Prof. Dr. Ago NEZHA/ Mungesa e mirënjohjes të së majtës

557
Sigal

Elementi karakterizues i një demokracie shoqërore është jo vetëm qw ajo funksionon në një rrafsh shoqëror, por ca më shumë, ajo krijon hapësira të reja për një informacion të gjerë e mundësi komunikimi në të gjitha nivelet dhe shtresat e shoqërisë, duke përshkruar distancën ideologjike, e majtë e djathtë. Në formatimin e kampeve politike në pluralizmin Shqiptar u profilizuan dy kampe të fuqishme e majtë dhe e djathtë, ndërsa partitë e qendrës nuk patën sukses, jo vetëm për mungesën e një ideologjie të qartë, por edhe për mungesë liderësh  vizionarë e karizmatik. E majta si dhe e djathta, janë asete të vyera të demokracisë Shqiptare. Me ndryshimin e sistemit, nga ai monist në demokratik, pjesa më e shëndoshw e intelektualëve të shquar të shoqërisë Shqiptare u pozicionuan tek e majta duke e vlerësuar e konsideruar si krahun e politikës më të ekuilibruar dhe më progresive. Ky fokusim, solli një krizë kuadrosh te e djathta që i qëmtonin me pikatore për tu futur në garën e lidershipit të forcave të djathta. Përqendrimin e potencialeve të intelektualëve te e majta, unë do ta quaja një fatkeqësi kombëtare që i ka sjellë dëme rritjes dhe përsosjes së demokracisë në Shqipëri. Kriza për lidership te e djathta, ka bërë që në këto 23 vjet pluralizëm të kemi te Partia Demokratike një frymë ekstremiste, autoritare e bajraktariste, që vazhdon të transmetohet edhe sot për inercinë e dirigjentit që drejton pas kuintave të partisë. Ndërsa e Majta, është një det i trazuar dhe një zonë sizmike që nuk i shpëton dot “tërmeteve”, duke pasur brenda vetes konfliktin e liderëve, përplasje gjelash, (gjë që e ka më pak e djathta) për të qenë prijësa. Këto korente erërash që fryjnë herë pas here te PS-ja, e turbullojnë atmosferën politike dhe frenojnë ritmin e zhvillimit te Partia Socialiste. Uniteti dhe marrëveshja për të qenë të bashkuar në një aksion politik, përfshirë këtu edhe mendimin ndryshe si forcë zhvillimi, por jo pengimi, është çelësi i suksesit për arritje progresive te një forcë apo grupimi politikë. Dalja në skenë mediatikisht të kundërshtarëve apo edhe të mendimit ndryshe te Partia Socialiste, që tash është bërë një ritual dhe fenomen i njohur te kjo forcë politike, i shton kreditet e agresivitetit opozitës “demokratike”. Duke dashur të bëj një dialog virtual me kritizerët e qeverisjes së sotme brenda së majtës, unë jam pro dhe kundra tyre. Mendimi ndryshe, kundërshtitë, opsionet brenda partisë janë kontribute dhe vlera cilësore. Por kur këto qëndrime i hedh në treg për konsum të kundërshtarit politik, atëherë bëhesh më i rrezikshëm se kundërshtari. Dhe kjo rrezikshmëri ekstreme njihet edhe në biologji, si lufta brenda llojit. Kur problemet e familjes dalin në rrugë dhe bëhen objekt i një diskutimi populist, atëherë nuk kanë më atësi, dhe ti si denoncues i tyre, nuk mund të pretendosh të jesh më biri i kësaj familje. Anija kur ndodhet në një det të hapur me dallgë çamarroke të fuqishme, agresive që kthehen në stuhi, siç është opozita e etur për pushtet me çdo kusht, qoftë edhe një levë të mos i punojë normalisht anijes, ajo rrezikohet të përmbytet nga ciklon që i vjen papritur nga të katër anët. Kjo filozofi, e ka provuar rrezikun e vetë në politikën Shqiptare. Aq më keq kur mazhoranca erdhi në pushtet në një kohë që vendi është në një katastrofë ekonomike, me struktura të degjeneruara të gjyqësorit, të prokurorisë dhe sigurisë kombëtare që frymëzohen nga një opozitë destruktive, minuese, qëllimkeqe, që liderët e saj s’flenë gjumë duke trilluar, e bashkëpunuar me aleatë që duan ta përmbysin qeverinë me çdo çmim, për t’i hapur rrugën anarkisë. E në këto kushte të vështira e kritike për vendin, ti biri i familjes së kampit të majtë, PS-LSI, etj., bëhesh palë me kundërshtarin, duhet të pyesësh veten, kujt i shërben?!