Prof. Dr. Ago Nezha/ Efektet e ligjit 7501, fatkeqësi kombëtare, si dënimi me vdekje

650
Sigal

Zgjidhja e vetme është vendosja e drejtësisë për çështjen e pronave

Për Prof. Dr. Ago Nezhën, efektet e ligjit 7501 janë “fatkeqësi kombëtare, si dënimi me vdekje”.  Në intervistën e tij për “Telegraf”

Nezha jep vlerësimin e  tij për ligjin 7501, mendimin e tij për pohimin e Berishës në një intervistë në Televizion, se “është bërë gabim me ligjin 7501 për pronat” si dhe gjykimin e tij për fatin e këtij ligji në të ardhmen…

Si i vlerësoni efektet e Ligjit 7501?

-Ligjin 7501 dhe Ligjin e heqjes së dënimit me vdekje, unë i kam quajtur dy fatkeqësitë shqiptare, që kanë shkatërruar marrëdhëniet njerëzore dhe kanë cenuar të drejtën shoqërore për të jetuar të lirë në një shoqëri demokratike. Ky ligj, ishte një kompromis konjukturash për efekte elektorale, ku si e Majta ashtu edhe e Djathta, e votuan unanimisht në Parlamentin e parë pluralist. I vetmi deputet që doli në kundërshtim me ligjin dhe votoi kundra ishte shkrimtari i madh Dritëro Agolli. Për këtë qëndrim refuzues ndaj ligjit, ka edhe një episod me Namik Doklen, që i tha: o Dritëro, si votove kundra ligjit, kur ti je dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste?!. Dritëroi i madh, i tha: “Bjena socializmin se do votoj unë pro, tashti jemi në kapitalizëm”. Filozofia e këtij qëndrimi është fare e qartë, nuk mund të ndërtojmë shoqërinë kapitaliste në një demokraci liberale, me metoda komuniste. Në fillimet e demokracisë, në Programin e Partisë Demokratike, ishte sanksionuar që toka të shkonte te pronari legjitim. Mirëpo kur Berisha testoi opinionin në zonat rurale dhe pa tendencën që fshatarët në pjesën dërmuese të tyre nuk trashëgonin tokë dhe ishin të prirur për të implementuar ligji 7501, ndërroi kurs, duke u pajtuar me këtë ligj vrastar që shkel të drejtat e njeriut. Pra, ky ligj u kthye në një shou elektoral. Dëmet që i ka sjellë ky ligj shoqërisë Shqiptare, janë të pa llogaritshme dhe të pa rikoperueshme. Ky ligj vepron me dy standarde, ndryshe në fshat dhe ndryshe në qytet. Në qytet ju njoh prona pronarit, madje në mënyrë të dhunshme dhe aspak humane u  sollën pushtetarët e qeverisë Berisha me banorë që ishin strehuar nga shteti. Është i njohur fakti se, qytetarët që banonin prej 70 vjetësh në shtëpi me pronar, u nxorën në rrugë dhe i lanë në qiell të hapur, në mëshirë të fatit. Po të marrim në konsideratë edhe faktin që këta pronarë, kanë marrë shtëpi nga shteti, që është kontribut i shoqërisë, atëherë del në pah, denigrimi ekstrem që ju bëhet pronarëve në zonat rurale. I parë ky fenomen në planin kombëtar, ligji 7501, është zbatuar në mënyrë selektive, në zonat e ndryshme të vendit. Në zonat veriore, pronari ka vajtur në tokën e të parëve të tyre. Ky realitet, është krejt i ndryshëm nga Shqipëria e Mesme dhe ajo Jugore, që pronarëve ju është mohuar prona e trashëguar në breza. Pushteti 23- vjeçar  i pushtimit të pronave, ka dalë dhe me një slogan novator, që pronarët legjitim i quan ish pronar. Ne zonat e bregdetit, krahina e Dukatit dhe Himarës, “ish”, jua bëjmë pulave kur duam ti trembim. E mesa duket edhe pushtetarët në rotacion, duan ti trembin pronarët duke i quajtur pa identitet, pa atdhe, pa të kaluar, pa trashëgimi gjenetike. Shoqata për “Pronësi me Drejtësi” , si dhe Krahina e Dukatit dhe Himarës, në mënyrë permanente dhe konsekuente, me njëmendësi të pa lëkundshme e ka kontestuar këtë ligj antidemokratik. Peticionet, protestat fizike, kërkesat për tu abroguar ky ligj, vazhdojnë në mënyrë energjike edhe sot nga Shoqata për “Pronësi me Drejtësi” Shoqata “ Dukati” dhe Bregdeti, drejtuar jo vetëm institucioneve kombëtare por edhe atyre ndërkombëtare, por mesa duket zëri i tyre bie në vesh të shurdhër. Megjithëse pamë një prononcim të ditëve të fundit të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe Komisionit Europian Zyra Qendrore për Zgjerim, që i përgjigjeshin letrës së dërguar nga Shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti”, përsëri mund të themi se përgjigjja e organizmave ndërkombëtarë, s’ishte gjë tjetër, veçse një lutje-apel ndaj Parlamentit Shqiptar, që zgjidhja e problemit mbetet në mëshirë të legjislativit. Po të ishte se kishte vullnet demokratik nga Parlamenti  Shqiptar, ky problem nuk do kish shkuar në Kalandrat greke.

