leskaj, të befason me gjetjet e tij të veçanta në koloritin e marrëdhënieve me njerëz të ndryshëm të para 1990 dhe pas, në vitet e demokracisë, gjë që tregon se është pa komplekse politike dhe përfaqësues i një institucioni mbi partiak. Ai, në botëkuptimin e tij ka të ngulitur filozofin e hierarkisë së vlerave duke i klasifikuar njerëzit me epitete adekuate si njeri i mirë ose i  keq, i aftë dhe i pa aftë, punëtor dhe dembel, që njëra palë e shpie kombin përpara drejt zhvillimit e përparimit shoqëror dhe pala tjetër e kthen prapa drejt prapambetjes dhe mjerimit. Një ditë në korridoret e këtij institucioni gjej dy njerëz të nderuar, gjirokastritin Nedin Hoxha  dhe vlonjatin Axhem Gjoni, që kanë drejtuar pushtetin vendor në disa rrethe të vendit, përfshirë këtu dhe qytetin historik të Vlorës në detyrën e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv në diapazonin e viteve 1980-1990. Duke kontaktuar me ta, ata më thanë se ishin të ftuar për një vizitë kortezie te Dr. Bujari dhe një punonjëse e aparatit që i priti në ambientet e hyrjes dhe po i njihte me historikun e institucionit  qysh nga krijimi i tij, e kishte fare të lehtë pasi fotot, eksponatët, botimet, flasin më shumë se një cicerone. Jo pak, por 30 botime janë bërë gjatë tre vjetëve që drejtohet ky institucion nga Dr. Bujar Leskaj. Kjo është një shifër befasuese për hapësirën kohore dhe numrin e personelit që ka, thotë  Irena Islami. Rruga drejt dijes nëpërmjet botimeve udhëhiqet nga shembulli personal i kryetarit që ka mbi pesë vepra historiko-kulturore për këtë institucion. Pasi vizituan stendat që mbushin dy anët e korridorit të zyrave, të ftuarit u pritën në zyrën e Kryetarit, Dr. Bujar Leskaj. Ajo që më ra në sy dhe që përbënte një element tjetër mbresëlënës të veçantë, ishte se për pritjen  e dy miqve kishte thirrur në zyrën e tij drejtuesit kryesor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të shkëmbyer përvojë me dy kuadro që mbartin mbi vete një eksperiencë të gjatë drejtuese. Dy njerëz me një histori suksesi në kohën e vet që kanë drejtuar për shumë vite pushtetin e ekzekutiv në rrethin e Vlorës. Në atë bashkëbisedim të gjatë, u evokua në shenjë nderimi dhe respekti periudha e gjithë ish kryetarëve që kanë drejtuar pushtetin në Rrethin e Vlorës,  qysh nga Sihat Tozaj e deri te Luan Muhameti. Secili nga kryetarët që kanë drejtuar rrethin e Vlorës kanë lënë gjurmët e tyre, por u veçuan disa ndërtime që janë bërë në kohën e drejtimit të rrethit nga Nedin Hoxha, i apasionuar shumë pas të bukurës, duke filluar nga plazhi tek Uji  Ftohtë, restorant “Shpella” etj, që edhe sot, mbas tre dekadash, mbajnë emrin e tij si pikë referimi. Ajo që u cilësua si një vlerë e shtuar për këto figura me shpirt liberal, ishte zbutja e luftës së klasave, që ishte moto e sistemit monist. Nedini, që ishte prirur për të bërë ndryshime arkitektonike, mobilizonte specialistët më të aftë për ti vënë në krye të punëve. Në një rast, një arkitekt i talentuar Pulo Nezha, por me një problem biografik për kohën, mbasi ishte vrarë i ati në lutën e Dukatit me partizanët e brigadës së Parë dhe të Pestë, u desh ta mobilizonte për të ndryshuar peizazhin e bregdetit të Vlorës me një grup arkitektësh, ku përfshiu dhe Pulon. Jo vetëm kaq por duhej të dërgoheshin në Itali për eksperiencë para se të aprovohej projekti. Në 33 arkitekt që kishte zyra e projektimit të Vlorës, midis tyre ai zgjodhi dy, njëri prej tyre ishte Pulua. Vlora u sensibilizua, se si është e mundur që të privilegjohet një njeri me përbërje të keqe politike. Por Nedini, ishte konsekuent në veprimet e tija të ndershme dhe dobiprurëse për komunitetin. Në gjithë qarkullimet që kishte bërë Nedini, nga Gjirokastra në Mat, në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme dhe në Vlorë, kishte lënë emër  për fantazinë dhe ndërtimin e veprave me një arkitekturë impresionuese. Lëvizja e kuadrove ishte në modë në sistemin monist, pasi bëhej qarkullimi nën moton për të mos u burokratizuar nga qëndrimi në një vend pune. Kësaj  praktike nuk i kishte shpëtuar dot as Axhem Gjoni, nga Vlora në Peshkopi, e më vonë në Berat. Por qarkullimi në Berat nuk ishte i zakontë, por u zgjodh si barkë shpëtimi nga nomenklatura e lartë e partisë, pasi u akuzua se gjoja ishte në grupin armiqësor të Memet Shehut.  