Politike shqiptare, xhungla e “Shqipëri-ngrënësve” që po e shqyejnë prej 25 vitesh

Përparim HALILI

Prej më se 1 viti, në parlament me radhë në pozitë e opozitë dhe prej 50 ditësh, njëra e ngujuar në çadër dhe tjetra në kullën e mermertë të kryeministrisë, dy partitë “motra PD e PS, të lindura nga e njëjta “mitër” dhe të dala nga e njëjta “derë babe” (PPSH), secila në shtëpinë e vet vazhdojnë të flasin për pastrimin e politikës nga krimi, nga ish-spiunët e sigurimit dhe të agjenturave të huaja, nga komunistët, nga hajdutët, nga ish-xhelatët e diktaturës dhe nga kriminelët e 25 viteve, nga pazarxhinjt, nga deputetë, kryebashkiakë, ministra, zv/ministra, diplomatë e shtetarë të çdo niveli me diploma false e trafikantë të çdo “tregu” krimi. 

Krerët politikë, thirrje për “Veting”, kur janë vetë “lëndë e parë” e tij
Këto thirrje, po i bëjnë dy krerët e partive PD e PS, shpesh duke përdorur edhe “askaridët” e tyre politikë e mediatikë, të cilët dalin ekraneve dhe recitojnë citatet që u japin të gatshme shefat, duke tentuar “t’u mbushin mendjen shqiptarëve, se duhet bërë Vetingu”. Që “Veting”-u duhet bërë kjo dihet, por jo nga ata që janë lëndë e parë e “Veting”-ut, që janë autorët e krimeve ekonomike, shtetërore, njerëzore e anti-kombëtare në çdo rotacion pushteti dhe bashkë-autorë pazarxhinj me heshtjen ndaj krimeve të njëri-tjetrit. PD-PS, këto dy parti mostra anti-shqiptarizmi, që ndezin qëllimisht zjarre konflikti sa herë që afrohet koha për anëtarësimin në BE edhe në këtë rast, janë duke luajtur me njëra-tjetrën “skeçin” e konfliktit fals, si dikur estradat e ndërmarrjeve. Është një skenar i njohur mbi 25 vjeçar, me bazë hipokrizinë dhe demagogjinë që përroin ndaj me shqiptarëve, duke i mbajtur të skllavëruar me korrupsion, dhunë psikologjike, politikë trullosëse, vjedhje, denigrim, konfliktualitet partiak deri në urrejtje të anëtarësive përkatëse, me papunësi, varfëri, paga e pensione lëmoshë dhe shpërfillje ekstreme. Pse? Për të sunduar lirshëm në politikë e pushtete, me rotacion të kthyer tashmë në pazar të nëndheshëm, por të bërë hapur edhe me amnisti e “harresa” mirëkuptuese ndaj krimeve të tyre në 20 vitet e fundit (pas vitit 1997), pas politikë-masakrës kombëtare me 3000 jetë njerizosh të shuara dhe me ekonomi kombëtare të kthyer në hi! 

