Petrit BROKAJ/ Memo Mete, trim i rrallë dhe me pushkë dhe me fjalë!

742
Sigal

Pasi ke përshkuar afro 37 km dhe ke lënë pas Sherishtën, Drashovicën, Kotën, Gjormin, Lepenicën, nëpër një rrugë që ndjek rrjedhën e lumit të Vlorës, herë buzë tij, herë disa metra larg, në një rrugë me asfalt të prishur, ku ka dalë edhe kalldrëmi, (gjë që flet edhe për kujdesin e Qeverisë për këtë krahinë labe), del “mbështetur” në shpatin e malit të Stogoit, fshati Brataj, qendra e krahinës së Mesaplikut. Është fshati i mençurisë së pleqve të dëgjuar të gjithë krahinës, i këngës së bukur të djemve të rinj, i rapsodëve të shquar Mato e Selim Hasani, i luftëtarëve patriot për liri e pavarësi ndaj gjithë okupatorëve që kanë shkelur në trojet tona. Është dhe fshati i luftëtarit të shquar, trimit besnik të Ismail Qemalit dhe komandantit të çetës së Bratit në Luftën e Vlorës, më 1920, Memo Mete Deraj.

Ai u lind më 12 maj 1859 dhe jetoi 68 vjeç. Brati për të ishte vendi ku u lind, vendi nga u nis drejt një bote të panjohur në perandorinë osmane dhe vendi ku mbylli sytë përgjithmonë. Gjithë aktiviteti i tij si luftëtar, si organizator dhe si komandues njësitesh luftarake kaloi përgjithësisht jashtë fshatit të tij.

Memo Mete Brati(Deraj) qëndron në lartësinë e një burri të shquar të Labërisë të paktën në dy momente historike: si një nga trimat besnik të Ismail Qemalit që nuk iu nda deri në ditën e varrimit dhe në luftën heroike të 1920-ës kundër pushtuesve italian, ku komandonte çetën e Bratit.

I shkolluar për ushtarak në Turqi dhe i dërguar për shërbime në Stamboll, Galipoli, Jemen, Siri, Bullgari, Janinë etj, ai tërhiqte vëmendjen e rretheve shoqërore dhe administratës turke për kulturën  dhe gjuhët e huaja që kish përvetësuar. Më pas, të gjitha këto, e bën atë të preferuar në shoqëritë e larta të kohës deri në një prej njerëzve më të besuar për mbrojtjen e jetës së Ismail Qemalit.

Njohja e parë nga afër me Ismail Qemalin ka ndodhur në Boyak të Bullgarisë, ku Ismail beu kishte shkuar në përbërje të një komisioni parlamentar osman. Që nga ai moment jeta e tij u vu në shërbim të aktivitetit patriotik për pavarësinë e Atdheut. Kur ishte nevoja për mobilizimin e njerëzve ai përdorte fjalën e mençur dhe karakterin besnik, kur ishte nevoja për përleshje me okupatorët pushka e tij u dëgjua në të gjitha betejat kundër grekëve e italianëve.

Kaloi mbi 25 vjet shërbim larg vendit të tij, kur  në vitin 1905 Memo emërohet në xhandërmarinë e qytetit të Vlorës. Duke qenë në një detyrë të tillë iu dha mundësia që ndjenjat e tij patriotike të shumëfishohen në shoqërinë me patriotët Hamit Lumi, Kolë e Kristo Karbunara, Ymer Radhima, Hamza Isai, Musa Çakërri, Ibrahim Avdullai, Osmën Haxhiu, Alem Mehmeti, Qazim Kokoshi, etj.

Ishte shtatori i vitit 1908, kur biri i Ismail Qemalit, Et-hem Beu e fton Memo Meten për një takim të rëndësishëm. Aty atij i thanë se pritej të vinte nga Korfuzi Ismail Qemali dhe ky(Memo) ishte caktuar në grupin që do ta sillte atë në Vlorë.

Këtu fillon jeta e pashkëputur e Memo Mete Derajt pranë Ismail Qemalit.

Qysh nga ky moment atje ku ishte Ismail Qemali, atje do të ishte dhe Memo Mete.

Ishte viti i zgjedhjeve parlamentare xhonturke, ku në sanxhakun e Vlorës e të Beratit ishin përballë njëri-tjetrit Ismail Qemali dhe Syrja bej Vlora i cili mbeti kundërshtar i betuar dhe intrigant në gjithë veprimtarinë e Ismail Qemalit. Memo Mete ishte pranë tij në gjithë këtë fushatë ku Ismail Qemali doli Fitimtar.

