Prof. Dr. Ago NEZHA/ Dy fatkeqësitë shqiptare

497
Sigal

Në tregun politik dhe mediatik, kohët e fundit, po qarkullon efektshmëria e dy ligjeve, për të cilët mund të shprehemi se cenojnë të drejtën për të jetuar i lirë. Këto janë, ligji për pronën dhe ligji për krimin ndaj personit.

Shoqëria shqiptare e nisi rrugën e demokracisë, ndryshe nga vendet e tjera lindore, duke u mohuar pronën pronarëve legjitim dhe duke i hapur rrugë krimit me heqjen e ligjit të dënimit me vdekje. Po të bëhet një bilanc i periudhës 23 vjeçare do rezultojë se viktimizimi i shoqërisë është në kufijtë maksimal që arrin shifrën mbi 800 mijë persona. Terreni i favorshëm për lulëzimin e krimit buron nga kushtet social-ekonomike dhe politike që prodhojnë fenomene, të cilat ushqehen nga e drejta e lirisë pluraliste.

Ndërrimi i sistemeve tek ne u përfshi nga një rrymë anarkike, ku morali i administrimit të pronës provoi një barbari të pashoqe. Prona e krijuar në 50 vjet të monizmit nuk u shpërnda sipas kontributeve, pjesëmarrjes në krijimin e saj dhe investimeve që ka bërë secili individualisht apo  familjarisht. Paradoksi shqiptar ishte që në ligjin famëkeq 7501, për të njëjtin objekt pati dy qëndrime. Prona u njoh totalisht në qytet por nuk u njoh në fshat. Dhe kjo jo rastësisht. Por, për faktin se partitë ishin të interesuara të joshnin elektoratin në fshat. Në zonën bregdetare toka u dha në përdorim në ato vende që ka ekzistuar prona shtetërore dhe kjo padrejtësi vazhdon të jetë prezentë deri në ditët e sotme që del në horizont legalizimi i pronave dhe pa drejtësisht po shpërndahen tapitë individë që s’kanë asnjë lidhje me pronën ku bëhen pronarë. Sistemi i centralizuar nga sistemi i ekonomisë së tregut ndryshon nga marrëdhëniet e pronësisë. Dhe e djathta nga e majta ndryshon se e para i njeh pronën pronarit të ligjshëm. Por ç’ndodhi?! E djathta u konvertua te e majta për përfitime elektorale. Doli si apendiks Partia Republikane sa për fasadë është në mbrojtje të pronarëve. Por ajo iu bashkëngjit Partisë Demokratike për interesa elektorale, karrigesh pushtetare. Kështu që thirrja e saj është një zë në shkretëtirë. Ky kompromis degjeneroi në humbjen e fizionomisë së të djathtës dhe në prishjen e raporteve natyrore të shoqërisë. Kjo anomali startoi e gabuar qysh me fillimet e pluralizmit dhe vazhdon të mbetet sot e në të ardhmen molla e sherrit. Retushimet apo makijazhet që i bëjnë qeveritë ligjit 7501 sa herë që ndërrojnë vendet, nuk mund të shpëtojnë nga veprimi i tij destabilizues dhe i lëkundur.

Në këtë ligj, qysh në fillimet e vendosjes së themeleve të demokracisë, shteti mori autorësinë e pronave të pronarëve dhe u bë arbitër i gjykimit të tyre.

Me këtë veprim shteti i mohoi pronën pronarëve legjitim që e trashëgojnë atë në breza dhe vendosi kontrollin mbi të drejtat e individit. U bënë 23 vjet që pronarit i është marrë toka dhe u është shpërndarë të tjerëve në mënyrë të pamerituar dhe për këtë pronë ai s’ka marrë asnjë shpërblim edhe pse i ashtuquajturi nga pushteti pushtues pronari i ri e shfrytëzon atë për përfitime personale. Ky është një dhunim i të drejtave të njeriut që injoron Kartën Parisit dhe të Helsinkit.

