Por a do Rilindja ta rilindë arsimin?

947
Dr. Jorgo Mandili

(vijon nga numri i kaluar)
Duke qenë një vend i vogël dhe me potenciale jo shumë të mëdha njerëzore dhe financiare zgjidhja e “dilemës shekspiriane “që lidhet me sistemin e edukimit merr përmasat e një sfide apokaliptike, jo vetëm për përpjekjet titanike që duhen bërë për të shkallmuar sistemin e vjetër tradicional të përçudnuar dhe për të ndërtuar në vend të tij një sistem të ri të bazuar në një Doktrinë të re të edukimit me vizion evropian,me institucione të reja në strukturë, përmbajtje dhe menaxhim, por edhe për rifitimin e kohës së humbur gjatë këtij tranzicioni. E ritheksoj me forcë se pa shkallmuar që nga themeli doktrinën e vjetër të edukimit dhe zëvendësimin e saj me doktrinën e re të bazuar në lirinë e veprimeve dhe e përgjegjësisë ndaj vetvetes,dhe në qoftë se klasa politike dhe qeveritë tona nuk do ta trajtojnë këtë problem madhor dhe jetik , me vizion intelektual, me përgjegjshmëri patriotike dhe me vullnet politik, për ne jo e jo nuk bëhet fjalë, por dhe brezat e ardhshëm nuk do të ketë të ardhme të shoqërisë moderne. Do të vazhdojmë “vegjetacionin tonë intelektual”, duke “prodhuar kontingjente për turma – individë standardë, sharlatanë me diplomë dhe servilë të regjimit, që lirinë e vet ja shesin prijësit apo partisë. Çdo njeri, sado pak i ditur me të drejtë do të shtronte pyetjen :po kujt i duhet xhanëm një shoqëri “sharlatanësh me diploma” dhe servilë të rrëgjimit? Dhe me pak mundim do ta gjente edhe përgjigjen nga Lordi Braugham i cili ka theksuar se : “Arsimi e bën një popull të lehtë për ta udhëhequr, por të vështirë për ta sunduar, të lehtë për ta qeverisur, por të pamundur për ta skllavëruar”. Ja pra kjo është arsyeja se pse politikanet dhe qeveritë e te gjitha partive nuk duan të bëjnë një ndryshim revolucionar në arsim. Se padituria e popullit ua bën politikanëve , pushtetarëve dhe fetarëve më të lehtë sundimin dhe skllavërimin e popullit. Kjo është edhe një arsye më tepër për domosdoshmërinë e një revolucioni kopernikan në arsim. Mbani mend, o njerëz dhe mos i harroni këto fjalë të Monteskiesë dhe pastaj gjykoni vetë: “Në epokën e Paditurisë nuk vihet asgjë në dyshim, madje as atëherë kur bëhen gafat më të mëdha; në epokën e Diturisë dridhemi edhe atëherë kur veprojmë siç duhet” . Sa e vërtetë është kjo për tranzicionin tonë? A nuk kemi çerek shekulli që po ngopemi me gafa politike, ekonomike, diplomatike, akademike, historike, kriminale… etj. Është venë ndonjëra në dyshim? Hajde, më thoni vetëm një dhe unë atëherë… Po kush duhet ta vejë në dyshim? Që të dyshosh duhet të mendosh në mënyrë kritike, të thellohesh duke u bazuar në argument, duhet të arsyetosh me racionalitet. Këtë lloj të menduari duhet të kultivojë shkolla, universiteti dhe institucionet e tjera arsimore. Jo më kot është thënë se dyshimi është motori i dijes dhe besimi- receta e injorancës. Këtë “njollë murtaje” të shoqërisë sonë, që u shfaq gjatë tranzicionit, Rilindja premtoi se do ta zhdukte dhe do të “ringjallte Feniksin nga Hiri i Arsimit të Zhuritur” . Mandatin e parë” bëri sikur e ringjalli”. Në qoftë se në këtë mandat Rilindja e ka seriozisht “ringjalljen” e Feniksit, atëherë qeveria “Rama 2” dhe ministrja “e re” duhet të ndërmarrin disa masa emergjente që të bëhen të besueshëm para publikut. Cilat janë disa nga këto masa? 

Së pari, reformimi i tregut të shkollave dhe universiteteve private, për t’i transformuar ato nga biznese fitimprurëse që janë kthyer në “rrjepore” të familjeve shqiptare (ku një pjesë të këtyre parave e përdorin për t’u shpëlarë trurin me reklamat mashtruese dhe marramendëse, një pjesë për “akreditimin” e tyre, një pjesë për “shefat”, pjesa që mbetet përbën fitimin, atëherë çfarë mbetet për “të mirën publike? – karton diploma) në institucione serioze akademike ku të gjenerohet dije, intelekt e qytetari. 

