Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI/ Shtabi i Përgjithshëm Shqiptar 101- vjeçar

792
Sigal

Shtabi i Përgjithshëm ose Shtabi Madhnuer ushtarak u formua pesë muaj pas krijimit të Ministrisë së Luftës, më 4 maj 1913 në Vlorë, me miratim nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës e Ismail Qemal Vlorës. Emërtimi fillestar ishte: “Shtati Madhnuer” dhe më tej u emërua Shtabi Madhnuer. Kryetar i parë i shtabit Madhuer ishte 30 -vjeçari major Ali Shefqet Shkupi, që kishte qenë Komandant i Garnizonit të Stambollit e që ju përgjigj thirrjes së Ismail Qemal Vlorës për të shërbyer si Kryetar i Shtabit të parë Madhnuer. Ali Shefeti u përzgjodh për patriotizmin e lartë shqiptar, për zotësinë ushtarake të talentuar si dhe për personalitet i njohur. Ai kishte shkëlqyer në shkollën qytetëse të Selanikut, ishte dalluar në Harp Okullu (shkolla e Luftës) dhe kishte shprehur talent ushtarak në taktikat dhe strategjitë e luftës në Akademi së bashku me Mustafa Kemal Ataturkun. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912 elementët e përparuar shqiptar në Stamboll u bënë objekt i përndjekjes. Për këtë nga Skelat e Stambollit mbërriti në Konstancë, në Bukuresht dhe në mars 1913 Ali Shefqeti mori pjesë në Kongresin e Triestes. Zbritja në Vlorë dhe marrja përsipër e krijimit të një shtabi madhor modern ishte  rast fatlum për kohën. Ndërtimi i Ministrisë së Luftës dhe Shtabit Madhor po bëhej mbi bazën e praktikave europiane. Selia e shtabit ishte me qendër në Vlorë, pranë Ministrisë së Luftës në Skelë të Vlorës. Në fillimet ky shtab ishte fare i vogël, emërohej Zyra e Shtatit Madhnuer të Ushtrisë, pranë Ministrisë së Luftës. Ajo ishte në përbërje e në varësi të Ministrisë së Luftës. Shtabi i Përgjithshëm (Madhnuer) shënoi një nivel të ri organizimi të përparuar, modern e bashkëkohor për kohën. Shtabi dëshmoi për nivelin e lartë kulturor, politik e ushtarak të drejtuesve të shtetit dhe të atyre ushtarakë të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Për funksionimin  organizativ të Shtabi Madhor u krijuan: Qarqet e Shtatit Madhnuer, Sekretaria e Shtatit Madhnuer, Komisioni i rregulloreve e i ushtrimeve, Komisioni i trajnimit të policisë e të xhandarmërisë dhe Komisioni i ndërtimit. Shtabi Madhor ishte konceptuar, ndërtuar, por edhe veproi teorikisht e praktikisht si një organ bazë i Ministrisë së Luftës. Shtabi ishte përgjegjësi kryesor për organizimin, përgatitjen dhe drejtimin profesional të veprimtarisë luftarake të FA Shqiptare. Hartimi i rregulloreve ushtarake u kthye në prioritet për Shtabin e parë madhor. Kështu Ali Shefqeti nën cilësinë e Shefit të Shtatmadhorisë më 31 maj 1913 informonte ministrinë e luftës mbi krijimin e kompanisë model dhe që aktiviteti në vijimësi lidhej me ngritjen e sistemit të detyrueshëm ushtarak. Më 3 qershor 1913 ishte hartuar e para rregullore e milicisë ushtarake, por e shkruar në gjuhën osmane, që ju përcoll Ministrit të Brendshëm Myfit Libohovës. Shtabi organizonte kryerjen e luftimeve në mbrojtje në pjesën jugore e juglindore të Shqipërisë kundër shovinistëve grekë, por edhe në pjesën verilindore të vendit. Shtabi Madhor përkujdesej për furnizimin me armatime e municione në zonat e veprimeve luftarake. Në këtë periudhë shtabi merrej me organizimin e forcave dhe strukturave ushtarake, me hartimin e rregulloreve dhe udhëzimeve mbi organizimin, jetesën, stërvitjen dhe veprimtarinë e ushtrisë dhe të Xhandarmërisë; kujdesej dhe ndiqte edhe kompletimin e forcave dhe të reparteve me veshje, me armë të rënda dhe me hartimin e fjalorëve me terma shpjeguese ushtarake në gjuhën shqipe. Më vonë në vitet 20 kemi ringritje të strukturave të reja ushtarake. Në periudhën e Republikës së Parë shqiptare 1925-1928 kemi një konsolidim ushtarak dhe që vijoi edhe në periudhën e Mbretërisë 1.9.1928 deri në 7 prill 1939. Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH u ringrit në kohën e pushtimit të vendit në 10 korrik 1943; Ky shtab drejtoi 24 Brigada Partizane, 8 divizione dhe tre Korparmata. Pas clirimit u konsolidua dhe udhëhoqi me sukses luftën ndaj provokacioneve të grekut në gusht 1949. Pas çlirimit të vendit, në dhjetor 1944, ashtu si gjithë UNÇSH-ja, edhe Shtabi i Përgjithshëm iu nënshtrua shndërimeve të domosdoshme për një ushtri të rregullt të kohës së paqes. Në gusht të vitit 1946 Kryetar i Shtatmadhorisë u emërua Gjeneralmajor Mehmet Shehu, në vend të Gjeneralmajor Spiro Moisiut. Që nga 1 tetori i vitit 1946, pasi u suprimuan Komandat dhe disa seksione dhe u krijuan drejtoritë e seksionet e reja, kaluan në vartësi të drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm 7 Drejtori: e Prapavijës, e Artilerisë, e Ndërlidhjes, e Xhenios, e Mbrojtjes Bregdetare, Operative dhe e Organizim-Mobilizimit, si dhe 10 seksione: i Zbulimit, Sekretariati i Shefit të Shtatmadhorisë, Shërbimi i Brendshëm i Shtatmadhorisë, i Prapavijës i Shtatmadhorisë, i Kimisë, i Tankeve dhe Autoblindave, i Aviacionit, i Stërvitjes Luftarake, i Shifrës, i Topografisë. Riorganizimi i vitit 1966 bëri që Shtabi i Përgjithshëm të kishte 4 drejtori: Operative, e Zbulimit, e Organizim-Mobilizimit dhe e Ndërlidhjes; dhe nga 7 degë autonome: e MKK, e Shifrës, e Topografisë, e Administratës, Ekonomike, e Stërvitjes luftarake dhe e Shërbimit, strukturë,  e cila nuk ndryshoi deri në vitet ’80. Nga Shtabi i Përgjithshëm nuk vareshin Komandat e Korpuseve, Drejtoria Politike, Drejtoria e Xhenios, Komanda e MBL, Komanda e Artilerisë, Prapavija dhe Forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me krijimin e korpuseve, u lehtësua edhe puna e detyrat e Shtabit të Përgjithshëm për zgjidhjen e problemeve të reparteve apo për vështirësitë e drejtimit elastik të reparteve e nënreparteve. Tani Shtabi i Përgjithshëm merrej me drejtimin dhe udhëheqjen e përgjithshme të veprimtarisë luftarake dhe organizimin e kontrolleve të FA. Në riorganizimin e vitit 1974 të FA Shtabi i Përgjithshëm nuk pati ndryshime esenciale nga struktura dhe detyrat që kryente. Një riorganizim i ri i ushtrisë është ai i vitit 1982-1983, ku nga sistemi me korpuse u kalua me divizione që vijoi deri në vitin 1992. Në këtë periudhë Shtabi i Përgjithshëm drejtonte ushtrinë shqiptare me një efektiv shumë të madh, si aktiv ashtu edhe rezervist me rreth 16.500 oficerë, 9.000 nënoficerë, 60.000 ushtarë e 8.000 civilë; me rreth 450.000 rezervistë e 230.000 Forca Vullnetare. Me 22 Divizione dhe tre Forca që ishin: Mbrojtja Kundër Ajrore me 34 regjimente të artilerisë kundërajrore pa llogaritur AKA e Brigadave; Flota Luftarako-Detare, që kishte rreth 400 anije; Arma e Aviacionit Luftarak, që kishte 240 mjete fluturuese etj. SHP kishte nën komandë 127 Brigada Këmbësorie, Brigada Artilerie dhe Brigada Sulmuese; rreth 1300 tanke, rreth 4.000 gryka zjarri artilerie tokësore; Pas vendosjes së demokracisë filloi edhe ristrukturimi i plotë ushtarak që zgjati gati dy dekada duke e kthyer Forcat e Armatosura më të vogël dhe më profesioniste duke ecur në