Prezenca e OSBE dhe reforma në drejtësi

536

 

Bernd Borchardt

Është kënaqësi të jem me ju sot këtu në
Korçë: një qytet me histori të hershme dhe të spikatur. Për Prezencën e OSBE-së
në Shqipëri, ky qytet ka një vlerë të veçantë, është qyteti i një prej
gjykatave pilot të projektit tonë “Drejtësi Pa Vonesa”. Korça ka treguar se
reforma në drejtësi nuk bëhet vetëm me komisione dhe dokumentacione në Tiranë;
reforma bëhet edhe për jetën reale të qytetarëve realë, në vende reale. Korça,
si dhe partneriteti ynë me gjykatën, tregon se reforma në sektorin e drejtësisë
mund të realizohet çdo ditë në gjykatat shqiptare. Partneriteti që kemi me një
gamë të gjerë aktorësh të drejtësisë i mundëson Prezencës së OSBE-së ta shohë
në këndvështrime të ndryshme mbështetjen e saj për reformën në drejtësi. Që
reforma në drejtësi të jetë efikase, ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
Ligjet dhe strukturat po reformohen, por duhet të mos harrojmë se për zbatimin
e tyre është e domosdoshme që të merren masa për rritjen e besimit të publikut
te sistemi i drejtësisë. Në një demokraci ku qytetari ka besim tek
institucionet dhe ndihet i mbrojtur nga shteti, burgimi nuk mund të jetë e
vetmja zgjidhje. Do të doja të theksoja se privimi i lirisë duhet të shihet si
masë e fundit. Ajo duhet të merret vetëm atëherë kur vepra penale është aq e
rëndë saqë çdo masë tjetër do të ishte qartazi e pamjaftueshme. Prezenca ka
rekomanduar shtimin e aplikimit të dënimeve alternativave. Qëllimi i vënies në
provë është që të kontribuojë në një proces gjyqësor penal të drejtë. Në disa
raste, vënia në provë është më eficente sesa burgimi, madje edhe më efikase,
sepse ndërthur ndëshkimin me rehabilitimin. Për këtë arsye, jemi angazhuar
aktivisht për vite me radhë në mbështetje të Ministrisë së Drejtësisë për
ngritjen e Shërbimit të Provës në të gjithë vendin, duke kontribuuar në rritjen
e efikasitetit të tij. Më vjen mirë që shoh se numri i dënimeve alternative ka
shënuar rritje të vazhdueshme, nga 705 në vitin 2009 në rreth 24,130 në 2016-n.
Një nga masat kyçe për efikasitetin e vënies në provë është mbikëqyrja
elektronike. Ajo ul popullimin në burgje dhe garanton mbajtjen nën mbikëqyrje
të të dënuarve. Që në vitet ’90, programet e mbikëqyrjes elektronike përdoren
me sukses në mbarë botën, si për mbikëqyrjen e personave në pritje të vendimit
gjyqësor, ashtu edhe si dënim alternativ. Kjo masë garanton sigurinë publike
dhe forcon besimin, duke shmangur në të njëjtën kohë edhe efektet negative të
burgimit. Megjithatë, për të qenë e suksesshme, mbikëqyrja elektronike duhet të
kombinohet me masa rehabilituese dhe vendimtar në këtë aspekt është
bashkëpunimi ndërinstitucional mes gjithë aktorëve të përfshirë.

(Fjala e Kryetarit të Prezencës së
OSBE-së, ambasadorit Bernd Borchardt, në takimin ndërgjegjësues për
alternativat ndaj dënimit me burg, organizuar sot në Korçë nga Prezenca e
OSBE-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e
Përgjithshme.

 

Sigal