Prof. Arben HOXHA/ Identiteti gjenetik i shqiptarëve

747
Një nga problemet e biologjisë mjekësore në përgjithwsi dhe imunologjisw në vecanti është transplanti i organeve. Faktori kryesor në realizimin e një transplantimi të suksesshëm është afërsia ndërmjet strukturës gjenetike të personit që e jep organin dhe atij që e merr atë dhe me këtë është e angazhuar Imunogjenetika. Për gjetjen e një organi sa më të përshtatshëm gjenetikisht kryhet percaktimi i antigjeneve limfocitare të pajtueshmërise indore (Sistemit HLA). Studimet e mëvonshme vërtetuan se përcaktimi i HLA ndihmonte edhe për studimin e problemeve të tjera të biologjisë humane. Dikur japonezët pretendonin se paraardhësit e popullsisë autoktone, ishin banorët e pjesës veriore të ishullit Hokaido (të cilët janë më tërheqës dhe më të zhvilluar fizikisht se sa popullata e pjesës tjetër) të cilët sipas gojëdhënave, popullonin dikur Japoninë por u detyruan të zhvendosen në Veri nën trysnin e dyndjeve mongole ardhur nga Jugu. Por nëpërmjet studimeve me sistemin HLA u vlerësua se edhe banorët e Veriut të ishullit Hokaido ishin gjithashtu një popullatë mongole që i kishte paraprirë dyndjeve të tjera mëpasshme të të njëjtës racë. Edhe një shembull tjetër: Udhëtuesi suedez Tor Hejerdal për të mbështetur tezen e tij se statujat gjigande të gjetura në ishullin e Pashkëve në Oqeanin Paqësor ishin të lidhura me kulturën inkase, pra që inkasit e lashtë në udhëtimet e tyre drejt Perëndimit prej brigjeve të Amerikws Jugore kanë populluar ishullin e Pashkëve, ndërmori një udhëtim me një trap të përbërë nga trungje të bashkuara me liana (që supozohej se duhej të ishin mjetet që kanë përdorur inkasit) duke përshkuar një distancë prej më teper se 2000 milje detare. Këtë eksperiencë ai e përshkruan edhe te librat që botoi më pas, dy prej të cilave “Një udhëtim më Kon-Tikin” dhe “AKU-AKU dhe ishulli i gjigandeve”, përkthyer edhe në shqip. Por studimet e mëpasshme me sistemin HLA kanë vërtetuar se popullata e lashtë e ardhur në ishullin e Pashkëve ka qenë Polineziane. Pra ka patur një migrim nga Perëndimi në Lindje dhe jo nga Lindja në Perëndim. 
Studimet në Europë
Studime të tilla ka patur edhe në Europë. Kështu popujt e ndryshëm të kontinentit tonë e kanë origjinën e tyre nga njëra prej tre migrimeve të rëndësishme që e kanë interesuar atë: atij verior të karakterizuar nga mbizotërimi i pranisë e HLA-A3 e HLA-B7, atij indoeuropian i karakterizuar nga mbizotërimi i HLA-A1 e HLA-B8 dhe i treti afrikan i karakterizuar nga mbizotërimi i HLA-A30 e HLA- B18, si dhe nga kombinimet ndërmjet tyre. Ndërkohë në pjesën dërmuese të vendeve europiane, janë kryer studime për vlerësimin dhe përcaktimin se cili është identiteti gjenetik specifik për cdo popull. Kështu tek skocezët dhe islandëzet mbizotëron prania e HLA-A2 e HLA-B12, tek francezët dhe holandezët HLA-A29 e HLA-B12, tek spanjollët HLA-33 e HLA-B14 etj. Studimet e kryera në popullatën daneze kanë vërtetuar se vec mbizotërimit të HLA-A2 e HLA-B12 (që është identiteti gjenetik specifik) edhe praninë me shumicë