Prej 25 vitesh, pengmarrje e vendit me rotacion palësh e zëvendësime nepotike
Janë po ato “çeta” politike e individë që po mbajnë peng këtë vend, të “desantuar” me listë përzgjedhëse në “politikën demokratike” qysh në vitet 1990-’\91, prej ish-pushtetit komunist të baballarëve e krushqive të tyre, me platformën për ta mbajtur peng e shfrytëzuar këtë popull si “votë” vazhdimësie të pushtetit, ndërsa Shqipërinë si burim pasurimi individësh e grupesh, nën logon e gënjeshtërt ”demokraci”. Janë po ato “fytyra” e klane prej më se 27 vitesh, që kanë “zëvendësuar” disa kolltukë me “princër, ushtarë e parellinj” të rinj të klanit, fisit, familjes e llojit të tyre sundues, jo si tregues rinovimi e pastrimi të politikës, por si shenjë trashëgimie e përforcimi të sundimit të tyre të qetë, të sigurt, të lirshëm e të pandëshkuar. Mjafton të kujtojmë faktin, që prej 3 mandatesh e përsëri edhe më 18 qershor, deputetët nuk përzgjidhen më nga populli që thuhet se përfaqësojnë, por emërohen me listë nga krerët e partive, sepse kështu e përcaktuan në Kushtetutë dy agallarët e PS dhe PD. Mjafton të kujtojmë faktin, që drejtuesit e strukturave të partive PD e PS në çdo nivel, nuk zgjidhen më nga strukturat e bazës, por emërohen direkt nga kryetarët dhe klanet e tyre. Mjafton të kujtojmë, që krerët e pushtetit lokalë nuk zgjidhen nga banorët e zonave, por përzgjidhen me lista nga kryetarët e partive dhe klanet e tyre. Mjafton të kujtojmë, që ministrat emërohen nga kryetarët e partive dhe klanet e tyre, për t’u përdorur si “kukulla” të bindura për firma e vula pazaresh. Një fakt: 40% e kupolave të PD e PS kanë afro 25 vite në krye të tyre, kanë hyrë brenda saj “pionierë” dhe tashmë janë bërë gjyshër e stërgjyshër në pushtetin politik e shtetëror. Afro 60% e politikanëve aktualë, janë të përfshirë në krime si ideatorë, si nxitës, si autorë e drejtues krimesh, por nuk janë prekur nga drejtësia. Kanë akuzuar njeri-tjetrin në parlament, mitingje e media për krime ekonomike, njerëzore e anti-kombëtare, por nuk kanë lëvizur dhe nuk janë nxjerr nga politika, duke mbajtur në prapaskenë e hapur njeri-tjetrin në politikë e pushtete, duke u ndarë e bashkuar, duke u pështyrë e puthur, duke u ripështyrë e riputhur, madje edhe duke bërë krushqi mes njeri-tjetrin. 

Fytyra e mafies politiko-shtetërore në Shqipëri, palët denoncojnë dhe mbrojnë njëra-tjetrën 
Kjo është fytyra e mafies politike e shtetërore e lyer kokë e këmbë me ASHTU... dhe e urryer nga populli Për të vazhduar lojën demagogjike me këtë popull “leshko”, ata kalojnë nga një “çetë” politike në tjetrën, si pjesë e krimit të njëra-tjetrës. Po për cilën politikë të kriminalizuar e kanë fjalën dy “bandat” politike PD e PS, sepse siç dihet, prej 27 vitesh këta janë klasa politike sunduese, rrethuar me shërbime financiare e mediatike nga skalionet e tyre të besuara familjare, klanore e mafioze vendase, rajonale, evropiane e ajo ndërkombëtare?! Nëse duhet bërë “Veting” i politikës, formula e vetme është kjo: Duhen shporrur nga politika, pikërisht këta që janë në politikë, sepse këta janë të përlyer në krime si ideatorë, si nxitës, si autorë, si mbështetës, si financues, si mbrojtës të krimeve të tyre dhe si heshtës në mirëkuptim me njeri-tjetrin. Në se në Evropë, ka një klasë politike që është e kriminalizuar “kokë e këmbë” nga kreu në fund, kjo është klasa politike shqiptare. Këtë e deklaron dhe e pranon vetë klasa politike gjatë “teatrit” që bën duke akuzuar reciprokisht, duke publikuar krimet e njeri-tjetrit për krerë, familjarë, klane, grupe mafioze të huaja e vartës të tyre. Përditë PD publikon krime ekonomike, financiare, kombëtare e njerëzore të krerëve të PS, duke përmendur lidhje me emra konkretë bandash e kriminelësh. Përditë PS publikon krime ekonomike, financiare e kombëtare të bëra deri në vitin 2013 prej krerëve të ish-pushtetit dhe të PD aktualisht, duke përmendur lidhje me emra konkretë bandash e kriminelësh. Përditë deputetë e ish-deputetë, ministra e ish-ministra, kryepolicë e ish-kryepolicë, pushtetarë lokalë e ish-pushtetarë lokalë dhe familjarë të dy “bandave” politike PD e PS, publikojnë krime të njeri-tjetrit. Flitet me emra e grupe kriminale, për pazare e përfitime prej krimeve, për emra drejtuesish dhe lidhje politikanësh e familje politikanësh me krime dhe banda krimesh. Kjo “lojë lufte” demagogjike vazhdon prej 25 vitesh mes palëve. Që brenda parlamentit, ka ende njerëz të lidhur me krimin e korrupsionin, mbrojtës të krimit, ushtrues të krimit e “shefa krimesh”, kjo dihet e madje, janë “shumica”, të strukturuar e të fuqizuar tashmë në grupe, klane e krahë politikë. Por askush prej tyre nuk preket nga drejtësia. Të gjithë janë të “çimentuar” në postet partiake e shtetërore! Për askënd nuk hapen… “letrat”. Përkundrazi, janë politikanët që “zografisin” dhe hapin “letrat” e krerëve të drejtësisë, për t’i kërcënuar që të mos hapin letrat, për t’i flakur përfundimisht jashtë drejtësisë të “pabindurit” si të padëshirueshëm. Madje politikanët autorë krimesh, kërcënojnë e sulmojnë edhe autorët e shkrimeve! Amoraliteti është realiteti poshtërues që ata kanë instaluar dhe vazhdojnë të mbajnë në veprim me demagogjinë dhe falsitetin e “luftës së tyre anti-krim”. Gjithë klasa politike, madje më me pasion kupolat e saj, çirren publikisht me “përbetim për drejtësi e luftë kundër krimit brenda politikës”. Po a mund të luftojnë krimin brenda politikës, ata që e kanë instaluar?! Ky është “aktorllëk” i dalë boje, duke pritur që “Veting”-un ta ... “vetingashët”! 

