Prof. Dr. Ago Nezha/ Etika dhe kultura e kryeministrit në ikje

545
Sigal

Etika, në kufijtë e reflektimit të standardeve morale të një qeverisje, varet nga kultura, tradita dhe sjellja e Kryeministrit, që drejton kabinetin qeveritar. Në një shoqëri të emancipuar demokratike, etika është një tërësi parimesh thelbësore që, përcaktojnë standardet minimale dhe që udhëheqin sjelljen e të gjithë atyre që janë përfshirë në jetën publike dhe drejtuese të vendit. Mënyra e komunikimit me publikun, gjuha e përdorur, sjellja në marrëdhënie me vartësit, e lidershipit superior, është një cilësi që transmetohet në mënyrë horizontale dhe kapilare, te gjithë struktura politike qeverisëse, dhe ka ndikim të shprehur veçanërisht te rinia. Po të ndjekësh në dinamikë tërë zhvillimet e qeverisjes Berisha, etika personale dhe institucionale e përdorur në mjedise publike, është tepër banale. Brenda një kabineti qeverisës, padyshim që ka individë me kapacitete morale, intelektuale dhe profesionale të diferencuara, që ekuilibrojnë vlerat konkurruese dhe dilemat brenda llojit. Por në këtë kontekst, qëndrimi i çdo aktori ministror, transferon te individi, peshën dhe përgjegjësinë për një etikë sa më qytetare dhe të pranueshme për opinionin publik. Gjuha e përdorur nga Kryeministri Berisha, në mënyrë permanente ka qenë banale. Duke riprodhuar në kujtesën e shqiptarëve simbolet e pashlyeshme, si  “lavire bulevardi” përdorur në adresë të Prokurores së Përgjithshme, “horr bulevardi” për Presidentin e Republikës” etj., janë tepër poshtëruese dhe fyese për një shoqëri të emancipuar demokratike. Po të zbresim në nivele më të ulëta, si deputet opozitar, apo edhe Kryetarin e opozitës, kujtojmë me turp fjalorin banal, që i shan me libër shtëpie, duke filluar nga nëna, motra, e gruaja, flet për një standard etik, që poshtëron nivelin e shoqërisë shqiptare. Jam munduar ta harroj gjithë atë bagazh të fjalorit banal, të zbrazur mediatikisht nga Kryefamiljari i vendit për shumë vite, por ai nuk të le të harrosh, sepse sa herë shfaqet publikisht, do lëshojë ‘xhevahire’ nga goja e tij, që do mbeten si relike në fondin e “artë” të politikanëve tanë lider. Edhe pse është duke ikur nga pushteti, ai nuk ndryshon dot kursin e sharjeve. Mesa duket, është aktuale dhe prezente thënia e popullit se: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin se harron”. Edhe në ditët e fundit të pushtetit, përpëlitet duke dhënë shpirt, me sloganet e tij poshtëruese për kabinetin e ri qeveritar, që ende s’ka nisur nga puna. Karakteri i tij specifik, ja ushqen ose ja shteron arsyen. Me qëndrimin e tij të pa korrigjueshëm, tregon se karakteri është vullnet i formuar përfundimisht. Karakteri i tij ekstremist, është i trashëguar qysh në fëmijërinë e tij. Vetitë e vërteta të karakterit, i ka shfaqur edhe në kohën e sistemit monist. Kolegët e tij të punës, tregojnë se në marrëdhënie me vartësit apo studentët, ka qenë tepër ekstremist. Mjafton të sjellim dy episode, që flasin për energjinë e karakterit të tij sipas parimeve të kohës. Në rolin e sekretarit të organizatës së partisë së spitalit, në një rast, gjykohej një kaldajist, që nuk kish mbajtur në gjendje pune kaldajën për mungesë solari. Për këtë neglizhencë të kaldajistit, tregon një koleg i tij i organizatës, e ka mbajtur organizatën me orë të tëra, duke insistuar për ta çuar kaldajistin në prodhim. Prodhim më fundor se sa kaq, ku mund ta çoje kaldajistin?! Një shembull tjetër, që