Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: Marrëveshje apo armiqësi?

758
Sigal

A duhet të “hedhim pas krahëve” armiqësitë, dhe a duhet të bëjmë marrëveshje me Serbinë? Kjo është dilema dardane dhe jo vetëm. Ecejaket diplomatike koridoreve të kancelarive të perëndimit, konferenca shtypi të të gjitha niveleve diplomatike e deri tek zyrtarë, analistë, gazetarë, specialist të marrëdhënieve ndërshtetërore kanë prekur e vijojnë të prekin “plagët” ato “plagë”, që Europa hapi me apo padashje. Në sëndukët e arkivave “flenë” dosje voluminoze me plane të reja e programe të vjetra. Stërgjyshërit europianë e kanë “thënë” fjalën e tyre. Psikoza e “rrugëve”, “tregjeve”, “dashurive”, lakmive është sofistikuar dhe modernizuar e deri dronizuar. Problemet janë pleksur me plan-programe shumëdimensionale. Çdo hap zyrtar i Kosovës i vë në merak dhe në “hall” europianët nganjëherë edhe të sinkronizuar. Shpesh flitet për “orën e shqiptarëve”, “betejën e shekullit”, “diplomacinë në veprim”, pse jo edhe për “finale e madhe”. Por a ka ardhur me të vërtetë koha për një “Finale të Madhe”, midis Kosovës dhe Serbisë dhe a ka ardhur vërtetë “ora e kohës së madhe” për të pashmangshmen e raporteve Kosovë-Serbi. Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç mos janë të “dërguarit e historisë”, për një histori të re. A mjaftojnë dy dekada nga përfundimi i luftës së fundit, ku Kosova dhe Serbia ende nuk kanë arritur një marrëveshje të paqes fqinjësore. Dy presidentët janë tashmë në syrin e popujve respektivë, në syrin e europianëve skeptikë dhe amerikanëve praktikë, nën vëzhgimin e politikanëve të të gjithë kalibrave. Të gjithë e kanë një hall, të gjithë e kanë në zemër e shpirt një zgjidhje, një zgjidhje e zgjedhje sipas mënyrës së vet, sipas orientimeve e propozimeve. Megjithëse historia jo gjithmonë ka çuar dhe ka ofruar zgjidhje të mençura. Ta shkelin gardhin e së shkuarës dhe të ringrenë gardhin e ri, Një çështje ndërgjegjebrejtëse. Llogaridhënia para popujve është vision dhe perspektivë. Është koha për aftësi lidershipi, që të parashikojnë vizionin e së nesërmes përtej gardhit, përtej gjerdheve. Apo do presin? –Por për çfarë, ku dhe si do vijë ndryshimi. Do t’i kuptojnë popujt apo do struken e “luftojnë” secili në “llogoren” e rehatisë partiake dhe të një turme që njeh veç opsionin e kryetarit. Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë po vjen.

Diskutimet, sulmet e kundërsulmet, pesha e balancës me të mirat dhe me të këqiat është një bashkëudhëtare. Ok. Do bashkohemi në qëndrueshmëri si shtet dhe anëtarësim në BE, do normalizojmë marrëdhëniet mes dy shteteve si pashmangshmëri, do arrihet paqja me një qëndrim me lëshime të dyanëshme, por mbi të gjitha me një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Po status-quo-ja mes Kosovës dhe Serbisë, që në muajt e fundit ka njohur regres mes Kosovës dhe Serbisë. Do tejkalohet problematika reale. “Dardha e ka bishtin prapa” në marrëveshjen historike Kosovë-Serbisë. Diplomacia e Ivica Daçiç-it dhe miqëve e mbështetësit e tyre, se “kufiri me Kosovën nuk është propozim zyrtar, por ide zyrtarësh shtetërorë”, kundërveprimi e lobimi i ashpër serb për “heqjen e njohjeve” si dhe politikat e kalimit të dokumenteve serb në Kuvendin e Serbisë, në vendimet e qytetarëve përmes referendumeve”, është taktikë që shpreh thjesht përfitimin e “interesave të përjetshme”. Sikurse shprehej ish-kryeministri britanik, Lord Palmerson, “nuk ka miq dhe as armiq të përjetshëm – vetëm interesa të përjetshme”.

Çështja “ndryshim i kufirit” ose procesi “korrigjim i kufijve” është sot në axhendat e diplomacisë botërore. Të zotët “kanë në dorë” çelësat e së nesërmes, por më parë ata duhet të ndajnë mendjen: të bëjnë marrëveshje apo të bëjnë si deri më sot armiqësi. Ndërkohë që në dilemat e liderëve të Ballkanit perëndimor mbizotëron dilemma e dy dekadave të fundit: “ta kemi mirë me popujt tanë apo me europianët e BE-së e amerikanët e pushtetit global?

