Prof. Dr. Ago NEZHA/ Bujqësi e braktisur

576
Sigal

Mjafton një rrugëtim në zonën bregdetare dhe informohesh saktë mbi gjendjen reale të bujqësisë Shqiptare, jashtë kamerave, deklarimeve delirante të qeveritarëve të sotëm. Syri, ndeshet me një mozaik të zymtë tokash të braktisura, të abandonuara, të lëna djerrë, e të pa shfrytëzuara nga mungesa e dorës së njeriut. Dihet se, vendet e zhvilluara perëndimore si Franca, Gjermania, Italia etj., janë të tilla, se në radhë të parë kanë një bujqësi të përparuar dhe një fshat të qytetëruar. Në këtë kontekst themi se, nuk mund të ketë Shqipëri të përparuar me fshat të prapambetur. Ky nuk është një slogan, por një divizë për të ardhmen e Shqipërisë, që duhet të ndërgjegjësohet cilido pushtet që qeverisë vendin. Shqipëria, për vetë kushtet ekonomiko-shoqërore, edhe për shumë vjet, do të ketë një përqendrim të konsiderueshëm të popullsisë në zonat rurale. Në sistemin komunist që lamë pas, pjesa më e madhe e popullatës së vendit, rreth 70 përqind, punonte e jetonte në fshat, e imponuar nga projektet politike të kohës. Në këto përqendrime, ndrydheshin energjitë fizike e mendore të këtyre njerëzve, në një mjedis të mjeruar nga skamja dhe varfëria. Me ardhjen e demokracisë, njerëzit u çliruan nga” prangat” e izolimit dhe me lëvizjen e lirë krahas emigrimit jashtë vendit, filluan të vërshojnë drejt zonave urbane, duke mbipopulluar qytetet, në kërkim të një jete më të mirë. Ky fenomen, jo vetëm që zhvendosi dhe përmbysi raportet e mëparshme, duke krijuar një baraspeshë të popullatës fshat-qytet, por aktualisht është krijuar një disekuilibër raportesh, që ka nxjerrë në rend të ditës shqetësime të mëdha ekonomike dhe sociale. Aktualisht popullata, që jeton në zonat urbane, sot zë 54 përqind, ndërsa ajo rurale 46 përqind. Kjo situatë, është rezultat i një politike të gabuar që është ndjekur në këto 20 vjet, duke harruar fshatin nga përkujdesja dhe investimet kapitale, për ti bërë të interesuar banorët e këtyre zonave që të rrisin mirëqenien dhe kushtet e jetesës në fshatrat e tyre. Edhe në kohën e qeverisjes së të majtës, në vitet 2001-2005, buxheti për këtë sektor ka qenë i pa përfillshëm, jo vetëm përsa i përket nevojave për ta ndryshuar, por edhe për vetë peshën dhe të ardhurat që i sillte ekonomisë së vendit. Me një vështrim panoramik të zonave kodrinore-malore, nga veriu në jug vërejmë me keqardhje se, ka mjaft fshatra që janë braktisur dhe kanë humbur identitetin e tyre, duke mbetur si pika gjeografike në hartën e rretheve. Kjo ka sjellë pasoja të dyfishta, jo vetëm për fshatrat e abandonuara, ku janë paralizuar shumë burime natyrore dhe resurse e pasuri të konsiderueshme, por në anën tjetër janë mbingarkuar qytetet jashtë kapaciteteve të tyre mbajtëse dhe kanë krijuar krizën e papunësisë, strehimit e shkollimit racional të tyre. Në këto 22 vjet, relativisht dora e shtetit ka munguar dhe fshati është cituar si slogan politik kur i është dashur pushtetit të radhës, veçanërisht në fushatat elektorale për të siguruar votat, duke i mbushur me premtime boshe, apo duke bërë “ kozmetikë” rrugësh apo rrugica të reja, sa për shou politik. Situata