Prof. Dr. Afrim Krasniqi: Mund të kemi krizë kushtetuese

552
Sigal

Prof. Dr. Afrim Krasniqi, drejtor i
Institutit te Studimeve Politike


Pra, në çdo
rast, ky parlament do të duhet të zgjedhë Presidentin dhe ky parlament do të
duhet të mblidhet me 24 korrik për betimin e Presidentit, pavarësisht se, ndërkohë
kemi zgjedhur parlament të ri me 18 qershor 2017


Presidentin e Shqipërisë, e zgjedh dhe e
beton parlamenti aktual. Mund të kemi krizë kushtetuese


Jakup B. GJOÇA

Kushtetuta e Shqipërisë, ka boshllëkun
juridik, që mund të shkaktojë krizë kushtetuese, në qershorin e 2017, kur, ndërkohë
dhe paralelisht, në Shqipëri, duhet të zhvillohen zgjedhje, edhe parlamentare,
edhe zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë. Boshllëku juridik në Kushtetutën e
Shqipërisë, është afati kohor është i përafërt i të dy zgjedhjeve dhe pamundësia
dhe stërzgjatja e procesit zgjedhor të Presidentit, shkakton pamundësi
kushtetuese, se cili parlament duhet ta zgjedhë, por edhe, nëse pala politike që
fiton mazhorancën parlamentare, a do të dëshirojë që Presidentin e Shqipërisë,
ta zgjedhë dhe betojë mazhoranca e kaluar dhe e mundur në zgjedhjet  e fundit parlamentare.  Konstitucionilisti Prof. Dr. Afrim Krasniqi,
drejtor i Institutit të Studimeve Politike, në intervistën për gazetën
“Telegraf”  e pohon që koha e përbashkët
e zgjedhjeve parlamentare dhe e Presidentit 
të Shqipërisë mund të shkaktojë krizë kushtetuese, por, gjithsesi, Prof.
Krasniqi pohon, se është parlamenti aktual që e zgjedh dhe e beton Presidentin
e ri të Shqipërisë. Koha e zgjedhjes së Presidentit të ri, pohon Prof. Krasniqi,
“praktika për zgjedhjen e Presidentit duhet të nisë midis datave 25 prill – 24
maj 2017”. Prof. Krasniqi pohon për gazetën “Telegraf”,  që palët politike nuk pranuan të bënin
ndryshimet kushtetuese, për të normalizuar këtë paradoks dhe boshllëk kushtetues,
në Kushtetutën e Shqipërisë, kur u bënë së fundi ndryshimet kushtetuese për
reformën në Drejtësi, pasi çdo palë politike i kushtëzon ndryshimet
kushtetuese, sipas interesave partiake. Qeverinë e re e dekreton Presidenti i
ri, që do të zgjidhet.

 

– Prof. Krasniqi, data e zgjedhjeve
parlamentare është më 18 qershor. Zgjedhja e Presidentit është pas 18
qershorit. Cili parlament duhet ta zgjedhë Presidentin? Parlamenti aktual apo
parlamenti i ri?

– Zgjedhja e
Presidentit do të duhej të bëhej në periudhën qershor 2017, por për shkak se është
vit i dyfishtë elektoral dhe ka zgjedhje edhe për parlamentin, Kushtetuta
parashikon procedura specifike. Konkretisht, sipas nenit 88: “Kur mandati
presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të
Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se
60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Sipas kësaj dispozite, për
shkak se mandati i parlamentit aktual përfundon më 9.9.2017, atëherë zgjedhja e
Presidentit do të duhet të bëhet “jo më vonë se 60 ditë përpara mbarimit të
mandatit”, pra jo më vonë se 9.7.2017. Sipas nenit 88, “procedura për zgjedhjen
e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit
presidencial paraardhës”. Kjo do të thotë, se procedura për zgjedhjen e
Presidentit të ri do të duhet të fillojë jo më vonë sesa 24.5.2017. Për shkak
se parlamenti do të duhet të shpërndahet përafërsisht në këtë datë, atëherë
duke llogaritur te paktën 4 raunde, duhet të realizohet përpara datës 25 maj,
ndaj edhe praktika për zgjedhjen e Presidentit duhet të nisë midis datave 25
prill – 24 maj 2017. Pra, në çdo rast, ky parlament do të duhet të zgjedhë
Presidentin dhe ky parlament do të duhet të mblidhet më 24 korrik për betimin e
Presidentit, pavarësisht se ndërkohë kemi zgjedhur parlament të ri me 18
qershor 2017.

A ka rreziqe qe te krijohen kriza
kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit?

– Po, ka
potencial për krizë. Jo për zgjedhjen e Presidentit ,por për marrjen e detyrës
prej tij. Nuk duket normale, që, ndërkohë që parlamenti është shpërndarë dhe është
zgjedhur parlamenti i ri, për shkak se ky i fundit nuk ka kryer ende betimin,
do të duhet të thirret parlamenti i vjetër për ceremoninë e betimit. Nëse
parlamenti i vjetër (ky aktual) nuk mblidhet me 71 deputetë prezent më 24
korrik 2017, atëherë pamundësohet betimi i Presidentit, Presidenti i zgjedhur
nuk merr detyrën dhe posti i Presidentit ushtrohet nga kryetari i parlamentit për
periudhën deri në zgjidhjen e krizës. Imagjinoni të ndodhë rotacion politik:
mazhoranca e re nuk do pranononte politikisht mbledhjen e mazhorancës së vjetër
për betimin e Presidentit, ndërkohë që qytetarët mund të kenë votuar kundër
saj. Situata të tilla absurde do të duhej të zgjidheshin me ndryshimet
kushtetuese 2016. Në emër të Institutit të Studimeve Politike i kam ngritur dhe
propozuar ato, por palët politike nuk ishin të interesuara për shmangien e
kurtheve të tilla politike e proceduriale.

– Qeverinë e re, cili President duhet ta
dekretojë? I tanishmi apo Presidenti i ri?

– Qeveria e re
krijohet në shtator, pasi betohen deputetet dhe formësohet legjislatura e re.
Qeveria aktuale, nëse nuk ka zgjedhje të reja, vijon deri në shtator, pavarësisht
sesi mazhoranca, ose vetë PS del në zgjedhjet parlamentare 2017. Për pasojë, në
shtator do të kemi president të ri në detyrë, i cili mandaton edhe
kryeministrin, dekreton ministrat dhe më pas udhëheq edhe procesin e betimit të
saj. Vetëm nëse ndodh varianti i postit vakant të Presidentit parashikuar më
lart, vendi mund të hyjë në krizë dhe praktikat normale kushtetuese do të kërkonin
sforcim dhe rishqyrtim për zgjidhje të tjera optimale për presidentin, për
parlamentin dhe për qeverinë e re. Gjithsesi, për qeverinë është më thjesht, në
çdo rast ajo dekretohet e fundit, dhe nuk paraqet rrethanë për krizë të
mundshme politike dhe as bollshëk legjislativ. Problemi i vetëm i qeverisë do të
jetë nëse ajo ka mazhorancë të qëndrueshme votash, nëse mandatin do ta ushtrojë
partia më me shumë mandate apo do të kemi koalicione të reja politike, detaje që
nuk cënojnë praktikat kushtetuese, por janë pjesë e lojës dhe e kalkulimeve të
ndryshme politike.