Prof. Dr. Ago NEZHA/ Mbyllën dyert e universiteteve që prodhojnë analfabetë

576
Sigal

Qeveria “Berisha” me strategjinë e saj arriti ta kthejë Shqipërinë në një shkretëtirë morale, intelektuale dhe sociale

 Në muajin tetor, kur çelën dyert universitetet, botova shkrimin me titull: “Hapën dyert universitetet që prodhojnë analfabetë”. Pata shumë reagime nga kolegë të mitë për qëndrimin që binte ndesh me interesat personale duke qenë pedagog në disa universitete private e ndonjë shtetëror për shumë vite. Shqetësimi im ishte akumulimi i eksperiencës disa vjeçare në këto universitete që ishin jashtë standardeve të shkollës së lartë dhe po përgatisnim analfabet me diploma pa dije. Ky shkrim sensibilizoi opinionin e gjërë shoqëror të shtresës intelektuale, madje, reagoi dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve znj. Nikolla, që premtonte një takim të harruar. Jemi në pragçerekshekullin e të ashtuquajturës “Demokraci”, ku ka ndryshuar jo vetëm struktura politike, morale, social- ekonomike, por edhe ajo arsimore, për një brez të ri shoqëror që do të integrohet me parametra bashkëkohor në Europën e zhvilluar. Do të shkatërrosh të djeshmen, shkatërro traditën dhe moralin kombëtar. Do të shkatërrosh të sotmen, shkatërro ekonominë. Në rast se do të shkatërrosh të nesërmen, të ardhmen e vendit, shkatërro arsimin në tërë strukturën e tij. Dhe këtë rrënojë të këtyre 24 vjetëve të ndryshimeve “demokratike”, e la trashëgim qeveria “Berisha”, që me strategjinë e saj arriti ta kthejë Shqipërinë në një shkretëtirë morale, intelektuale dhe sociale. Ajo e ktheu Shqipërinë në çiflig me moton: “Vidh merr dhe ik”. Pasi shkatërroi ekonominë me teorinë foshnjore, famëkeqe “O”, mbolli injorancën nëpërmjet universiteteve që mbinë e hodhën shtat nëpërmjet “plehërimit” të fermentit të Partisë Demokratike: “Universitete pa kufi”, nga Jugu në Veri, për ta bërë Shqipërinë pluhur e hi. Si arkitekt i pa shoq i shkatërrimit të vendit dhe të arsimit, u arrit që të prodhohen diploma false jo vetëm për Shqipërinë, por  edhe për fqinjët: Greqinë e Italinë dhe më tej, për Afrikën e Azinë. Kjo situatë dramatike, apo komike ta quash, nuk mund të korrigjohet me operacione parciale, ajo kërkonte një apokalips tërësor të arsimit piramidë-privat. Në rast se mund të thuash me logjik të ftohtë, se Qeveria “Rama” gjatë këtyre 300 ditëve ka bërë ndryshime për t’u përshëndetur, njëra prej tyre dhe më kryesorja, krahas reformës territoriale, është reforma në arsim. Në shumë universitete, në arsimin e lartë privat, nuk shkohet për t’u shkolluar, por për t’u shkalluar. Po të futesh në themel të arsimit të lartë privat, do zbulosh xhevahire që janë të pabesueshme për një shoqëri që do të integrohet në Bashkimin Europian. Shqipëria me universitetet pa kufi, ka prodhuar diploma aq shumë, sa që nuk bëhet fjalë për kërkesë ofertë, pasi ka një inflacion kuadrosh që vjen si nga sasia ashtu edhe nga cilësia. Është bërë e modës që në çdo shtëpi të ketë një fëmijë që ka mbaruar për Ekonomi apo Drejtësi. Tregu i punës sado që të liberalizohet, krahasuar edhe me ekonomitë më gjigande të vendeve më të zhvilluara, nuk do mund t’i mbulonte me vende pune. Pa folur që ata që mbarojnë në shumicën e universiteteve private, janë analfabetë në profesion. Është tepër e vështirë që të gjesh specialistë të aftë në fusha të ndryshme të ekonomisë. Ka shumë inxhinierë, por nuk dinë të bëjnë projekte, mjek që nuk dinë të përcaktojnë diagnozën, pa le më të bëjnë operacione, agronomë që nuk dinë të krasitin, ekonomistë që nuk dinë të mbyllin bilancin, e të gjithë këta janë diplomuar në universitetet tona si specialistë të lartë. Në të gjitha këto profesione, ke specialistë me shkollë të mesme që kanë mbaruar para 1990, që dinë të bëjnë mirë projekte kaluar inxhinierit, përcaktojnë diagnozën kaluar mjekut, të bëjnë krasitje kaluar agronomit dhe mbyllin bilance, që nuk dinë t i bëjnë ekonomistët e lartë. Shtrohet pyetja nga vijnë këto mangësi në fushën profesionale, nga profesoriati apo studentët? Është vetë struktura e shkollës së lartë private që është ndërtuar me studime fiktive. Të dy palët kanë gjetur një marrëveshje të heshtur. Pedagogët bëjnë sikur shpjegojnë dhe studentët bëjnë sikur mësojnë. Ka shumë studentë që nuk e dinë derën e auditorit gjatë vitit dhe paraqiten në provime me divizën: “Se do ta marr fakultetin se kam paguar paratë”. Pra, universitetet nuk janë më vendi ku mësohet, por ku tregtohet dhe fitohet paraja pa u lodhur. Pronarët e universiteteve, mjaftohen me pagesat e studentëve dhe me këto para ndërtojnë pallate, duke ju mohuar pagesat profesoratit të shkollës. Cilësia e stafit akademik lë shumë për të dëshiruar. Angazhojnë pedagogë që s’kanë as përvojë mësimdhënie dhe as grada e tituj shkencorë, deri edhe studentë që kanë mbaruar në universitetet përkatëse. Ironia e mësimdhënies shkon deri te e pabesueshmja, që disa pedagog në disa universitete private japin deri në tetë lëndë, në një kohë që kanë mbaruar vetëm një fakultet dhe bëhen specialist për gjithçka. Në këtë rast, nuk ka nevojë për koment, për cilësi të mësimdhënies nga ana e pedagogut, apo përvetësim të lëndëve nga ana e studentëve. Mjafton t’ i kujtojmë Ministrit të Arsimit të Qeverisë Berisha, profesor Tafait, se kur ka mbaruar ai Universitetin Bujqësor, para 1990, lëndën e Kimisë e jepnin dy pedagog, veças organiken nga Inorganikja, megjithëse ishte lënda e kimisë. Ndërsa në vitet e “demokracisë”, një pedagog jep 8 lëndë të ndryshme dhe Ministria e Arsimit i ka akredituar pa pasur edhe programe e katedra përkatëse. Mashtrimet janë monstruoze, me mastera dhe tituj e grada shkencore pa plotësuar as një kriter shkencor. Ky fenomen ka prekur jo vetëm Universitetet Private, por edhe ato shtetërore. Ministria e Arsimit dhe sporteve, duhet ta shërojë dhe këtë sëmundje gangrenë duke verifikuar titujt dhe gradat shkencore të viteve të fundit, në përputhje me kriteret e caktuara prej saj.