të HLA-A1 e HLA-B8 që i përgjigjet migrimeve indoeuropiane por edhe të HLA-A3 e HLA-B7 që i korrespondon migrimeve veriore. Ndërsa në popullatën e Japonisë dhe të Islandës dhe rrugët e migrimit të vikingëve në përgjithësi mbizotëron prania e komponentit verior HLA-A3 e HLA-B7. Spikat në këto studime një ngjashmëri biologjike ndërmjet popullsive baske dhe sarde. Në të dy këto ngujime komponenti afrikan mbizotëron mbi atë indoeuropian. Madje tek sardët komponentin gjenetik indoeuropian nuk e takojmë fare, ndërsa komponentin afrikan e gjejmë kryesisht në brendësi të ishullit, ndërsa në brigjet e tij vërejmë praninë e migrimeve veriore. Pra fillimisht në Sardenjë kemi popullimin prej komponentit afrikan i cili më pas nga bregdeti është zhvendosur në brendësi të ishullit duke ja lënë vendin më pas të ardhurve të rinj prej migrimeve veriore. Një studiues sard, prof. Alberto G. Areddu në një publikim në 2007 në Itali “Le origini albanesi della civilita in Sardegna” duke u bazuar në elemente të shumtë të toponomastikës dhe të leksemave të pashpjeguara deri më sot, nxjerr në pah origjinën paleoilirike të një pjese të popullsisë sarde. Sipas këtij autori ekzistojnë të dhëna të burimeve historiografike që tentojnë të kualifikojnë ardhjen e elementeve ilirikë në Sardenjë, duke shënuar një moment të rëndësishëm të qytetërimit të ushtruar nga njerëz me një kulturë më të lartë në krahasim me ishullorët sidomos në bujqësi dhe në kultivim. Në epokën e bronzit- vazhdon më tej ai- kanë ardhur në Sardenjë njerëz me elementë më të lartë qytetërimi se sa popullsia vendase që kishte mbetur në fazat e prapambetura të Neolitit. Pra migrimi verior që ka pasuar në Sardenjë migrimin afrikan, (sipas studiuesve francezë) ka sjellë aty elementë ilirikë (sipas prof. Areddu). Për një kohë të gjatë kam ndjekur përhapjen e infeksionit të SIDA-s në botë por edhe në Shqipëri për faktin se kjo patologji dëmton rëndë sistemin imunitar të organizmit të njeriut që bëhet shkak edhe për vdekjen. Ajo që më ka rënë në sy për 25 vjet, ka qenë numri relativisht i pakët i të sëmurëve me SIDA në vendin tone dhe kjo jo vetëm para viteve 90’, kur kontaktet e shqiptarëve me botën e jashtme kanë qenë të kufizuara, por edhe më pas. 
Shpjegimi i specialistwve
Shpjegimi që më kanë dhënë specialistët që merreshin me këtë problem ka qenë se kjo lidhej me izolimin afatgjatë të vendit tonë me kontigjentet e infektuar të popujve të tjerë, që nuk ma ka bindur për arsye se:
– Pas viteve ‘90, shqiptarët kanë patur një komunikim intensiv me pjesën tjetër të botës, që në raport me popullsinë ia u kalon vendeve të Europës Lindore. Një numër i madh prostitutash shqiptare (8000 – 10000 vetëm ato të njohura zyrtarisht prej institucioneve europiane) mbushnin rrugët e Europës dhe pasi fitonin dicka ktheheshin përsëri në Shqipëri.
– Shqiptarët kanë një kulturë të ulët seksuale, nuk marrin masa mbrojtëse dhe janë gjithmonë të ekspozuar ndaj infeksioneve të transmetuara me rrugë seksuale.
– Shqiptarët janë njerëz me temperament dhe bëjnë jetë seksuale aktive.
