Po ikën një vit skandalesh, pritet një vit protestash nga opozita

52
Bardhyl BERBERI 
Politika përsëri zhytet në një panoramë apokaliptike, Hipokrizia e politikës e ka mbështjellë gjithçka si eteri materien. Politika po na lodh mendjen. Çfarë deliri, çfarë llahtarie. Korrupsioni ka hyrë në çdo skutë të jetës. Hajdutin e vëmë në krye duke i varur ujkut mëlçitë në qafë. Trafiku i drogës për shqiptarët është bërë si epidemi, nami i keq na ka vajtur tek molla e kuqe siç thotë populli …Çdo gjë që ndodh tek ne ka përleshje në politikë midis dy krahëve pro dhe kundër. Rasti i fundit zgjedhja e prokurorit së re të përkohshme pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallës dëgjon lloj lloj argumentesh. Skandalet kalojnë sa nga njëra parti tek tjetra që nga çështja Tahiri rifitimi i pasaportës së bllokuar tek financimet e parregullta të PD në fushatë etj, ka ardhur koha për të bërë politikë të vërtetë e të mirëfilltë dhe për ta ndërprerë praktikat korruptive. Flitet se opozita do të djegë mandatet… Këtu tek ne çdo gjë bën vaki por të dyja palët i mbajnë veshët ngritur si të lepurit se çfarë do të ndodhë me vetingun dhe arrestimet e bujshme që priten pas natës së Vitit të Ri. Ky takëm politikanësh në kohë fushatash parazgjedhore janë me plot gojën patriotë që ju dhimbset çdo pëllëmbë tokë dhe që shumë shpesh promovojnë politika shumë madhore, të cilat në realitet nuk mund ta marrin as epitetin e politikave të vogla të një blloku apo një fshati të thellë malor. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh për faktin se, ne në politikë gjithmonë kemi zgjedhur njerëz të paaftë që nuk i njeh pallati ku banojnë e që janë janë futur në politikë aksidentalisht për leverdi personale. Këta individë që janë anonimë, jo vetëm nuk i ka njohur askush, madje të njëjtët nuk kanë dashur që t’i njohin, as anëtarët e familjeve të tyre më të ngushta, as edhe opinioni më i gjerë nuk ka dashur të dëgjojë aspak për ta. Disa prej tyre janë të paguximshëm, disa të dominuar nga frika e disa të tjerë janë të djallëzuar dhe tendenciozë, prandaj edhe nuk provojnë aspak që të rezistojnë, sepse e dinë se nga kanë ardhur dhe, më e keqja është, se po mbetën jashtë politikes, nuk dinë se ku të shkojnë dhe me se të merren. Për ta politika nuk është pasion për t’iu shërbyer njerëzve, por është kthyer në një mjet për të zhvatur dhe për të bërë para në kurriz të popullit. Në politikë ATA kanë ardhur si askush dhe si të tillë ashtu edhe do të shkojnë. Prandaj ka ardhur edhe koha që në politikë të futen njerëz me karakter e me moral si dhe të guximshëm e të fuqishëm e jo ata që gjithmonë u përshtaten situatave të ndryshme apo njerëz oportunistë që i ndryshojnë më shpesh qëndrimet e tyre politike dhe I ndërrojnë flamurët dhe opinionet si t ë thotë I pari I tyre . Politika është veprimtari kolektive e cila orientohet drejt miratimi të vendimeve të rëndësishme, për zgjidhjen e ndonjë problemi apo problemeve të shumta në shtet dhe shoqëri. Ndërsa është rregull që vendimet e sjella edhe të zbatohen, sepse janë të detyrueshme për të gjithë anëtarët e një bashkësie. Pra shkurt thënë politika është aktivitet njerëzor dhe shoqëror që përkujdeset për realizimin e qëllimeve politike dhe ekonomike. Por tek ne kur përmendet fjala politikë ajo prodhon forcë, përleshje dhe luftë. Në fund të fundit politika është aktivitet në të cilin zhvillohet luftë e pandërprerë për forcë, prestigj, autoritet dhe dominim. Ndërsa në politikë duhet të dominojnë gjithmonë ata që posedojnë forcë autoritetin, mençurinë dhe inteligjencën. Elemente që nuk i kanë politikanët shqiptarë. Prandaj duke e pasur parasysh këtë fakt në politikë nuk mund të jenë ata që duan të jenë por ata në saje të forcës që u mundëson dominim apo edhe ndikim. Ndërsa në politikë janë të suksesshëm dhe efikas vetëm ata që kanë mundësi shkathtësi dhe aftësi përmes së cilave do të munden dhe arrijnë të ndikojnë mbi proceset dhe ngjarjet politike. Prandaj është e rëndësishme që të të bëhet zgjedhja e njerëzve që do t’i udhëheqin dhe realizojnë proceset e rëndësishme politike. Këta duhet të jenë njerëzit që kanë kapacitete në fushën e tyre që do të investojnë në të ardhmen e një shoqërie në progres Por çfarë po ndodh tek ne nuk ne në vend që të zgjedhim njerëzit që do të investojnë në të ardhmen tonë por ne zgjedhim gjithmonë ata që po na e vjedhin këtë të ardhme. Partia që është në pushtet PS duhet të bëjë kujdes me emërimet, sepse sot ka ardhur koha që të gjithëve u kanë lindur dëshirat dhe ambiciet për t’u futur në politikë për të përfituar një karrige. A ka mundësi që t’i shoshitim apo të shohim se çfarë morali dhe karakteri kanë këta njerëz. Sepse si qytetarë jemi bërë peng i manipulimeve të subjekteve politike me kandidatët me një të kaluar të dyshimtë apo të kriminalizuar. Këto subjekte fatkeqësisht po propozojnë lloj lloj njerëzish, të cilët nuk kanë kapacitetin e nevojshëm për të na prirë dhe për të përballuar situatat e ndërlikuara që mund të sjellë një moment i caktuar. Natyrshëm lind pyetja si do të shpëtojë politika jonë në të dyja krahët nga servilët të paaftët të korruptuarit që të mundësojë qeverisje më të mirë dhe më të drejtë në një shtet, i cili do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Prandaj, më thoni ju lutem, se a ka ardhur koha për një politikë të vërtetë dhe më të mençur? Por si do të hiqen këta aksidentalët që kanë zënë kolltukët ? Vetëm duke i rrëzuar me votë, në të kundërt ne do të ngelemi me këtë teatër të vjetër të PPSH, të cilët me rrethin e tyre më të afërm që mbajnë pranë na kanë sjellë një politikë me aromë kalbësire.