Prof. Dr. Ago Nezha/ Dukati, Sanmarinua shqiptare

839
Sigal

Dukati, pasuri natyrore të rralla, ku janë të njohura kombëtarisht luftërat shekullore për pavarësi që janë zhvilluar

Rrallëkush nuk e njeh krahinën e Dukatit që shtrihet në zonën bregdetare të Rrethit të Vlorës në një oaz mjedisor të rivierës më të bukur të bregdetit shqiptar. Krahina e Dukatit, trekëndore, përbëhet nga tre fshatra me histori konteporane dhe bashkëkohore si Dukati, Tragjasi dhe Radhima. Të tre këto fshatra që kapen për dore duke formuar një amfiteatër antik, ngjajnë sikur hedhin një valle epike të bashkuar në rrjedhën e kohës që historia ka krijuar identitetin e tyre natyror. Kjo krahinë ngjan me një amfiteatër natyror, me male që harkojnë fushat si një kurorë e gjelbër, e lagur nga dy dete, ku njërën faqe e lan me ujin e detit Adriatik dhe faqen tjetër me ujin e detit Jon. Krahina e Dukatit e përbërë nga tre fshatra unik, ngjanë si një Sanmarino shqiptare që natyra dorëlëshuar ju  ka falur sa shumë pasuri natyrore aq edhe njerëzore për të qenë të pavarur dhe për t’ u administruar nga vetvetja në të gjitha kohërat dhe periudhat historike të kombit Shqiptar. Kufijtë e pa matë të krahinës së Dukatit, nisin në veri nga Kepi i gjuhës në Gadishullin e Karaburunit dhe takohen me kufij detar dhe tokësor me Palasën duke harkuar me Tërbaçin, Vranishtin, Bratin, Mazharin, Gumenicën dhe përfundon me Kaninën. Një shtrirje territoriale, që të krijon hapësira dhe mundësi të pa kufizuara për t’ u marrë me një aktivitet të larmishëm si bujqësi, blegtori, akuakulturë, bletari, peshkim, gjueti, bimë medicinale, etj.. Kjo hapësirë prej 331 Km2, është e barabartë me 1/5 e sipërfaqes së qarkut të Vlorës dhe përshkon 1/4  e vijës bregdetare të gjithë Shqipërisë, ku 90% e saj është e virgjër dhe rrok në gjirin e vet tre qytete para erës së re dhe 100 fshatra. Po t’ u referohemi kronikanëve e studiuesve të huaj dhe vendas, si Evlia Çelebia, Pukvili, si dhe Eqrem bej Vlora, pasqyrojnë në veprat e tyre se treva e Dukatit ka pasur para shekullit të 6-të tre qytete antike si Orikun, Kanalin dhe Erikoin. Oriku i djeshëm është Orikumi i sotëm, që është edhe qendra administrative e Bashkisë së zonës. Janë të njohura kombëtarisht luftërat shekullore për liri dhe pavarësi që janë zhvilluar në rrethinat e kësaj zone. Një ngjarje që ka ardhur si legjendë deri në ditët tona ka qenë edhe përplasja që ka bërë Jul Çezari me Pompeun në qytetin e Orikumit në vitin 48 para Krishtit, pasi përshkoi një rrugë të gjatë përmes Fshatit Palasë, ku zbriti dhe u ngjit rrugës së bardhë për në Llogora dhe kaloi mes Dukatit duke realizuar një marrëveshje, që gjatë lëvizjes mos të dëmtoj të mbjellat dhe bagëtitë. Për vetë pozicionin strategjik që ka krahina e Dukatit, atë e ndeshim në shumë krijime vendase dhe të huaja. Kronikani Turk Evlia Çelebia, në librin e tij “Shqipëria para 200 vjetëve”, shkruan se në Jug të Ishullit të Sazanit,është një krahinë e madhe Shqiptare me emrin Dukat, që përbëhet nga 100 fshatra ku disa nga emrat e tyre janë edhe sot si Sotirani, Ravena, Sjadovina, Marmiroi, etj., që kryesisht shtrihen në rrëzë të maleve Akrokeraune, emra të mbartur edhe në Itali gjatë