Politikanë, na e keni bërë jetën të padurueshme!

819
Bardhyl Berberi 
Në jetën tonë gjatë këtyre viteve të demokracisë, kemi humbur persona të pazëvendësueshëm, kemi falur gabime… Kemi hequr trauma shpirtërore si viti mbrapshtë i `97-s… Jeta e njeriut është e shkurtër, por këta politikanët e sotëm po na i bëjnë akoma më të shkurtër nga humbja e trendit të kohës… Nuk është e frikshme që të vdesësh, por e frikshme është të mos e jetosh jetën, pikërisht nga këta politikanë. Është e frikshme të thuhet hapur, por demokracia jonë në këto 27 vjet ka prodhuar analfabetë, madje analfabetë të ‘klasit të lartë’ që kanë kapluar majën e pushtetit. Politikanët e sotëm të veshur ‘firmato’, të shëndetshëm, të pispillosur, me nga dy tre dashnore, me nga dy diploma false, të marra në Tetovë apo në Bullgari, me numra llogarie parash pa fund, që nga Qipro e deri në Zvicër apo gjetkë. Këta janë produkti i një politike mediokre që mendon vetëm për përfitimet e saj duke sjellë si nënprodukt një takëm deputetësh të cilët ju duhen si numëror topi. Këtë racë deputetësh Shqipëria e ka pasur edhe më parë, atëherë kur ishin ata të ‘nënës parti’. Por kanë qenë edhe në përbërje të një armate të paaftësh që vinin nga galeritë e minierave apo ndërtimi e që dinin të ngrinin vetëm kartonin… Ata diplomat nuk i kishin false, por vinin në parlament pasi kishin bërë ‘shkollën e partisë’ në Laprakë. Në shikim të parë ishin të pazararshëm, shihnin punën e vet, nuk kishin makina, as vila, as numra pafund llogarish nga korrupsioni e tenderët, nuk merrnin zarfe me para për emërimet që bënin në dogana apo tatime, nuk hipnin nëpër jahte luksoze në Malin e Zi që të paguanin nga 5000 euro nata për një prostitutë. Mund të kishin ndonjë dashnore por hapi tyre shkonte deri në një dhomë hoteli Ata në Tiranë vinin me tren dhe vetëm udhëtimin kishin gratis dhe një dietë të zakonshme dhe qëndrimin tek hotel “Drini” Atëherë nën zë mes shokësh thoshim: “Ç`janë këta deputetë çapaçulë që nuk flasin një herë në parlament, por qëndrojnë si manekinë?” Për këtë takëm njerëzia thoshin duke ngushëlluar veten: “Sa të tillë ka bota… nuk janë vetëm këta tanët!” Mirëpo me ndërrimin e sistemit, në vend që të pakësohen filluan që të shtohen; Një takëm i atyre të dikurshmëve hynë deputetë dhe në sistemin e ri. Kush e hodhi dhe si mbiu kjo fare hibride?! Si ndodhi që na u shtuan kaq shumë këta debila?! Të paftë, me nivel mediokrish, pa asnjë ide për të bërë diçka të dobishme apo thënë ndonjë gjë me sadopak përmbajtje. Deputetët tanë shfaqen kudo të kollarisur sikur kanë gëlltitur okllainë… Me pamje të jashtme si babaxhanë që s’kanë haber ku ndodhet puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, zgjidhja e problemeve. Ata nuk dinë muhabet tjetër veçse; tender, koncesion euro, aeroplanë apo restorante, dreka, darka, plazhe ekzotike, udhëtime nëpër vende të huaja.

Ata kanë një maskë dhe duken fisnikë që vijnë madje edhe takojnë popullin, bëjnë mullarë me premtime, vishen me kostume të errëta, kravata me ngjyra, orë të shtrenjta dhe, natyrisht, gafa të pafund aq sa nuk dinë as se çfarë është Vetingu. Janë këta politikanë dhe një sërë deputetësh të adoptuar që luftojnë si Don Kishoti me mullinjtë e erës, gjoja intelektualë, hipokritë, ‘modernë’ të shëmtuar. A i keni parë si dremitin në sallën e parlamentit me celular në vesh dhe kompjuter përpara! Palestra, masazhi, plazhi, celulari i fundit, rrjetet sociale, janë shokët e pandarë të një takëmi deputetësh. Ata janë të pranishëm në jetën tonë për të na i bërë neve jetën të padurueshme me gafat e tyre të pafund.



Sigal