Prof. Dr. Ago NEZHA/ Gumenica në takim brezash

1231
Sigal

Në vend të parathënies

 Gushti, është kthyer tradicionalisht në muajin e festave dhe dasmave. Krijimi i shoqatave të fshatrave të Labërisë, bijëzave të Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria, organizojnë në muajin gusht festat me pjesëmarrjen e komunitetit të tyre, kudo ku janë. Festa troket në çdo fshat të Vlorës, si në Dukat, Tërbaç, Vranisht, Bolenë, Gumenicë e Kuç, si dhe në fshatra të Gjirokastrës, Fushë-Bardhë, Golem, Picar, etj.. Në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës “Labëria”, sa festa aq dhe ftesa kam përpara për të marrë pjesë në ceremonitë festive të këtyre fshatrave. Duke mos përjashtuar dot fshatin tim të origjinës Dukatin, më duhet të zgjedh nga një fshat më përfaqësues për çdo rreth. Këtë vit preferova Gumenicën e Vlorës dhe Fushë-Bardhën e Gjirokastrës, që ndryshe nga fshatrat e më sipërme që kam marrë pjesë në vite, këto dy fshatra s’ i kisha frekuentuar ndonjë herë. Çdo fshat ka veçoritë dhe bukuritë e tija, sa natyrore, ashtu dhe njerëzore. Fushë-Bardha e Gjirokastrës, mblidhej për të kujtuar 100-vjetorin e Betejës së Skarficës, në luftë kundër andartëve grekë, ku ranë  fli 8 bij të këtij fshati. Në kujtim të kësaj ngjarje të dhimbshme, për nder të të rënëve, në qendër të fshatit është ngritur një momerial madhështor me kontributin e bijve të komunitetit vendas, i punuar me mjeshtri nga Murat Kerraj. Ky është autori që ka gdhendur në dru, në trungun e një rrapi të tharë në fshatin Zhulat, portretin e Idris Sullit, të njohur si babain e emancipimit të zakoneve të Labërisë. Murat Kerraj, pa mëdyshje mund ta quajmë Mikelanxheloja i Labërisë. Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, e nderoi këtë artist popullor me Titullin e lartë “Mirënjohje të Labërisë”, motiv ky që isha i pranishëm për t i dorëzuar këtë vlerësim. Në këtë cermoni kishte të pranishëm deputet si Fatmir Toçi dhe Këshilltari për kulturën i Presidentit të Shqipërisë Ndriçim Kulla, Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Bimo, si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare si Hysen Ali Hormova, Shehu i Hormovës dhe Mikel…e shumë intelektual të ftuar nga mbarë vendi. Nderimi për këtë ditë të shënuar, ishte jo vetëm një kujtesë historike, por dhe një mesazh për brezat e rinj që vijnë më pas.

 Një ditë në Gumenicë

Gumenica, ditën e festës të këtij mes gushti e kishte emërtuar: “Takim Brezash”. U mblodhën në qendër të fshatit të ardhur nga disa qytete të vendit duke filluar nga Vlora, Fieri, Durrësi e Tirana. Por, në këtë ditë të shënuar për komunitetin gumeniciot nuk munguan dhe bijtë e bijat e fshatit që jetojnë në vendet fqinjë si Greqi, Itali, Anglia, Kanadaja dhe Amerika e largët. Nuk i pengoi largësia e as qytetërimi perëndimor për të harruar vendlindjen, tokën e të parëve të tyre. Por, nuk i sprapsën as  kushtet e vështira të terrenit e të rrugës së aksidentuar ku dhe një urë që lidh fshatin me rrugën kryesore ishte rrëzuar dhe me riparimet e bëra rrezikonte jetë njerëzish. Kjo është fytyra e pushtetit 24 vjeçar që mban emrin pushteti demokratik, që të shkosh në vendlindjen tënde rrezikohesh, e ke frikë. Për të shkuar në Gumenicë me mjete moderne do helikopter, ose me mjete tradicionale me mushka e gomarë. Por ata që e duan vendlindjen e tyre i gjejnë mjetet dhe mënyrat për të mbërritur në destinacion dhe kështu ndodhi. Dikush e kaloi lumin në këmbë, e dikush tjetër me mjete të larta dhe u mblodhën si zogjtë në folenë e tyre të përmallshme, në Gumenicë. Stacioni i parë ku u ndalën dhe takuan duart plot mall e emocione, ishte Muzeu Historik “Nur Duda”, një vepër kjo e ndërtuar me kontributin e birit të fshatit, biznesmenit Gafurr Duda. Aty, të pranishmit i priti Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore Gumenicë, Fatmir Hodaj, që shpjegoi dhe veprimtarinë e heroit që mban emrin Muzeu, bëmat e tij si dhe të luftëtarëve gumeniciotë, që kanë luftuar në shekuj për liri, pavarësi dhe prosperitet shoqëror. Dud Sinan Meta, oficer i Ali Pashë Tepelenës, studioi në Turqi dhe u arsimua me shkollë të lartë dhe ka qenë në krye të luftërave kundër Turqisë. Traditat patriotike vazhduan në breza. Këtë e përligjin dhe vargjet e këngës popullore: ”Iku Duda erdhi Nuri (i biri), asnjë ditë s’ u ul flamuri”.