… Duke lexuar këto rreshta, ti mund të mendosh se linçuesi po i bën fresk pushtetit që po e shtron trasenë duke bërë gabime. Jo miku im, gabohesh rëndë. Pa komunikuar me juve, unë kam kontestimet e mia që mund të jenë më radikale dhe që mund të përkojnë shumë prej tyre me tuajat. Por, duhet të bëni durim dhe të luftoni me të gjitha armët brenda familjes tuaj që të korrigjohen gabimet, për të shëndoshur gjendjen e brendshme dhe për të përmirësuar klimën e qeverisjes. Ju mund të pretendoni se nuk dëgjohet zëri ndryshe në parti dhe kur e thua një mendim, sa do racional që të jetë, bie në vesh të shurdhër. Ndodh edhe kështu. Po bëj durim dhe hap pas hapi trokit me mendimet e tua konstruktive në shtëpinë e partisë tënde, se një ditë do kthjellohet atmosfera e akustikës së dëgjimit dhe liderët do të vlerësojnë opsionet tuaja. E përsëris se, dhe unë kam vërejtjet e mia për këto muaj qeverisje, por shpresoj dhe mendoj se do korrigjohen në proces e sipër. E Juve, instinktivisht mund të pyesni se çfarë vërejtjesh kam unë që marrë në “mbrojtje” Qeverinë Rama-Meta. Të bësh vërejtje e sugjerim është puna më e lehtë, por ato duhet të jenë sa më konstruktive dhe objektive që të ndihmojnë dhe t’i shërbejë përmirësimit të gjendjes. Vërejtja e parë, që unë e kam shprehur edhe një herë te një shkrim i botuar muaj më parë me titull “Kolltukët e Majta, Karriget e Djathta”, ka të bëjë me ndarjen e pushtetit në parcela, PS-LSI. Duke pasur autorësinë e pushtetit vertikalisht, gjë që e kam konsideruar të gabuar dhe e ka dhënë efektin negativ te Ministria e Bujqësisë e dikastere të tjera, ka bërë që në drejtim të punëve të vendosen militant jashtë profesionit të bujqësisë, deri në oficer, siç ka ndodhur me disa drejtori Bujqësie që me të drejtë emrat e tyre janë publikuar te Gazeta “Telegraf”. Unë e kam për zemër Bujqësinë, por këto veprime s’do ja falja as prindërve që më kanë bërë kokën, pa le më partisë. Fronti i majtë arriti fitoren dhe erdhi në pushtet edhe me kontributin e disa partive tradicionale që kanë liderë tepër karizmatik që do t’i kishte zili çdo subjekt politik si Profesorët e nderuar Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Petro Koçi, etj.. Një kontribut të veçantë dhanë grupi i sekretarëve që ishin te Aleanca Kuq e Zi, që para fushatës elektorale, në tërë sondazhet e bëra periodikisht, radhitej e treta në strukturën e partive me 14,5%. Me goditjen që i dhanë sekretarët duke e denoncuar dhe larguar prej saj, si një parti aferash politike, kreditet e mëparshme u rrëzuan dhe shkuan në fund të fushatës zgjedhore në 0,6%. E gjithë kjo përqindje e rrjedhur prej saj, shkuan te e majta PS-LSI. Megjithëse u dhanë premtime e zotime se do vlerësohesh me fitoren e së majtës duke u konvertuar me vende në qeverisje, jo vetëm që u harruan, por nuk u shpreh as një mirënjohje për këtë sakrificë të tetë sekretarëve dhe departamenteve që në përbërjen e tyre kishte me dhjetëra intelektual me grada dhe tituj shkencor dhe sot ata janë ende pa punë. Këta sekretarw me aktin e tyre publik, i bënë një shërbim të vyer demokracisë, megjithëse u kërcënuan e ju bë presion nëpërmjet segmenteve mafioze të Kryetarit Spahiu, ata i shkuan misionit deri në fund. Këtë mungesë mirënjohje, për hir të së vërtetës, nuk e gjen te e djathta, ajo i ka shpërblyer të gjithë aktorët që kanë kontribuar sado pak për fitoren apo arritjet e saja elektorale. Parë në këtë sfond, demokracia është besim dhe shpërblim në vlerën e larmisë së mendimit dhe kontributeve që jep secili. E