Si do ta konsideroni një pohim të zotit Berisha në një intervistë në Televizion, se është bërë gabim me ligjin 7501 për pronat?

Politikanët tanë bëjnë lojën e strucit dhe ja kalojnë topin njëri tjetrit sa djathtas-majtas. Ironia më e fundit është ajo e klounit Sali Berisha, që doli me tezën se gjoja është bërë një gabim me Ligjin 7501, por nuk jep asnjë version se si dhe a mund të korrigjohet ky ligj. Ka pasur tagrin si Parti e ashtuquajtur e djathtë dhe pushtetin e presidencën për më shumë se një dekadë nën demokraci dhe megjithë kontestimet  e bëra në mënyrë permanente nga pronarët e bregdetit, ai për asnjë rast nuk ka denjuar ti marrë në konsideratë kërkesat, peticionet dhe protestat e një komuniteti që i është mohuar një e drejtë themelore e individit. Madje, janë tallur duke përsëritur ritualin grotesk, se do i shpërblejnë pronarët legjitim. Ky premtim, është vërtetuar si një mashtrim i radhës dhe përligj më së miri skenarin e Katovicës, për t’i zvarritur pronat, deri sa të shuhet brezi që ka trashëgiminë. Koha po e vërteton më së miri se ky skenar klandestinë, po vihet në jetë nga sejmenët e pushtetit anti-demokratik.  Tashti i doli gjumi Berishës dhe po bën rolin e”kavalierit” për pronat. Qëndrimi i tij autokritik për aprovimin e Ligjit 7501, mund të ketë sentimentuar  dhe entuziazmuar ndonjë gjynahqar që mendon se ai ka reflektuar dhe beson në sinqeritetin e tij të shtirur, se do të lobojë për ndryshimin e ligjit për pronat. Boll është tallur për 23 vjet ky mjeshtër i mashtrimit, me të gjitha shtresat e privuara dhe persekutuara, duke filluar me pronarët që ju është mohuar prona dhe të persekutuarit që janë lënë në mëshirë të fatit. Mos harrojmë të kaluarën, për të besuar tek e ardhmja. Berisha në pushtet, pasi i sakatoi, u mohoi pronat dhe i dëboi nga trojet e veta si muhaxhirë nëpër botë shqiptarët, i vrau dhe i qau, tashti që ka humbur pushtetin, po tregon mëshirë, është bërë bamirës i së drejtës. Kjo hipokrizi i shkon për shtat naivëve, delirantëve dhe hipokritëve të  sofistikuar nga politika. Mjaftë më me shashka për të rritur adrenalinën e pronarëve dhe për ta kaluar topin sa djathtas-majtas. Ka ardhur koha për veprime konkrete. Një forcë politike, apo edhe një grup parlamentarësh, të hartojnë një amendament,  për të paraqitur  në Parlament, për të abroguar Ligjin 7501, në dobi të pronarëve legjitim. Ky është një mision fisnik jo vetëm i të “djathtës”, por edhe i të majtës, në rast se do ta rilindë Shqipërinë realisht. Le të shpresojmë dhe pse s’besojmë, nga zhgënjimi që kemi përjetuar në odisenë 23 vjeçare…

Si e shihni të ardhmen e Ligjit 7501?