Situata dhe standardet e shkollave të larta paraqesin përgjegjësi të katërfishtë: Së pari e Qeverisë që lejon dhe licencon të ngrihen piramida financiare në zemër të arsimit të lartë, së dyti e shoqërisë që hesht para kësaj tragjedie kombëtare, së treti të prindërve që paguajnë injorancën me para dhe së fundmi e vetë studentëve, që gënjejnë veten se janë arsimuar dhe kanë fituar një profesion, që në të vërtetë nuk kanë njohuri për të dhe janë të dështuar në tregun e punës. Papunësia e të diplomuarve në këto universitete, është veç të tjerave dhe pasojë e nivelit të ulët profesional të kontingjenteve që kemi në tregun e punës. Ministria e Arsimit, vërtet nuk dikton, por orienton brezin e ri në ata sektorë që ka nevojë ekonomia dhe të nesërmen këto kontingjente që do arsimohen, do t‘i thithë si nevojë imediate tregu i punës. Në rast se do vazhdohet me këtë filozofi si deri më sot, që të rendet pas fakulteteve preferenciale të individëve edhe pse tregu i punës është i tejngopur dhe nuk premton as për sot dhe as në perspektivë për të vendosur raporte komplementare ofertë-kërkesë, kriza për punësim jo vetëm që nuk do ngushtohet, por do vij gjithnjë e më tepër duke u thelluar, deri sa të krijojë konflikte eksplozive. Në një shoqëri të vërtetë demokratike, ekuilibrat sociale i vendos shteti, si tutor i të mirës së përbashkët të shoqërisë.

