Prof. Dr. Ago NEZHA/ E drejta natyrore e pronës

801
Sigal

 Të parët tanë u lindën, u rritën dhe derisa ndërruan jetë patën moralin e dashurisë për pronën vetjake si burim jetese, marrëdhëniesh shoqërore dhe ruajtjen e personalitetit të tyre. Me pronë private ata kuptonin fuqinë për të zotëruar pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme që trashëgonin si persona juridik dhe fizik. Në ekonominë moderne nocioni pronë private është tepër i gjerë. Ai përfshin veç sa më lart edhe të drejtat obligative si pjesëmarrja në aksione, letrat me vlerë, bashkëpronësia, prona e përbashkët dhe të gjitha të drejtat materiale si krijimtaria, e drejta e autorit, pra gjithçka që paraqet një pasuri. Ndërsa tek ne prona kufizohet në një nocion tepër të ngushtë brenda kuadrit të banesës apo tokës që disponon.

Përparësitë që rrjedhin nga prona private u injoruan nga politika shqiptare me ndërrimin e sistemeve. Prona u tjetërsua pa ruajtur kriterin e trashëgimisë familjare. Kjo ndërhyrje arbitrare e shtetit mbi mohimin e trashëgimisë së pronës dhe shpërndarjen e saj mbi parime sociale ka krijuar një anomali në shoqërinë shqiptare. Me vendosjen e pluralizmit demokratik, që presupozon zgjerimin e lirisë njerëzore, duhesh që prona të shkonte te pronari që ishte grabitur nga sistemi kolektiv. Vetëm kështu do të korrigjohesh padrejtësia historike dhe do i sigurohej çdokujt një hapësirë e domosdoshme autonomie personale dhe familjare. Veçanërisht fshatari ynë, me botëkuptimin e tij tradicional, nocioni i punës private përkon me dashurinë e tij për tokën dhe bagëtitë që i garantonte atij pavarësinë, lirinë e zotërimit të autonomisë në lidhje të ngushtë me dinjitetin dhe personalitetin njerëzor dhe familjar. Në kufijtë e pronës së tij private ai ushtronte kompetencat dhe përgjegjësitë brenda familjes, por njëkohësisht edhe shoqërisë dhe shtetit. Prona private i kishte fisnikëruar njerëzit deri në atë nivel përgjegjësie dhe shkalle morali sa që të mendonin jo vetëm për vete por edhe për të tjerët.

Duke iu referuar një fshati me tradita të vyera historike dhe kombëtare siç është Dukati në rrethin e Vlorës, që kishte një ekonomi të fuqishme familjare, tokë pa kufi, bagëti rreth 120.000 krerë të regjistruara  në qeverinë e Zogut, pa folur për ato që fshiheshin për efekte taksash dhe burime natyrore të shumta, vërejmë me keqardhje, se janë shkelur të gjitha të drejtat mbi trashëgimin pasurore dhe dinjitetin njerëzor. Prona private, i jepte frymëmarrje një shkëmbimi natyror sipas nevojave të fqinjëve, pa u zyrtarizuar, por krejt spontanisht dhe paqësisht. Ishte prona private ajo që iu ofronte atyre mundësinë për t’u bërë mirë të tjerëve pa interes. Ka shembuj të shumtë, që pa praninë e shtetit, kur një fshatari i ndodhte një fatkeqësi njerëzore apo natyrore, apo kishte shumë fëmijë dhe se përballonte dot jetesën normale, me iniciativën e një personi, i grumbulloheshin ndihma që jo vetëm përballonte dhe tejkalonte fatkeqësinë, por krijonte vazhdimësinë e jetës në një rrjedhje krejt normale. Siguria dhe avantazhet e pronës private, kishin krijuar marrëdhënie respekti dhe besimi, jo vetëm brenda familjes prind-fëmijë, burrë-grua, por edhe në komunitetin e gjerë të fshatit. Kjo edukatë u shpërbë dhe solli çrregullime në marrëdhëniet njerëzore, me zhdukjen e pronës private. Prona private, favorizonte ndjenjën e përgjegjësisë dhe rritjen e kompetencave brenda ekonomisë personale, ndërsa prona e përbashkët, çoi në çrregullime dhe konfuzion, sepse i bëri të gjithë të shpërgjegjësohen dhe njëkohësisht, asnjërin para një prone pa autorësi konkrete. Ky sistem marrëdhëniesh, e zhveshi njeriun nga dashuria për pronën, për punën dhe për njerëzit dhe solli një skllavëri ekonomike dhe shpirtërore, pasojat dhe efektet po i përjetojmë edhe sot në përmasa tragjike.