në fshat, ka ardhur duke u keqësuar në aspektin infrastrukturor. Mjafton të kujtojmë, se në shumë fshatra kodrinore- malore u mbyllën shkollat, qendrat spitalore, objektet social-kulturore, u largua personeli shëndetësor, dhe u paralizua gjithë jeta aktive e banorëve të këtyre zonave. Për rrjedhojë, një pjesë e këtyre banorëve u larguan të imponuar nga kushtet e tejkeqësuara social-kulturore. Përjashtuar investimet, që kanë bërë individët në emigracion, për të ndryshuar mënyrën e jetesës në familjet e tyre, shteti është mjaftuar me disa “thërrime” që kanë dhënë disa projekte ndërkombëtare, duke dashur të marrë meritat për vete. Zhvillimi rural, së pari nënkupton zhvillimin nga i cili përfiton populli dhe ka një përmirësim të qëndrueshëm të standardeve të jetesës apo mirëqenies së popullsisë. Së dyti, me zhvillimin rural kuptojmë transformimin strukturor të ekonomisë së karakterizuar nga diversifikimi i ekonomisë, në ekonomi jo-bujqësore. Pikëpamjet dhe konceptet që diferencojnë zhvillimin rural nga zhvillimi bujqësor dhe që qarkullojnë sot në botë, janë të ndryshme për vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim. Pra, sipas teorisë ekonomike të Lakroix, zhvillimi bujqësor në përgjithësi përpiqet të rrisë prodhimin bujqësor dhe produktivitetin dhe ka një natyrë teknike. Ndërsa zhvillimi rural,  është i orientuar drejt përfitimit të shtresës së më të varfërve dhe ka natyrë sociale. Në këtë kontekst, bujqësia i kushton rëndësi zhvillimit të kapitalit nga pikëpamja ekonomike, ndërsa zhvillimi rural, i kushton rëndësi kapitalit njerëzor. Kuptimi i këtyre nocioneve ndër vite, ka evoluar duke u përfshirë në zhvillimin rural politika të ruajtjes, menaxhimit dhe përmirësimit të mjedisit, ekosistemet, burimet natyrore, trashëgimia kulturore, peizazhi etj. Të gjitha këto cilësi, në funksion të një jetese më të mirë e më të shëndetshme. Parë në këtë sfond, zhvillimin rural dhe bujqësinë në vendin tonë, themi se ka një prapambetje primitive, ku nocioni fermer nuk e ka fituar qytetarinë e vetë. Bujqësia, duke mos dalë nga prapambetja, ende nuk është bërë një sektor prioritar i ekonomisë kombëtare, siç ndodh për shumë vende në zhvillim, ku futet dhe Shqipëria. Partia Socialiste dhe lëvizja Socialiste për Integrim, në strategjinë e tyre afatshkurtër dhe afat gjatë, zhvillimin rural dhe atë bujqësor e kanë prioritet dhe e konsiderojnë si forcë lëvizëse të ekonomisë kombëtare. Me ardhjen e tyre në pushtet, ndryshimet në ekonomi, do fillojnë me fuqizimin e zonave rurale në tërësi dhe bujqësisë në veçanti. Për këtë qëllim, ato kanë studiuar me përparësi zonat rurale dhe bujqësinë, duke evidentuar shkallën e prapambetjes, veçoritë e zonave, potencialet që mbartin, resurset ekologjike dhe tokësore, faktorin njerëzor dhe rezervat e brendshme dhe të jashtme, që ende janë të fjetura dhe po të menaxhohen e përdoren me efektivitet, mund ti sjellin dobi jo vetëm zonave rurale por gjithë zhvillimit të vendit. Bujqësia jonë ka nevojë të rritet në gjithë spektrin e saj. Prodhimi ynë bujqësor, është akoma larg niveleve të rritjes, që kanë pasur vendet e reja që ju shtuan KE-së në periudhën