një histori suksesi si anëtarë i denjë në NATO që prej 2 prillit 2009. Shqipëria është katër vjeçare anëtare e NATO-s. Ajo nuk është pjesë e Aleancës vetëm për të përfituar nga Artikulli V i saj, por për kontribut në paqen e sigurinë botërore. NATO dhe e ardhmja e saj, lidhet në radhë të parë me sigurinë, stabilitetin, paqen dhe jo mbrojtjen. Shqiptarët ndërtojmë në mënyrë të përbashkët, të ndërsjellët, në mënyrë të sistemuar, në mënyrë të koordinuar e të ndërgjegjshme, ku  vendimet e veprimet lidhen me proceset integruese. Ushtarakët e shtabit të përgjithshëm kanë drejtuar e drejtojnë misionet paqeruajtëse në Çad, Itak, Afganistan, Gjeorgji, Bosnjë etj. Pjesëmarrja dhe angazhimi i FARSH në operacionin “Liria e Irakut”, është me 1343 ushtarakë; në operacionin UNOMIG të drejtuar nga OKB, në Tbilisi Gjeorgj, kanë marrë pjesë 39 ushtarakë shqiptare; kontributi i FA në Çad ishte gjithsej me 189 ushtarakë; në operacionin ISAF në Afganistan përfaqësimi vijon të jetë dinjitoz. Aktualisht vendi ynë vijon kontributin me misionarë paqeje në misionet më prestigjioze të sigurisë botërore. Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura është dekoruar me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura Shqiptare me këtë motivacion: “Për shërbime të shquara për plotësim të misionit kushtetues, në ruajtjen e tërësisë territoriale të hapësirës shqiptare përgjatë një shekulli, për ngritjen dhe konsolidimin e strukturave të vartësisë ushtarake, për harmonizim të veprimtarive të gjithanshme në situata krizash e konfliktesh, për mbështetje të komunitetit në të gjithë aspektet humanitare, për përgatitjen me cilësi të strukturave e kontingjenteve paqeruajtëse si dhe përfaqësim dinjitoz në të gjitha aktivitetet me partnerët euroatlantikë”.

Njëzet e tre Drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm në një shekull (1913-2014)

Në 4 Maj 1913, në krye të Shtabit Madhor ishte Major Ali Shefqeti Shkupi; në Nëntor 1920 – Gjeneral-brigade Ali Riza Kolonja; në Dhjetor 1921 – major Xhavid Leskoviku; në qershor 1923 – major Bajram Fevziu; në Janar 1925 – koloneli austriak Gustav Von Myrdac; ndërsa më 7 prill 1939 – Me pushtimin fashist të Italisë, pushuan së ekzistuari edhe Forcat e Armatosura Shqiptare. Në periudhën 10 Korrik 1943–Gusht 1946 në krye të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH ishte Gjeneral major Spiro Moisiu; në Gusht 1946, Gjeneralmajor Mehmet Shehu; në 28 janar 1948 kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Kombëtare shqiptare u emërua Gjenerallejtënant Beqir Balluku; në 1952 Gjeneralmajor Petrit Dume; në 1954, Gjeneralmajor Arif Hasko (Mema); në 1956-1974 Gjenerallejtënant Petrit Dume; në 1974 Sami Meçollari; në 1975 Veli Llakaj; në vitin 1981- Kiço Mustaqi;  në Shkurt-Qershor 1991 Kolonel Halim Abazi; në Qershor 1991-Gusht 1992- Gjeneralmajor Kostaq Karoli; në 1992-1994, Gjenerallejtënant  Ilia Vasho; në vitet 1994-1997, Gjeneral me katër yje Sheme Kosova; në Korrik-Gusht 1997- Gjeneralmajor Adem Çopani; në 1997-2000- Gjeneral Brigade Aleks Andoni; në vitet 2000-2006, Gjenerallejtënant Pëllumb Qazimi; në Tetor 2006-Qershor 2008, Gjenerallejtënant Luan Hoxha; në Qershor 2008- Korrik 2011, Gjeneralmajor Maksim Malaj; më 8.8.2011 deri më 08.11.2013 Gjeneral Xhemal Gjunkshi dhe nga data 8.11.2013  e në vazhdim Gjeneral Major Jeronim Bazo.Shtabi dhe shtatmadhorët janë një asset kombëtar në një udhëtim një shekullor, që janë përballur me sfidat dhe kanë mbijetuar përmes sfidash.