Po babanë te Ura e Bënçës, ku ta çojë zoti Majko?…

1096
Sigal

Marrim pjesë në lavdinë e të parëve tanë vetëm atëherë kur mundohemi t’u ngjasim. Sepse çdo gënjeshtër i ngjan një topi dëbore: sa më tepër rrotullohet, aq më shumë rritet! Jo më kot i kujtova këto urtësi shekullore, dje në një kafe gjatë një bisede të ndezur mes kolegësh, rreth materializmit brutal dhe pa ideale. Sepse gjatë tranzicionit të pafund e dhimbjeshumë, edhe historinë po luftojnë ta shkruajnë e vulosin politikanët. Gati me të njëjtën lehtësi sikur firmosin emërime e shkarkime; shitje trojesh e ndërtim pallatesh të ligjshme e të paligjshme; kur blejnë e shesin vila e apartamente në bregdet, në fusha, kodra e male; kur regjistrojnë pa iu dridhur qerpiku e dora pasuri të tundshme e të patundshme në emër të grave, fëmijëve, farefisit, shokëve e miqve “huadhënës” e “huamarrës”; kur engledisen bashkë me tespihet nëpër bankat brenda e jashtë vendit dhe ligjërojnë të mbytur në luksin e pamerituar familjar; kur nuk kujtojnë dot më se si udhëtohet me këmbë, autobusë, furgona etj., etj. Ndërsa burimin e vërtetë të pasurive, askush nuk e tregon gjer më sot! Nuk po e mësojmë dot as në rrugë zyrtare e institucionale, megjithëse nuk pushojnë ulërimat partiake e qeveritare për transparencë me publikun. Pa folur këtu për gjyqtarë, prokurorë e zyrtarë të lartë, që gjithë ditën e perëndisë betohen për drejtësinë dhe natën puthen me matrapazllëqet, pazaret e pista, me vetë padrejtësinë. Imoraliteti politik është bërë jo mullar, por mal i lartë me shkurre e driza korrupsioni që po i zë frymën Shqipërizës tonë. Pasi u majmën si derrat duke i hyrë me rrënjë e me degë ekonomisë, me soj e sorollop, tani po përdorin si “aperitiv” oreks hapur vetë historinë…Kisha kohë që nuk po më trazonte as me letra, as me telefonata e mesazhe, miku im i vjetër Kiço Peshtanaku që jeton e punon në Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit. Se ai për mua është një lloj hosteni me vlerë që shpesh ma prish indiferentizmin, rehatinë qullace qytetare: -Ore babam, nuk e bëj dot zemrën gur unë. Po televizionet ku njëri e ka pronarin nga nahija jonë, përse nuk e kullot mbrëmave? Po gazetat e shtatorit 11, a i këndove? Ti për Pandeliun sikur bëje be e rrufe dikur, ç’po ndodh vallë atij kryeqyteti sot ?…

Sinqerisht, nuk e kisha hedhur fare vështrimin mbi ekrane e as te faqet e para të shtypit. Por fjala e mikut tim të vjetër sikur më kandisi të gjej gazetën. Sepse po të ishte si puna e asaj përrallës me mbret, mbase do ia bëja kabull kumbullat e tharta që nuk mpijnë vetëm dhembët e mi. Nuk është shprehur kot Dritëroi ynë i madh: Korbin edhe me ujë luleshqerre ta lash nuk e bën të bardhë. Ndërsa ky karafili Majko përpiqet t’i spërkasë me ujë trëndafili ndonjë ngjarje antipopullore e antikombëtare! Dhe kush? Një nga ish-drejtuesit kryesorë të PS-së, të asaj force politike që me program në letër është mbështetur fort te ish-luftëtarët antifashistë e familjet e tyre. Por të mos harrojmë, kryetari i sotëm, dikur e ka quajtur “luftë civile”(?!). Po ky Pandaliu (kështu e thërrasin në fshatin tim), pas vrapit fluturak për në OKB, mos po i vë syrin kolltukut të Kryetarit apo ka merak atë të Nishanit ?…

