Prof. Agron F. FICO/ E drejta etnike e bashkimit kombëtar

744
Sa herë flitet ose shkruhet për bashkimin tonë kombëtar dhe përdoren termat “Shqipëri etnike, Shqipëri natyrale, Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën” etj., ndodh gjëma, lëshohet kuja madje shkohet deri në formën tradicionale të të qarit “me bote”, të “qarët me oi..oi..oi..oi”. Të parët që e shënojnë këtë “mynxyrë” d.m.th bashkimin tonë kombëtar jemi ne vet, ose më saktë ca “opinionistët e gjithëditurit” dhe politikanë të përgjumur nga ahengjet e stërgjatura, që bezdisen, stresohen nga prania e librit dhe mësimit. Pas kësaj kuje që lëshojmë ne, shqiptarët fillojnë avazin, bëjnë “oi-..oi” fqinjët tanë serb, grekë, maqedonas” etj. Këta madje bërtasin e çirren edhe më shumë saqë ose e humbasin zërin ose ngjiren. Ndërsa europianët për hir të civilizimit të tyre, të “fisnikërisë diplomatike” flasin pak më vonë dhe me tone minore, por me gjemba te holla. Kështu ndodhi edhe para pak ditësh, kur Kryeministri i zgjedhur demokratisht i Shqipërisë, zoti Edi Rama në një intervistë në qytetin ilir të Ulqinit shprehu qarte, drejt për drejt dhe me guximin e statusit shtetëror se shqiptarët duan të bashkohen dhe këtë do ta bëjnë në gjirin Europës së bashkuar. Zoti Rama shtoi me sinqeritet politik se ne, shqiptarët do të ndjekim rrugën europiane, por në e Europa e stërlodhur nga hallet e saj dhe hallet tona na harron, atëherë ne do të bashkohemi paqësisht vet. Shqiptarët e duan kombin e tyre, populli shqiptar do të marr Shqipërinë e vet, ashtu siç gjermanët morën Gjermaninë e tyre. Ashtu si i kinezët morën Hong Kongun dhe dëshirojnë të marrin Tajvanin, e mjaft shembuj e raste të tjera në historinë e popujve të rruzullit tokësor. Madje në katin e parë të pallatit të qelqtë të Kombeve të Bashkuara, është në mur me shkronja tepër të mëdha parulla në gjuhët kryesore: E Drejta e Popujve për Vetëvendosje.
Koncepti amerikan për kombin, popullin, atdheun dhe shtetin 
Në debatet televizive ose më saktë në çorbën-dialog “kush je ti e kush jam unë”, ashtu si edhe ne mjaft shkrime të masmedias tonë “pluraliste” pështjellimi bisedor, por më shumë mendor buron edhe nga fakti se vihet re një nivel i ulët kulturor, nivel kafenesh dhe gjurmë, hije të konceptit stalinist mbi kombin, popullin, atdheun e të tjera. Në lëmin e dijes ka rëndësi të përcaktohen qartë fjalët dhe termat bazë, që të mos krijohen keqkuptime ose mëdyshje. Në librin “Rilindja e Shqipërisë Etnike” botuar më 2009 jepet koncepti perëndimor-amerikan për termat: komb, popull, atdhe, shtet, që daravitin tymnajën e teorisë staliniste për këto koncepte. Termat komb, shtet, popull, atdhe edhe pse përdoren disa herë në vend të njëri-tjetrit, se mund të kenë element të afërt, del nevoja të përcaktohen qartë secili prej tyre. Koncepti ’komb’, është nga më të vështirët dhe më i përzier. Sipas filozofëve të ndryshëm ka edhe përcaktime te ndryshëm. Në dhjetëra përkufizime, në fjalorë të ndryshëm filozofikë e gjuhësorë m’u duk më i plotë dhe gjithëpërfshirës ky: “Komb është një masë e madhe njerëzish bashkuar nga prejardhja, historia, kultura, apo gjuha e përbashkët, që banojnë në një vend a territor të caktuar. (The New Oxford American Dictionary”, Second Edition, Oxford University Press, 2005, p. 1130). Kombi është një kategori historike-shoqërore. Kështu Shqipëria përpara shpalljes së pavarësisë