Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj / “Luli i vogël” në rrugën e lumit të Vlorës

827
Njësia administrative Brataj shtrihet në Jug-Lindje të qytetit të Vlorës, me qendër në fshatin Brataj me largësi 40 km nga qyteti i Vlorës me një sipërfaqe mbi 150 km² me terren të thyer kodrinor-malor. Përshkrohet nga lumi i Shushices Jug-Veri dhe lumi i Smokthinës, Lindje-Perëndim. Përshkohet nga rruga nacionale Vlorë-Kuç-Borsh Sarandë ose Rruga e lumit të Vlorës, ka burime ujore për ujë të pijshëm dhe për vaditje, me klime mesdhetare. Burimet ujore ndodhen në fshatrat Velçë, Ramicë, Bashaj, Lepenicë, Vërmik ku në këtë fshat ka dhe ujë termal. Ka parqe pyjore të pa shfrytëzuara si mali i Çipinit. Nuk janë shfrytëzuar për mungesë të infrastrukturës rrugore. Kush ka udhëtuar edhe këtë fillim vitin 2016, në rrugën e Lumit të Vlorës, përmes krahinës së Mesaplikut, përsëri do të ndeshet me rrugën që tashmë është bërë “gangrenë” për të gjithë. Konfiguracioni gjeografik i kësaj krahine është tepër i brishtë, me male të lartë rreth e rreth, me kodra, lugina e shpate të veshura me pyje e shkurre, por në disa raste dhe të zhveshura, me mikrofusha e parcela të veçuara tokash bujqësore të punueshme, me përrenj të thellë e të vegjël. Përmes kësaj lugine shkon rruga automobilistike nacionale, që lidh Vlorën me Kurveleshin e Poshtëm dhe me Sarandën, duke dalë në Borsh. 

Me krijimin e shtetit shqiptar nuk kishte rrugë automobilistike në këtë zonë. Para vitit 1920, të huajt, sidomos austriakët dhe italianët, kishin ndërtuar rrugë të rregullt deri në Gjorm. Ura mbi lumë, nuk kishte, përveç urës së Brate, e cila shërbente si për lidhjen midis fshatrave të Rrezës me ata të Shullërit, por dhe për të udhëtuar në drejtim të Vlorës. Përmes një rruge këmbësore, tërë baltë, përrenj e shkurre, prej fushës së Brate deri në Qafat e Lepenicës. Ndërsa buzë Shushicës ishte një rrugë tjetër këmbësore, që kalonte midis fshatrave të Brate, Lepenice e Gjormit dhe përfund tokave, buzë lumit të fshatrave Gumenicë, Lapardha, Vodicë e deri në Drashovicë. Rrugë shumë e keqe, përmes shkurresh e baltërash. Në vitet ‘30 të shek. XX, nga regjimi zogist filloi ndërtimi i segmentit të rrugës, që nga Gjormi, tek lumi, deri në Qafë të Pëllëmbit, në Tërbaç, me punë të detyruar. Gjatë Luftës Italo-Greke, ushtria italiane, për interesat e veta nisi punimet për hapjen e saj, si trase, pa vepra arti dhe pa shtrim. Urat i bënte me dërrasa, vetëm për kalimin e mjeteve të luftimit, të karrocave që tërhiqeshin me kuaj dhe të topave. Pas kësaj lufte përsëri rifilloi kjo rrugë, me punëtorë vendas. Por kjo vazhdoi deri nga mesi i vitit 1942, dhe për shkak të fillimit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në këto anë punimet u ndërprenë, për të rifilluar, deri në përfundim të plotë, vetëm pas çlirimit. Edhe degëzimet e rrugëve të fshatrave të Shullërit u ndërtuan në vitet e vitet e pushtimit dhe përfunduan në vitet e Pushtetit Popullor. 