flet për karakterin e tij ekstrem, tregon se studentet që, kishin ndonjë devijim nga moda e veshjes standarde, i përjashtonte nga mësimi dhe sillej shumë rreptë me ta. Shembuj të tillë, tregojnë pambarim bashkëpunëtorët e tij të asaj periudhe, që flasin qartë për karakterin e tij të deformuar. Epërsia e karakterit nuk varet nga sistemi, por nga formimi dhe trashëgimia familjare. Emerson thotë se: “Karakteri, sido ta lexosh, nga e djathta në të majtë, apo nga e majta në të djathtë-mbetet po ai”. Këtë thënie lapidar, e mishëron më së miri Kryeministri Berisha, në të dy sistemet. Por le të kthehemi te objekti i temës që më provokoi të jap këtë refleksion. Ndoqa me interes dhe kureshtje zhvillimin e konferencës ndërkombëtare: “Shqipëria e gjeneratës tjetër”. Konferenca, ishte një model sfidues, që nuk i ngjante as një tubimi të organizuar në vitet e demokracisë. Më emocionoi dhe më dha shpresë, se me ato vizione që shpalosi për dy ditë ky bashkëbisedim ekspertësh të huaj dhe vendas, me shumë reputacion në fushën e tyre, Shqipëria ka mundësi të rilindë. Por efektet e kësaj konference, kryeministrin në ikje, jo vetëm që nuk e gëzuan dhe emocionuan pozitivisht mesazhet që ajo përcolli, por, përkundrazi, e lënduan dhe i turbulluan më shumë ndërgjegjen e moralin e tij, që ka punuar e punon si ta shkatërroj Shqipërinë. Kjo situatë reflektimi e Kryeministrit Berisha, nuk ka nevojë për koment, mjafton të citosh fjalët e helmëta dhe banale të zakonta për fjalorin e tij, që si gjithmonë i nxori nga goja në mbledhjen e radhës, paradë, të Qeverisë. Ekipin e ri qeveritar, ai e etiketoi si: “ekip i papërgjegjshëm, më injoranti, më padije që ka pasur ky vend”. Një fletushkë, zëdhënëse e tij besnike, shkonte edhe më tej, ku shkruante se: “Ministrat e kësaj qeverie, janë më injorantët që ka pasur rruzulli tokësor”. Me këto mostra të politikës dhe ndonjë medie me fytyrën e liderit të së ”djathtës”, Shqipëria është gjithmonë e rrezikuar, po të lihen të livadhisin si deri më sot. Kryeministri refugjat, do ishte në nderin e tij, të vlerësonte jo vetëm Konferencën “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, por edhe ekipin e ri qeverisës. Si mund ta quash injorant, një ekip të ri që kanë mbaruar universitetet në disa vende të zhvilluara të Europës dhe botës, që kanë fituar kulturë perëndimore dhe kanë dhe një bekgraund politik, në familjen e së majtës dhe një pjesë e tyre edhe një eksperiencë të pasur drejtuese. Më së shumti, kryeministri, mund të thoshte, se një pjesë e kabinetit të ri qeveritar janë të rinj, që duhet përgëzuar, por relativisht ju mungon përvoja që do ta fitojnë në punë e sipër. Përcaktimi i tij, është jo vetëm keqdashje, ligësi dhe cinizëm, i një njeriu që mendon,  punon e dëshiron ta shohë Shqipërinë shkretëtirë në errësirë, sepse vetëm kështu i shërben tutorëve të tij veriorë dhe jugor. Ekipi qeveritar, i marrë në tërësinë e tij, është mjaft premtues. I parë në vlerat individuale, profesionale dhe kulturore, është me një formim të pasur politik, social dhe arsimor, që mund të përballojë çdo dilemë etike dhe të konkurrojë me kapacitetin e vetë moral, intelektual dhe energjitë e veta operative, për balancimin e imperativëve urgjente që ofron pushteti. Ajo që kërkon të ndërhyhet me urgjencë, për të korrigjuar situatën e sotme të sëmurë, që lanë pas  qeveritarët e korruptuar dhe shkatërrimtarët e vendit, është rikuperimi i tërë strukturave shtetërore. Kjo kërkon të vendosen, ndryshe