majta, duke pasur shumë resurse dhe kapacitete të mëdha intelektuale dhe një elektorat të bollshëm që instinktivisht i derdhin votat dhe ja mbushin kutitë e votimit në zgjedhje, abuzohet me këtë prurje pasurore, duke e konsideruar vetëm si meritë të liderëve. Ky privilegj i së majtës, veçanërisht i PS-së, ka bërë që të mos i përfill e vlerësojë kapitalet intelektuale, duke mos treguar asnjë përkujdesje për meritat dhe kontributet e tyre. Po të bëjmë një retrospektivë para nëntë vjetësh kur erdhi në pushtet e djathta, brenda një jave me fshesë të hekurt pastrojë administratën nga drejtorët dhe specialistët e majtë. Gjithë ky apokalips i administratës, nuk u kontestua qoftë edhe me një zë të vetëm nga forumet e PS-së. Mos harrojmë se drejtorët që ishin në dikastere dhe Institucione, ishin të gjithë me tituj dhe grada shkencore, si profesor dhe doktorë dhe s’u muar parasysh, por u zëvendësuam me militant mediokër. Ndërsa e djathta, pa ardhur në qeverisje e majta, filloi t’ju bjerë daulleve për të bërë zhurmë, se gjoja po na heqin njerëzit tanë nga puna, në një kohë që e kishin fryrë administratën me militant në kohë fushate, për të siguruar vota. Po të bësh sondazhe nëpër dikastere, do vresh se shumë prej drejtuesve të drejtorive janë të djathtë. E majta e bën luftën politike pa fantazi. Do i sugjeroja Kryeministrit Rama, (në rast se ja servir ndonjë këshilltar, megjithëse ai nuk ka këshilltar për sektorin bazë dhe përcaktues të ekonomisë shqiptare bujqësinë, ndërkohë që ka këshilltar për sportin) që ti mblidhte në një sallë që ti shohë e djathta, të gjithë specialistët që janë hequr nga puna nga Partia Demokratike para nëntë vjetësh  që edhe pse me tituj e grada shkencore dhe kanë fituar gjyqin për tu kthyer në punë, ende janë rrugëve të pa punë nga pushteti i tyre i majtë që i dhanë votën. Unë nuk jam me filozofinë e të djathtës për të bërë spastrime e reprezalje militantësh, por as me qëndrimin e të majtës që pasi sigurojnë kolltukët e tyre, nuk pyesin më se kush është ulur në karrige. Ju siguroj se e djathta këtë indiferentizëm, mospërfillje dhe denigrim ndaj vlerave të çmuara intelektuale, s’do ta ja lejonte vetes dhe ky nuk është një opinion subjektiv i imi, por një përvojë e provuar në vite.

Një defekt tjetër që reflekton kjo qeverisje, është se ka prirje për të injoruar eksperiencën. Këtë e dëshmon më së mirë, jo thjesht se vuri ministra të rinj, se mirë bëri, por ka përjashtuar brezin aktiv që ka dhënë prova të suksesshme në drejtim dhe ka përvojë. Ansambli i ministrive funksionon me një ministër adoleshentë, me këshilltar pionierë dhe me një kor specialistësh jo profesionist. Qeveria nuk është kopsht eksperimental. E majta është një minierë me pasuri të pashtershme intelektuale që kanë kapacitete të admirueshme për ta çuar Shqipërinë përpara. Mos humbasë më ky shans duke bërë eksperimente pa fund, se populli është i lodhur, i rraskapitur dhe i është sosur durimi me akrobacitë e pushtetit. Pushtetarët e dehur nga karrigeja e pushtetit, mos harrojnë një sentencë të rilindësit të madh Sami Frashërit, që thotë se “Në qoftë se ka dy filozofë që nuk gabojnë, njëri nga këta është eksperienca”. Po ta lexojë këtë shkrim timin, miku im që flet ashpër për partinë e vetë, jam i sigurt që do thotë: që ja, s’qenkam vetëm, paskam dhe shokë që kanë mendim kritik për pushtetin e socialistëve. Është e vërtetë, ashtu është, por ti thuaje fjalën tënde brenda familjes tënde socialiste. Edhe unë që shkruaj me këtë gjuhë, jo rastësisht, por dua që të ketë sukses familja Juaj. Më shty ta bëj këtë shkrim një thënie e Molierit se:” Ai mik që nuk të flet hapur nuk është mik”. Por që të flet hapur…, nuk të tellallisë.