Polimer ÇEÇI: Ktheni kokën te pronarët e Bergdetit të Jugut

629
Qeveritë dhe kryeministrat, të majtë e të djathte janë “lodhur”, duke bredhur në botë për të thithur investime të huaja për zhvillimin e vendit, i cili ka stopuar e është katandisur në këtë farë derexheje për 25 vjet. Këtë përfundim e japin treguesit makro e mikro të ekonomisë. Vërtetohet nga fukaralleku, boshatisja e xhepave të qytetarëve, ku niveli i konsumit për frymë po merr rrokopullën. Vërtetohet nga largimi i forcave të reja e të afta të punës nga vendi. Po përse nuk vijnë investitorë të huaj për të investuar në Shqipëri, çfarë i pengon ata të hedhin kursimet e tyre, në këtë vend të bekuar nga natyra e të mallkuar nga shqiptarët? Nga analiza e bërë dhe nga bisedat me investitorë të huaj, rezulton se nga qeveritë mungon vlerësimi i duhur qysh në momentin e krijimit të strukturave të përshtatshme funksionale e operative për zgjidhjen e problemeve dhe nga pengesat që u krijohen sipërmarrësve ndërkombëtarë. Thuhet se zhvillimi i Turizmit ka qenë e mbetet prioritet i qeverive, përfshirë dhe qeverinë aktuale, për të menaxhuar 420 km. vijë bregdetare, nga të cilat 150 km që lagen nga Deti Jon dhe 270 km nga Deti Adriatik, pa anashkaluar dhe resurse turistike të tjera të vendit. Po a mund të jetë prioritet ky sektor shumë i rëndësishëm i ekonomisë, kur mungojnë prioritetet e zhvillimit për një sektor të caktuar prioritar? Fillimisht, Sektori i Turizmit, ishte në vartësi të Ministrisë Zhvillimit Urban, duke pasur në vartësi një Agjensi të Bregdetit, me një strukturë rreth 30 punonjës. Efektiviteti i kësaj strukture për periudhën 2-vjeçare të menaxhimit të bregdetit, mund të jetë një histori më vete për ta analizuar. Më vonë, me ligj të veçantë, sektori i Turizimit i aneksohet Ministrisë së Ekonomisë. Që këtu evidentohet dhe shkërmoqet “prioriteti” qeveritar për këtë sektor. Po kush mund të ishte zgjidhja? 
Krijimi i një ministrie të Turizmit
Krijimi i një ministrie të Turizmit do te ishte zgjidhja më me efektivitet, me një strukturë të specializuar, të lehtësuar, efikase, operative e menaxheriale, për udhëheqjen metodologjike të problemeve të zhvillimit të turizmit. Ka mbi 20 vjet që flitet për hartimin e planeve të përgjithshme e vendore të zonave turistike, për të cilat mund të jenë harxhuar rreth 15-20 milionë euro nga taksapaguesit dhe planet nuk duken në horizont. Institucionet ligjzbatuese vendore në zonat bregdetare dhe sot nuk disponojnë asnjë dokument për t’i vënë në shërbim të investitorëve të vendit e atyre të huaj. Banorët e zonës nuk kanë asnjë akses për të zhvilluar pronat e tyre. Zgjidhja e problemeve të pronësisë mbi tokën në zonat turistike bregdetare e më gjerë, është një tjetër gangrenë e këtij vendi, i cili sipas statistikave të institucioneve qendrore për 24-vjet ka kushtuar një të vrarë në ditë, përjashtuar këtu mungesën e zhvillimit nga investitorë të vendit dhe të huaj. Po përse gjithë kjo kasapanë, ku janë vrarë djemtë e nënave, vetëm e vetëm nga hartimi i ligjeve të mbrapshta, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, miratuar me referendum dhe konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Aktualisht po diskutohet një ligj të ri për pronat. Një tjetër paradoks, ku