PhD, Ledian Droboniku: Republika private

Republika për të qenë vërtet besnike e kuptimit të saj (e mirë publike) duhet të jetë demokratike, pra të ngrihet dhe kontrollohet nga demosi, nga populli. Ajo çfarë kemi sot është një Republikë private, ku interesi publik zëvendësohet me interesin e një grupi pranë pushtetit, ku nuk ekziston ndarje e pushtetit dhe llogaridhënia por përqendrimi i të gjitha tagrave në një dorë të vetme, ku hyrja nuk është e lirë për të gjithë bashkë komunitarët, por për besnikët e oborrit që sjellin dhurata.

Për çfarë duhet një Republikë e tillë, që prodhon privilegje për 1% dhe skamje për 99%? 

Kasta e tranzicionit na trampoloi pas në kohën e feudalizmit, jo vetëm politikisht dhe ekonomikisht por dhe në degradimin e kulturës, edukimit dhe arsimit. Injoranca dhe përçarja e të mjerëve nuk është pasojë, por kusht për përjetësimin e këtij regjimi barbar. 

Sigurisht kjo ndërtesë duhet rrëzuar nëse duam emancipimin e shqiptarëve dhe ngritjen e kombit. Ajo duhet shkulur nga rrënjët. Mbi themelet e saj nuk mund të ndërtojmë dot asgjë të re dhe afatgjatë.

Por nëse është e lehtë të kuptosh nevojën për rënien e saj, këtë gjë nuk mund ta themi dot sesi duhet ndërtuar Republika e Re. Shkatërrimi kryhet dhe nga turmat histerike, kurse ndërtimi i një Republike Demokratike, bëhet vetëm nga populli i bashkuar rreth një projekti racional. Por ky popull nuk lejohet që të formohet, ai përçahet dhe ndërsehet kundër njëri tjetrit pas flamurëve të çifligarëve. 

Pa komponentin popull, nuk mund të kemi dot një projekt autentik. Në mungesë të një projekti të tillë, do serviret një fallto nga kasta dhe qarku i saj mediatik. 

Këtij Jo-Projekti, i ngjan propozimi i opozitës për Republikë të re p.sh. Nga një anë pranohet një përqasje holistike por jo sistemike. Pra pranohet që problemi zgjidhet në mënyrë të përgjithshme, por nuk pranohet që të ndryshohet sistemi. Duhet përsëri që vendimet ti marrë partia me miqtë dhe besnikët e saj, që për më shumë janë po të njëjtët. 

Ndryshimi i Republikës minimalisht do të thotë zëvendësim i gjithë klasës politike si ndodhi me Republikën e dytë italiane, falë ndërhyrjes së magjistraturës. Por as kjo nuk do mjaftonte pa ndryshim të qendrave të pushtetit, pa përforcim të mekanizmave garantues dhe demokratizim të institucioneve. Korrupsioni kapilar që kishte shoqëruar mrekullinë ekonomike italiane, jo vetëm që nuk do zhdukej me ardhjen e Berluskonit dhe partive të reja, por do të transformohej në kancer kundër interesave të Republikës së re. Lobet dhe hienat ndërkombëtare do privatizonin dhe deindustralizonin ekonominë italiane, duke rritur papunësinë, ulur shërbimet publike dhe rritur borxhin publik. Pra italianët duhet të hidhnin ujin e pisët dhe të mbanin fëmijën (fitoret ekonomike) por fatkeqësisht bënë të kundërtën, flakën fëmijët dhe mbajtën ujin e pisët. Sot në vendin fqinj, diskutohet se kush janë tradhtarët e kombit dhe sa e rëndësishme ishte demokratizimi i vendit, rritja e fuqisë vendimmarrëse qytetare si mekanizmi i vetëm për të ruajtur imunitetin e Republikës ndaj vemjeve të jashtme dhe të brendshme. Modelet elitiste priren gjithmonë të zëvendësojnë interesin publik me atë korporativ, pavarësisht përrallave neoliberale të konkurrencës së elitave shumpeteriane.

Model tjetër mund të ishte ai francez i formimit të Republikës së pestë, prej gjeneralit De Gaulle, në një moment të vështirë të Francës, e ndrydhur mes presionit amerikan dhe atij sovjetik. De Gaulle kuptoi që institucionet aktuale nuk mund ta luanin dot atë rol dhe me anë të reputacionit ushtarak modifikoi asetin e Republikës, Kushtetutën politike dhe ekonomike, me anë të një referendumi popullor. Dhe Franca rifitoi rolin e saj në arenën evropiane dhe ndërkombëtare. 

Në rastin shqiptar asnjë prej këtyre faktorëve nuk është në gjendje tu japë shqiptarëve një Republikë të Re. Shqipëria nuk ka një magjistraturë me legjitimitet popullor si ishte magjistratura italiane, e cila kishte luftuar dhëmbë për dhëmbë me mafian. Magjistratura shqiptare është pjesë e kastës dhe më me pak reputacion tek shqiptarët duke tregtuar drejtësinë, njerëzve me pushtet politik, ekonomik, mediatik etj. Nuk kemi as edhe një ushtri të aftë për të shpëtuar vendin. Kasta u kujdes të çmontonte ushtrinë, arsenalin e saj, por mbi të gjitha elitën ushtarake duke krijuar karikatura që i qahen ambasadorëve dhe vjedhin ushtarët. Ndoshta kjo ushtri për çlirimin e vendit mund të krijohet në diasporë, por fragmentizimi aktual i saj, e bën atë ende të parrezikshme për sundimin e kastës shqiptare.