Shteti dhe pushteti lokal duket që kanë hequr dorë nga kjo rrugë (Rruga e Lumit të Vlorës), pasi ka fjalë dhe vetëm fjalë, e njerëzit përcillen në atë jetë në mes të gropave dhe të rrugës që tashmë veç rrugë nuk mund t’i thonë. Shteti dhe pushtetarët duken në këto anë vetëm kur ndodhin vrasje, sherre, dëmtime dhe mbjellje të drogës. Është e vërtetë që shkon dhe për të vjelë taksa të cilat nuk i harron… e fshatari rropatet për të nxjerrë bukën e gojës. Fshatarët të gjitha i sigurojnë vet, si bukën, ushqimin, veshjen, bagëtinë e deri tek ndërtimi i shtëpive dhe mbjellja e pemëve… shteti ka hequr dorë nga të gjitha, e nuk mban përgjegjësi për këtë popullatë të lënë në harresë. Kur futesh në rrugët rurale, gjendja është dhe më vështirë. Pasi ndahesh nga Rruga e Lumit të Vlorës në Qafë të Varrit të Tavës dhe merr rrugën për në Velçë e Smokthinë, rruga është një tmerr i vërtetë. Dhe të mendosh që këtë rrugë e bëjnë përditë fshatarët që shpien prodhimet e tyre në Vlorë e bien lëndën e parë prej andej. Në këtë rrugë përplasen mësuesit, nxënësit, mjekët dhe rrogëtarët e tjerë që shkojnë drejt këtyre fshatrave dhe kthehen po brenda ditës në Vlorë apo në nga fshatrat nga kanë ardhur… Lodhje, mundime dhe vështirësi të panumërta ka në çdo ditë të vitit prej popullatës që kalon në këtë rrugë. Tashmë shprehen fshatarët jemi të lodhur dhe të këputur. Çdo gjë e realizojmë vet dhe shteti nuk na hedh dorë, na ka harruar fare. Dhe të thuash të vërtetën gjithmonë shtetit dhe pushtetit lokal i kemi kërkuar vetëm rrugën dhe rrugë. Edhe shkollat tashmë po vijnë duke u mbyllur, pasi numri i nxënësve po bie nga viti në vit. Mjaft fshatarë po mundohen të ikin për fëmijët dhe për një jetë se më të mirë në qytet, dhe e gjitha kjo prej një rruge… Fshatrat e Velçës, Ramicës, Matogjinit, Bashit dhe Vërmikut, pa mos folur për Boder dhe Shalës-Mesaplikun, rruga po i largon nga zhvillimi dhe kultura, nga përparimi dhe jetesa, nga tradita dhe historia. Këto fshatra po vuajnë vetëm për një rrugë, që kjo rrugë është bërë si opingat e Lulit të Vocër, që Migjeni i Madh e shkroi për fëmijën e zbathur, por tashmë janë të zbathura dhe rrugët, e kështu jetesa është bërë dhe më e vështirë. Këto ditë një miku im nga lumi i Vlorës, shkrimtari Idajet Jahaj po përgatit një album me foto për arkeologjinë dhe monumentet e Lumit të Vlorës. Shumë mirë bën, por ato edhe fshatarët nuk i kanë vizituar, pasi mungojnë rrugët, por mungon dhe mirëmbajtja e tyre. Djemtë e Bratit këtë vit inauguruan në një shkëmb një flamur simbol, por deri sa të shkosh aty dhe tek Shpellat e Shkruara të Lepenicës, të del si thotë populli “shpirti”.
Duhet rrugë…

Njësia administrative Brataj ka shumë pasuri arkeologjike, historike të vjetra dhe konkretisht: Shpella e Velçës, Shpella e shkruar Lepenicë, e cila ndodhet në rrëzë të malit mbi këtë fshat në një lartësi rreth 800 m mbi nivelin e detit. Banorët e quajnë shpesh “Shpella e shkruar”. Sipas arkeologeve, “pikturat e Lepenicës me të gjitha tiparet që i karakterizojnë bëjnë pjesë në grupin e pikturave shkëmbore post-paleolit, e lidhur me kushtet e reja ekonomike-shoqërore të kohës së neolitit”, pikturat e kësaj shpelle janë përfaqësuese të këtij arti post-paleolit, të njohur si ndër më të vjetrit në tërë Evropën. Në shpellën e shkruar të Lepenicës gjenden 19 figura antropomorfe dhe 8 figura gjeometrike. Në to pasqyrohen figura njerëzish, si dhe përfytyrime prehistorike. Autori i tyre është anonim. Ura e Bogdanit, Ura e Bratit, Mozaiku i Mesaplikut me sip. 150 m², Rrapi i Ismail Qemalit Mesaplik, Rrapi i Gurrave Smokthinë, Rrapi i Bashit, Rrapi i Shallvareve Velçë, Kalaja e Cerjes (Qyteza “Kala” e Cerjes), gjendet në afërsi të urës së Brataj, aty ku bashkohet lumi i Smokthinës me lumin e Kuçit, që krijojnë Shushicën. Në majë të kodrës piramidale me bazë katërkëndëshe, gjenden muret rrethues me blloqe gëlqerore, ndërtuar në shek III p.e.s. Komunikonte me urën e lashtë të Bogdanit, mbeturinat e së cilës ndodhen rrëzë kodrës së Cerjes buzë lumit. Aty ndodhen edhe mbeturinat e një kishe. Ka qenë vendbanim i madh me karakter blegtoral, që ka ekzistuar deri në pushtimin romak e që siguronte lidhjen dhe mbrojtjen e rrugës Amantie-Hore dhe Kaninë-Olimpia-Cerje-Horë. U shkatërrua nga ekspedita e legjioneve romake të komanduara nga Pal Emili, që kaloi lumin Shushicë në vendin e quajtur Vau i Palit. Ka shtëpi historike që mbrohen nga Instituti i Monumenteve te Kulturës si shtëpia e Feti Liçaj në Ramicë, shtëpia e Shefqet Musaraj dhe shtëpia e Cane Miftarit në Matogjin, etj. Labëria dhe lumi i Vlorës po humbasin për rrugë, pasi natyra ju ka dhënë bukurinë natyrore dhe klimën e pastër, ju ka dhënë pyje dhe burime të shumta, ju ka dhënë bimë medicinale dhe pemë frutore të shumta, por ata nuk preken dhe shijohen veç për një rrugë. Dhe labi e beson premtimin e dhënë nga të gjithë pushtetarët, si të hershëm, të djeshëm dhe të sotëm se fjalën e dhënë do ta mbajnë. Por deri tani e vërteta është e kundërt. Labërinë e Mesaplikun e kanë lënë në harresë, vetëm për një rrugë… Ka ardhur koha dhe momenti për të kthyer kokën dhe tërë vëmendjen nga kjo krahinë e lavdishme dhe madhështore. Ndryshe do të jetë vonë dhe koha do të gjykojë, boll më me premtime, por nisni punën për rrugën që populli të punojë dhe të jetojë në paqe dhe në lumturi në këtë krahinë të begatë, kulturore dhe historike.
Sigal