është hequr nga fjalori fjala “kthim“ i pronës të grabitur e shfrytëzuar për rreth 50 vjet. Qeveritarët dhe deputetët duhet të kuptojnë mirë se zona e Bregdetit të Jugut nuk është Myzeqe, Fusha e Korçës, Vurg apo Vrinë. Bregeti është investim i bërë nga brezat e parë mbi 500-vjeçarë që vërtetohet nga “monumentet”, ullinjtë shekullorë e në këto kushte duhet të kthehet ashtu si është marrë. Duhet të kthehet dhe për një fakt tjetër me shumë rëndësi. Duke u trajtuar si tokë bujqësore, që nuk është e tillë, është “ndarë” me ligjin 7501, ku çdo fshat ka problematika të mëdha në drejtim të respektimit të atij ligji që është në fuqi. Nuk ka banorë të ketë marrë normën që i takon, ose ka marrë më shumë ose më pak nga norma. Ka vjedhje të konsiderueshme nga njerëz që nuk kanë lidhje me fshatin, nuk janë trajtuar banorët e ish themeluesit e ish kooperativave bujqësore, të cilët nuk janë të paktë, por qindera. Institucionet ligjzbatuese janë në dijeni të kësaj situate, kanë kompetenca ligjore, kanë goxha struktura të miratuara, me rroga të majme që paguhen nga fukarai popull, duke filluar nga Prefektura e Qarku i Vlorës, Ministria e Bujqësisë e Komisioni Qeveritar i Tokës, por bëjnë sehir. Janë bërë azhornimet nga ZQRPP, me shumë problem mbivendosje, ndryshim të zërave kadastral, ndryshim të sipërfaqeve, etj, ç’ka ka bërë që të ketë shumë konflikte sociale. Në këto kushte, a mund të vijnë investitorë për të investuar? 
Zona e Bregdeti: truall apo tokë bujqësore
Një tjetër problem që kërkon zgjidhje ligjore e vlerësim, është pyetja që nuk gjen asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore se çfarë është Zona e Bregdetit: tokë bujqësore apo truall? Ka një VKM në fuqi me nr. 321/1992, ku ka të përcaktuar vijën kufizuese të zonës bregdetare turistike. Në kuptimin ligjor, çdo tokë brenda këtij kufiri është truall e në këto kushte duhet të trajtohet si e tillë si në drejtim të pronësisë për pronarin ligjor para 1945, ashtu dhe për zhvillimin urban. Zgjidhja e këtij ngërçi madhor do të ishte anullimi i te gjitha veprimeve të bëra nga komisionet e ndarjes së tokave në fshatrat e Bregut të Poshtëm dhe kthimi i tokës te pronari legjitim. Tjetër, VKM në fuqi nr. 88/1993, ka përcaktuar zonat turistike të vendit. Në të thuhet shprehimisht “territoret e fshatrave e zonave, që do të thotë se tokat janë troje dhe jo bujqësore. Ndryshimi i nenit 19/1, pika 5 e ligjit të ri që po diskutohet për pronat në zonat turistike duhet ta zgjidhë këtë ngërç, duke e kthyer. Investitorët e huaj nuk kanë asnjë mundësi të investojnë dhe për kantraditat që kanë ligjet ndërmjet tyre, dhe konkretisht, ai për “Shitblerjen e trojeve e tokave bujqësore, “Të Investimeve Strategjike”, “Për zhvillimin e Turizmit “, ligje të cilat duhet të harmonizohen. Në kushtet e cituara më lartë ku ndodhet zona e Bregdetit të Jugut, a mund te konsiderohet turizmi sektor strategjik, i përcaktuar në neni 8, të ligjit nr. 55/2015 “Për investimet Strategjike”? Po zonë me përparësi zhvillim turizmi, a mund të konsiderohet? Po investitorë të vendit apo të huaj, a mund të vijnë të investojnë në këtë zonë? Përgjigjia do te ishte që “Jo”, si tash e 25 vite. 
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 05.01.2016
Sigal