Politika është në gjumin letargjik të gushtit

666
Sigal

Ndërkohë që, nga mesi i tetori na kanë mbetur 55 ditë dhe reformat e 12 prioriteteve janë lënë përgjysmë

Është normale, që në  gjithë këto ditë gushti, të mos kemi lajme politike. Politikanët, me të drejtë pushojnë edhe ata. Mirëpo, ditët që shkojnë sjellin edhe më pranë mesin e  muajin tetor, afat ku BE-ja do të shqyrtojë konkretizimin, arritjet e 12 prioriteteve që i kanë kushtëzuar Shqipërisë për ta pranuar vend kandidat në Bashkimin Europian. Shumica e reformave, që janë pjesë e12  prioriteteve, ose kanë ngecë, për shkak të ngërçit politik midis PD-PS, sikurse janë reforma parlamentare, reforma e heqje/kufizimit të imunitetit, ndërsa reforma të tjera, akoma nuk janë shtruar  t’u diskutuar. Për reformën parlamentare PD-ja dhe PS-ja janë “bunkerizuar” në interesat e tyre politike dhe pak përpiqen që të ofrohen në një pikëmbërritje. Pasi dështoi votimi i reformës të imunitetit në 6 gusht, Kryeministri, për të kapërcyer kundërshtimin e PS-së, hodhi idenë e një referendumi. Thjesht, Kryeministri sa e tha, sepse që nga ajo ditë e deri tani, as nga maxhoranca nuk është bërë asnjë përpjekje, jo të realizojë këtë ide, por të paktën, të japë një përshtypje që Kryeministri e kishte seriozisht, ditën që e propozoi. Edhe sikur të marrim të mirëqenë të gjitha pengesat kushtetuese, politike, deri në miratimin e idesë të referendumit, qoftë kjo në një ndërkohë sa më të shkurtër, që është e mundur, prapëseprapë, çdo gjë duket e parealizueshme, që referendumi për imunitetin, të realizohet brenda 55 ditëve të mbetura. Edhe opozita, është në gjumin e saj letargjik. Kryetari i saj, Edi Rama, edhe pse ndodhi ngjarje politike, siç ishte shkarkimi i kreut të SHISH-it, zotit Shaqiri dhe emërimi i zotit Lika, nga Presidenti, u mjaftua të bënte “oponencën” në distancë, me Tvvitter, pa prishur rehatinë, qetësinë dhe komoditetin e pushimeve. Pak kanë rëndësi brendia e fjalëve të oponencës, ca më pak, kur këto përcillen telegrafikisht, me Tvvitter, siç vepron kryetari i PS-së, Edi Rama. Rëndësi më të madhe ka prania fizike e vetë Kryetarit të PS-së,  Edi Rama, edhe në këto ditë gushti, sepse kjo prani do të japë më shumë rëndësi, vlerë, jo vetëm oponencës, por më shumë elektoratit, do t’i përcillet edhe mesazhi politik. Se Kryetari i opozitës interesohet dhe përkujdeset personalisht për hallet dhe mbarëvajtjen politike. Mosqënia, mungesa dhe oponenca në distancë nga Edi Rama, dëfton, njëfarësoj, edhe një shpërfillje politike të tij, jo vetëm ndaj problemit, ndodhisë politike, por ndaj vetë elektoratit, që shpreson ndryshimin nga opozita. Edi Rama, shpeshherë, ka ndodhë- thua rastësisht?- që në ngjarje të mëdha politike, në Shqipëri, të mos ndodhet këtu, por ka zgjedhë të shkojë në ekskursione politike jashtë shtetit.  Më 6 gusht, Edi Rama nuk u ndodh në Tiranë dhe reagimi i tij për mosvotimin e reformës së Imunitetit, erdhi-si përherë- nga Tvvitter. Më 19 korrik, kur në parlament u diskutua për votim ligji i reformës zgjedhore, Edi Rama, shkoi në Selanik të takohej me emigrantët. Në 24 maj, kur në parlament u diskutua ligji i reformës zgjedhore, Edi Rama u ndodh në Bruksel, të takohej me një eurodeputet socialist. Siç ndodh sa herë, oponenca e PS-së, tashmë është nëpërmjet Tvvitter,  nëpërmjet deklaratave të thata, që nuk përcjellin asgjë  dhe PS-ja, pas 21 janarit 2011, nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet masiv, popullor, qoftë në përkrahje të problemeve sociale të popullit, qoftë edhe të oponojë politikën e maxhorancës. Gjumi letargjik i politikës, më shumë i intereson maxhorancës, e cila sa më qetësi të kalojnë ditët, kaq më komode i duket dhe i duhet të qeverisë. Nga ana tjetër, maxhoranca, me politikën e “gjumit letargjik” e vë opozitën edhe në një kurth tjetër. Të mungesës të një ndërkohe të mjaftueshme për të diskutuar reformat e 12 prioriteteve. Zvarritja e miratimit të këtyre reformave, është kohë politike që fiton maxhoranca në dëm të opozitës, sepse ngutja e votimit të reformave, për shkak të skadimit të afateve, është një presion politik ndaj opozitës, e cila vihet përpara alternativës politike të maxhorancës: Ose do të votojë reformat kështu siç i ka paraqitur, përgatitur maxhoranca, se nuk ka kohë për të ndryshuar brendinë e tyre, ose do të marrë përsipër koston politike të mosvotimit. Kostoja e mosvotimit të reformave është baras me bllokimin e marrjes të statusit të kandidatit. Ngutja politike që do t’i kushtëzohet opozitës, do të jetë të tërhiqet nga çdo kusht i saj. Sikurse ka ndodhur deri tani.