Petrit Brokaj/ “Rroftë sebepi”

637
Sigal

Se kush ka qenë ai njeri “i mençur” që e futi Kryeministrin tonë në sherr me shoferët e furgonave dhe me familjet e tyre, kjo tani nuk ka më rendësi. Efekti u realizua. Më 20 shkurt ata ishin pothuajse familjarisht në protestën e opozitës në Tiranë dhe ndonëse pa “çadra e stilolapsa me helm”, por me shpirtin e mllefosur, u futën në korin, ku i përmendnin atij gjithë listën e premtimeve, sikur të ketë në krye të Qeverisë jo 6 muaj, por 16. Në vazhdim të mos reagimit, ata sot më 28 shkurt, do të jenë në një protesta tjetër të veçantë për rishikimin e vendimit të qeverisë që furgonët e licencuar të shkojnë e të vijnë me pasagjerë. Nuk kanë faj. Ua solli vet Kryeministri sherrin në shteg. Sado që kanë disa ditë që përpiqen për të zbutur gafën që bën me ultimatumin e ministrit të Brendshëm, edhe ne që kemi dëshirën që të besojmë sqarimet, që po bën Ministria e Transporteve (si me pahir…) nëpër të gjitha mediat, është e vështirë të na bind, se ai qe një keqkuptim. Nuk dimë se përse, por që, sa herë ata mundohen ta trajtojnë atë si të tillë, ne na shpojnë veshët ato fjalët ultimative: “ Kur them, nesër. Nesër!”. Dhe në fakt të nesërmen ai u sul në aksion. Furgonët me targat e verdha î bllokoi, kurse ata me targa të bardha i la të qarkullojnë!… Ky qe një sebep më shumë që  edhe përgjigja e tyre (shoferëve), të ishte qëndrueshmëria dhe vendosmëria, e cila vazhdon edhe këto ditë,  që “bashkë me barin e thatë, të mos digjet edhe bari I njomë !” dhe që vendime të diskutueshme, të mos bëhen të parishikueshëm e befasisht urdhërues.

Natyrisht, Gëzim Kalaja me repartin e tij të gatshëm edhe pa këtë shkak, do të ishte në rreshtat e parë të protestuesve siç ka bërë gjithmonë, kur Sali Berisha ka protestuar. Por në këtë rast, “ Rroftë sebepi”, që të bërtasë e ti kërkojë llogari Qeverisë edhe si protagonist i mbrojtjes të së drejtave të shoferëve të furgonëve, ndonëse jo të gjithë janë ushtarë të repartit të tij.. Nuk është vështirë që të kuptosh se  ky drejtues,  bashkëluftëtarë I Sali Berishës, të mos e vesh këtë protestë ekonomike me ngjyra politike, po të kesh parasysh, se këtë ai e bën sa herë ka nevojë Berisha për turbullira. Rroftë sebepi edhe për Sali Berishën, që ju shtua edhe një shkak  për të ulëritur për “Qeverinë e tritolit” e për” kryeministrin mashtrues”. Rroftë sebepi edhe për Lulzim Bashën që bërtiste (por që ruhej që të mos bënte skifo si herën e parë) për premtimet e pa mbajtura të Qeverisë  “Rama”, kur kujtojmë që nga ajo tribunë,  ca kohë më parë, na  premtonte bulevarde, tramvaje, punësim, strehim, trajtim të veçantë për studentët, bursa, etj, etj. Natyrisht, do të ishte normale që në këtë tribunë të dilnin e  të kërkonin të drejtat e tyre ish të përndjekurit politik dhe ish pronarët, të cilët PD I ka mbajtur si bazamente të saj, por siç kuptohet, ata,  të dhunuar e të nëpërkëmbur nga PD, e kanë kuptuar se forca e tyre u përdor jo për  realizimin e të drejtave të tyre, por për të mbajtur në pushtet PD e Sali Berishën.

Nuk jam kundër zbatimit të ligjeve e vendimeve. Po çfarë vendimi është ky, që të imponon falimentim, kur gjithë punonjësit e këtij shërbimi nuk kanë asnjë konflikt me njeri-tjetrin për pasagjerët që marrin në linjat respektive, kur gjithë ata që merren me këtë shërbim kanë qenë të papunë dhe mund të mbeten të papunë?  Çfarë ligji apo vendim është ky, që i del qeverisë kaq urgjent për zbatim, kur urgjent janë rrugët që po prishen çdo ditë e po “hanë” jetë njerëzish, kur urgjent janë pastrimet në administratë nga të korruptuarit e PD-së, që tani janë strehuar në LSI, urgjent janë masat ligjore për të ardhur “era” shtet në Polici, në Shëndetësi, në Arsim, në administratat e qeverisjes vendore, urgjente janë masat për rikthimin e të mirave që patëm dhe sot nuk i kemi. Urgjente është të heq dorë nga metoda e Qeverisë së Saliut, që nga që s`kish ç´na thoshte për vepra konkrete, na bënte të shanim mediat për vendin që i linin duke na ngrënë kohën me fjalime, leksione, komente, zbërthim reformash, etj. Urgjente është të rishikohen emërimet që janë bërë. Si janë bërë, kush i ka bërë dhe në dobi të kujt? Është indinjuese që të bëhesh sebep për të bërë personazh të ditës ata që koha po i harronte të përbuzur e të dëmshëm. Mirëpo, për ata, Rroftë sebepi!…