Petrit Malushi/ Edukimi fizik në Shqipëri, si në vendet Europiane

515
Krahas lëndëve të tjera në arsimin parauniversitar edhe ajo e edukimit fizik ka qenë në fokus të përshtatjes me skeletkurrikulat e reja. Qëllimi në formë dhe përmbajtje është parë në funksion të arritjes së objektivave të temave, gruptemave, lëndës, shtrirjes brenda një viti shkollor, shtrirjes brenda një cikli shkollor dhe harmonizimit me disiplinat e tjera lëndore. Ka qenë insistimi i vazhdueshëm dhe ndjekja hap pas hapi i zëvendësministrit të MAS, Rauf Dimraj, specialist i mirëfilltë i kësaj fushe, që me një punë studimore shumë serioze që në këtë drejtim nga stadi teorik të kalojë suksesshëm në zbatimin praktik në të gjitha shkollat. Demonstrimi i studimit, tërheqja e mendimit të specialistëve të tjerë të kësaj disipline, të mësuesve të thjeshtë të edukimit fizik rezultoi i suksesshëm. Programet e lëndës së edukimit fizik tani janë larg formës statike tradicionale, ato janë të pasuruara me tema të reja dhe ngarkesa mësimore është tri orë në javë. Orientimi në këtë linjë ka qenë në sinkron të plotë me atë çka bëhet për lëndën e edukimit fizik në shkolla, edhe në shtetet e tjera Europiane. Fakti i mëposhtëm e vërteton këtë plotësisht. Në fillim të muajit në vazhdim, nga data 1 deri më 4 tetor 2015, në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, Shoqata Europiane e Mësuesve të Edukimit Fizik (European Physical Edukation Assciotion EUPEA), zhvilloi Forumin e 26-të të saj. Në këtë shoqatë aderojnë 26 shoqata të shteteve të ndryshme europiane. Anëtarja e 27-të, me të drejta të plota, është Shoqata e Mësuesve të Edukimit Fizik të Shqipërisë, ShMEFSh. Kjo shoqatë, e para e këtij lloji në vendin tonë, është e re dhe zyrtarisht është themeluar në shkurt të vitit 2015 duke përfaqësuar kështu të gjithë mësuesit e edukimit fizik në Shqipëri. Ndër të tjera në programin e saj ka për qëllim edhe ngritjen profesionale të mësuesve të edukimit fizik dhe përmirësimin e standardeve të mësimdhënies në orën e edukimit fizik në shkolla. Gjashtë muaj pas themelimit, në muajin korrik 2015, ajo u pranua si anëtare e Shoqatës Europiane të Mësuesve të Edukimit Fizik dhe një muaj më vonë, pikërisht në gusht, mori ftesën për t’u përfaqësuar në Forumin e 26-të të saj në Budapest të Hungarisë, i cili u organizua nga Federata Europiane në bashkëpunim me Federatën Hungareze të Sportit Shkollor dhe me mbështetjen e Fondit Ndërkombëtar “Visegrad”. Mësuesit shqiptarë të edukimit fizik në këtë forum europian u përfaqësuan nga presidenti i shoqatës Arben Becolli dhe anëtari i shoqatës Ervin Pepi. Sipas presidentit Becolli, pas kthimit nga kryeqyteti hungarez, në ditët e forumit u zhvillua edhe seminari me temë “Harmonizimi dhe diversiteti i kurrikulës së edukimit fizik në Europë”. Po ashtu u diskutuan edhe shumë çështje të tjera ku vëmendje tërhoqën “Kurrikula e bazuar në kompetenca”, “Lënda e edukimit fizik zhvillohet nga specialist i fushës”, “Lënda e edukimit fizik zhvillohet tri orë në javë”. Materiali përmbante përgjigjet e pyetësorit të dërguar nga EUPEA vendeve anëtare, lidhur me çështje të ndryshme të kësaj teme. Në përfundim të këtij seminari Shqipëria ishte unanimisht në krah të shteteve më të përparuara europiane lidhur me përmbajtjen e lëndës së edukimit fizik dhe zhvillimin e tri orëve mësimore javore të kësaj lënde në programin mësimor. Gjatë uorkshopit u diskutuan edhe rekomandimet e grupit të ekspertëve të Bashkimit Europian mbi edukimin fizik, të cilat përkonin plotësisht me Platformën e Edukimit Fiziko-Sportiv. Një ndër elementët e kësaj platforme, të demonstruar prej përfaqësuesve të delegacionit shqiptar, ishte edhe Kartela Individuale e Nxënësit si pjesë përbërëse e Testeve të fitnesit, natyrisht e realizuar me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare dhe MAS, e cila zgjoi interesin e të pranishmëve dhe u vlerësua si një risi.
Sigal