Komuniteti i bregdetit, është një komunitet jo i vogël, me një të kaluar të lavdishme historike, që në breza ka bërë epokë dhe duhet dëgjuar dhe përfillur zëri i tyre, si nga legjislativi ashtu edhe ekzekutivi. Indiferentizmi, nënvleftësimi apo denigrimi, mund të shkaktoi një kosto të lartë sociale për shoqërinë. Heshtja, apo anashkalimi i këtij problemi të mprehtë social, se është vështirë të zgjidhet, e akumulon të keqen si plaga qelbin dhe një ditë mund të shpërthejë dhe të sjellë një infeksion të pa shërueshëm për shoqërinë.   Po të ketë vullnet politik, gjinden mekanizmat e zgjidhjes. Shqipëria, duhet të shpëtojë nga kjo murtajë që i ka marrë frymën dhe i ka mbytur perspektivën. Politikanët e Majtë apo të ashtuquajtur të Djathtë (them të ashtuquajtur të Djathtë, se ajo që i dallon dy subjektet politike është prona), përfshirë këtu edhe Partinë Republikane, që është sa për shou  në krah të pronarëve, se në 23 vjet demokraci, është në aleancë me Partinë Demokratike, që në programin dhe praktikën e saj nuk jua njeh pronën pronarëve legjitim. Ka ardhur koha që të vendoset  drejtësia, për të mos e mbajtur peng demokracinë. Po të bësh një bilanc, për natyrën monstruoze të krimit gjatë këtyre 23 vjetëve, me tritol, me armë, apo vrasje me pagesë, etj, do shohësh se 90 përqind e tyre kanë ndodhur për konflikte pronësie. Edhe krimet e fundit, në Peshkopi, apo në Vlorë, e kudo, kanë si burim konflikti pronën. Për të shëruar këtë plagë shoqërore, duhet që politika parlamentare dhe pushtetare, të zgjohet nga gjumi letargjik dhe të bëjë operacione kirurgjikale për të hequr pjesët e sëmura të Ligjit 7501. Shpresojmë që  ky ligj gjakatar me emrin e arkivolit 7501, që ka marrë deri më sot 7501 jetë njerëzish të pa fajshëm, të arkivohet në muzeun e politikës pluraliste, duke i hapur rrugën demokracisë së burgosur për këto 23 vjet. Nuk kanë pse të tremben  politikanët, parlamentarët apo pushtetarët që vijnë rrotull në orbitën e pushtetit, se të pronësuarit e tyre me pa të drejtë, duke përvetësuar pronën e tjetërkujt, nuk kanë motiv e as moral të kërkojnë një pasuri që s’e kanë në origjinë dhe që e kanë shfrytëzuar pa asnjë taksë dhe pa asnjë detyrim ndaj trashëgimtarëve të kësaj prone. Ata që duhet të revoltohen, të protestojnë dhe të demonstrojnë  me të drejtë dhe që me veprimet e tyre të natyrshme mund të prishin ekuilibrat sociale dhe të destabilizojnë vendin, janë pronarët legjitim, që trashëgojnë pasurinë në breza. Ne shpresojmë te klasa e re politike, që ky Parlament të reflektojë ndaj një padrejtësie shoqërore 23 -vjeçare, që po nuk u korrigjua, do mbetet një njollë e zezë dhe pa mëdyshje do quhet:  “Parlamenti i Pushtimit të Pronave”. Në rast se nuk do abrogohet ky ligj famëkeq që ka marrë kaq jetë njerëzish deri më sot, të jenë të ndërgjegjshëm parlamentarët dhe pushtetarët, se kjo tragjedi do vijë duke u thelluar dhe përgjegjës për krimin nuk janë më autorët fizik, por ata politik dhe ideologjik, që me ndërgjegje përligjin një ligj konfliktual që bie ndesh me kushtetutën e Shqipërisë, me “Kartën e Parisit për një Evropë të re”, me 10 parimet e Aktit Final të Helsinkit, Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe konventave të ndryshme ndërkombëtare.