Prof. Artan Fuga: Homerin e vdiq Sokrati

01 - Në veprën e Frederik Niçes mbi tragjedinë greke jepen edhe gjykime të tij mbi artin, nisur nga përdorimi i mitologjisë në tragjedinë e lashtë greke. Aty Niçe nxjerr përfundimin se thelbi dhe specifika e artit qëndron pikërisht te një paraqitje e përmbysur dhe virtuale e dukurive njerëzore, çka dallohet kryekëput nga gjuha e përditshme e politikës, e qytetarit të zakonshëm, e investigimit apo e shkencës. Arti synon t'i iki analitikes, nga gjuha apoloniane të shkojë drejt gjuhës dioniziake, që e çliron metafizikisht njeriun. Arti është shprehje me simbole të tjera e universit, pra, për rrjedhojë gjuha dhe stili i artit kapin kufirin e së ndaluarës nga normat dhe rregullat, nga arsyeja duke shkuar drejt ëndrrës, mitit, irracionales dhe përjetimeve intutitive. Përndryshe arti nuk është më art, por bëhet politikë, sociologji, filozofi, pra thahet dhe mbaron. Arti shqiptar në format e kultivuara është sot në krizë në radhë të parë nga mungesa e një estetike pas boshllëkut krijuar nga largimi prej estetikës ideologjike, duke rënë në një qytetarizëm moral banal, pra të degraduar. Niçja e vlerësonte mitologjinë si formë arti pikërisht, sepse ajo të ndaluarën e kthente në vlerë estetike për të parë se çfarë ka përtej tabusë që e lejon ta shohë vetëm miti. Shkencat e natyrës, filozofia, sociologjia duke qenë racionale, realiste, empirike, sipas ligjeve të arsyes, e thajnë artin, nëse ky i fundit duke përfituar prej tyre nuk shkon përtej tabusë, përtej mënyrës sesi qyteti e ligjëron botën. Arti prandaj është çlirues, sepse shkon përtej ligjeve, normave, rregullave, në mënyrë që njeriu të testojë se çfarë ka pas tyre për t'u pastruar estetikisht, psikologjikisht dhe moralisht. Për ta tejkaluar fundin e vet dhe kapërcyer fundin e tij si qenie e përkohshme, për t'u shkruar në përjetësi. Morali i artit nuk është moralizimi, censura në art është vdekja e artit, artin e vdiq sundimi i filozofisë, i politikës, i shkencës. Homerin e vdiq Sokrati - shkruan Niçja

02- Mua më pëlqen koncepti estetik i Niçes sipas të cilit arti është krijimtaria që ka për qëllim t'ia bëjë njeriut fundin e vet të pranueshëm, të vendosi në një skenë teatri largimin nga jeta që njeriu e sheh si spektator i habitur dhe i trullosur, ta bëjë si një lojë, si akt paqeje, si një simfoni, ndërkohë që është një realitet absurd, një tretje në humbje pa kthim. Se përndryshe njeriu nuk do ta duronte të ishte e vetmja qenie që e di kuptimin e vdekjes në dallim nga çdo qenie e gjallë, dhe duke mos e duruar do të çmendej. Është e vetmja pjesë prej Hyjnie e njeriut që qenia e tij tokësore nuk e mban dot. Ja pse arti është zgjatim i fesë dhe ka lindur prej saj, ka bashkëjetuar me të dhe arti bashkëkohor mbetet kaq afër mitit, pra kaq afër realitetit. Nuk thoshte kot Niçja se njeriu është një qenie e pakryer që ka mbetur midis shtazës dhe Zotit. Mua më pëlqen estetike niçeane. Më frymëzon, qetëson, paqëton.