Politikanët grekë ashpërsojnë tonet antishqiptare

731
Qemal LAME

Greqia me probleme të brendshme, krijon edhe shqetësime me fqinjët. Ajo vazhdon me këmbëngulje politikën me qëndrime të theksuara nacionale duke e reflektuar edhe në marrëdhëniet e jashtme me pretendime për rolin parësor në zgjidhjen e problemeve të perspektivës evropiane të shteteve ballkanike që nuk janë anëtarësuar akoma në bashkësi. Qëllimet vjetra shoviniste, fshihen me propagandën për mbrojtjen e minoritetit grek në vendet e tjera. Interesat e njëanshme greke dhe kursi i përplasjeve të Athinës me Tiranën, Shkupin, Ankaranë etj., kërkohet të bëhen zyrtarisht edhe probleme të agjendës evropiane ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Greqia ndërhyn në mënyrë të hapur sidomos në punët e brendshme të Shqipërisë. Politikanët ultra nacionalistë grekë veprojnë me arrogancë, shpërfillin çdo normë ndërkombëtare të sovranitetit shtetëror, vijnë, kërcënojnë e zhvillojnë propagandë shoviniste antishqiptare. Në fillim të këtij viti, ministri i Mbrojtjes i Greqisë bëri një demonstrim të forcës ushtarake në kufirin me Shqipërinë. Provokimi ishte flagrant. Ngjarje e dënueshme për një shtet anëtar të NATO-s që kërkon të imponohet ndaj një fqinji, po shtet anëtar të aleancës. Një eurodeputete greke ngriti pak javë më parë shqetësimin në Komisionin Evropian mbi çështjen e pronave të minoritetit grek në Shqipëri. Kësaj deputeteje ultra nacionaliste iu dha përgjigja sipas raportit të Komisionit, i cili ka evidentuar e sqaruar konkretisht situatën e të drejtave dhe standardit të lartë të minoritetit grek në Shqipëri. Vetë Greqia nuk ka ligj për minoritetet dhe nuk njeh të drejtat elementare të shqiptarëve në Greqi. Për pretendimet për Himarën, asaj ju bënë të qarta edhe problemet që ekzistojnë në tërësi me regjistrimin, kthimin dhe kompensimin e pronave, planin rregullues të bashkisë etj. Në këtë fushatë jo miqësore, është përfshirë me pasion edhe Kryetari i Shtetit. Presidenti Pavlopulos, ka shprehur disa herë qëndrimet e tij për zhvillimet në Shqipëri, duke ndërhyrë padrejtësisht në punët e brendshme të shtetit e të besimit fetar ortodoks shqiptar. Këtë ai e deklaroi edhe para tre ditëve në darkën me Presidentin francez Emmanuel Macron, me pakënaqësinë dhe me mesazhin e qartë për Tiranën dhe Shkupin se me qëndrimet irredentiste dhe shkeljen e të drejtave të minoritetit dëmtojnë rrugën e tyre evropiane. Analistët mendojnë se Pavlopulos e shfrytëzoi takimin me Macron, pasi Greqia do të ketë mbështetjen e Francës në këtë drejtim. Të dy këto shtete i lidhin interesa të forta në fushën e naftës dhe atë të mbrojtjes. Besojmë se Franca do të vazhdojë të dëshmojë objektivitet për Shqipërinë. Athina zyrtare ashpërsoi qëndrimin zyrtar edhe në Bashkimin Evropian. Në samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, deklaroi qëndrimet kundër dhe u bëri të njohur homologëve evropianë “veton” greke ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, duke theksuar edhe një herë pretendimin për shkak të problemeve me respektimin e të drejtave të pronësisë për pakicën greke. Pas mbylljes së samitit, ministri i jashtëm grek, përfitoi nga prania e gazetarëve të interesuar për të “surprizuar” opinionin ndërkombëtar evropian e botëror duke “treguar” planet e qeverisë shqiptare për uzurpimin e pronave që i përkasin pakicës greke në Himarë.“Unë theksoi se çështjet e të drejtave të njeriut nuk duhet të përdoren në mënyrë selektive dhe paraqita një sërë shembuj sesi është abuzuar. “Në kontekstin e pranisë sonë këtu, unë gjithashtu pata diskutime me një numër të Ministrave dhe Komisionerëve, ku e kam bërë shumë të qartë kushtet që duhet të plotësojnë disa prej këtyre vendeve kandidate për të filluar negociatat e anëtarësimit”, ka deklaruar Kotzias. Praktika tregon, se politika zyrtare greke ndaj Shqipërisë është në sinkron pothuajse midis të gjithë partitë politike. Zyrtarët e lartë shprehin publikisht qëndrimet e tyre për të mbështetur platformat politike të grupimeve ultra nacionaliste, tërhequr vëmendjen e opinionit publik me vazhdimin e politikës së vjetër, reagojnë me ashpërsi e kërcënojnë hapur mbi pasojat e perspektivës evropiane të Shqipërisë, duke u maskuar me sloganin për mosrespektimin e të drejtave të minoritetit grek. Mesazhet kërcënuese të politikanëve të lartë grekë kanë qenë përherë