Prof. Dr. Ago NEZHA/ Bujaria dhe mirënjohja e Bujar Leskaj

1368
Sigal

Rrallëherë ndodh që emri të përfaqësojë botën shpirtërore, morale dhe kulturore, të pronarit të tij të përjetshëm. Por kur emri ka një trashëgimi gjenetike, ai bëhet pjesë e brendshme e qenies jetësore. Origjina familjare, tradita, mjedisi ku krijohet gjeneza e një fisi, janë përcaktuese, në vazhdimësinë e brezave që vijnë më pas. Kur dëgjojmë emra krahinash, fisesh apo familjesh të zëshme, menjëherë të shkon mëndja te identiteti, integriteti dhe historia e shkuar e tyre, që përfaqësojnë një dukuri popullore, që është bërë simbol i opinionit shoqëror. Edhe familja e Bujar Leskaj, vjen nga një truall me rrënjë të thella atdhetarie që ndriçohet nga drita e patriotizmës të fshatit Drashovicë, që e shkruan historinë me gjakun e heronjve dhe dëshmorëve në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar dhe shoqëror. Drashovica, është porta e patriotizmës për të hyrë në Vlorë. Në këtë truall heroizmash, u ngjizën edhe traditat dhe fryma patriotike e babait të Bujarit, Farudinit dhe nënës së tij Fatbardhës. Familja e Bujarit, si gjithë familjet e krahinës së Labërisë, kanë një jetë të trazuar. Gjyshi i tij, Halit Jaho Leskaj, u dënua në 1945, se kishte qenë anëtar i organizatës Balli Kombëtar. Ndërsa vëllai i Gjyshit, Bilbil Jaho Leskaj dhe vajza e tij Feruze, ishin partizanë në “Çetën Plakë” të Vlorës. Prindërit e Bujarit, si shumë bashkëfshatarë të tyre, e lanë Drashovicën dhe u vendosën në qytetin e Vlorës, ku punuan dhe jetuan me vështirësitë e kohës. Bujari, mbeti jetim nga nëna qysh në fëmijëri, por nuk i mungoi për asnjë çast përkujdesja prindërore e babait të tij. Ai, u rrit me ambicie për shkollën dhe jetën. Mbaroi shkollën e mesme, me rezultate të shkëlqyera. Ishte, jo vetëm studiues i zellshëm për mësime shkollore, por shumë i apasionuar pas letërsisë. Siç ka pohuar bashkëkohësja e tij, juristja Aurela Anastasi, në një promovim, nga librat e shumtë të Bujarit, në konkurset tradicionale që organizoheshim midis shkollave, dallonte dhe gjithmonë radhitesh në krye të fituesve, duke marrë distinktivin, “Miku i librit”. Në të gjitha olimpiadat që organizoheshin me shkollat e mesme, Bujari dilte i pari. Ishte ndër nxënësit më të mirë; krenaria e Vlorës. Megjithëse prirjet i kishte për letërsi, matematikë dhe histori, si gjithë brezi i tij, u privua dhe u dërgua jashtë dëshirës, për inxhinieri minierash, ku i përfundoi studimet në vitin 1990. Por kjo, nuk e pengoi që të shfaqte vlerat e tij intelektuale. Ai, nuk u mjaftua me këtë profesion. Me vullnetin e tij karakteristik, mbaroi edhe Fakultetin e Ekonomisë, dega Financë, në 1998, si dhe Fakultetin e Drejtësisë, në 2002. Maratonën e studimeve, nuk e ndali në këtë stacion. Ai, vazhdoi në Universitetin e Nebraskës, në Lincoln SHBA, ku mori edhe diplomë për mësimdhënie në nivel