Së dyti, pavarësisht selektivitetit (padrejtësi eksplicite) mbyllja e disa universiteteve private u motivua me paligjshmërinë e tyre. Atëherë diplomat që kanë lëshuar këto universitete, a janë të ligjshme? Logjika ta thotë, jo! Por edhe ligji duhet të thotë, jo. Përse, atëherë shteti nuk i abrogon këto diploma? Jo vetëm që i njeh, por edhe i vlerëson për punësim në administratën shtetërore. E pafalshme për një shtet ligjor. Prandaj dhe masa e dytë, është abrogimi dhe mosnjohja e tyre për punësim në administratën publike. 

Së treti, është reformimi i 12 “ngrehinave” publike që quhen universitete. Pa metodologji moderne mësimdhënieje, pa botën e kërkimit shkencor, pa konkurrencë, si brenda dhe jashtë, me kurrikula “copy-paste” të marra “an Block” nga universitete të huaja, kurrikula një pjesë e konsiderueshme e të cilave nuk i duhen as dreqit (vetëm ANAL), pale tregut të punës, pa bazë të mjaftueshme dhe moderne materiale dhe laboratorike, pa biblioteka, pa sistem informativ dinamik, me staf akademik mediokër e me integritet shkencor copë – copë, ku korrupsioni dhe nepotizmi bëjnë te vetën pa i penguar kurrkush, dhe pa kampuse ku gjenerohet kultura e qytetaria. Ky reformim duhet t’u përgjigjet standardeve europiane për t’iu kthyer “qytetarinë” universiteteve tona të klonuara. Shembulli i shkëlqyer i reformimit të Arsimit të lartë që ngjason me ne, jo nga tradita universitare, por nga sistemi i përbashkët politik ku kemi qenë është Estonia. Ka vetëm 3 universitete të mëdhenj publikë me institute kërkimorë, me shkolla të ndryshme mendimi, me kolegje e akademi, me qendra shkencore e laboratorë kërkimore, të gjitha brenda një universiteti ku konkurrenca bën punën e vet në krijimin e botës së dijeve akademike dhe botës së kërkimit, ku centralizimi organizativ ka selektuar stafin më të kualifikuar me produktin e të cilit këto universitete konkurrojnë edhe në tregun ndërkombëtar. Ka edhe një universitet të madh privat. Do t’i rekomandoja miqësisht ministres sonë të arsimit të njihej me këtë përvojë dhe gjithashtu edhe me ministren e Arsimit dhe Kërkimit (këtë emërtim të fundit e propozoi vetë ministrja e arsimit Estonez për t’i dhënë vendin e duhur kërkimit dhe së bashku me këtë luftoi dhe përfitoi për ministrinë e saj 4% të buxhetit kombëtar). Le të mësojmë nga të “vegjlit” e të ngjashmit, se me “deshtë nuk qethemi dot”! 

Së katërti, duhet të rishikohet dhe rivlerësohet procesi i Bolonjës. Me objektivitet dhe realisht duhen venë në balancë përfitimet dhe humbjet që kanë rrjedhur prej saj. Disa programe studimi duhen riparë në kuadrin e efektivitetit të tyre. Edhe në këtë drejtim Estonia është shembulli për t’u marrë, ku për drejtësi, mësuesi, mjekësi, inxhinieri ka programe të integruara dhe mirë ka bërë. Sidomos mësuesia duhet patjetër të kalojë, jo vetëm me program të integruar për formimin fillestar, por edhe kualifikimi duhet të trajtohet i centralizuar nga institucione serioze universitare apo institucione të tjera të larta dhe, jo të lihet në mëshirën e disa agjencive apo individëve privatë (475 të tilla) që, jo vetëm duhet të kualifikohen për veten e tyre, por janë kthyer edhe në agjenci korruptive dhe mashtruese duke shitur kredite. “Rrjepore” të mësuesve, në emër të gjoja liberalizimit të kualifikimit. 