e aderimit si, Bullgaria, Rumania etj. Me tregun e sotëm të përdorimit të tokës, tarifave të punimeve me mjete mekanike, çmimeve të larta të inputeve bujqësore si plehra, pesticide, fara, kosto e ujitjes etj., e kanë bërë fermerin të pa interesuar për ta punuar e mobiluar tokën, si një burim mirëqenieje e jetese. Në agjendën e qeverisë në ikje për bujqësinë, krahas sofizmave për një infrastrukturë financiare dixhitale, çuarjen e internetit në fshat, u dëgjua sinjali, kohëve të fundit në agoni, për krijimin e kooperativave bujqësore. U kujtuan shumë vonë, pas tetë vjetësh në pushtet, kur shkatërruan dhe betonizuan tokat, kënetëzuan Maliqin, Tërbufin, Torovicën, etj., dhe e kthyen fshatarin në parazit, duke braktisur copëzat e tokave që nuk mund të mekanizohen e kimizohen në gjendjen e sotme. Bujqësia pa kooperim nuk ka zhvillim. Kjo është thënë disa herë, por asgjë nuk është bërë në këto 22 vjet çoroditje. Në fillimet e demokracisë, u krijuan disa embrione kooperimi si në Maminas të Durrësit, në Divjakë, Karbunarë dhe Këmishtaj të Lushnjës etj., por ato nuk patën jetë të gjatë se nuk u mbështetën nga shteti. Dihet se çdo gjë e re e çan rrugën e vetë me vështirësi. Në filozofinë e qeverisë së sotme, është diviza: nuk duam vetëm të mohojmë, por edhe të pohojmë, se si duhet të dilet nga ky kolaps zvarritës që ndodhet bujqësia në postkomunizëm. Të ashtuquajturat ferma bujqësore, në gjendjen aktuale, me prodhim artizanal në kushte primitive, mesjetare, ku ende në shumicën e tyre punohet me qe dhe kuaj, pa asnjë perspektivë zhvillimi, kërkohet medoemos një revolucion, për transformimin e tyre në ekonomi rentabile, të prodhimit të madh bujqësor. Kjo nuk arrihet me fishekzjarrë propagandistike, por me një strategji të menduar e studiuar mirë nga qeveria dhe ministria përkatëse. Nuk mund të ketë Shqipëri të pasur, me bujqësi të prapambetur dhe fshat të varfër. Këtë slogan, qeveria e majtë do ta mbështes në investime kapitale për të krijuar kooperativa model prodhimi dhe konsumi, ekonomi të prodhimit të madh bujqësor,të mbështetura fuqimisht nga shteti. Synimi i kësaj qeverie, është,  të krijojë subvencione të fuqishme për mbarështimin e blegtorisë, për shtimin e numrit të krerëve dhe rritjen e prodhimtarisë së tyre. Të nxis proteksionizmin e prodhimit vendas, që të mos ndodh si deri më sot, që mollët dhe qepët e fermerëve të Korçës, patatet e Kuksit, agrumet e bregdetit apo mishi vendas, të groposen apo mbeten pa u shitur, se i mbyt prodhimi me simulant që vjen nga Maqedonia dhe Greqia. Shteti, me politikat e tija të zhvillimit ka një rol parësor në fuqizimin e ekonomisë dhe mirëqenien e popullit të vetë. Me vizionin e së majtës, me tërë kapacitetet materiale dhe njerëzore të kualifikuara, do t’ia ndryshojë fytyrën bujqësisë në veçanti dhe fshatit në tërësi. Ky është një zotim solemn dhe i qenësishëm, që e ka dhënë Kryeministri Rama, në turneun e takimeve zinxhir, që realizoi në zonat rurale. Qeverisja e re e së majtës, në dallim nga paraardhësit e saj do ja ndryshojë fytyrën fshatit dhe do realizojë një program për modernizimin e bujqësisë në standardet bashkëkohore Europiane.