Prof. Anastas ANGJELI: Politika e re fiskale e Presidentit Trump

962
Ashtu sikur kishte premtuar në fushatën elektorale, presidenti i SHBA, Trump, javën e kaluar, propozoi një sërë ndryshimesh rrënjësore në politikën fiskale në SHBA. Një reformë tatimore e cila duhet të marri miratimin e Kongresit, në mënyrë që të hyjë në fuqi dhe të filloj zbatimi i saj.. “Amerika është e para”patë deklaruar dhe deklaron vazhdimisht presidenti Trump. Me propozimin e politikës së re fiskale të Presidentit Trump, u risoll përsëri në diskutim publik dilema e vjetër që thoshte: “rritje si pasojë e investimeve shtetërore apo si pasojë e uljes së taksave”. Një diskutim ky, që duket nuk do të shterojë kurrë. Prandaj me bërjen publike të politikës së re fiskale të Presidentit Trump nuk munguan reagimet, jo vetëm në SHBA, por edhe në Evropë. Mbështetës dhe kundërshtarë të këtyre politikave, ekonomistë, ekspertë dhe institucione të ndryshme filluan të shprehin opinione dhe reagimet e tyre. Po hidhen pyetje, teza e hipoteza të ndryshme si: A është kjo politikë e re fiskale në shërbim të stimulimit të eksportit të kapitaleve nga njëra anë dhe barriera ekonomike për frenimin e importeve të mallrave, (pra një miks masash fiskale në dobi të një këndvështrimi të ri të politikave proteksioniste në dobi të ekonomisë amerikane?)A e ndihmon kjo paketë e re më shumë shtresën e mesme në SHBA? A i frenon kompanitë që ti zhvendosin fitimet e tyre në parajsat fiskale? Cili do të jetë ndikimi në menaxhimin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik? A do të sjelli ndikim në më shumë zhvillim ekonomik dhe punësim për amerikanët? Cila është ngjashmëria e kësaj politike të re me “Regan-Ekonominë”, që Presidenti Regan zbatoi dekada më parë? Natyrisht qëllimi i këtij shkrimi është të bëj të njohur Politiken e re Fiskale dhe të sjelli disa opinione mbështetës dhe kundërshtues të politikës së Presidentit Trump kanë filluar të shfaqin. Por, më parë…

Cila është politika e re fiskale e Presidentit Trump?
Propozimi i reformës fiskale të Presidentit Trump është tërësor, shumëdimensional, si në fushën e të ardhura personale, në fushën e taksave të biznesit të vogël dhe familjarë ashtu dhe në ato të korporatave dhe të tatim fitimit. Ajo sjell ndryshime thelbësore, thjeshtëson kodin e taksave dhe siguron lehtësim tatimor duke ulur barrën fiskale dhe duke synuar zhvillimin dhe mbrojtjen e ekonomisë amerikane. Sipas ligjit aktual, në SHBA, për të ardhurat e tatueshme, zbatohet tatimi progresiv, me 7 nivele (shkallë tarifore) tatimore. Sipas propozimit të presidentit Trump parashikohet reduktimi në 3 nivele prej 12%, 25% dhe 35%. Familjet që gjenden në nivelin ekzistues prej 10% do të përfitojnë më shumë me ndryshimet e propozuara si pasojë e rritjes së nivelit të të ardhurave të patatueshme si dhe lehtësirave të tjera tatimore. Një normë shtesë e lartë mund të zbatohet për tatimpaguesit me të ardhura më të larta për të siguruar që paketa e re fiskale e propozuar të jetë të paktën po aq progresive sa edhe paketa ekzistuese fiskale dhe që të mos zhvendosi barrën e taksave nga tatimpaguesit me të ardhura të larta te ata me me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Propozimet gjithashtu parashikojnë përdorimin e një matësi më të saktë të inflacionit me qëllim indeksimit e niveleve tatimore dhe parametrave të tjerë tatimorë. Në këtë mënyrë synohet që të arrihet një lehtësim me afërsisht dy herë, duke dyfishuar tavanin e të ardhurave të patatueshme në 24000 dollarë për çift dhe në 12000 për individ. Kjo me qëllim që familjet tipike të shtresës së mesme të paguajnë më pak taksa. Gjithashtu, me qëllim thjeshtësimin e plotësimit të deklaratës tatimore te taksave dhe për të lehtësuar barrën fiskale për familjet me të ardhura të mesme, paketa e propozuar shfuqizon përjashtimet personale për vartësit dhe rrit ndjeshëm Kredinë e Taksës së Fëmijës (Child Tax Credit). 