U bënë jo pak, por plot 22 vjet nga ndryshimet e sistemit, duke zëvendësuar sistemin e centralizuar me ekonominë e tregut të lirë dhe përsëri nuk është arritur të rikuperohet ndërgjegjja shoqërore dhe qëndrimi dhe sjellja ndaj pronës. Prona e përbashkët, i mësoi njerëzit të jenë të papërgjegjshëm, të tundohen nga e keqja dhe të mos i rezistojnë dot abuzimeve. Të qenët në një sistem të centralizuar për një periudhë të gjatë, e kërcënoi dhe e shpërbëri lirinë dhe dinjitetin e njeriut. “Kur shteti bëhet i vetmi pronar, pacenueshmëria dhe liria e drejtë e njeriut, kërcënohen aq shumë, sa që “bashkësia civile do të ishte më tepër për t’iu shmangur se sa për t’u dëshiruar”, shkruan sociologu J. Hëfner.

Pronën private, skolastika  e lashtë e ka bazuar në ‘jus gentium’ (e drejta pozitive) e jo mbi ‘jus naturae’. Në vitin 1840, Luixhi Tapareli d’Axelio, ishte i pari, që përcaktoi se prona private rrjedh nga “e drejta natyrore”. E drejta natyrore, pavarësisht nga çdo ligj njerëzor, dikton futjen e pronës private.

Ajo që po ndodh sot në Shqipëri me pronën, ka të bëjë me aspektin e dyfishtë të saj, pra me funksionin individual dhe social. Si të gjithë elementët e tjerë të jetës shoqërore, prona, nuk është aspak e pandryshueshme. Në një shoqëri moderne evulative, prona private, nuk përbën për askënd një të drejtë të pakufizuar dhe shtohet me ritme të larta. Askush, nuk është i autorizuar të mbajë në përdorim vetjak ekskluziv, atë çka e tejkalon nevojën e tij, kur të tjerëve u mungon e domosdoshmja. Në këtë vështrim, e drejta e pronës, nuk duhet të ushtrohet kurrë në dëm të dobisë së një komuniteti të përbashkët.

Përvoja e këtij 22 vjeçari, në të sjellurit me tokën, duke e përdorur pa kriter, duke e abandonuar, duke ndërtuar banesa në toka buke, duke shkatërruar pjellorinë fizike të saj, ka të bëjë me nisma të përgjegjësisë vetjake. Shpronësimi i pronarëve dhe krijimi i pronarëve të rinj, lënia e tokës në përdorim, mungesa e studimit të zonës bregdetare ka krijuar pakënaqësi dhe konflikte për pabarazinë e krijuar në këto vite të pluralizmit.

Sjellja me pronën në vitet e demokracisë, e veçanërisht gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, ka qënë një maskaradë e vërtetë, me pasoja të mëdha social-ekonomike. Ajo e grabiti, e tjetërsoi dhe  pronësojë pronar, pa asnjë kontribut historik mbi pronën e përfituar nga pronari dhurues shteti “demokratik”.

Ligji për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, ka qenë i vonuar dhe për rrjedhojë e ka humbur në mënyrë shqetësuese funksionin e nxitjes dhe konsolidimit të nismës e të përgjegjësisë vetjake. Në harkun kohor prej 22 vjetësh, është krijuar në forma spekulative një pabarazi e madhe, ndërmjet një pakice shumë të pasur dhe të varfërve të panumërt, që ka ngjallur një pakënaqësi sociale. Ndarja e pasurisë dhe të ardhurave, është bërë jashtë kriterit të hipotekës sociale dhe pronarit legjitim dhe nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë sociale.

Nëse pronë, quajmë fuqinë juridike të pronarit për të zotëruar atë tokë, që ai e quan të vetën gjatë këtyre viteve, duhet kuptuar se në një farë mënyre ajo pronë e ka humbur funksionin e saj. Lëvizjet pa kriter nga zonat rurale drejt zonave urbane, zaptimet e tokave dhe ndërtimet pa leje, ka bërë që të humbas vlera e fuqisë së individit, për të zotëruar përgjegjësinë. Ndarja e pasurisë që trashëguam nga ndërrimi i sistemeve, rezulton e shëndoshë, vetëm atëherë kur shtresa të gjera të popullsisë, zotërojnë kapitale, aq sa u mjafton për të mos u varur ekonomikisht nga faktorë të jashtëm, apo nga shteti.