Pra, peripecitë politike ishin jo vetëm te shtresat e pasura, apo te ata me një të kaluar politike të zymtë, por edhe te kuadrot e partisë dhe të shtetit. Kjo sëmundje ishte pjellë e sistemit. Ai sistem kishte të metat e tija të luftës së klasave dhe mbylljes me jashtë,  që u vërtitën gjatë bisedës me shembuj e raste të ndryshme. Por aty u tha se nuk mund të mohohen edhe arritjet në fushën e arsimit, shëndetësisë, energjetikës, bujqësisë, apo të disa fabrikave dhe uzinave që ishin rentabël e që fatkeqësisht u shkatërruan pas 1990, nga një herezi e shfrenuar e disa ekstremistëve të pakultivuar. Dr. Bujari, tregoi se si pa dëshirën e tij e çuan për studime për Gjeologji –Miniera, në një kohë që kishte mbaruar me të gjitha 10-ta gjimnazin “Ali Demi”, një nga më të mirët e vendit për nga niveli arsimor e profesional. Në atë sistem, në degët e papreferuara si për bujqësi e gjeologji, dërgoheshin ata student që nuk kishin përkrahje politike. Në degët e Universitetit Bujqësor, që përfshiheshin agronomia, zooteknia, veterinaria dhe inxhinieria pyjore, apo në Inxhinierinë gjeologjike që përgatiteshin inxhinier, shpimi, kërkim, shfrytëzimi dhe gjodezie. Në këto fakultete nuk kishte fëmijë të udhëheqjes jo vetëm nga piramida e lartë e partisë apo pushtetit, por edhe nga niveli fundor i drejtuesve të rrethit, nuk gjeje qoftë edhe një për model. Propaganda ishte tepër intensive se janë sektor të rëndësishëm dhe prioritar të ekonomisë. Pra, konsideroheshin profesione të bukura që të ngjanin me atë aforizmin se: “Puna është një këngë e bukur, që më pëlqen shumë kur e këndojnë të tjerët”. Kështu ishte edhe preferenca e fëmijëve të udhëheqjes së kohës për këto profesione, që i cilësonin të “bukura”. Por, Bujari jo vetëm që si mban mëri kryetarit Luan Muhameti, që e ka dërguar për studime në atë fakultet të padëshiruar prej tij, por sot e ka mik dhe e respekton e nderon për punën dhe ndershmërinë që përfaqëson. Rrallëkush nga brezi i ri respekton brezin e vjetër, edhe pse ai ka një eksperiencë të gjatë pune e jete, që duhet çmuar. I madhi Sami Frashëri thotë: “ Në qoftë se ka dy filozofë që nuk gabojnë, njëri nga këta është eksperienca”. Pikërisht këtë pasuri të akumuluar në breza, drejtuesit e këtyre 24 vjetëve nën demokraci, e kanë injoruar e zhvlerësuar. Në rast se vendet e zhvilluara e vlerësojnë me pagesë eksperiencën, në Shqipëri nuk e duan as falas. Ky është një mentalitet egoist, provincial, nënvleftësues, anakronik e përçmues ndaj çdo vlere të trashëguar, që mohon të kaluarën duke e nisur startin e punës nga dita që ulet në karrige një qeveri e radhës. Teoria e brezave po lulëzon dukshëm kohët e fundit, ku brezi i ri nuk e vlerëson brezin e vjetër dhe nuk tregon asnjë respekt për punën dhe eksperiencën e tij. Gëte thotë: “Lum kush nderon stërgjyshërit me zemër”. Dr. Bujar Leskaj, është ndër të paktët që jo vetëm i vlerëson, por edhe i nderon siç është shembulli që sollëm më lart. Shumë shembuj të tjerë të ngjashëm tregojnë me admirim kolegët e tij të punës. Kjo është një vlerë e veçantë e një drejtuesi vizionar, por njëherazi dhe të një njeriu patriot që e do vendin e vetë pa ngjyra politike, pavarësisht bindjeve të tija. E njerëz të tillë ka pak në mjediset tona drejtuese. Dr. Bujari është një lab, që e do vendlindjen e tij si Mekën e shpirtit të tij atdhetar. Nuk janë të rastit veprimet e tija patriotike. Ai, para dy muajsh inicioi me Komunën e Prishtinës, nëpërmjet një vendimi të Këshillit Bashkiak të Vlorës, për vendosjen e bustit të Ismail Qemalit në Prishtinë dhe reciprokisht për atë të Hasan Prishtinës në Vlorë. Për këtë qëllim, organizoi një delegacion të përbërë nga një grup intelektualësh nga Labëria që u prit nga Kryetari i Komunës të Prishtinës z. Shpend Mustafa, në prani edhe të Ambasadorit tonë në Prishtinë z. Qemal Minxhozi. Këto veprime flasin shumë për ndjenjat atdhetare dhe dimensionet që duhet të marrin figura të shquara si Babai i Kombit Shqiptar, unikali  Ismail Qemali, që fatkeqësisht nuk ka një përmendore madhështore edhe në kryeqendrën e vendit pa folur më në qytete të tjera të Shqipërisë. E pra duhen disa djem lab si Dr. Bujari, që me nervin, ambicien dhe ndjenjën patriotike kombëtare të bëhen faktor për të vendosur disa vlera të harruara apo mohuara nga rryma neglizhente edhe pse jo dhe antikombëtare. Dr. Bujari, me veprimet, angazhimet dhe vlerësimet që i bën njerëzve të nderuar që i kanë shërbyer vendit si dhe figurave të shquara të historisë së vendit tonë, pa mëdyshje do ta quaja një lab i larë me flori, që çdokush do ta kishte zili. Shqipërisë, që në këto 24 vjet është drejtuar nga  politikanë matrapazë, të zbrazur nga ndjenja kombëtare, që po e gërryejnë dhe minojnë nga brenda dhe nga jashtë si hiena. Uroj që të ketë dhe disa të rinj të tjerë nën shembullin e Dr. Bujarit, që të radhiten në trendin e atyre që duan ta bëjnë realisht Shqipërinë pjesë dhe shëmbëlltyrë të Europës