Këtë rol sigurisht nuk mund ta luajnë partitë shqiptare, të reja apo ato të vjetra. Formimi dhe rritja e një partie autentike nuk do lejohet kurrë nga kasta, e cila kontrollon institucionet, financën, median dhe krimin. Në vend të tyre krijohen kërpusha të vegjël që duan veç të rriten duke i pirë gjakun këtij populli. Kjo është dhe arsyeja se përse të gjitha partitë propozojnë vetëm modele elitiste, ku populli dele-gon pushtetin dhe ato “punojnë për të”.

Nëse do të kishim sindikata, këtë rol të ndryshimeve mund ta luanin ato në emër të miliona të papunëve dhe punëtorëve skllevër. Por sindikatat, mediat dhe shkollat do ishin të parat që do binin nën pushtetin e kastës sepse mund të shndërroheshin në qendra të përqendrimit të pakënaqësisë dhe mobilizimit të masave. Fatkeqësisht këtë Republikë demokratike të re nuk mund ta bëjë dot as populli, sepse nuk e di dhe prandaj as nuk e dëshiron. Shqiptarëve i kanë instaluar prej dekadash në tru, mekanizmin baritor-elitist, ku skllevërit nuk duan të çlirohen por duan të bëhen padronë, ku nuk duan të vendosin vetë fatet e tyre por thjesht tua delegojnë një bariu të mirë, liderit apo partisë së zemrës. Edukimi demokratik jo vetëm që nuk përhapet por ai anatemohet nëpër katedra apo studio televizive, dhe në fund skllevërit binden se nuk ka model tjetër. Shqipëria është ndër vendet e rralla, që nuk u prek nga iluminizmi evropian. Për pasojë nuk u përpunua ideja e “qytetarit” si i vetmi entitet me të drejta origjinale mbi të cilin themelohet Republika Demokratike. Nëse të mjerët nuk e duan këtë gjë, aq më pak e duan intelektualët dhe shërbëtorët e pushtetit që gëlojnë pas tij. Në vend të qytetarit (në kuptimin iluminist dhe jo antinomisë me fshatarin) u përjetësua koncepti i “nënshtetasit” që ofron bindje. Kjo është edhe arsyeja se përse pseudo-shkencëtarët shqiptarë elaborojnë vetëm një lloj shteti autoritar duke vlerësuar madje dhe diktatorët si Hoxha apo Zogun. Shqiptarët e mjerë, mbyllin sytë dhe mbajnë mend vetëm një lloj shteti dhe kujtojnë se ai është i vetmi. Nga ana tjetër kasta është e lumtur që tu ofrojë atë tip shteti, duke rritur represionin, kontrollin mbi jetët e njerëzve. Nuk duhet habitur pse qeveria e ripjelljes mburret se “po bën shtet”. Shteti dhe Republika ngrihet e fortë vetëm nëse qytetarët e saj janë të fortë, të begatë, nëse në ndërtimin e saj marrin pjesë si qytetarë të lirë dhe të barabartë. Pra një Republikë Demokratike, që formohet e kontrollohet nga vetë qytetarët dhe jo partia, lobet, korporatat apo ambasadorët. Sigurisht këto faktorë nuk janë por mund të prodhohen në një horizont demokratik. Ata që vuajnë janë shumica dërrmuese edhe pse jo të ndërgjegjshëm për mënyrën sesi ndryshohet sistemi. Ky ndërgjegjësim duhet nisur nga forcat prodhuese, nga 99% e biznesit prodhues shqiptar që mbijeton nën kushtet e një oligarkie politike dhe monopolesh ekonomike. Ky model neoliberal imponuar nga kasta dhe lobet, na ka kthyer në një koloni importi ku ata që përfitojnë janë vetëm 1% që përqendrojnë kapitalin gjithmonë e në më pak duar. Borgjezia e vogël duhet të kuptojë që ky model nuk arnohet por vetëm rrëzohet nëse duan të prosperojnë në kushtet e rritjes së punësimit, rrogave dhe kërkesës agregate të brendshme për shitjen e produkteve të tyre. 

Ndryshe nga ajo çfarë trumbetojnë klerikët e neoliberizmit, këtë gjë nuk e bën vetë tregu. Tregu është një e mirë publike dhe duhet t’i shërbejë të gjithëve. Nëse ai zaptohet nga disa oligarkë, e vetmja rrugë shpëtimi është rregullimi i tij me anë të politikave publike. Por këto të fundit për të qenë publike, nuk mund t’u lihen në dorë “elitave” por publikut të gjerë që ka interes që të zhvillohet një ekonomi e lirë dhe e ndershme, ku triumfon talenti, puna dhe sakrifica. 

Pra Demokracia, do të nisë nga demokratizimi i ekonomisë, si ajo fushë që kuptohet dhe mobilizon më lehtë forcat progresiste në vend. Fundi i një ekonomie koloni importi, dhe krijimi i një ekonomie kombëtare, i një borgjezie prodhimi që vlerëson asetet e vendit dhe krijon punë dinjitoze për miliona shqiptarë.