nga Turqia më 28 Nëntor 1912, ka qenë për shumë shekuj komb, që dallohej nga të gjitha kombet e tjerë të afërt e të largët. Nga përcaktimi që i bëmë kombit duket qartë, se një tipar bazë i kombit është prejardhja e përbashkët d.m.th ku secili individ e ndjen vetveten në gjini me të gjithë të tjerët. Shpesh ky tipar ngatërrohet me racën. Ndërsa raca merret kryesisht me cilësitë trupore të përbashkëta, kombi shqyrton cilësitë psiqike të shfaqjes shoqërore. Gjuha është një element parësor tjetër i kombit, që e dallon nga kombet e tjerë. Është pranuar nga gjuhësia botërore se gjuha shqipe është ndër më të lashtat në gjirin e gjuhëve indo-europiane dhe gjuhë me statusin e gjuhës origjinale. Sociologët e etnologët i japin një rëndësi të veçantë unitetit kulturor e civilizues të kombit dhe ndërgjegjes kombëtare. Vendi dhe territori është tjetër tipar që përbën ekzistencën e vet kombit. Prandaj gjatë rrjedhave historike janë zhvilluar luftëra dhe përpjekje të mëdha për të ruajtur të pacënuar territorin e kombit. “Asnjë pëllëmbë trualli i kombit tonë, qytet apo fshat, nuk duhet t’u jepet kombeve të huaj” – thoshte Abdyl Frashëri, figurë e shquar e Rilindjes kombëtare. Koncepti “popull”, edhe pse shpesh afrohet me konceptin “komb” ka ndryshim . “Popull është tërësia e njerëzve që përbën një bashkësi, një fis, një komb, apo një grup tjetër, për shkak të kulturës, historisë fesë apo gjërave të tjera të këtilla të përbashkëta” (Random House –Webster’s Unabridget Dictionary”, Second Edition, 2001, p. 1436). Koncepti “komb” ndryshon si me konceptin “shtet” ashtu si ndryshon me konceptin “atdhe”, edhe pse në përdorim përzihet shpesh herë me të. Në kuptimin etimologjik “atdheu” ka kuptim dheu, toka e etërve, ose trualli ku kanë jetuar të parët tanë dhe ku kemi lindur dhe jetojmë ne. Pra ”atdhe”, sipas fjalorit të Uebster është: 1.Vendi i lindjes 2. Trualli i të parëve. (Random House-“Webester’s Unabridged Dictionary”, Second Edition, 2001, p. 702). Në mënyrë poetike e ka dhënë bukur kuptimin e “atdheut”, poeti i madh i Rilindjes kombëtare shqiptare, Andon Zako-Çajupi, në vjershën “Mëmëdheu”:
Mëmëdhe quhet toka
Ku më ka rënur koka,
Ku kam dashur mëm’ e atë,
Ku më një dhe gur ‘i thatë, 
Ku kam pasur shtëpinë,
Ku kam njojtur Perëndinë….
Ku jam rritur me thërrime,
Ku kam folur gjunë time…,
((Çajupi, Veprat, Tiranë, 1957, f. 41 )
Lidhur me trajtimin e këtyre koncepteve baze në studimin rreth bashkimit kombëtar të shqiptarëve, Muhamet Mjeku publicist, gazetar më shkruante: “Nga libri juaj i ri “Rilindja e Shqipërisë Etnike” mora një përshtypje shumë të lartë rreth trajtimit të konceptit komb, shtet, atdhe dhe popull. Këto nocione ose koncepte si i ke quajtur ti, janë paraqitur me një gjuhë të saktë, me një gjuhë shkencore studiuese dhe, padyshim, është një kontribut i mirëfilltë në fushën e gjuhësisë, kulturës, historisë, gjeografisë etnike, traditës dhe etnosit tonë”. (Nju Jork, 23 korrik 2009) E drejta etnike e kombit shqiptar buron nga e drejta historike, e drejta politike, e drejta juridike, e drejta gjuhësore, e drejta morale Shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë. Zbulimet arkeologjike, dokumentet historike, dëshmitë e historianëve klasikë, të historianëve të periudhave të ndryshme historike, mbi të gjitha vet gjuha shqipe provojnë katërcipërisht lashtësinë dhe autoktonin e shqiptarëve. 