emigrimit në kohën e evazionit Turk. Resurset që mbart kjo krahinë janë të konsiderueshme. Në hapësirën e saj ka një sipërfaqe prej 34 mijë ha prej të cilave 3400 tokë arë, 7000 ha pyje, 21.500 ha kullota dhe 1900 ha troje. Në kreshtat e vargmaleve, që harkojnë në territorin Dukat, Tragjas e Radhimë, janë vendosur një numër i madh rezervuarësh ujëmbajtës që arrin kapacitetin 17.000 m3 ujë. E gjithë kjo sipërfaqe laget nga dy dete, Adriatik dhe Jon në një gjatësi prej 70 km2. Krahina e Dukatit, për vetë kushtet e saj ekologjike dhe orografike, ka një florë dhe faunë shumë të pasur. Ka 6 zona fitoklimatike duke filluar nga zona mesdhetare buzë detit dhe arrin në zonën subalpine. Njëkohësisht ka një faunë tepër të pasur duke filluar nga Ariu, Kaproll, Ujku, Çakalli, Dhelpra, Kunadhja, Derri i egër, Dhia e egër, Lepuri, Dosa, Ketri e shumë shpendë dhe peshq deri me famë botërore siç është Koca e Dukatit.  Ky diversitet natyror dhe biologjik e bën interesante këtë krahinë me mjaft resurse që plotësojnë nevojat jo vetëm të popullsisë vendase, por edhe më gjerë. Krahina e Dukatit është e shquar në gjithë Shqipërinë për zhvillimin e blegtorisë, kryesisht të imta dhe gjedhë. Mjafton të kujtojmë që në kohën e Mbretërisë Zogiste, krahina e Dukatit kishte 150 mijë krerë të imta të regjistruara në inventarët e kohës. Mos harrojmë se kjo shifër nuk është reale, se një pjesë të vogël e fshihnin për të mos paguar detyrim ndaj Qeverisë. Kjo krahinë e veçantë në llojin e vet ka edhe një pasuri kulturore, që mund të jetë një burim të ardhurash turistike. Qyteti i lashtë i Orikumit i shekullit të VI –të para erës së re, Varri i Pashait, Raguza, Ura e Ferrunet,  Kalaja e Gjon Boçarit, si dhe Kulla e Dervish Aliut me 42 dhoma, që është unikale në gjithë zonën jugore. Jo pak monumente natyrore e përshkojnë këtë mjedis të bukur natyror. Janë të shumta monumentet natyrore duke filluar nga Pisha Flamur, Shpella e Dukëgjonit, Shpella e Haxhi Alisë, Ulqinakasit që organizonte rezistencë ndaj flotës së piraterisë franceze dhe angleze duke organizuar banorët dukatas dhe himarjot për të mbrojtur territoret vendase, Shpella e Shën Vasisë, Gjirin e gramës, që studiuesi Moikom Zeqo e quan perlën e Europës, etj.. Po të bëjmë inventarin e vendeve turistike dhe monumenteve kulturore lista shkon shumë gjatë, gjë që tregon për një trashëgimi e veçantë për mjediset natyrore. Ky nuk është thjeshtë mendimi i autorit, por kryesisht i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Dukati”, dhe shumë intelektualëve të zëshëm të trevës, si Prof.Dr. Birçe Hasko, Hasan Halili, Dr. Lavdosh Ferruni, Kastriot Muço, Kryetari i Shoqatës Kulturore Atdhetare Dukati Mustafa Dedenika, Xhemil Vela, Isuf Bodo, Artan Bedini, Nevzat Bozhani e shumë të tjerë. Me zërin e intelektualëve të krahinës së Dukatit dhe gjithë qytetarëve të kësaj zone, duhet të bashkohen dhe deputetët që kanë vjelë votat për të përfaqësuar interesat dhe aspiratat e tyre. Ne po themi këtu një të vërtet që t’ i shërbejë të mirës së përbashkët dhe jo interesave meskine të individëve. Të vërtetën duhet ta themi ashtu si e mendojmë, se siç shkruan Tolstoi: “Nuk ka më keq se kur njeriu ka frikë nga e vërteta”.