Po aktorët e faktorët e tjerë fqinjësor pse vallë hedhin “shashka ballkanike”, sikurse janë ish-ministri grek i Mbrojtjes i “Grekëve të Pavarur” Panos Kammenos, se, “Shkupi e Tirana janë 20 minuta punë”. Këtu Panua nuk flet, se “sa minuta e ka Turqinë?”. Që do të thotë, t’i bësh “hesapet pa hanxhinë”. Marrëveshje pa karakter strategjik e vizionar nuk mund të ketë. Nënshkrimi i marrëveshjes është akt solemn e ceremonial kur të jenë pjekur kushtet ndërshtetërore, rajonale, europiane e pse jo edhe ato globale. Frutet e bisedimeve kërkojnë klimën e përshtatshme për t’u pjekur. Ende nuk janë shtruar mbulesat e tavolinës diplomatike që do mbledhë liderat kosovarë, serbë dhe euro-amerikanë.

Pesha e bashkëluftëtarëve të UÇK-së është pesha e gjakut lumë. Mbi gjakun e të rënëve ngrihen urat e së ardhmes për marrëveshje, që garanton legjitimitet, transparencë dhe vendimmarrje. Ekipi duhet të paraqesë unitet kombëtar e përgjegjësi historike, që merr përgjegjësi dhe tregon mençuri me hapa të matura. Një ekip që di ta ruajë deri në fund identitetin e kombit. Koha ka thirrur në skenë një popull të tërë dhe jo vetëm një ekip negociator. Diplomatët janë sot në frontin e parë në vijën e parë të betejës, në rolin e baballarëve të kombit që në unitet mendimi e veprimi i shërbejnë kauzës së interesave jetike shqiptare në ballkan. Përgjegjësia nuk matet me fjalë, sepse morsa popullore si uragan i papërmbajtshëm nuk lëshon pe për “Trepçen”, “Liqeni i Ujmanit”… etj.

Nëse nevojiten një kastë takticienësh dhe strategësh diplomat nevojiten sot, me vizion e objektiva, që të kenë “gërmuar thellë” në praktikat botërore të negocimit, të rrahur me “vaj e me uthull” siç thotë një maksimë e mençurisë popullore shqiptare, me strategji të kthjellët ekipore si dhe zotërues të plotë të teknikave të negocimit diplomatik. Të përgatitesh nuk do të thotë të kesh frikë, por të përzësh frikën me mençuri dhe urti.

Negociatorët e paqes janë luftëtarët e djeshëm të UÇK-së dhe nëse nuk kanë qenë pjesë e saj, janë zëri i të rënëve në tavolinat e gjelbëra diplomatike. Përfundimi i luftës shoqërohet me erën e barutit, por finalizohet diplomatikisht me fitoren e mençurisë, sepse diplomatët janë të parët që vjelin frytin e fitores në tavolina. Prandaj edhe kanë objektiva të përbashkëta në funksion të së ardhmes së kombit, popullit, shtetit. Prandaj negociatorë: me vështrim nga të rënët, me shikim tek e ardhmja. Një zgjidhje me J. Hahn dhe F. Mogherinin, por mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare, por edhe të drejtën historike autoktone.

Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe aplikimi i tarifës 100% për importet serbe në Kosovë i nxorri nga binarët përkohësisht bisedimet. Po në fakt duhej, edhe pse komuniteti ndërkombëtar duhet të mësohet me “zërin e Kosovës” në arenën ndërkombëtare. Gjeopolitika rajonale dhe ndërkombëtare tashmë u mësua me këtë zë dhe me këtë praktikë në shtetin më të ri ballkanik. Kush nuk i mbron interest e tij jetike?. Një Kosovë e hapur, e angazhuar, dialoguese me Serbinë, transparente, e gjërë, e mbështetur ndërkombëtarisht nga BE dhe ShBA, me potencial intelektual, ushtri, forca e mjete, me kuadër institucional të plotësuar, kërkon sot një ekip negociues e dialogues të kalibrit të fuqive ekselente të globit. Parapëlqimin e bën sot fuqia kombëtare kosovare potencialisht e juridikisht përtej vulës së Kuvendit të Kosovës si dhe vulës së qeverisë së Kosovës. Negociuesit lypsen të jenë sot sa kombëtarë aq dhe europianë, euroatlantikas, amerikanë, ajka e inteligjencës kosovare, njohës të thellë të artit të negocimit, por edhe praktikave botërore të diplomacisë. Kasta e diplomatëve duhet të ngrenë opsionet e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, për pacënueshmërinë e vullnetit të sovranit të 17 shkurtit 2008, kosovarët “e humbur” gjatë luftës, viktimat e abuzimeve, reparacionet, dëmet kolaterale mbi hapësirën kosovare gjatë luftës. Përballë agresivitet në rritje të ndikimit rus dhe faktorëve të tjerë gjeopolitikë, që kundërshtojnë zgjidhjet e njohjet e Kosovës, kasta diplomate ka pika të forta në qëndrat e mëdha ndërkombëtare, si ShBA, Gjermania, Britania, BE që mbështesin integrimin Euro-Atlantik të Rajonit, paqen e stabilitetin në Ballkan dhe mbi të gjitha ardhmërinë e përbashkët të sebëve dhe kosovarëve drejt Organizatave më të zëshme të botës së sigurisë si dhe të ekonomisë së përbashkët europiane.