të qarta. Tonet janë përforcuar pas ngjarjeve më të fundit në Himarë, ku Këshilli Bashkiak miratoi mes kundërshtive të një grupi banorësh planin e ri urbanistik. Edhe me anë të diplomacisë, qeveria greke është aktive dhe kërkon të imponojë zgjidhjet në interes të saj si për Kufirin Detar, Varrezat e Ushtarëve Grekë, ndarjen administrative në interes të minoritetit grek, për të krijuar kushte për kërkesat për pretendime territoriale etj. Me këto qëndrime, nuk po dëshmon as pritshmërinë për marrëdhënie më të mira me ardhjen në pushtet të së majtës radikale të Siryza-s, e drejtuar nga Aleksis Cipras. Fakt është se as ai si kryeministër dhe as dy presidentët grekë, në 4 vitet e fundit të qeverisjes nga Edi Rama, nuk kanë vizituar Shqipërinë. Ndryshimi i qëndrimeve zyrtare greke bëhet në kushte të caktuara politike. Pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri dhe gjendjes së rëndë të krijuar, Greqia arriti të realizojë qëllimet strategjike që kishin dështuar gjatë 50 vjetëve, pas Luftës së Dytë Botërore. Orientimin euroatlantik të Shqipërisë, ajo e shfrytëzoi me të gjitha mundësitë e përparësitë që kishte si shtet anëtar në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Për çdo vendim që ajo do të jepte votën e saj, kërkonte dhe arrinte në fshehtësi marrëveshje me politikanët shqiptarë. Këto katër vitet e fundit, Kuvendi dhe Qeveria shqiptare vlerësojnë miqësinë e bashkëpunimin e barabartë dhe nuk bëjnë lëshime për kërkesat e padrejta me qëllime ultra nacionaliste përfaqësuesve të lartë të shtetit të Greqisë. Kështu filluan edhe pakënaqësitë, përplasjet e kërcënimet greke. Më parë, politikanët grekë deklaronin me pompozitet se Greqia është avokate mbrojtëse e Shqipërisë. Qëndrimet e tanishme tregojnë se dashamirësia nuk ka qenë e sinqertë. Zyrtarët më të lartë të shtetit, nga avokatë mbrojtës, ndryshuan rolin e tyre duke u bërë prokurorë akuzues për të penguar e zvarritur realizimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimit Evropian. Ndryshim diametralisht i kundërt i politikës greke, ka qëllime të qarta nacionaliste. Kjo ndodh për shkak interesave të njëanshme, të paqëndrueshmërisë së politikës zyrtare që tronditet shpesh nga mungesa e stabilitetit politik e ekonomik dhe presionit të fuqishëm që ushtrojnë grupet ultra nacionaliste greke me përfaqësim në Parlament, në Qeveri dhe institucione të tjera të rëndësishme shtetërore. Athina Zyrtare po përballet me qëndrimet e drejta të politikës së jashtme të Tiranës për të folur hapur, mos heshtur ndaj së vërtetës historike, zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, njohjen e të drejtës së pronave dhe të kthimit të shqiptarëve të dëbuar nga Çamëria, barazi në marrëdhëniet e përbashkëta shtetërore e ekonomike, miqësi të vërtetë midis shqiptarëve e grekëve etj. Qëndrimet e politikës shqiptare, kuptohet se pengojnë realizimin e qëllimeve të fshehta apo edhe të deklaruara publikisht, si dhe të kërkesave imponuese greke. Prandaj po shfrytëzohet edhe mundësia e fundit që kanë për veton për anëtarësim në bashkësinë evropiane. Marrëdhëniet shqiptaro-greke kërkohet të zhvillohen në interes të dy shteteve dhe popujve tanë. Padrejtësisht ato rrezikohen dhe mbeten peng nga politika e njohur greke për të bërë fakt të kryer mitin e Vorio Epirit. Për këtë qëllim, propaganda për mbrojtjen e minoritetit është strategjia për të realizuar qëllimin e ndryshimit të përbërjes demografike të popullsisë shqiptare, manipuluar hapur me numrin e personave që të ndryshojnë kombësinë e të deklarohen si grekë, duke paguar pensione, dhënë shtetësinë greke etj. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e njohin historinë e Shqipërisë e të Greqisë, marrëdhëniet dhe problematikat që pengojnë e tensionojnë shpesh këto dy vende. Greqia nuk mund të ketë mbështetjen të gjerë të partnerëve evropianë për pretendimet e padrejta ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë e të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria do të vazhdojë me përkushtim rrugën e saj evropiane, do të plotësojë standardet evropiane, jo ato greke, do të realizojë me meritë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është mirë që Greqia si vend fqinjë dhe me popullsi të njohur shqiptare, të zbatojë politikën evropiane, të mbështesë, jo të pengojë, integrimin evropian të Shqipërisë.
Sigal