Po shteti ku është?!

715
Sigal

Izet S.Çulli

Këto që po ju tregoj më poshtë i ndodhën një mikut tim që vinte nga Përmeti përgjithnjë në Tiranë, i cili nuk po orientohej si duhej në metropolin e dashur e gjithaq të çuditshëm. E tërhoqën fillimisht makinat e shumta që shpesh lëviznin marramendshëm, njerëzit që mezi drejtoheshin para semaforëve, të tjerë që flisnin si me vete në rrugë, apo këmbëkryqësi vetash që lypnin të zhytur në mjerimin e pashembullt migjenian të kohës së sotme…Po tani diçka tjetër më parashtroi miku im i vjetër, Muharremi, i ardhur në Tiranë. Ja disa copëza ndodhish:

Qysh në ditën e parë donte të blinte bukë (të cilën ne për shumë arsye e konsumojmë ca si tepër), por nuk po e gjente se ku gatitej apo prodhohej ky produkt i përditshëm. U lodh paksa, se i edhe i vinte zor të pyeste ndonjërin, ku në vendin e tij, dukej si në një shtet të huaj. Në dorë mbante të mbështjellë edhe një mulli të vjetër kafeje pa mundur ta ndreqte në qytetin e tij që i pëlqente ta kishte si relikte nga gjyshi. Hyri brenda. I përshëndeti zonjat, të cilat punonin aty, por s’mori përgjigje. Ai u fut megjithatë shpejtas në temë:

-Me që ju po punoni me bakër, a mund të ma rregulloni këtë, – dhe tregoi mullirin e kafesë.

-Zotëri, – u bë e gjallë njëra nga punonjëset, -ne s’jemi të bakrit, siç mendoni ju, por të bakery-t, d.m.th. të furrës së bukës…

Atëherë Muharremi i hodhi vetëtimthi një sy mjedisit përreth dhe vërejti se vërtet aty nëpër rafte ishin vendosur një mbi një bukë të llojeve të ndryshme dhe…

“E po mall, – mendoi sakaq herë ai,-që të paktën gjeta furrën e bukës”, sepse aty në krye të portës kryesore shënohej fjala e mësipërme vetëm në anglisht.

Lokali na paskësh qenë edhe pastiçeri dhe iu desh të sqarohej se a mund t’i përgatisnin një tepsi me këtë asortiment sa më të freskët, të cilin ai e shijonte shumë.

-Jo! Ne prodhojmë ëmbëlsira e jo pastiço.

“Çudi!”- mendoi sërish ai me vete. Dhe hodhi përsëri sytë nga këndi frigoriferik i banakut të atyshëm prej xhami, me disa lloje ëmbëlsirash, ku tanimë shkruhej “Pastery”. Po ku pastiçeria e ku pastria (në anglisht këtu-pastery) që në këtë çast, Muharremi e kishte vënë re! Gjithsesi u kënaq që tani në disa lokale ëmbëlsirat në termin e huaj nuk quheshin më pastiçeri por pastery.

U gëzua pra gjithashtu që mësoi se ku ishin furrat e bukës, të cilat këtej nga metropoli ishin pagëzuar si “Bakery”- në anglisht, si edhe ëmbëltoret…

“Skandali” desh plasi në një tregtore të madhe vetëshërbimi (supermarket) që prodhimet i merrte jo sipas asaj që lexonte, por sipas asaj që shihte dhe i kuptonte nga prekja me dorë e atyre produkteve që do të blinte. Dhe e keqja më e madhe ishte se të gjitha ushqimet, përshkruheshin në lloj-soj gjuhësh të huaja prej shteteve të prejardhjes nga ato silleshin këtu… Për sa u përket ilaçeve të shumta që importohen nga mjaft vende të botës, ato detyrimisht duhet të sillen këtu të përkthyera patjetër në shqip (siç bëjnë shtetet serioze midis tyre edhe për këtë problem). Mbas disa ditësh u pa mirë në pasqyrë dhe vërejti se ishte bërë për të qethur, por nuk binte në ndonjë mjedis të tillë dhe as i shkonte ndërmend se ato këtu, në viset tona, në Shqipëri i emërtonin “Barber” d.m.th., “berber” apo “barber shop”- për rrojtore. Në fillim mezi e shqiptoi dhe gati u trumhas se ajo fjalë i përngjante paksa me “barbar’ dhe ku në mes të Tiranës! Një Zot e di pse duhet të shkruajmë e të flasim në gjuhë të huaj ose përse mos të përdorim të dy gjuhët: shqip e anglisht!? Po Muharremi u kënaq që këtu paskëtaj do të mësonte dashur pa dashur edhe një gjuhë tjetër të huaj. Por, sakaq iu duk sikur foli ai tashmë me vete: “Isha mirë atje në krahinën time të largët, ku njerëzit më tepër flasin e shkruajnë ende shqip, atë gjuhën shqipe të kulluar të Naim Frashërit”-nga ishte dhe vetë…

“E kështu gjuha po shëmtohet.

 Dhe kështu kombi po mjerohet”-shkruante në një rast poeti atdhetar Filip Shiroka.

Problemet e sipërpërmendura i rregullon shteti me ligjet që nxjerr e voton dhe me veprimet shtrënguese ndaj atyre që i shkelin me të dy këmbët ato, por për një çështje kaq të rëndësishme, siç është ajo e gjuhë që tregon identitetin e një kombi, nuk duket kujdesi, dora e organeve shtetërore. Secili për të vënë një gur në këtë ngrehinë të mbinatyrshme, hyjnore, do të thosha. “…Historia e gjuhës, shkruan filologu i sotshëm 100 vjeçar, akademiku Idriz Ajeti,- është njëkohësisht historia e popullit që e ka folur atë dhe e flet”.