Peter Tase/ Italia: Aleati strategjik i Shqipërisë

600
Sigal

Rëndësia e vizitës të Kryeministrit Edi Rama në Itali

Në vizitën e tij të dytë në Romë, më 12 Dhjetor, Kryeministri Shqiptar Edi Rama theksoj rëndësinë që ka Italia në integrimin Europian të Shqipërisë dhe deklaroj se “Italia është partneri strategjik i Shqipërisë.” Gjatë një bisede të ngrohtë me Kryeministrin Enriko Letta, z. Rama u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe, avancimi i procesit të integrimit evropian dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit. Të dy kryeministrat konstatuan me kënaqësi marrëdhëniet e gjithanshme dhe të shkëlqyera mes dy vendeve, të cilat mbështeten mbi lidhjet historike dhe miqësinë e fortë si dy popuj fqinjë. Kryetari i qeverisë italiane u angazhua për të shfrytëzuar çdo mundësi që zgjeron dhe thellon bashkëpunimin mes Italisë dhe Shqipërisë, veçanërisht në sektorët strategjik, bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar, përmirësimin e infrastrukturës në Shqipëri, stimulimin e projekte të reja që ndihmojnë në uljen e papunësisë në Shqipëri si dhe rritja ekonomike e dy vendeve. Kryeministri Rama, shprehu zotimin e Tiranës zyrtare, se po punon seriozisht për të lehtësuar tërheqjen e investimeve strategjike italiane në Shqipëri. Kryeministri Enriko Letta në fjalën e tij theksoj se, Italia mbetet një aleate dhe mbështetëse e fortë e Shqipërisë në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian. Në lidhje me stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit, zoti Edi Rama, përsëriti se ky rajon “pas paqes mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, po përjeton një erë të re, e cila duhet të shfrytëzohet për të zhvilluar bashkëpunimin ndërmjet vendeve të tij dhe arritur një prosperitet ekonomik për rajonin”. Italia, ashtu si Republika e Turqisë konsiderohet një aleat strategjik për Shqipërinë, jo vetëm në bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin reciprok industrial por edhe në luftën ndërkombëtare kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore në Adriatik; por edhe operacionet e përbashkëta në kuadër të NATO-s.  Ky ishte takimi i tretë i zotit Rama me Kryeministrin italian, herën e fundit ata janë takuar në Nevv York gjatë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në shtator.  Gjatë këtij takimi kanë hedhur edhe piketat për një bashkëpunim të frytshëm bilateral në disa sektorë të rëndësishëm: në ndërtimin e linjës së Gazsjellësit Trans – Adriatik, ndërtuar nga TAP (që do të sjell gaz natyror nga Kaspiku drejt Europës); angazhimi i Italisë për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj drejt Europës. Sipërmarrjet italiane, ishin një temë me rëndësi të veçantë gjatë këtij takimi dypalësh.  Z. Rama, përpara se të vizitonte Romën, bëri një vizitë në Puglia, ku u takua me investitor të ndryshëm italian që kanë shprehur dëshirën për të investuar në Shqipëri. Kryeministri Letta u shpreh se: “Shqipëria është sot një partner strategjik thelbësor për Italinë. Natyrisht, afërsia gjeografike është një ndihmë e madhe në këtë drejtim. Ne duam të punojmë në këtë drejtim. Kemi shumë aspekte të një bashkëpunimi potencial dhe në disa fusha ka dhënë tashmë fryte, si p.sh. puna që është bërë në kuadrin e bashkëpunimit multilateral me konsorciumin Shah Deniz që do të ndërtojë TAP, gazsjellësin Trans-Adriatik, një infrastrukturë energjetike themelore për ne…”. Enriko Letta shprehu kënaqësinë mbi këtë bashkëpunim dhe për të përfunduar këtë proces ai do të udhëtoj javën e ardhshme në Baku për të firmosur dokumentet zyrtare që inaugurojnë fillimin e punës së TAP-it. Bashkëpunimi Itali Shqipëri vazhdon të konsolidohet edhe në fusha të tjera; vetëm këtë javë drejtori i policisë Italiane vizitoj Tiranën dhe u takua me krerët më të lartë të shtetit. Në përfundim të bisedës së tyre, të dy kryeministrat diskutuan mbi problemet e rajonit, marrëdhëniet me Serbinë, situata në Kosovë, çështje të cilat kanë një rëndësi të veçantë për të dy vendet. Qëllimi kryesor i këtij takimi shumë të ngrohtë ishte forcimi i marrëdhënieve dypalëshe në disa sektor strategjik që kanë një potencial në përmirësimin e ekonomive në të dy anët e Adriatikut në të ardhmen e afërt.