1.000 dollarët e parë të kredisë do të rimbursohen si në ligjin aktual. Përveç kësaj, ndryshimet e propozuara do të rrisin nivelin e të ardhurave në të cilat Kredia për Taksën e Fëmijës fillon të maturohet. Kufijtë e modifikuar të të ardhurave do bëjnë që kredia të jetë e disponueshme për më shumë familje me të ardhura mesatare. Njëherazi, do të parashikohen edhe masa të tjera shtesë për të zvogëluar në mënyrë domethënëse barrën tatimore të klasës së mesme. Paketa e re përmban si një masë të rëndësishme reduktimin më të madh të tatim fitimit nga një maksimum 35 % në maksimumin 15%. Ky është shkurtimi më i madh i një takse të tillë në historinë e SHBA që prej reformës së Ronald Reagan. Ndryshimet e propozuara në këtë paketë, gjithashtu kufizojnë shkallën maksimale tatimore të aplikuar në të ardhurat e biznesit të ndërmarrjeve të vogla dhe bizneseve familjare, në 25%. Kjo paketë propozon të reduktojnë edhe normën e tatimit të korporatës në 20% , duke e çuar nën mesataren 22.5% që ekziston në botën e industrializuar. Paketa e Presidentit Trump synon të sjellë në SHBA fitimet e kompanive amerikane off shore, duke i përjashtuar 100% nga detyrimet tatimore. Kështu, për të parandaluar kompanitë që të zhvendosin fitimet në parajsat fiskale, ndryshimet e propozuara përfshijnë rregulla për të mbrojtur bazën tatimore të SHBA-ve duke tatuar me një normë të reduktuar dhe në një bazë globale fitimet e huaja të korporata shumëkombëshe të SHBA-ve. Për këtë qëllim, fitimet e kompanive amerikane Off shore. duke i përjashtuar 100% nga detyrimet tatimore.

Reagimet ndaj politikës së re fiskale të Presidentit Trump
Ndërkohë që Paketa e re fiskale Trump, deri tani, përgjithësisht duket e mirëpritur, në SHBA, reagimet e para vinë nga BE. Dhe kjo nuk është e papritur. Po të kemi parasysh deklaratën e përsëritur të Presidentit Trump “Amerika është e para” dhe “ngërçin”ekzistues në marrëveshjen e tregtisë së lirë SHBA-BE. Paketa e re fiskale Trump duket se më tepër se një skepticizëm po ngjall “një frikë” në institucionet ekonomike të BE. Kjo për faktin se për këto institucione, Presidenti Trump, përveç përdorimit të levave proteksioniste, kufizimin e pavarësisë së Wall Street dhe Bankës Qendrore, Ai do të përdorte dhe leva fiskale për stimulimin e eksportit të kapitaleve nga njëra anë dhe barriera ekonomike për frenimin e importeve të mallrave. Edhe pse shprehen të dyzuar për kufizimin e parajsave fiskale(për eksportet e kapitaleve në to) ata pretendojnë se eksporti i kapitaleve kërkon një monedhë të fortë dhe politika e tij synon gjithashtu edhe rritjen e kurseve të këmbimit. Kjo paketë përmban siç e theksuam, në radhë të parë, reduktimin më të madh të tatim fitimit nga një maksimum 35 % ne maksimumin 15%. Ky është shkurtimi më i madh i një takse të tillë në historinë e SHBA, që prej reformës së Ronald Reagan. Por, ekonomistët e Brookings mendojnë se kjo politikë do të rrisë deficitin buxhetor të SHBA në 5%-6% të GDP-së brenda kësaj legjislature. Kjo masë bën që të përfitojnë 0,1% e kontribuesve taksapagues dhe rrit direkt dhe indirekt 14% të ardhurat e shtresës më të pasur amerikane. Kjo politike çon në uljen e