Prof. Alqi Naqellari/ Parkingjet që injorojnë Tiranën

536
Sigal

Më në fund Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Eno Bozdo, sepse Kryetari, de jure, ka ikur në drejtim të paditur, doli në origjinë. Duke imituar qeverinë e partisë së tij, kërkon t’i dhurojë në fund të mandatit vetëm gjëma popullit të tij. Kërkon t’i dhurojë dhe një koncesion skandaloz, antipopull dhe antiTiranë, të padëgjuar ndonjëherë. Nuk besoj se ka kryeqytet tjetër të botës, që ka kërkuar të bëhet një veprim i tillë, tejet i turpshëm, që mban erë 100% korrupsion. Besoj se ky do jetë koncesioni i fundit i qeverisë së PD-së, sepse nuk besoj se PD-ja do fitojë më ndonjëherë në këtë faqe dheu me ato gjëma që i ka bërë këtij populli, më së paku në këto 8 vite. Nuk besoj se i ka mbetur gjë këtij vendi për të dhënë me koncesion, apo për të privatizuar, sepse kjo lukuni donkishotësh nuk i lanë gjë popullit, por gjithçka e privatizuan dhe e dhanë me koncesione në mënyrën më të turpshme.

Enua, me hyqmin e njëshit, po përdor shansin e fundit për koncesion. Kërkon të japë të gjitha rrugët e qytetit të Tiranës me koncesion, si parkingje. Kjo, në një kohë që fjala “koncesion” është bërë për pjesën më të madhe të shqiptarëve si fjala vjedhje, hajdutëri, varfëri, shitje të pasurisë së shqiptarëve, fryrje të xhepave dhe llogarive të deputetëve dhe të ish qeveritarëve. Koncesione të qelbura, të folura e të spërfolura që mbrohen çdo ditë nga ish qeveritarët, nuk do t’i harrojnë kurrë shqiptarët, sepse çdo ditë nxjerrin nga xhepat e tyre për të paguar miliona, nuk do të harrojnë kurrë koncesionin e aeroportit të Tiranës, që ka bllokuar gjithë qiellin shqiptar, nuk do të harrojnë edhe pullat fiskale, edhe ngjyrosjen e karburanteve, edhe kontrollin fizik të mjeteve, nuk do të harrojnë lotarinë kombëtare, etj, etj

Enua doli në televizion të jepte shpjegime, se sa i rëndësishëm do ishte ky koncesion dhe se rezidentët nuk do prekeshin. Nga fillimi në fund i bëri një avokati të pështirë dhe të turpshme, duke ngritur akoma më shumë revoltën e tyre ndaj këtij veprimi. Nga fillimi dhe deri në fund foli vetëm për pagesa dhe jo për pasojat konkrete të këtij veprimi.

Ky koncesion është i përgatitur fare mire, që vitin e kaluar, që kur në Rrugët e Tiranës shkonte vetë Luli dhe mbante fjalime, se do rindërtonte rrugët dhe do krijonte lulishte dhe parqe lodrash për fëmijët.

Tash që rrugët para pallateve kanë përfunduar, në çdo krah të tyre, Bashkia natën si hajdute, ka vendosur nga një tabele me shenjën “P.”. Kjo gjë nuk ka ndodhur vetëm para pallateve, ku shkeli këmba e Lulit, por edhe në disa sheshe, në njërin stacion autobusi, që u tha se do bëhej një lulishte e madhe, ku të rrinin qytetarët e lagjes, ose park lojërash për fëmijë. Në këtë mënyrë, gjithë ajo propaganda, që u bë, se do sistemoheshin lagjet me rrugë e lulishte, doli se e gjitha ishte një investim vetëm për të bërë parkingje. Paratë e taksapaguesve shqiptarë, Enua do t’ua fali miqve të tij, do t’ia fali vetes dhe eprorëve të tij, duke i ngulur popullit thikën pas shpine. Le të shkojë Enua dhe të dëgjojë popullin se çfarë do t’i thotë. Besoj se këtë njeri, me mendime donkishoteske për parkingjet, do ta zënë me vezë të prishura. Le të shikojë reagimet në facebook, nuk kam lexuar ndonjëherë sharje dhe fyerje më të pista në adresë të tij.

