Politika tek ne ka aromë kalbësire

745
Bardhyl Berberi 

Politika përsëri zhytet në një panoramë apokaliptike. Hipokrizia e politikës e ka mbështjellë gjithçka si eteri materien. Politika po na lodh mendjen. Çfarë deliri, çfarë llahtarie .Korrupsioni ka hyrë në çdo skutë të jetës .Hajdutin e vëmë në krye duke i varur ujkut mëlçitë në qafë. Trafiku i drogës për shqiptarët është bërë si epidemi, nami i keq na ka vajtur tek molla e kuqe, siç thotë populli … Çdo gjë që ndodh tek ne ka përleshje në politikë midis dy krahëve pro dhe kundër. Rasti i fundit zgjedhja e prokurorit të ri pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallës dëgjon lloj lloj argumentesh. Skandalet kalojnë sa nga njëra parti tek tjetra që nga çështja Tahiri tek financimet e parregullta të PD në fushatë. Ka ardhur koha për të bërë politikë të vërtetë e të mirëfilltë dhe për ta ndërprerë praktikën e një politike servilësh dhe të paaftësh ndaj njëshit . Kjo është karakteristikë e politikanëve shqiptarë në raport me politikën dhe aktorët politikë të jashtëm . Kështu këta të fundit gjithmonë po u faturojnë të parëve vendime me oferta politike që përmbajnë plane dhe projekte për t’u realizuar dhe që politikanët shqiptarë po i pranojnë pa asnjë kundërshtim apo rezistencë, edhe pse disa prej tyre janë të rrezikshme dhe në kundërshtim me interesat kombëtare. Ky takëm politikanësh në kohë fushatash parazgjedhore janë me plot gojën patriotë që iu dhimbset çdo pëllëmbë tokë dhe që shumë shpesh promovojnë politika shumë madhore, të cilat në realitet nuk mund ta marrin as epitetin e politikave të vogla të një blloku apo një fshati të thellë malor. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh për faktin se ne në politikë gjithmonë kemi zgjedhur njerëz të paaftë, janë individë anonimë që nuk i njeh pallati ku banojnë, që janë janë futur në politikë aksidentalisht për leverdi personale. ata nuk kanë dashur që t’i njohin as anëtarët e familjeve të tyre më, por edhe opinioni më i gjerë nuk ka dashur të dëgjojë aspak për ta. Disa prej tyre janë të paguximshëm, disa të dominuar nga frika e disa të tjerë janë të djallëzuar dhe tendenciozë, prandaj edhe nuk provojnë aspak që të rezistojnë, sepse e dinë se nga kanë ardhur dhe, me e keqja për ta është, se po mbetën jashtë politikes nuk dinë se ku të shkojnë dhe me se të merren. Për ta politika nuk është ideal për t’u shërbyer njerëzve por është kthyer në një mjet për të zhvatur dhe për të bërë para në kurriz të popullit . Në politikë të njëjtët kanë ardhur si askush dhe si të tillë ashtu edhe do të shkojnë. Prandaj ka ardhur edhe koha që në politikë të futen njerëz me karakter e me moral, si dhe të guximshëm e të fuqishëm e jo ata që gjithmonë u përshtaten situatave të ndryshme apo njerëz oportunistë që i ndryshojnë më shpesh qëndrimet e tyre politike dhe i ndërrojnë flamurët dhe opinionet si të thotë i pari i tyre Politika është veprimtari kolektive, e cila orientohet drejt miratimi të vendimeve të rëndësishme, për zgjidhjen e ndonjë problemi apo problemeve të shumta në shtet dhe shoqëri. Ndërsa është rregull që vendimet e sjella edhe të zbatohen, sepse janë të detyrueshme për të gjithë anëtarët e një bashkësie. Pra, shkurt thënë politika është aktivitet njerëzor dhe shoqëror që përkujdeset për realizimin e qëllimeve politike dhe ekonomike. Por tek ne kur përmendet fjala politikë ajo prodhon forcë , përleshje dhe luftë. Në fund të fundit politika është aktivitet në të cilin zhvillohet debat i pandërprerë për forcë, prestigj, autoritet dhe dominim idesh. Kështu duhet të dominojnë në politikë gjithmonë ata që posedojnë forcë e argumentit, autoritetin, mençurinë dhe inteligjencën. Elemente që nuk i kanë politikanët shqiptarë. Prandaj duke e pasur parasysh këtë fakt në politikë nuk mund të jenë ata që duan të jenë, por ata që mund të jenë në të, në saje të forcës që u mundëson dominim apo edhe ndikim. Ndërsa në politikë janë të suksesshëm dhe efikasë vetëm ata që kanë mundësi, shkathtësi dhe aftësi përmes së cilave do të munden dhe arrijnë të ndikojnë mbi proceset dhe ngjarjet politike pozitivisht. Prandaj është e rëndësishme që të të bëhet zgjedhja e njerëzve që do t’i udhëheqin dhe realizojnë proceset e rëndësishme politike. Këta duhet të jenë njerëzit që kanë kapacitete në fushën e tyre, që do të investojnë në të ardhmen e një shoqërie në progresin e saj. Por çfarë po ndodh tek ne, në vend që të zgjedhim njerëzit që do të investojnë në të ardhmen tonë, ne zgjedhim gjithmonë ata që po na e vjedhin këtë të ardhme. Partia që është në pushtet PS duhet të bëjë kujdes me emërimet, sepse sot ka ardhur koha që të gjithëve u kanë lindur dëshirat dhe ambiciet për t’u futur në politikë për të përfituar një karrige. A ka mundësi që t’i shoshitim apo të shohim se çfarë morali dhe karakteri kanë këta njerëz. Sepse si qytetarë jemi bërë peng i manipulimeve të subjekteve politike me kandidatët me një të kaluar të dyshimtë apo të kriminalizuar. Këto subjekte fatkeqësisht po propozojnë lloj lloj njerëzish, të cilët nuk kanë kapacitetin e nevojshëm për të na prirë dhe për të përballuar situatat e ndërlikuara që mund të sjellë një moment i caktuar. Natyrshëm lind pyetja: Si do të shpëtojë politika jonë në të dyja krahët nga servilët të paaftët të korruptuarit që të mundësojë qeverisje më të mirë dhe më të drejtë në një shtet, i cili do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve? Prandaj, më thoni ju lutem, se a ka ardhur koha për një politikë të vërtetë dhe më të mençur? Por si do të hiqen këta aksidentalët që kanë zënë kolltukët? Vetëm duke i rrëzuar me votë, në të kundërt ne do të ngelemi me këtë teatër e vjetër të PPSH, që me rrethin e tyre më të afërm e që mbajnë pranë na kanë sjellë një politike me aromë kalbësire …


Sigal