investimeve publike dhe fakti se mund të rrisë investimet private është për t’u vërtetuar, sepse po kjo politikë çon në rritjen e normës së interesit që shkakton uljen e financimeve bankare. Për sa i përket të ardhurave personale, siç u përmend, propozimi i reformës fiskale thjeshtëson shkallet e tatimit dhe siguron lehtësim tatimor me afërsisht dy herë duke dyfishuar tavanin e të ardhurave të patatueshme. Edhe për këtë çështje, ekonomistët e Brookings pretendojnë, se kjo është thjesht një masë demagogjike, sepse nën nivelin e të ardhurave në këtë tavan sot janë një numër shumë i vogël personash dhe ky grup ndikon në mënyrë të papërfillshme në kontributin fiskal të vendit. Për sa i përket faktit se ulja e taksave do të rrisë konsumin, sipas tyre, kjo është për t’u parë, sepse ajo shkon vetëm në 1% të popullsisë dhe kjo pjesë e saj rrit konsumin në nivele konstante çdo vit, pra do të rritej dhe pa këtë lehtësim. Sipas tyre, demagogji është edhe pretendimi se një normë shtesë më e lartë mund të zbatohet për tatimpaguesit me të ardhura më të larta për të siguruar që paketa re fiskale e propozuar të jetë të paktën po aq progresive sa edhe paketa ekzistuese fiskale dhe që të mos zhvendosi barrën e taksave nga tatimpaguesit me të ardhura të ulëta dhe të mesme tek ata me të ardhura të larta. Nëse kjo politikë do të zbatohet deri në vitin 2026, të gjitha modelet e zhvillimit-pretendojnë ata- tregojnë se deficiti buxhetor i SHBA do të arrinte në 25%. Sipas tyre kjo politikë fiskale do të shoqërohet me një rritje të % të interesit për dollarin amerikan për faktin se papunësia nuk e kapërcen nivelin prej 5% . Ky nivel konsiderohet shumë afër kufirit të papunësisë së vullnetshme në ShBA, prandaj papunësia nuk mund të luftohet më me ulje të përqindjeve të interesit, por nga ana tjetër rritja e normës së interesit vështirëson mbulimin e deficitit buxhetor dhe kufizon edhe kreditit konsumatore. Prandaj vërtet stimulohet eksporti i kapitaleve, por njëkohësisht rriten importet dhe vështirësohet bilanci i pagesave. Ndërkaq, disa ekonomistë opozitarë të presidentit Trump, mendojnë dhe pretendojnë, se ky mix politikash fiskale nuk mund të ketë më efektin që pati “Regan-ekonomia” gjatë presidencës së Ronald Reaganit dhe për faktin se menaxhimi i borxheve publike të vendeve më të zhvilluara sot është një problem dhe shumë nga këto vende nuk do të pranojnë të financojnë deficitin publik amerikan. Vërtet dollari mbetet mjeti themelor i pagesave ndërkombëtare, por një luhatje e shpeshte e tij nuk siguron stabilitetin e këmbimeve ndërkombëtare. Politika e re fiskale e presidentit Trump vjen në një kohë që shumë vende të zhvilluara po rrisin shpenzimet buxhetore me qëllim rritjen e konsumit. Kështu në vitin 2017 pritet një rritje e shpenzimeve buxhetore në Kinë 1% të GDP, Japonia 0,5%, Gjermania 0,3%, Anglia 0,7%, Franca 0,5% dhe Italia 0,3%. Shumë pak nga këto vende rritën shpenzimet si pasojë e uljes së taksave, por kryesisht rriten shpenzimet nga rritja e ekonomisë. Në këtë aspekt ato kërkojnë të moderojnë konceptin ultraliberal të zhvillimit ekonomik duke qenë të matur me ndryshimet në sistemin tatimor vetëm për faktin e deficiteve buxhetore. Ndërkaq, do të duhet të pritet miratimi nga Kongresi i kësaj pakete dhe zbatimi i saj që të provohen efektet pozitive të saj në ekonominë dhe qytetarët amerikane, apo pretendimet e kundërshtuesve të saj. Dhe deri atëherë, debati rreth dilemës së: “rritje si pasojë e investimeve shtetërore apo si pasojë e uljes së taksave”, përsëri do vazhdojë.
Sigal