 

Cilat janë arsyet, që pjesa më e madhe e njerëzve janë të revoltuar?

E para, sepse premtoi se do bënte rrugë dhe lulishte. Këtë premtim nuk e mbajti, sepse u prishi rrugët dhe lulishtet, që ishin në gjendje shumë të mirë dhe në vend të tyre ndërtoi parkingje. Për mosmbajtje të këtij premtimi, duhet të shkojë në çdo lagje dhe të japë llogari para popullit. Nëse Edi Rama mund të kishte 100 të meta, kur ishte Kryetar Bashkie, ata njerëz që ndërtonin lulishte para pallateve të tyre i shpallte nderi i Tiranës. Kam parasysh para disa vitesh zotin Xh.Bashllari te shkolla “B.Curri”, që ndërtoi një lulishte para pallatit dhe jo parking e shpalli nderi i Tiranës. Ndërsa juve, me këto veprime që kërkoni të bëni, duhet të shpalleni turpi i Tiranës, që prish lulishte dhe kërkon të ngrejë parkingje.

Së dyti, nëse para pallatit do qëndrojnë makinat, duke e konsideruar parking, atëherë gjithë tymrat e tyre do futen në dritaret e kateve të para, duke dëmtuar shëndetin dhe ambientet e brendshme të tyre. Në këtë mënyrë, ato do të jenë të detyruara, që gjatë gjithë jetës t’i mbajnë dritaret të mbyllura, si në burg. A mban ti përgjegjësi për këtë dëm, që do t’ju shkaktosh këtyre familjarëve? A do mbajë Bashkia, ku ti deklarove se është ulur ndotja e ambientit? Mund të jetë ulur në qendër të Tiranës ndotja e ambientit, por jo në katet e para të pallateve, ku ti kërkon të ngresh parkingje. Këto automjete, me boritë e tyre dhe me zhurmën e ndezjes, do t’ju bëjnë zgjimin qytetarëve, që në 4 të mëngjesit, pavarësisht nëse ata kanë qenë turni i dytë, apo i tretë në punë, do shqetësojnë të sëmurët dhe do trembin fëmijët e vegjël.

Së treti, do bëhen mundësi për vrasjen e fëmijëve të vegjël, që dalin me vrap nga dera e pallatit për të luajtur me shokët, pa ditur se aty mund të kalojë ndonjë makinë dhe t’i presë. Cili do përgjigjet para prindërve, i zoti parkingut, apo shoferi, apo Bashkia, që ia miratoi këtë koncesion? Ti me mendimet e tua donkishoteske e tjerë po bëheni precedent për ngjarje të tilla.

Së katërti, pas disa vitesh, të zotët e parkingjeve do t’u kërkojnë euro qytetarëve për të kaluar nëpër parkingjet e tyre. Ose hidh para, do t’u thonë, ose unë nuk të lë të kalosh në tokën time.”Asht e xame”. Në këtë mënyrë do fillojnë sherret ,që do çojnë deri në gjakderdhje.

Së pesti, a di ti, more zotëri, se 4 metro nga faqja e murit, askush nuk ka të drejtë të bëjë asnjë ndërtim, apo veprim tjetër, sepse me hipotekë u takojnë familjeve të kateve të para. Edhe rruga para pallateve duhet të fillojë 4 metro larg nga pallati dhe jo më ti të çelësh parking poshtë dritareve të kateve të para. Qytetarët e kateve të para kanë të drejtë që 4 metro nga pallati të ngrenë një pengesë, me hekura apo me gurë. Nëse ata do bëjnë këtë gjë, ku do kalojnë makinat për në parkingun tënd, në ajër? Nëse do të bësh parking dhe jo lulishte, bëje 10 metro larg pallatit.