Më konkretisht. Pasi “hodhi” përtokë mjaft historianë të nderuar lidhur me largimin e turpshëm të Zogut nga Shqipëria, përtej megalomanisë aguridhe na i pret drutë fare shkurt: “…është akti i vetëm juridik që i tregonte botës se Shqipëria ishte pushtuar nga Italia dhe duhet vlerësuar me pozitivitet”(?!). Domethënë, sikur të ketë ikur nga foleja thjesht një zog shtegtar! Dhe më poshtë telikoset të na mbushë rradaken tonë pas 73 vjetëve me “përvojat” e mbretërve të tjerë nëpër botë. Madje na bën me dije se një pjesë e shoqërisë shqiptare dhe formacione antizogiste e përqafuan si pozitive aktin e pushtimit nga Italia fashiste. Dhe u rri larg fakteve e argumenteve konkrete. Pra, hedh një tymuese si nga duart e një kërthiu a karçini vjeshte dhe qesh si i bukuri shejtan-budalla! Nuk po ndalemi te ideja gazavaj e tunelit të nëndheshëm me Italinë, që dikur i shkeli dhunshëm kufijtë e shakave me kripë e pa kripë apo te ato të ëndrrave me sy hapur, që sot e shtyn me një “shaka për një pjesë të elitës intelektuale të Tiranës”…

-Unë e mbaj mend mirë Yzeirin e dashur nga Kalivaci (vjehrrin e mikut tonë të përbashkët, regjisorit të talentuar Xhelil Aliu), që ti e njohe nga afër dhe e respektoje aq shumë në Lushnjë në fillim të viteve ‘80. Ai ishte një nga dëshmitarët e fundit okularë, bashkë me Vesel Dervishin e paharruar në Tepelenë. Yzeiri të ka folur gjatë e gjerë edhe për xha Golen, babain tënd të ndjerë, që i priu në ballë grevës e protestës antifashiste të punëtorëve te Ura e Bënçës, kur sapo kish mbushur veç një muaj pushtimi i zi i Shqipërisë. Dëgjo mua, ishin orët e para të rezistencës. Dhe nuk kundërshtonin thjesht orët e zgjatura të punës e shfrytëzimin gjer në palcë, e as vetëm pagat tepër diskriminuese, kushtet e punës e të jetesës etj. Yt atë ishte i sapofejuar, në lule të djalërisë e i fuqishëm, me prush të veçantë atdhetar e patriotik në zemër. Kur erdhi ministri italian i Punëve Botore. Kundërshtuan gati njëzëri të merrnin pjesë në pritjen e tij sipas adeteve fashiste. Qysh në fillim, dy duar plot kallo e të mbledhura fort grusht, u ngritën lart dhe një zë jo dosido drodhi gurët e drurët te Ura e Bënçës dhe çau atë tepsi qielli mbi kokë: -Poshtë Fashizmi ! Ne nuk blihemi për 5 lekë !…