Vizitat ndoqën radhën: pas Muzeut Historik të fshatit, të pranishmit bënë disa vizita të tjera duke nisur me Memorialin e Gumeniciotëve të rënë në luftëra, në Qendrën Mjedisore të fshatit, Lapidarin e 6 partizanëve të rënë në Gumenicë, si dhe Pllakën Përkujtimore të ardhjes së Ismail Qemal Bej Vlorës më 25 Tetor të vitit 1908, që është te shtëpia e Muharrem Tartarit. Mbasi mbaruan vizitat në vendet historike, të pranishmit ju drejtuan sheshit në amfiteatrin e pemëve, ku do zhvillohet ceremonia e festës. Pjesëmarrja ka një kolorit të admirueshëm. Është me të vërtetë një takim brezash për ta pasur zili. Shikon shumë të rinj e të reja si dhe të moshuar që në fytyrat e tyre ka gëzim, hare e nostalgji. Ata takohen e përqafohen tërë emocione, që pushtohen nga malli, kujtimet e mbresat që u janë ngjizur në fshat qysh në fëmijëri për njerëzit e gjakut. Ndarja për shumë vjet dhe largësia, kanë krijuar boshllëqe në kujtesën e tyre. Mundohen t i evokojnë nëpërmjet bisedave intime me njëri tjetrin. Çmallen e përloten në detin e kujtimeve. Ndihen të ripërtërirë, të freskët, të lumturuar, e pse jo dhe të rinuar. Siç thotë një filozof Rus, njeriu kur shkon në vendlindje i shtohet jeta. Dashuria për vendlindjen është mbi të gjitha dashuritë. Megjithëse jeton në paqe dhe me mirëqenie më të lartë se në vendin tënd, vendi i huaj nuk bëhet kurrë atdheu yt. Atje ka vetëm të tashme të lumtur, por jo të kaluar dhe të ardhme. Siç thotë Ciceroni: “Nuk ka në botë vend më të këndshëm se vatra atërore”.

Nëpërmjet bisedave, të gjithë janë të motivuar, nga fëmija deri te më i moshuari. I moshuar është edhe biri i fshatit Gumenicë, “Personaliteti i Shquar i Labërisë”, Gafur Duda, por kur e pyet a u lodhe? Ai të thotë se në vendlindje nuk ndien të lodhur, ndihesh i freskët, i rinuar. Vendlindja është dashuria që të bën të vish me vrap. Unë s’ kam asgjë timen thotë Gafuri në Gumenicë veç varrit të babait, por më duket se e gjithë Gumenica është e imja. Kam ikur nga fshati kur isha dy vjeç dhe s’ mund të pretendoj se kam kujtime fëminore. Këtë ndjesi ta jep vetëm vendlindja si me magji. Me këtë rast ai nuk mungoi të shkojë te varri i babait bashkë me djalin e tij Besnikun, të vendos një tufë me lule, për ti ngjallur edhe atij respektin dhe dashurinë për vendin e gjyshërve. Gafuri është modeli i njeriut patriot, që bën shumë, e flet pak. Investon për fshatin e lindjes Gumenicën dhe Labërinë dhe s’ kërkon shpërblim, privilegje e lëvdata. Nuk ka veprimtari që të mungoj kontributi i tij financiar. Festa “Takim Brezash”, në Gumenicë, pati shumë larmi. Moderatori Serri Xhaferi e ktheu në spektakël. U çel me fjalën e hapjes nga Bektash Meçaj dhe vijoi nga Kryetari i Shoqatës Gumenicë, që shpalosi veprimtarinë e shoqatës. Vazhdoi me përshëndetje nga të huajt dhe nderime të akorduara nga Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria dhe Shoqata Gumenicë. Me titullin “Mirënjohje e Labërisë” u nderuan pas vdekjes Bajram Veshaj, Numan Hodaj e Memush Aliraj. Takimin e përshëndetën Kryetari i Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria, Profesor Ago Nezha, nën/Kryetari Gafur Dudaj, Kryetari i Shoqatës së Vlorës Amet Dema, si dhe Sekretari i Shoqatës Cakrani, Luan Nazeraj, etj.. Festa u mbyll me një drekë për të pranishmit me kontributin e komunitetit gumeniciot. Fisnikëria e shpirtit të këtyre njerëzve të bën borxhli. Këto takime brezash që organizojnë shoqatat e fshatrave janë gur themeli për të ruajtur traditat, evokuar historinë dhe sakrificat në breza dhe përcjellin mesazhe për të mos humbur identitetin e krahinave të Labërisë.