Në Shqipëri ka dy kategori pronarësh që kanë përvetësuar tokë: i pari mbi arbitraritetin e ligjit dhe i dyti me forma të grabitjes së dhunshme. Të dy palët janë ilegjitim. Ligji 7501, ngjan me Reformën Agrare të 1946, që i zhveshi kapitalistët dhe ua dha proletarëve. Por në thelb kjo është më spekulues për një shoqëri të hapur demokratike.

Lëvizja e lirë në Shqipëri si një e drejtë njerëzore universale u keqpërdor nga komunitete rurale të zonave të thella malore duke uzurpuar pronat në zonat urbane që të kujtojnë fiset indiane.  E drejta natyrore pavarësisht nga çdo ligj njerëzor e dikton përfitimin e pronës private por pa krijuar  konflikte shoqërore. Qysh në 1929 domenikani Aleksandër Horvath, pohonte se e drejta natyrore është vënë në qendër të diskutimeve, sepse lë të papërcaktuar subjektin e të drejtës së pronës dhe se është Jus gentium (e drejtë pozitive), që autorizon njeriun të përvetësojë me punë të mirat tokësore dhe t’i administrojë në mënyrë personale.

Shteti shqiptar ka ngatërruar misionin nga rregullator është kthyer në administrator. Dhe si i tillë ka 23 vjet që kolovitet për të dëmshpërblyer ish pronarët. Në rast se toka do kishte shkuar te i zoti, shteti s’do kishte asnjë obligim dhe detyrim, shoqëria do ishte stabilizuar dhe konflikti s’do kish lindur. Duke e futur tokën në lojën e tregut  kanë dalë në rend të ditës shumë probleme sociale por edhe ekonomike që do lë borxhlinj disa breza, që krejt pa të drejtë do paguajnë nga djersa e tyre.

Kjo është lajthitja e politikës shqiptare. Është padituri, apo djallëzi?!…

Megjithë koston social-ekonomike jemi para një realiteti që kërkon një rrugëzgjidhje për të krijuar një stabilitet ekonomik dhe paqe sociale. Si mund të besojmë që pronarët do dëmshpërblehen kur kanë kaluar 23 vjet dhe s’është bërë asnjë investim në këtë drejtim. Me këtë fuqi ekonomike që ka shteti, sot dhe në të ardhmen nuk mund të kompensojë pronarët pa folur për sanksionet që ka vënë gjykata e Strasburgut për shumë nga personat që kanë paraqitur ankesa këtij institucioni ndërkombëtar. Me marrjen e Statusit kandidatë në bashkimin Europian, Shqipëria duhet të reflektojë në zbatimin e reformave demokratike jashtë premtimeve boshe që ka servirur deri më sot. Parlamenti Shqiptar duhet të distancohet nga pazaret politike që janë bërë modë nga njëra qeveri te tjetra.

Ligji për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, është i vonuar, pakundërshtimisht duhet të marrë përgjigje përfundimtare. Gjykimi mbi pronësinë në kushtet e sotme, ku toka është pronësuar e shpronësuar disa herë në këto 23 vjet, ku pronarët janë shtresëzuar sipas pazareve të pushtetit vendor, të zyrave të pronësisë, të gjyqeve fiktive e faktorëve politikë do ketë koston e vetë sociale. Urojmë që konfliktet për pronën të reduktohen, por ofertat e servirura për ish-pronarët treguan se ata nuk i kënaqin në parametrat e ekonomisë së tregut. Në demokraci të gjithë kanë të drejtë të pretendojnë për një jetë më të mirë, por jo në kurriz të tjetrit.

Në vitet e pluralizmit demokratik numri i krimeve është shumuar duke rrokur tërë hapësirën shoqërore. Motivet e krimeve kanë qenë të ndryshme. Ato nisin me konfliktet për pronën dhe pasohen me fenomenet e korrupsionit, prostitucionit, gjakmarrjes, etj., që janë bashkudhëtarë të sistemit në një shoqëri të lirë. Një nga fatkeqësitë shqiptare që solli pështjellime të pariparueshme ishte ligji për tokën. Fatkeqësia e dytë që e ka tronditur lirinë e individit është heqja e dënimit me vdekje, ku kriminelët në disa raste dënohen në mënyrë honorifike.