nga deri më sot, jo militantë të sëmurë, por njerëz me integritet, që kanë ndershmëri, qëndrueshmëri, koherencë dhe reciprocitet institucional. Qeveria, duhet të funksionojë si një orkestër e tërë pa dallime partiake. Përgjegjësia dhe morali qeverisës, duhet të jetë i barabartë për çdo aktor politik. Doktrina që ka Kryeministri Rama, për ta rilindur Shqipërinë, kërkon një staf me profil europian, me një përfytyrim të ri konceptual dhe procedural, që si busull ka interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Etika konvencionale që ka përcjellë Kryeministri Rama, për të ndërtuar administratën e re, përfshin parimet e rekrutimit, zgjedhjes dhe ngritjes në përgjegjësi, bazuar në meritokracinë profesionale. Mirëpo, është e kuptueshme që do ketë vështirësitë e fillimit jo të vogla. Do ndeshet në murin e administratës së të paaftëve  militantë të PD-së, që kur erdhën në pushtet fshinë me fshesën partiake të gjithë të majtët, edhe pse ishin me tituj dhe grada shkencore. Reagimi i Partisë Demokratike, me tam tamet e tyre, se do na heqin militantët, ka filluar pa ardhur Qeveria e re në pushtet, se i dinë sekretet e zonave të pista, të pushtetit të tyre tetë vjeçar. Sita e seleksionimit të kandidatëve për punësim, mbi kriteret e meritokracisë nëpërmjet konkurrueshmërisë, do eliminojë shumë paragjykime, edhe pse do ketë interpretime e keqinterpretime mbi baza partiake. Administrata e sotme, është administrata më e paaftë në këto 22 vjet demokraci, që e pohojnë me kuraje edhe disa  ish kuadro drejtuese të së djathtës, që kanë qenë shumë vjet në drejtim. Kjo, ka ardhur për faktin se, etika qeverisëse nuk i referohej meritokracisë, por katër shtyllave të kalbura të pushtetit: militantizmit, klientelizmit, nepotizmit dhe krahinalizmit. Meritokracia ishte në minoritet. Kjo situatë kërkon, guxim, përmbysje dhe profesionalizëm nga ana e drejtuesve të dikastereve që do merren drejtpërdrejtë me rinovimin e strukturave drejtuese, sipas përkatësisë. Në rast se do hezitojnë dhe nuk do operojnë me standardet e përgjegjshmërisë demokratike, duke u tulatur nga pengesat që burojnë nga mjedisi politik, është i sigurt dështimi i reformës. Respektimi i kulturës administrative, dhe politike nga njëra anë, duhet të jetë në sinergji të plotë me ushtrimin e pushtetit nga ana tjetër. Një demokraci e shëndetshme funksionale, ka nevojë për një administratë të aftë e të përgjegjshme, që realizon misionin e saj final. Ministrat që do vijnë në pushtet, duhet të vlerësohen për nga besnikëria dhe përkushtimi, për të përballuar sfidat e doktrinës së qeverisë së re.

Kryeministri Berisha, la një Shqipëri të shitur, të plaçkitur, të shkatërruar, e deformuar, ashtu siç e kishte ëndërruar e premtuar, padronëve që e kishin frymëzuar e orientuar. Çrrënjosja e një të keqe, që ka kancerizuar gjithë organet e trupit të shoqërisë, nuk zhbëhet lehtë. Ai, u ndëshkua rëndë me votë, që flet për humbjen e vlerave morale të pushtetit. Por, populli pret një ndëshkim më real, me kosto më të lartë. Krimet e Gërdecit e të 21 Janarit, korrupsioni galopant i qeverisjes, shitja e detit, përvetësimi i pronave, e shumë marrëveshje të tjera klandestine, kanë ngelur pezull dhe kërkojnë përgjigje, hap pas hapi. Po të vihen në vend tërë këto padrejtësi, do lind besimi, do ngjallet shpresa dhe do vendoset demokracia e shumë pritur prej shqiptarëve. Urojmë që ‘Sëpata e Drejtësisë’, të korri pa dallim partiak, sa djathtas –majtas.