Në periudhën prej vitit 1908 deri më 1912 veprimtaria patriotike në Vlorë shënon disa ngjarje të rëndësishme si; formimi i Klubit “Labëria”, “Shoqëria e zezë për Shpëtim”, forcimi i miqësisë midis patriotëve Ibrahim Avdullai, Toto Hosi, Ahmet Lepenica, Hamza Isai, Toli S. Arapi, Ymer Radhima, Ahmet Durmishi, Ymer Radhima, Osman Haxhiu, Muhamet Besho, Alem Mehmeti, Muço Sharra e shumë të tjerë.

 Në gjithë atmosferën e kësaj periudhe ndrit edhe emri i Memo Bratit, siç filluan ta thërrasin atë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në përpjekjet për Pavarësinë e Atdheut.

Për të mos u zgjatur në meritat dhe shërbimet e tij vit pas viti, do të dëshiroja të përmendja detyrat dhe besimin që i dha Ismail Qemali gjatë qeverisjes së tij.

I zgjedhur nga i biri Ismail Beut si trim dhe besnik, Memo Mete ishte në grupin e të përzgjedhurve që e pritën atë te Ura e Mifolit kur vinte nga Durrësi për të ngritur flamurin në Vlorë. Ishte doganieri i parë në Doganën e Skelës. U zgjodh si përfaqësues i qeverisë në komandën e luftëtarëve në Kuç kundër shovinistëve grek . Kur Esad Toptani kishte përforcuar veprimtarinë e vet kundër anëtarëve të qeverisë dhe personalisht ndaj kryetarit të saj Ismail Qemalit, me propozim të Isa Boletinit u krijua një skuadër prej 12 vetësh për mbrojtjen e tyre. Në këtë grup ishte edhe Memo Mete, i cili do ta shoqëronte atë deri në Itali kur dha dorëheqjen më 22 janar 1914. Siç dihet në korrik të 1914 Ismail Qemali u kthye përsëri në Vlorë për të shkuar që të takohej me Princ Widin në Durrës. Studiuesi Bardhosh Gaçe na thotë se në grupin e trimave që e shoqëruan Ismail Qemalin në Durrës ishte edhe Memo Mete, i zgjedhur nga i biri i tij, Et-hem Beu, takim që siç dihet doli i pasuksesshëm.

Megjithatë veprimtaria patriotike e krahinës së Labërisë kundër okupatorëve nuk u ndërpre. Në korrik të vitit 1914 Memo Meten e shikojmë në luftimet kundër shovinistëve grek në malet e Vetëtimës dhe në Gurra të Vranishtit së bashku me Sali Vranishtin, Murat Tërbaçin, Selman Hysenin e Halim Xhelon. Takimi i fundit i Memo Metes me Ismail Qemalin do të ishte ditën e varrimit të tij në Kaninë të Vlorës. Do të ishte takimi i fundit por jo ndarja me aspiratat e tij. Fjala dhe pushka e tij do të dëgjohen deri sa atë do ta linin forcat, ku i paharruar do të mbetet heroizmi i tij në Luftën e Vlorës, më 1920, kur komandonte Çetën e fshatit të tij, Bratit. Rapsodi i madh, Mato Hasani, i këndoi:

Në Brataj kush komandoi? / Trimi Memo Mete dragoi!

Në këtë shkrim fola vetëm për Memo Meten, duke mos përmendur bashkëluftëtarët e kohës, gjithashtu u përqendrova vetëm në veprimtarinë e tij gjatë periudhës pranë Ismail Qemalit, duke shfrytëzuar 100 vjetorin e Pavarësisë. Por për boshllëkun që mund të kem lënë në paraqitjen e figurës së tij, mjafton të shtoj dy kujtime të njerëzve që e kanë njohur drejtpërdrejtë:

Bashkëfshatari i tij i nderuar Kadri Brahimi, ja çfarë kujton:

“Në varrimin e tij(Memos) çobanët i lanë kopetë vetëm, bujqit lëshuan pendët dhe morën pjesë në lamtumirën e fundit, që iu dha komandantit të çetës së Bratit”

Ndërsa gojëdhënat tregojnë, se patrioti i shquar vlonjat Osman Haxhiu, kur vdiq Memo Mete, sipas zakoneve të Labërisë, priti ngushëllime tre ditë në shtëpinë e tij dhe pas tre ditësh shkoi për ngushëllim në Brataj.

Ja ky ishte  Memo Mete Deraj. Ai vdiq më 14 nëntor 1927 me pikëpamje fanoliste dhe si antizogist. Në luftën Nacional Çlirimtare emri i tij u përjetësua në çetën e fshatit.

Nderimi i tij këto ditë si “Personalitet i nderuar i Labërisë” dhe “Qytetar nderi i komunës”, mendoj se janë  shpërblim i meritave të tij.