Prof. Asc. Sazan GURI/Relativiteti i kohës në Shqipëri

584
Sigal

Çdo trup, në hapësirën që jetojmë matet me përmasa, drejtime, vlera nga më të skajshmet, pozitive, negative, majtas, djathtas, veri, jug, e gjithfarëlloj orientimesh, ndërkohë që i vetmi parametër i përmasuar me një drejtim, sipas një vektori të përjetshëm pozitiv është koha, që për çudi ne shqiptarët e vlerësojmë si rrotë, që mund ta prekësh, ta rrotullosh, madje për syresh të caktuar mund t`i thuash ndal (`91), mund t`i thuash ec avash (`04) dhe për disa të tjerë edhe mund ta kthesh mbrapa (`14, `45, `97). Kujtojmë se rrota, megjithëse ndër novacionet më të mëdha të njerëzimit ka disa sekonda që është shpikur (dhjet mijë vjet më parë) në krahasim me kohën, që për rruzullin tonë ka lindur të paktën me vetë tokën (4,5 miliard vjet). Harrojmë se koha është shoku më i ngushtë i çdo bashkudhëtari në këtë jetë.

Vlen të kujtojmë se koha, jo vetëm që ka një drejtim vektorial, por ajo pranon ngjeshje, shpejtësi, pra zotëron densitet, shpeshtësi (frekuencë) dhe nxitim. Prandaj dhe thonë se nuk ka rëndësi sa rron, sa vegjeton, por sa parametra të tillë i ke dhënë ose i ke marrë kohës, prandaj dhe thonë se Shekspiri ka rrojtur më shumë se 100 vjet, ose Pushkini, që jetoi shumë herë më pak se vetë gjiganti Tolsto ka rrojtur më shumë se ai, sepse po të shtrihet densiteti dhe shpeshtësia e veprimeve të tij i del cikël më i gjatë i jetës. Në këtë kuptim, ne shqiptarët jetojmë jo vetëm më pak, si vite bio-vegjetative, por akoma më pak na rezulton, kur këtyre viteve nuk i japim kuptimin densitet, nxitim, frekuencë. Por, dimë që koha ka dhe një parametër tjetër po aq të rëndësishëm, relativitetin, ku për shumë syresh dita ikën si orë, java si ditë, muaji si javë, viti si muaj dhe për shumë syresh të tjerë e kundërta e kësaj. Kur e pyetën Anshtajnin, se ç`kuptim ka ky parametër, ai iu gjegj se është njësoj sikur të krahasosh qëndresën e njeriut pranë sobës së nxehtë, që një minutë i duket 10 minuta dhe pranë të dashurës së vet, që dhjetë minuta i duken si një minutë.

Le të fillojmë e të krahasojmë kohën e shqiptarëve me atë përreth globit, që na rrethon. Vëreni me kujdes sa serbes ecin shqiptarët për në punë, megjithëse kanë orar fiks paraqitjeje dhe krahasoni me sa nxitim e dinamizëm ecin të huajt për të njëjtin qëllim, megjithëse orarin e kanë fakultativ. E imagjinoni dot, se çdo të thotë të rendësh me vrap nëpër metrotë jashtë shtetit edhe kur e di se treni vjen çdo minutë dhe këtu të ecësh kaq shtruar, edhe kur e di se autobusi vjen çdo gjysmë ore ose me makinën tënde të duhen të paktën po aq të mbërrish në punë. A nuk është kjo kohë e pa fituar?!. Vëreni me kujdes momentin pritës para semaforit, të njeriut shqiptar, që sa të pakujdesshëm janë kundrejt disa sekondave kohë dhe harrojnë se me çdo sekondë fillon për tjetrin një minutë e re, harrojnë relativitetin  e kohës dhe mezi e rinisin “kërren” e vet. A nuk është kjo ngecje në kohë?! Çudia?! Përveç kohës, çdo gjë që vidhet dënohet. A nuk përbën kjo një paradoks? Krahasoni këtë moment më atë jashtë, ku çdo njeri mban këmbën në fraksion të shkelur, i gatshëm të fitoj minutën, sepse e di që me çdo minutë fillon për tjetrin dhe për vete një ore e re. A nuk është kjo ecje me kohën?!

Ju ka bërë vaki të jeni me makinën tuaj dhe dëshironi të merrni një pasagjer rrugës për në drejtimin tuaj. Shpesh ndodh që ai është “kail” të rrijë aty me orë për një 50 lekësh më pak që kushton autobusi. Po koha që ai fiton për të mbjellë, korrur, shirur sa kushton?! A nuk është kjo kohë që duhet vlerësuar?!. Vëreni në çdo moment të ditës, të javës e të stinës kafenetë tona, gjithmonë plot e përlotë, si në rrugë e në qendra punë, ku shqiptari rrufit i lodhur apo i shkrehur, ulur e për një kohë të gjatë, me çdo lloj njeriu pjesëza të lëngut të zezë, për të cilën eruditi Mih`tat Frashëri mendonte se futja e saj së bashku me mizën e Myzeqesë kanë ngadalësuar trurin dhe orën shqiptare. Krahasoheni këtë dukuri me njeriun rreth globit, ku kafeja shpesh rrufitet në këmbë, shok me tryezën e punës, ose në orë të caktuara, në lokale të caktuara e me njerëz të caktuar. A nuk është kjo, kohë e pa merituar për ne. Pa lë të shtojmë këtu, kur thuhet kafe dhe pihet kafe me bisht. Në një specializim jashtë shtetit (Çeki) vonë kuptuam, pse lektorët tanë nuk porosisnin së paku pijen e tyre tradicionale e shumë të preferuar, birrën gjatë javës së punës, çka përbënte respektin ndaj etikës së punës, çka përbënte dhe moralin ndaj saj. A nuk përbën kjo respekt ndaj kohës?!.

