Petrit Malushi / “Udhëzimi 44”, kush e gatoi dështimin e tij ?

1430
Viti mësimor 2015-2016 për arsimin parauniversitar ka filluar. Janë ditë intensive kur trupat mësimore në çdo shkollë merren me problemet e fillimvitit të ri s: regjistrimet, provimet e vjeshtës, krijimi i lokaleve dhe mjediseve për të pritur nxënësit, tërheqja e teksteve etj. Ndër të shumtat punë është edhe ndarja e ngarkesës mësimore javore, për secilin mësues, sipas profileve dhe lëndëve përkatëse. Por ç’po ndodh realisht me këtë pikë. Më datën 16 tetor 2014, me numër protokolli 7639 titullarja e MAS, Lindita Nikolla ka nxjerrë dhe firmosur Udhëzimin numër 44 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin e MASH. nr 21, datë 23.07.2010 “Për normat e punës mësimore – edukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar” ”. Në këtë udhëzim, pra të vitit 2014, janë bërë disa shtesa dhe ndryshime për udhëzimin e mëparshëm, atë të vitit 2010.
Në përmbajtje të udhëzimit 
Në përmbajtje të udhëzimit janë të renditura me pika të veçanta ngarkesat e reja mësimore për të gjithë mësuesit dhe drejtuesit në “Arsimin bazë”, ku përfshihen arsimi fillor dhe arsimi i mesëm i ulët, “Arsimin e mesëm”, “Norma të veçanta”, “Numri i nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar” “Drejtues në institucionet e arsimit parauniversitar”, “Qendrat Kulturore të Fëmijëve” dhe “Shtojcë”. Sipas pikave 1 dhe 2 të këtij udhëzimi mësuesit dhe drejtuesit në të gjitha nivelet e sistemit parauniversitar ngarkesën mësimore javore duhet ta marrin me normat e reja, sipas të cilave nga ngarkesat e mëparshme u uleshim 2 orë. Për ta kuptuar, më konkretisht : “Në arsimin bazë”, një mësues në arsimin e mesëm të ulët, i lëndës “Gjuhë shqipe” me normën e mëparshme javore ngarkohej me 22 orë dhe me normën e re ngarkohet me 20 orë. Në “Arsimin e mesëm të lartë”, një mësues për “Gjuhë shqipe dhe letërsi” me normën e mëparshme ngarkohej me 20 orë dhe me normën e re ngarkohet me 18 orë. Me normat e mëparshme brenda ngarkesës mësimore javore (22 apo 20 orë) përfshihej edhe një orë kujdestari. Tek udhëzimi i ri në “Norma të veçanta” jepen ndryshimet e ngarkesës nga 3 në 4 orë, për mësuesit që drejtojnë bibliotekat dhe ndryshimi tjetër nga 1 në 2 orë, për punën e mësuesit kujdestar. “Puna e mësuesit kujdestar në shkollat e arsimit parauniversitar barazvlerësohet me dy orë mësimore në javë. Kur mësuesi është i ngarkuar me normë të plotë mësimore, këto orë paguhen si orë mbi ngarkesën mësimore”. Në fund të faqes katër të këtij udhëzimi; para emrit, mbiemrit, firmës së ministres dhe vulës shkruhet : “Këto shtesa e ndryshime zbatohen në vitin shkollor 2014-2015 e në vazhdim”, “Për zbatimin e këtij Udhëzimi ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Arsimit Parauniversitar, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, drejtoritë arsimore rajonale, zyrat arsimore dhe institucionet arsimore parauniversitare”, “Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”. Nëse udhëzimi i mësipërm, me numër 44, do të kishte hyrë në fuqi menjëherë apo gjatë vitit shkollor 2014-2015, fjalët e mira dhe falënderimet nga mësuesit nuk do të kishim munguar. Por fatkeqësisht edhe pse, ministrja, zëvendësministrja dhe vetë kryeministri në raste takimesh me përfaqësi mësuesish, pas daljes së tij, u shprehën me opinione pozitive, nuk u zbatua asnjëherë. Mësuesit nga ana e tyre me t’u njohur individualisht me përmbajtjen e tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, pasi jo në të gjitha shkollat drejtuesit i njohin ata me ndryshimet në legjislacion edhe pse janë të detyruar, kanë kërkuar vazhdimisht zbatimin e tij. Fillimisht u dhanë përgjigjet “ le të flitet nëpër takime e konferenca shtypi, kur të vijë me shkrim në shkollën tonë do ta zbatojmë”, “jemi në pritje” , më pas “ këtë vit do të vazhdohet me normat e mëparshme”, e prapë më pas “orët tepër do t’u paguhen në fund të vitit shkollor”. Përfundimisht gjatë vitit shkollor 2014-2015, që pati 36 javë mësimore, ky udhëzim për 30 javë, pasi është firmosur më 16 tetor 2014, kur ishin zhvilluar 6 javë mësim, nuk u zbatua . 
Të zhgënjyer Edhe pse të zhgënjyer, mësuesit shpresuan se “Udhëzimi 44” do të zbatohej për vitin e ri mësimor 2015-2016. Por jo, edhe për këtë vit mësimor, nëpër shkolla mësuesit po e marrin ngarkesën mësimore me normat e mëparshme, pra po ngarkohen me nga dy orë më tepër. Drejtuesit japin përgjigje se dy orët e kujdestarisë do t’i keni mbi normë dhe do t’ua
paguajmë në fund të vitit mësimor. Ç’emra mund t’u vënë mësuesit veprimeve të tilla ?!! Po pse vazhdoni të gënjeni dhe mashtroni ? Jini transparent dhe flisni sinqerisht me mësuesit se ata janë ,aq fisnikë e shpirtgjerë,sa dinë të dallojnë të vërtetin nga gënjeshtra. Pa bërë komente, sepse dalin shumë çështje e nënçështje të tjera, tek e fundit, nëse shteti nuk i kishte mundësitë financiare, përse u firmos, doli e u komentua ky udhëzim ? Cilët vartës e specialistë në MAS ia argumentuan ministres e kryeministrit si të realizueshëm ? Përse pesha e vartësve të paaftë t’u bjerë atyre, ndërkohë që ata ashtu siç thotë kryeministri, Edi Rama krekosen kafeneve me njëri –tjetrin e futin në xhepa rrogat e majme ? Kujt i ka interesuar krijimi i një klime të pakëndshme me mësuesit ? A ka dhënë kush llogari apo është ndëshkuar për këtë dështim ? A nuk do të ishte më mirë, nëse nuk ishin mundësitë e zbatimit, të mos kishte dalë ky udhëzim ?
Sigal