Na është vrarë ndërgjegjja dhe rrimë me frikë para ekraneve të televizioneve se dëgjojmë e shikojmë krime monstruoze për çështje pronësie, grabitje pasurie, prostitucion, kontrabandë, korrupsion e të tjera fenomene të ngjashme si këto. Autorët e krimit asnjëherë nuk kanë marrë dënimin e merituar. Të gjithë e kujtojnë dhe pohojnë një veprim të drejtë: varjen e kriminelëve në Libofshë  të Fierit në vitet 1996. Dëgjojmë të deklarohet se një qytetar me origjinë shqiptare në SHBA për tentativë për vrasje është dënuar me 20 vjet burg. Një masë e tillë dënimi rrallë jepet tek ne dhe kur e kryen krimin. Shpesh herë nuk duam t’u besojmë veshëve kur thuhet në televizion se u kap ky apo ai kriminel që ka kryer krimin është dënuar vetëm 10 apo 12 vjet burg dhe është larguar nga vendi i vuajtjes. Këto shembuj flagrant flasin qartë se kemi një drejtësi të korruptuar dhe të pa kontrolluar nga instancat e larta të shtetit. Si mund të vendoset drejtësia dhe të sigurohet  liria në një  vend që krimineli qarkullon lirshëm si të jetë një gjahtar që ka vrarë një tufë me rosa jashtë sezonit të gjuetisë. Është për të ardhur keq që bëhemi pre e diktateve të Evropës apo botës kur bëjnë ligjin në shtëpinë tonë sipas interesave të tyre, me devizën: “Bëni si themi ne, por mos bëni si bëjmë ne”. Në vijim nga një shoqëri postkomuniste që krimi u penalizua në ekstrem dhe si një shoqëri e mbyllur e uli efektshmërinë e tij. Për vetë traditat, zakonet, kulturën që mbartim dhe përcjellim te njerëzit dhe brezat që vijnë nuk mund të kalohet nga njëri ekstrem te tjetri, sepse po e komprometojmë lirinë demokratike”. Le të dali një Spartan në emër të vendosjes së barazisë  dhe lirisë para ligjit dhe të kërkojë rivendosjen e ligjit të dënimit me vdekje për krime të rënda dhe të jetë i sigurt se jo vetëm që do përkrahet nga populli, por do të konsiderohet si hero i mbrojtjes së të drejtave të qytetarit. Boll eksperimente kanë bërë  si lindja e perëndimi duke e konsideruar Shqipërinë  një kavie historike dhe një truall pa zot, e pa histori. Veprimet e tyre janë sa poshtëruese, aq edhe nënshtruese e denigruese duke ua prishur imazhin në sytë e botës. Duke menduar se çdo shoqëri njerëzore ka një moral limit, duhet të alarmohemi e shqetësohemi se të huajt na e kanë ulur në kufijtë ekstrem shqetësues nivelin e moralit kombëtar. Nga eksperienca e lënë pas jemi të ndërgjegjshëm se vendosja e ligjit të dënimit me vdekje do të bëjë të mundur që të mbrohet shoqëria nga invazioni i kriminelëve dhe do kursehet gjaku që derdhet nga njeriu duke u menduar se ka një fund të tmerrshëm.

Duke qenë se rendi i vlerave morale po lëkundet për t’u mbrojtur nga çdo e keqe që i kanoset shoqërisë duhet të bashkërendohen forcat e pozitës dhe opozitës dhe të gjithë organizatave shoqërore që në bllok të orkestrohen e fokusohen ndaj dy fatkeqësive që kërcënojnë lirinë e individit dhe sovranitetin e shoqërisë.