Pellazgët, Ilirë, Arbëreshët, bashkë-autorë në krijimin e njerëzimit
Shqiptarët, të njohur në harkun e pamasë të kronologjisë planetare me emrin Pellazgë, Ilirë, Arbëreshë, janë bashkë-autor në krijimin e njerëzimit. Kombi shqiptar ka qenë viktimë e përhershme e pushtimeve, e agresioneve ushtarake e ndarjes dhe rindarjes së territoreve të tij nga fuqitë e huaja, e në radhë të pare nga fqinjët. Pa u shtyrë thelle në historinë tonë po përmendim vetëm disa momente të shënuara të kësaj tragjedie kombëtare shqiptare. Me traktatin e Shën Stefanit (3 mars 1878) një pjesë e madhe e tokave shqiptare u jepeshin Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë. Ne Kongresin e Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878), pjesë të tëra të tokave shqiptare i jepeshin Malit të Zi. Kongresi i Berlinit, me vendimet e veta, nuk ndryshonte në thelb nga Traktati i Shën Stefanit në qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj territoreve shqiptare. Konferenca emër keqe e Ambasadorëve në Londër(1913) ishte goditja më e madhe, më e hidhur, që iu dha kombit shqiptar. Kundër vullnetit të popullit shqiptar, kjo konferencë i mori 2/3 e territoreve të Shqipërisë etnike dhe ua dha Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Më 26 prill 1912 u nënshkrua Traktati i Fshehtë i Londrës, që synonte copëtimin e mëtejshëm të territoreve të mbetura Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve (më 1913) Më 7 prill 1939 Shqipëria u bë ndër viktimat e para të Luftës II Botërore, u pushtua ushtarakisht nga Italia fashiste dhe me vone nga ushtria naziste. Shqiptarët, nga përvoja historike tragjike dhe e hidhur, po kuptonin se edhe Fuqitë e mëdha të Europës dhe fqinjët e tyre silleshin me armiqësi ndaj fatit dhe territoreve të shenjta kombëtare dhe sytë e mendjen i drejtuan nga një fuqi tjetër e madhe dhe thellësisht demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Diaspora shqiptare në SHBA dhe shpirti saj atdhetar “Vatra” ka meritën e madhe historike për krijimin e lidhjeve miqësore midis Shqipërisë dhe Amerikës, që sollën ne rrjedhën e historisë ngjarje vendimtare. Presidenti Uilson e futi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, Presidenti Klinton udhëhoqi aleancën politiko-ushtarake të Amerikës dhe shteteve europiane, NATO-n në luftën kundër pushtimit të egër ushtarak gati njëshekullor serb në Kosove dhe e çliroi atë njëherë e përgjithmonë. Presidenti Bush e pranoi në NATO Shqipërinë. Këto tapi historike me vulë amerikane i kanë siguruar dhe sigurojnë kombit shqiptar rrugën drejt realizimit të ëndrrës së vet, bashkimin kombëtar. Zhvillimet e sotme në rrafshin botëror, po dëshmojnë se është krijuar një pozitë gjeo-politike e favorshme për zgjidhjen e detyrës madhore historike kombëtare, atë të bashkimit kombëtar, të Shqipërisë Etnike. Në radhë të parë, vetë shqiptarët kanë ndrequr gabimin gjeopolitik kryesor, mungesën e miqve të vërtetë. 
Te Shtetet e Bashkuara të Amerikës shqiptarët kanë gjetur aleatin, përkrahësin e fuqishëm dhe modelin e rendit demokratik. 
Së dyti, vetë Europa ka ndryshuar pas Luftës II Botërore dhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Krijimi i Bashkimit Europian mbi bazën e parimeve te demokracisë dhe të respektit të të drejtave të kombeve dhe popujve etj. Kanë ndryshuar qëndrimet e njohura antishqiptare të Fuqive të mëdha Europiane. Natyrisht qëndrime tradicionale herë pas here antishqiptare ka pasur dhe ka, por orientimi kryesor është i drejtë dhe demokratik. 
Së treti, nga radha, por jo nga rëndësia, pranimi si anëtare me te drejta të plota të Shqipërisë në NATO më 1 prill 2009 merr një rëndësi historike të pamasë në realizimin e ëndrrës, dëshirës, vullnetit dhe të drejtës së shqiptarëve për bashkimin kombëtar. Krijimi i shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës shënoi edhe hedhjen e bazave të procesit të bashkimit kombëtar. Këtë e vënë në dukje edhe analistët e njohur të çështjeve ballkanike I.Pettifer dhe M. Viskers kur shkruajnë: “Pavarësia e Kosovës mbetet thelbi i çështjes kombëtare” (Vep. Cit. f. 41). Populli shqiptar ka qenë dhe është një popull paqësor, që ka pësuar pushtime dhe përgjakje nga të tjerët. Shqiptarët nuk kanë sulmuar ose pushtuar ndonjë vend tjetër, prandaj me të drejtë thotë prof. Rexhep Mejdani se “Detyra e shqiptarëve në Ballkan është t’i hapin kufijtë, jo t’i ndryshojnë” (Rilindja e Shqipërisë Etnike, 2009, f. 42). 
Shqipëria është në udhën natyrore të bashkimit kombëtar. Ajo ka qenë dhe do të jetë faktor paqeje dhe sigurie në Ballkan e më gjerë. Mesazhet që përcjell ky proces i pandalshëm është miqësor dhe në rrjedhën e qytetërimit antlantiko-europian bashkëkohor e modern. Një komb, një gjuhë, një flamur dhe një shtet.
Sigal