Së pesti, duhet të reformohet dhe “akreditohet” agjencia e akreditimit të arsimit të lartë, në përbërje të së cilës duhet të rekrutohen ekspertët më të mirë, sidomos ata që kanë diploma prestigjioze të universiteteve perëndimore, të pakorruptueshëm e të përgjegjshëm për misionin që kanë, të aftë e të guximshëm për të mbyllur të gjitha programet e studimit që nuk përputhen me tregjet e punës ose që janë hapur për arsye subjektive për të mbajtur apo punësuar miq, shokë, të afërm apo për arsye korruptive. Jo vetëm kaq. Duhen verifikuar edhe kriteret e standardet e programeve në veprim që të mos ndodhë si ndodhi në një universitet të jugut që u hap një program në teknologji informacioni pa pasur asnjë kompjuter për praktikat. Dhe shumë prej këtyre studentëve, pasi mbaruan universitetin u regjistruan në shkolla të mesme I. T – je për shprehitë praktike. Kështu ndodh edhe me shumë programe inxhinierie etj. Dhe së fundi, duhen gjetur njerëzit e duhur për një menaxhim modern, njerëz me integritet moral dhe profesional, mbi të gjitha pasionantë për punën që kryejnë, duke e konsideruar veten misionarë të të një çështjeje madhore që lidhet me të ardhmen e vendit dhe të gjeneratave të reja, të cilët do t’u jenë mirënjohës për iluminimin e mendjes së tyre. Me njerëz të këtillë duhen zëvendësuar urgjentisht mediokrit, të paaftët, të korruptuarit, militantët duke filluar që nga drejtuesit e çerdheve, shkollave, rajoneve, universiteteve dhe institucioneve të tjera arsimore dhe duke përfunduar në ministri. E rëndë është barra, zonja ministre, por duke pasur edhe bekimin e kryeministrit ju urojmë ta kryeni me sukses e të na jepni në këtë mandatin e dytë “bereqet” cilësor. Se edukimi, znj ministre, nuk është një karrocë që mund ta tërheqë kushdo. Ai është një makinë e madhe e sofistikuar, ku të gjitha pjesët e saj janë të përputhura në mënyrë perfekt. Ju nuk jeni, veçse një nga drejtueset e kësaj makine. Ju nuk duhet ta ndaloni makinën kur ajo duhet të ecë! Dua të sjell në vëmendjen e qeverisë suaj dhe kolegëve tuaj ministra fjalët e Monteskiesë: “Nuk ka krim më të madh se ai që bën një ministër, pasi ai korrupton të gjitha zakonet e një kombi, degradon dhe shpirtrat më bujarë, shuan shkëlqimin e dinjitetit, errëson virtytin dhe zëvendëson nderin më të lartë me neveritjen universale”. Që të mos ndodhë kështu na duhet, zonja ministre, një Arsim i Ri, një Universitet i Ri, një shkollë e re, një mentalitet i ri. Na duhet qytetari, Laokoonti mendimi ndryshe, Unamunoja intelektual, që të kenë guximin t’u thonë politikanëve dhe pushtetarëve arrogantë e të korruptuar :”Unë ju akuzoj”! 

Këtu i vjen fundi kësaj parashtrese. Një sërë pohimesh, jo të gjithëve do t’ u pëlqejnë duke përfshirë edhe znj. Ministre. Unë nuk jam nisur nga fakti, nëse diçka pëlqehet apo jo, por nga fakti, nëse ajo i korrespondon të vërtetës, qoftë kjo edhe e hidhur. Të kuptohemi. Ajo, që unë parashtrova duhet konsideruar vetëm si një mënyrë të menduari apo të konceptuari nga ana ime. Nuk pretendoj aspak ezaurim shterues të problemit në fjalë, i njohur prej shumicës tuaj lidhur me rolin e edukimit për të ardhmen e një shoqërie moderne. Është e kuptueshme që ndonjëri apo disa do ta konsideronin ndoshta të padobishme këtë parashtresë, sepse shumë pohime, mendime apo propozime mund të jenë të parealizueshme në botën reale shqiptare. Mund të jetë edhe kështu. Por në një sistem demokratik dhe sidomos në një qeverisje që kërkon aleancë me qytetarët, të shprehesh është jo vetëm një e drejtë, por edhe një “detyrim” që gjithkush duhet ta ndjejë përgjegjësinë brenda komunitetit të tij sepse “më e rëndësishme është të kuptohet se konfrontimi demokratik është një ballafaqim idesh, projektesh, programesh dhe se është normale të kemi diversitet pikëpamjesh.” Por sapo një njeri ka një përfytyrim racional, të qartë për një problem të caktuar, pavarësisht se cili është motivi, ai është më i prirë të shprehet dhe është shumë afër realitetit se sa një tjetër, i cili nuk e ka një përfytyrim të tillë. Në fund të fundit, siç ka thënë edhe Sokrati, secili e di se sa pak di. Edhe që idealet është e pamundur të përshfaqen në botën reale, këtë e dimë të gjithë. Por unë i përmbahem thënies së një filozofi, sipas të cilit, “ne kufizohemi në pohimin se realiteti duhet të gjykohet duke u nisur nga idealet dhe të modifikohet nga ata që ndihen të aftë për ta bërë këtë. Natyra dashamirëse i ruajttë ata dhe u dhëntë, atëherë kur i duhet, shiun dhe dritën e diellit, u dhëntë një ushqim të mjaftueshëm dhe një jetë të qetë vegjetative dhe veç kësaj edhe pak… INTELEKT “. 
Sigal