masteri, në Administrim Publik. Ambicia për kualifikim më të lartë, nuk ju shua kurrë. Nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve, fitoi Titullin “Avokat”. Në Universitetin Bamberg të Gjermanisë, bëri një specializim për Financa Publike. Ndërsa në Fakultetin e Ekonomisë, shkolla e studimeve të thelluara pasuniversitare, mori master në Financë. Gjithë këto përpjekje shkollimi dhe kualifikimi, i kurorëzoi me marrjen e gradës shkencore, “Doktor i Shkencave Ekonomike”, me temë: “Senjorazhi dhe disa probleme të tij në Shqipëri”, mbrojtur në Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës. E gjithë kjo pasuri arsimore, profesionale dhe kulturore, ka rezultuar e suksesshme në gjithë karrierën e tij të punës. Bujar Leskaj ka kryer disa detyra të rëndësishme: si drejtues në Doganën e Vlorës, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, e deri në detyrën e lartë që mban aktualisht, si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ajo çka  është e rëndësishme, ka të bëjë me qëndrimin dhe sjelljen e Bujarit, që kudo ku ka punuar dhe punon, ka qenë dhe është vetvetja, pa artifice dhe eufori që krijohet jo rrallë nga pozicioni i karriges. Ky profil intelektual, ja rrit vlerën dhe peshën e emrit dhe fjalës së tij. Gjithçka, që ka arritur në jetë, është investim i punës dhe aktivitetit të tij gjeneroz. Edhe karriera e tij politike, ka ardhur natyrshëm. Nga një anëtar i thjeshtë, por aktiv, i Partisë Demokratike, i ngjiti shkallët, duke u bërë anëtar i Këshillit Kombëtar të partisë dhe mandej, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financës, e deri te Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Karriera politike, apo profesionale, shpesh herë janë produkt i subjektivizmit, që buron nga koniunktura e liderëve, sipas shijes dhe karakterit të tyre individual. Por, ajo çka është pasuri personale, që përfaqëson hierarkinë e vlerave dhe është kapital i çmuar intelektual, ka të bëjë me krijimtarinë dhe botimet, që Bujari i ka të shumta. Ndryshe, nga shumë drejtues institucionesh, që sa zënë karrigen, zyrtarizohen dhe asfiksohen nga jeta intelektuale, Bujari përkundrazi, është bërë më vital dhe më produktiv. Ai, sot radhit disa botime prestigjioze. Ka nisur serinë e botimeve me: “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009”, vijon me “Brenda dhe jashtë Parlamentit”, “Muzat e qëndresës”, bashkautor te “Historiku i Kontrollit të Lartë të Shtetit, 1925-2012”, dhe “Eurosai”, “Senjorazhi”, “Paraja dhe Banka” etj. Do mjaftonin këto botime, për të gjykuar se Bujar Leskaj nuk është vetëm një shtetar i mirë, por edhe një intelektual i spikatur, krijues prodhimtar, që nuk rresht së punuari dhe nuk e le mendjen kurrë të flerë në shtratin komod të dembelisë, të karriges së pushtetit. E kjo është vlera, që e bën Bujarin shtetar, të dallojë, nga homologët e tij të pushtetit.