Vëreni me kujdes, sa dhe si shpenzojnë shqiptarët për veshje. Shpesh nuk e ndan dot, nëse është nisur për punë, për shkollë apo për edhe në plazh. Edhe nëse e gjen se është për shkollë, nuk e ndan dot nëse është student, punonjës administrativ apo profesor, sepse të gjithë janë pa çamta, pa dosje, të veshur e të këpucosur shik në ambiente me rrugë “sheet”. Edhe nëse e gjen se është për punë, nuk e ndan dot nëse është punëtor, punonjës administrativ apo drejtor, sepse të gjithë i japin rëndësi vetes, si ashtu të zymtë, cinik, të gjithë të sorrollasin, aq sa të kujtojnë një shprehje të një qytetari nga Kosova në vitin `99. Ne shkiakun e kemi hasëm, por kur i hyn në zyrë, të pret e të përcjellë njësoj si serbët, ndërsa juve ju kemi vllazën, por kur ju hyn në zyrë as të prisni, as të përcillni e as të zgjidhni. A nuk përbën kjo sorollatje në kohë?!.

Vëreni shkëmbimin e informacioneve me njeri tjetrin brenda vetit dhe me jashtë. Sa pak salla interneti, sa pak kompjuterë personal, sa pak laptop-a, sa pak shkëmbime E-mail-ash, sa pak projekte, sa pak libra që blihen, sa pak salla leximi të frekuentuara, sa pak biblioteka nëpër shtëpi, aq sa është hequr dhe nga menuja e mobilimit të saj. Mund të zihesh shumë lehtë në rrugë, mund të shtyhesh shumë lehtë në radhë, por është turp të lexosh në rrugë e në radhë. Edhe kur ke një çamtë me libra, shpesh e kujtojnë se e ke me lekë dhe jo se mbart kohë dhe lekë. I krahasoni këto me shembuj jashtë. Kudo lexohet, kudo përdoren kompjuterë, kudo mbahet në supë një laptop, një libër, një dosje, një mjet pune. Kujtojmë se në Estoni janë shitur 8 milion laptop-a për një popullsi 5 milionshe. A nuk është kjo kohë e fituar?!. Sakaq, vëreni me po aq kujdes kur kuvendojnë, bisedojnë apo zihen dy apo më shumë shqiptarë. Pothuajse, të gjithë flasin, të gjithë nuk dëgjojnë njeri tjetrin, madje shpesh ndodh që të mos e shikojnë as në sy njeri tjetrin, në kundërshtim me karakterin gjenetik të kombit, ku deri në kohën e Edit Durhamit cilësoheshim si fjalë pak, të përmbajtur, të shtruar e të përqendruar me sy shqiponje. Ç`po ndodh kështu me ne?. A nuk përbën edhe kjo, energji dhe kohë të humbur?!.

Vëreni sa pak po lëvizin shqiptarët, sa pak vrapojnë, sa pak po çiklojnë, sa pak zvarriten në male, sa pak notojnë, sa pak ecin në këmbë, sa pak ecin në patina, sa pak ecin në ski, sa pak organizojnë sporte masive, sa pak klube sportive, sa pak, sa pak….. Vëreni sa shumë rrinë, sa shumë ulen, sa shumë preferojnë lodra sedentare si bilardo, sa shumë luajnë letra, sa shumë luajnë domino, sa shumë, sa shumë…. Akoma sot, s`është turp të luhet bingo, por është turp të rendësh në rrugë. Akoma preferohet të ketë 22,000 spektatorë për të parë 22 sportista. Krahasoni me lëvizjet sportive jashtë vendit, ku çdo njeri ka një hob lëvizje, ku masiv njerëzish rrëshqasin në akull, masiv njerëzish vrapojnë në parqe, me një fjalë lodrojnë 22,000 sportista dhe shikojnë 22 spektatorë. A mund të kapet koha pa lëvizur?!. A nuk është kohë e humbur dhe kjo?!.

Vëreni me kujdes ndërtimet urbane në Shqipëri, ku shpesh nuk vonon shumë dhe një pjesë e mirë e tyre prishen. A nuk është përpos të tjerave, kohë e humbur dhe kjo?!. Së fundi, pyjet e prerë, liqenet e tharë, lumenjtë e ndotur, plehrat e hedhura, kullotat e venitura, ajri i pluhurosur, malet e zhveshur, rrëpira të eroduara, brigje deti të betonuara, brigje lumi të sakatuara e të tjera si këto. A nuk është kjo, kohë e vrarë?!. Pra, këtu jo vetëm nuk fitohet koha, jo vetëm s`ecet me kohën, jo vetëm ngadalësohet koha, por këtu tentohet të vritet koha, që sipas shpjegimeve relative të saj, ajo (koha) qëndron dhe njeriu kalon. Këtu tentohet të vritet e kaluara, ku dihet që edhe të madhit zot, e vetmja gjë që i është mohuar, është fuqia për të zhbërë të kaluarën. Sepse, dihet që koha humbet në disa mënyra, si kur nuk bën atë që duhet, si kur nuk e bën ashtu si duhet, si kur nuk e bën ashtu sa duhet dhe kur nuk e bën në kohën e duhur. Prandaj shqiptar mos rri, por duku kohëtar, nxito ngadalë të kapërcesh situatën tënde të çalë, në mënyrë që koha të duket, si pranë të dashurës dhe jo si pranë sobës.