Ndërhyrje ndërkombëtare, për t’i shkulur nga poltika dhe shteti
Duke ditur që shqiptarët nuk i përfill njeri, duhet që ndërkombëtarët, nëse këtë herë e kanë seriozisht me futjen “në brazdë” të Shqipërisë, nuk duhet ta besojnë e as ta pranojnë këtë falsitet të klasës politike shqiptare me stampë demagogjike “dekriminalizim” e politikës nga vetë politika e kriminalizuar. Që politika shqiptare është e kriminalizuar, kjo nuk kërkon “as mend e as kandar”, mbasi janë provat e 25 viteve të fundit, që e faktojnë këtë kriminalizim të saj me krime të ideuara, nxitura, realizuara e mbrojtura nga “bandat” politike majtas dhe djathtas, si piramidat, skafet e vdekjes, kontrabanda e karburanteve me Serbinë, trafiku i drurit të arrës, kontrabanda e armëve me Ben Ali, Gedaf e Mubarak, zhdukja e biznesmenëve, votimet e majit 1996, trazirat e janar-qershorit të vitit 1997, sulmi ndaj shtetit në 14 shtator 1998, grabitja e trojeve dhe pronave, shitja e trojeve kombëtare, rrumpalla e ndërtimeve pa leje deri në 70% të territorit të vendit, tenderët korruptivë të rrugëve, tragjedia e Gërdecit, privatizimet dhe koncesionet e bankave, Telekomit, çimentos, metalurgjisë, minierave, porteve, HEC-eve, tregjeve, aeroportit, shitja e Kantierit Detar dhe shërbimit të Kolaudimit të Automjeteve, tenderi i fibrave optike, krimi 280 milionë dollarë me impulset telefonike rurale të Albtelekom (Hermes i Arben Ahmetajt), të tenderëve të energjisë, ilaçeve, librave shkollorë, CEZ, ngjyrosjes së karburanteve, pullave fiskale, Lotarisë Kombëtare, përmbytjeve në Shkodër e Lezhë, hapja e 53 universiteteve piramida, shitja e detit, sponsorizimi mediave pro shtetërore me financime reklamash, vrasjet e 21 janarit, krimi ekonomik-financiar me kamerat e policisë rrugore, vjedhja me biznesin kriminal në polici më Kutitë të Ndihmës së Shpejtë, vjedhja e thesarit të shtetit e shumë krime të dukshme e të padukshme që vazhdojnë të bëhen me autorë dhe suport politikën. Fijet e këtyre krimeve, nuk i kanë komanduar dhe nuk i komandojnë pastrueset e shkallëve të PD, të PS, të kryeministrisë, as ata që “gërmojnë” për bukën e gojës nëpër kazanët e plehrave, as ata që flenë rrugëve si të pastrehë e të braktisur,a s fëmijët që pastrojnë xhamat e makinave të shtetarëvë në semaforët para kryeministrisë, por (siç e deklarojnë edhe vetë politikanët me akuza të ndërsjellta), këto krime janë bërë e po vazhdojnë të bëhen dhe të mos shkojnë përballë ligjit, nga vetë krerët e politikës, nga familjarët dhe klanet e tyre. Shtrohet pyetja: A mund të bëhet dekriminalizimi i politikës, nga kjo klasë politike?!