Qenien e tij, në krye të institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, e sheh si një detyrë të vështirë dhe një sfidë, që do ja dalë me sukses, duke përcaktuar synime të qarta e konkrete. Dy nga objektivat e tij preferenciale janë: së pari, të modernizojë Institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, dhe së dyti, t’i kontribuojë mirëqeverisjes së vendit, duke luftuar korrupsionin, pa kompromis. Këto motive, i sheh si vlera individuale, por njëkohësisht, edhe si vlera  qytetare e familjare, që kur të lerë detyrën pas gjashtë vjetësh, të ketë me se të krenohet, jo vetëm ai, familja e tij, por edhe bashkëqytetarët e vetë dhe gjithë shoqëria që e rrethon. Mbas mandatit të parë, Bujari, nuk pretendon të vazhdojë në këtë detyrë, mbasi e quan të tepërt, se për aq kohë sa do punojë, gjykon, se të konsumon pozicioni i drejtuesit. Ai, preferon të vazhdojë karrierën akademike, intelektuale, si profesor, në një nga dy vendet e preferuara të tij, në Vlorë ose Kosovë.

Sukseset e arritura në jetën e Bujar Leskaj janë të lidhura ngushtë me atë aforizmën se, sukseset e burrave ngrihen mbi shpatullat e grave. Bujari, ka një familje të mrekullueshme, që i sjellin jo vetëm kënaqësi shpirtërore, por edhe angazhim konkret, për t’ia lehtësuar veprimtarinë e tij, duke filluar nga gruaja historiane, Silvana dhe fëmijët, vajza Xhersika, që studion për ekonomi në Itali, e duke vazhduar me Klausin, Arionin dhe Orestin, që ju ngjajnë prindërve, si nxënës shembullor. Ai, ka veçoritë e tij individuale, që e bëjnë të dallueshëm nga të tjerët. Por ajo që doja të veçoja dhe ta stigmatizoja, është dëshira e pakufishme, për të lexuar pas pune. Këtë, e konsideron ushqimin e shpirtit, pas një dite të lodhshme në zyrë.

Me veprimtarinë e tij modeste, ka treguar se, është i përkushtuar për Vlorën dhe Labërinë. Është i lidhur fortë pas tyre, jo vetëm shpirtërisht, mendërisht por edhe politikisht, me dëshirën e madhe për të dhënë kontributin e tij modest. Bujari, ndryshe nga brezi i tij, që kërkon të moderohet në dialektin e të folurit, ruan një labçe safi. Dhe kur i thashë se, ti Bujar flet me dialektin karakteristik të vlonjatit, ai, mu përgjigj, nuk e ndryshoj kurrë, se e quaj virtyt, dhunti dhe ai, më bën krenar që dallohem se jam Lab. Bota e qytetëruar ruajtjen dhe transmetimin e dialektit, e quan një pasuri kombëtare. Ai, ecën në rrugën e jetës, i shoqëruar nga urtësia, dituria, dhe fisnikëria njerëzore. Suksesin dhe fatin, nuk i pret me lutje, por i kërkon dhe i gjen me punë këmbëngulëse, duke menduar çdo ditë, çfarë do bëj sot më mirë, nga ajo që se bëra dot dje. Kolegët e punës, thonë se është altruist dhe ndien kënaqësi kur i dhuron lumturi të tjerëve. Mirënjohja e Bujarit, si një cilësi e veçantë që rrallë e gjen në ditët e sotme të trazuara, është thesari i ndërgjegjes dhe zemërgjerësisë së tij. Në mendjen, ndërgjegjen dhe koshiencën e tij, mirënjohja qëndron si një medaljon i artë. Shokët e tij, që e njohin nga afër, e përcaktojnë të “sëmurë” pas librave dhe pikturave. Këtë dukuri, e vëren në të gjitha mjediset e punës, sociale dhe familjare. Një cilësi, që e dallon nga shumë politikanë të sotëm, është se Bujari, pavarësisht nga bindjet e tij politike, nuk ka paragjykime partiake. Ai, përkrah gjithë rrymat politike dhe ka shok e miq nga të gjitha krahët e politikës dhe në të gjitha nivelet. Ky qëndrim, përligj edhe funksionin që ka në mënyrë adekuate, mbasi institucioni që drejton, është i depolitizuar.

Ndjenja e tij kombëtare, atdhetare dhe patriotike, e bën, që vazhdimisht të mendoj, se si të përjetësohen simbolet kombëtare. Ai, krahas ngritjes së Institutit të Studimeve “Ismail Qemal Vlora”, që ka zhvilluar disa aktivitete, ka si objektiv, në bashkëpunim me disa intelektual dhe biznesmenë vlonjatë, që të vendosin një bust të Ismail Qemalit, në Prishtinë. Kjo, është një nismë e munguar nga shteti, që duhej korrigjuar në shumë treva të vendit, se pavarësia është gjithëshqiptare dhe jo rajonale, siç është trajtuar deri më sot nga pushteti.

Duke e parë tërë veprimtarinë e Bujar Leskaj, në aspektin shpirtëror, moral, patriotik, si një lab aktiv, të portretizuar, me ndjenja të fuqishme kombëtare, Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, e ka vlerësuar atë, me Titullin më të lartë: “Personalitet i shquar i Labërisë”. Labëria, krenohet me djem dhe vajza, që e duan dhe e ruajnë vendlindjen, apo vendorigjinën e tyre, si thesarin më të çmuar të jetës së tyre.