PD: Mungon ligjshmëria dhe transparenca për universitetet

 Përsa i përket debateve të shumta që janë zhvilluar rreth mbylljes së shumë universiteteve, Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Genc Pollo, ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me Reformën në Arsim. Ajo ka akuzuar Kryeministrin Rama se kontrolli në këtë universitetet është bërë në mënyrë jo transparente dhe të paligjshme.

Në një dalje për mediat nga selia blu, deputeti i PD, Genc Pollo, tha se në mbylljen e 63 programeve të studimit është shkelur procedura ligjore dhe se nuk janë marrë parasysh propozimet e Institucioneve të Arsimit të Lartë. “Partia Demokratike përkrah kërkesën e profesoratit dhe të universiteteve për transparencë të plotë të kontrollit të ministrisë, të gjetjeve e shkeljeve të ministrisë ashtu siç janë shkruar e janë fshehur dhe pret që zonja Nikolla t’ i bëjë ato publike menjëherë. Vërejmë se për mbylljen e të gjitha filialeve universitare e të 63 programeve të studimit, është shkelur procedura ligjore, as nuk janë marrë propozime nga institucione të arsimit të lartë dhe as nuk është konsultuar Këshilli i Akreditimit siç e kërkon ligji. Po kështu u veprua me miratimin e kuotave, ku nuk u konsultua as Konferenca e Rektorëve dhe as Këshilli i Arsimit të Lartë e Shkencës siç e kërkon gjithashtu ligji. Edhe pse kishin një vit kohë”, deklaroi Pollo. Pollo,- thotë- gjithashtu, se në ato universitete private, administrator apo pronarë janë politikanë të maxhorancës i shpëtuan mbylljes. “Vërej, gjithashtu, për universitetet private, ku politikanë të lartë të maxhorancës nga grupi parlamentar dhe deri tek anëtarët e qeverisë e deri te zyra e ministres, që janë pronarë e administratorë i shpëtuan sëpatës. Edhe në ndonjë rast kur konkluzioni i kontrollorëve ishte pozitiv, në finale çuditërisht universiteti përfundoi me heqje licence. Kurse në lidhje me kuotat, ai deklaroi se ndërsa vjet qeveria miratoi 31 mijë kuota për universitetet publike, “Qeveria Rama miratoi 19 mijë, pra 12 mijë kuota më pak. Hiq edhe 6 mijë me universitetet private të mbyllura e pezulluara rezulton që 18 mijë maturantëve u mbyllet dhunshëm porta e shkollës së lartë”. Çështja është se siç ndodhi me operacionin “marrëzia e fundit”, në fakt rezultoi e para, pas të cilit rilindën kazinotë si kurrë më parë; pritet të shohim në çfarë forme, në çfarë pronësie do të rilindë arsimi privat”, -tha Pollo. Raporti i ministrisë sipas Pollos, është hartuar nga individë pa njohuri mbi legjislacionin, ku akuzoi sërish Kryeinspektorin, Ejona Isufi, për diplomë false, por dhe si donatore e Partisë Socialiste.