– Pas zbulimit të rastit të parë me SIDA në SHBA në vitin 1981 dhe izolimit të shkaktarit të saj virusit HIV nga Lyk Montanje në Insitutin ‘Paster’ në 1983, në Europën Perëndimore filloi mobilizimi për të shmangur përhapjen e infeksionit prej virusit HIV. Megjithatë numri i të infektuarve nga virusi HIV për një vit (1984 – 1985) u rrit 160%. Rasti i parë i infektuar nga HIV në vendin tonë, sipas deklarimeve zyrtare, është konstatuar në vitn 1993. Sikur në vendin tonë, të kishim patur të njëjtat ritme të rritjes të të sëmurëve më SIDA si në Europën Perëndimore (por kuptohet me nivelin kulturor të popullit tonë duhet ta kishim edhe më të lartë), sot në Shqipëri do të kishim shumë më tepër të sëmurë me SIDA.
– Të izoluar dhe pa komunikim intensiv me Perëndimin (me pak ndryshime nga ne) kanë qenë edhe rusët. Por ndërsa në Rusi në vitin 2001 kishte 87177 persona të infektuar nga HIV (pra 594.4 për milionë), në Shqipëri në këte vit kishte vetëm 20 raste (pra më pak se 7 për milionë).
– Në Kosovë (ku nuk mund të thuhet se ka qenë vend i izoluar në krahasim me vendet e tjera të Europës Lindore), rasti i parë seropozitiv për HIV është zbuluar në vitin 1986 dhe deri në vitin 2008 ishin zbuluar gjithesejt 74 persona të infektuar nga HIV ose rreth 37 për milion, ndërkohë që në Europën Perendimore kishte më tepër se 4000 të infektuar për milion. Pra ndërsa në Rusinë e “mbyllur” në 2001 kishte 594.4 për milionë, në Kosovën “e hapur” në 2008 kishte vetëm 37 për milionë! Një nivel më të ulët të infektimit me HIV është konstatuar edhe nga studiues të tjerë në popujt me origjinë veriore. Si e argumentojnë këta studiues këtë fakt? Dihet tashmë se mbrojtja imunitare e organizmit përpunohet kryesisht nga disa qeliza (limfocite) të përhapura gjerësisht në organizmin e njeriut. Njerëzit e infektuar nga virusi i HIV pesojnë sëmundjen e SIDA-s, në momentin kur virusi futet në brendësi të njëpjese shumë të rëndësishme të ketyre limfociteve të emërtuara limfocite. Kur shumëzohen ato më pas shkatërrojnë qelizën ku kane depërtuar duke dobësuar progresivisht mbrojtjen imunitare të organizmit. Hyrja e virusit HIV në brendësi të këtyre limfociteve realizohet me ndihmën e disa receptorëve që përmbajnë këto të fundit të emertuar kimiokina. Tek popujt me prejardhje veriore sipas këtyre studiuesve këta receptorë shpesh paraqiten të dëmtuar, duke vështirësuar në këtë mënyre hyrjen e virusit HIV në brendësi të këtyre limfociteve dhe shkatërrimin pasues të tyre. Në disa studime të kryera në vendin tonë prej Laboratorit të Biologjisë Molekulare, Spitalit Pediatrik dhe Laboratorit të Gjenetikës prane QSUT për një patologji të emërtuar fibroza cistike, është konstatuar se karakteristikat e përhapjes të saj në vendin tonë janë të njëjta me ato të popujve veriore. Majer dhe më pas edhe Çabej kanë këmbëngulur se shqipja ka lidhje të ngushta me gjuhët baltike. Percatimi i identitetit gjenetik të popullit tonë, do t’i jepte një përgjigje edhe problemit të mbetur pezull nga historiografiae raportit ndërmjet ilirëve dhe epirotëve. Mendoj se ka ardhur koha që të kryhet edhe në vendin tonë përcaktimi i identitetit gjenetik specifik. Për të arritur rezultate sa më të sakta do të duhej që testim i popullsisë të bëhej kryesisht në ato zona ku “kontaminimet” e mundshme të banorëve autoktonë nga të ardhurit në ato zona, të ketë qenë sa më i vogël si zonat rurale të Mirditës, Ersekës, Gramshit, Skraparit etj.
Sigal