Karabinierët u vërvitën mbi të si egërsira. I hodhën prangat xha Goles dhe e izoluan në një barakë të kantierit. Qëndresa e punëtorëve po arrinte kulmin. Shoku i tij i fëmijërisë dhe jo pak trim, Lipe Kele (pastë ndjesë!), u sul me lopatë në duar mbi karabinierët…Dëgjove, dëgjova thuaj! Është protesta e parë punëtore antifashiste në Tepelenë e rreth saj, menjëherë pas 7 prillit 1939. Kam lexuar Enciklopedi të asaj kohe, por edhe historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Po e theksoj: është e para protestë punëtore e vërtetë në jugun e Shqipërisë. Vetëm penëholli Xhevahir Spahiu shkruajti diçka në fillim të viteve ‘70 dhe tani vonë veterani i veçantë peshtanak Vangjel Vllaho …I vetmi që u syrgjynos në qelitë e tmerrshme të Kalasë së Gjirokastrës, ishte babai juaj. Duhet të jetojë sot e kësaj dite dosja e atij gjyqi famëkeq ku u dënua “për propagandë të rrezikshme kundër fashizmit dhe nxitës kryesor i veprimeve rebele te Ura e Bënçës”. E vura në thonjëza, ashtu siç ishte e është ne faksimilen origjinale të vitit 1939, që historiani e muzeologu i rrallë Lefter Dilo ia dërgoi muzeut në Tepelenë dhe atij të qarkut në Gjirokastër. Por ky dokument mbërriti në Tepelenë, në një moment të vështirë për familjen tuaj. Vëllai yt dhe ti ishit ende nxënës, sepse vetëm 4 klasë fillore kishte në Peshtan. Por ato ditë xha Golen e kishin pushuar nga puna për herë të dytë 2 zyrtarë të lartë hakmarrës të rëndomtë e dallkaukë. Ju mbijetonit në një barakë me dërrasa e katrama m’u në zemër të qytetit, ku çatia e saj shpesh fluturonte nga era tepër e sertë në dimër. E dhimbshme, por e vërtetë përvëluese për ata që deri dje gëzuan tërë privilegjet e kohës dhe sot tundin e shkundin flamurë “persekutimi” e “demokracie”. Por babai juaj e ngrysi jetën me modesti, idealist i pandreqshëm dhe pse jo me atë besimin e patundur se “ujët nga burimi del i kulluar, por e turbullojnë poshtë”(?!). Nëna juaj hallemadhe e zemërmadhe e gëzoi ditën e martesës shumë kohë pas burgimit të xha Goles në Gjirokastër dhe pas internimit në Shëngjin të Lezhës. Më vonë, në Operacionin e Dimrit (1943-44), pasi i vunë flakën me kulm e themel shtëpisë, nazistët gjermanë i torturuan, pushkatuan e masakruan babanë, mbi Buzën e Savës (me emrin e tij të pagëzuan ty pas Çlirimit të vendit). Dhe e hodhën në greminë buzë Vjosës, të vetmin burrë nga 26 peshtanakë që arrestuan e i nisën për në Tepelenë…Nuk kërkuan kurrë asnjë dekoratë, asnjë titull e asnjë lloj dëmshpërblimi, asnjë qindarkë pensioni të merituar. I mbyllën sytë ashtu të ndershëm e idealistë të kulluar…Si mik të vjetër që të kam, takoje Majkon pas atyre broçkullave që lëshoi në televizor për Zogun dhe pyete sy më sy: Po babanë tënd ku do e rreshtonte vallë, në cilën anë të historisë? Po me emrin tradhtar cilin do thërrasim sot e tutje? Shkurt muhabeti, kujt po ia bën hyzmetin Pandaliu? Të kam rixha, po ta shkoqiti mirë, më bëj dy gisht kartë!… Mos e cingëris fare për Nolin, B. Currin, L. Gurakuqin, A. Rustemin, R. Kodhelin, H. Prishtinën, S. Nivicën etj., dhe as për Shën Naumin ose Vermoshin… Sepse kush përpiqet të na vjedhë të vërtetat historike, në fund të fundit të rrëmben hajdutçe edhe cipën e ballit, vetë të ardhmen. Miku im, ia thuaj atë mençurinë Majkos me këmbët në yzengji: Të mos dimë çfarë ngjarjesh kanë ndodhur para nesh, është njëlloj sikur të mbetemi gjithmonë fëmijë me biberon në gojë! Ndërsa minimalisht, vota e veteranëve do i thotë “hip këtu të shohësh Stambollin!”. Thonë se prirjet djallëzore të shejtanbudallait, shfaqen herët në jetë. Edhe ajo fabula e skllavit grek të pavdekshëm Ezop, flet shumë: “Një njeri i verbër i dallonte kafshët vetëm me anë të të prekurit. Një herë ca miq të vet, donin të provonin aftësitë e tij dhe i sollën një këlysh ujku. Pasi e preku në të gjithë trupin, i verbri nuk ishte krejt i sigurt për kafshën dhe tha:- Nuk e di nëse yt atë ka qenë ujk apo qen, po për një gjë jam i sigurt: nuk do të të besoja të të lija mes një tufe dhensh…