Së gjashti, koncesione të tilla, që prekin gjithë kryeqytetin, duhet të mos lejohen 6 muaj para mbylljes së mandatit. Kush do të marrë votën e popullit le të bëjë një referendum për dhënien e parkingjeve me koncesion, sepse nëpërmjet tyre preket i gjithë kryeqyteti.

Së shtati, nëse miratohen këto koncesione, do lindi problemi i rrugës së tramit, i cili do kalojë mbi këto koncesione. A do dëmshpërblehen këta koncesionarë, që do ta marrin koncesionin për 34 vite? Si do shpërblehen, me dhjetëfishin e pagesës fillestare? Ky do jetë një gabim fatal, si ai që u bë me ndarjen e tokës, ku fshatarët e morën tokën falas dhe kur filloi ndërtimi i rrugëve për tokën falas, ju paguan dhe vazhdohet t’u paguhen me miliarda lekë.

Së teti, a e zgjidhin këto parkingje problemin e sistemimit të automjeteve në vendet e duhura? Nëse problemin e Tiranës do ta zgjidhnin këto parkingje, do isha edhe unë dakord. Këto parkingje, jo vetëm që nuk e zgjidhin, por do ta vështirësojnë akoma më shumë këtë problem dhe do të krijojnë probleme sociale të pafundme.

Ka parkingje para pallateve, por pas xhades, që është para pallatit dhe jo direkt në mur të pallatit. Mbrapa pallatit të Kulturës, ose para Postiqes është fare normale të ketë një parking. Këto parkingje normale i ka lejuar Rama dhe për mua janë brenda logjikës njerëzore. Le ta bëjë edhe kjo Bashki këtë veprim. Këta drejtues nuk e bëjnë dot, sepse mund të kenë investuar në këto parkingje ata njerëz, që ju kanë premtuar se do t’ua japin me koncesion. Këtë premtim e kanë bërë që t’u merrnin votën njerëzve. Çfarë do t’ju thonë atyre, që i ndërtuan dhe që ju premtuan, nëse ky vendim nuk miratohet? Për këtë që po kërkojnë të bëjnë, a kanë të drejtë morale t’i kërkojnë përsëri votën popullit? A janë më të besueshëm këta njerëz për t’i pasur drejtues?

Enua theksoi në avokatinë e parkingjeve se paska edhe kryeqytete të tjera të botës, që kanë bërë veprime të tilla. Këtyre njerëzve, Enos, Lulit e kompani… u duket sikur populli është një turmë gjallesash dhe para tij mund të këpusësh broçkulla e të tregosh përralla sa të duash, mund të gënjesh si në ‘90-n. Sot ka ikur ‘90-ta, sepse një pjesë e mirë e shqiptarëve e kanë parë botën dhe nuk kanë nevojë për gënjeshtrat e Enos e të Lulit. Tirana nuk krahasohet me asnjë nga kryeqytetet e Europës si; Parisi, Londra, Athina etj., bile as me Shkupin, as me Prishtinën dhe as me Podgoricën. Tirana nuk ka as tram, as metro, as rrugë në standarde normale dhe as parkingje. Tirana nuk ka asnjë parking nën, apo mbitokësor. Luli dha lejen për një parking nëntokësor te stadiumi. A u ndërtua ky parking? Pse nuk u ndërtua?

Enua bën mirë të dëgjojë njerëzit e urbanistikës. Bën mirë të dëgjojë ata dhe jo padronët e tij që shikojnë vetëm llogaritë dhe interesat e tyre. Transporti në Tiranë, zgjidhet përfundimisht në 5 vite. Të ndërtohet një metro Dajt- Kthesa e Rinasit dhe Sauk- Kamëz. Të ndërtohen 10 parkingje nën e mbitokësore me nga 6 kate. Pastaj, a do jenë këto me koncesion, apo do t’i bëjë shteti, nuk ka rëndësi, mjafton që kushtet të jenë në favor të qytetarëve dhe jo si koncesioni i aeroportit.

Enua me Lulin nuk ndërtuan dot një rrugë trami Kombinat- Kinostudio dhe jo më të realizojnë vepra të tilla madhore, prandaj në qershor duhet të largohen me kokën ulur.