Peshqit e mëdhenj nuk kapen me rrjeta të kalbura

643
Bardhyl Berberi

Më kapi një peshkatar dhe më tha; – Mirë e ka ambasadori amerikan Lu që të kapi peshqit e mëdhenj por peshqit e mëdhenj nuk kapen me këto rrjeta të kalbura që ka në gjykata dhe në prokurorinë shqiptare… Falsiteti i një propagandë marramendëse, demagogjia, hipokrizia, pabesia, dhe frika, më në fund nxori kokën, atje ku e keqja ishte ulur këmbëkryq dhe bën karshillëk shqiptarëve dhe vet faktorit politik ndërkombëtar e veçanërisht ambasadori Lu kuptoi një fakt domethënës, se kjo klasë politike e inkriminuar do të ndërtonte një reformë në drejtësi me ligje por dhe me shtigje që peshqit e mëdhenj të shpëtonin kokën dhe në burg të ngelej ai fakir fukarai. Tashmë gjithçka është e qartë. Askush nuk mund të futë minaren në një thes, thesi nuk e nxë minaren. Përgjimet e bandës së drogës tashmë i ka vënë palët në llogore. Po cili është shqetësimi real tek ne? Politika duket se nga të dyja krahët i ka bërë duart pis dhe të dyja palët do të luftojnë që ta shtyjnë deri në pafundësi zbatimin e Vetingut, sepse një pjesë e politikanëve janë të zhytur në korrupsion dhe posedojnë nëpër bankat e huaja shifra marramendëse… Është fakt të gjithë kanë frikë nga Vetingu. Po e bëjnë gjumin e valium. E dinë vetë se çfarë i kanë marrë këtij populli fukara. Populli ka vetëm një shpresë se Vetingu do të realizohet nga institucionet ndërkombëtare dhe është rasti, që Shqipëria të shpëtojë nga këta vampirë që i pinë gjakun çdo ditë. Keqpërdorimi i pushtetit dhe i pushteteve tashmë tek në është bërë normë dhe askush nuk ka mbajtur dhe nuk do të mbajë përgjegjësi për këtë. Armiqësinë e shfaqur fare hapur midis krahëve politikë në Shqipëri, nuk besoj se e gjen në ndonjë vend tjetër, më shumë se sa në qëndrimin konfliktual, që marrin urdhra politikë partiakë për të mbrojtur krimin, korrupsionin, sepse ata vet janë pjesë e pandashme e tij. Kokat që kanë ushqyer këtë filozofi shkatërruese dhe vrasëse, janë tash e 26 vite midis nesh, kur ata me kohë duhet të ishin zhdukur nga skena politike dhe jeta sociale e vendit. Fatkeqësisht, akoma me këta aktorë të degjeneruar dhe të kriminalizuar, konflikti i egër politik deri në urrejtje midis llojit, ka bërë që politika shqiptare me paturpësi, të nxjerrë në shesh fytyrën e saj të vërtetë. Dhe bota nuk ka se çfarë të thotë më shumë se kaq për ne, deri sa një ditë të lodhet dhe të na kthejë kurrizin përfundimisht. Politikanët dhe këto institucione të korruptuara thellë, e tërë kjo tufë “zagarësh” dhe amorale, janë vetë fatkeqësia e Shqipërisë dhe Kombit shqiptar. Çfarë mund të thonë me këtë rast elita politike e vendit, që do kohë dhe vetëm kohë që të shpëtojnë lëkurën duke fshehur gjurmët e korrupsionit dhe të krimit? Institucionet e krimbura shqiptare meritojnë vetëm shkrirjen. Krimi është në kupolë dhe ai do të mbrojë veten në çdo formë dhe me çdo çmim. Në këtë rast faji nuk është “kopil”, ai ka nënë dhe baba, ai ka emra, ka adresë, ka identitet, atë tashmë e njohin të gjithë. Gjykoni vet se ku kemi arritur dhe cila është e ardhmja jonë. Heshtja për të drejtën, është poshtërimi që ne vazhdojmë t’i bëjmë vetes, përballë shkatërrimit kombëtar, grabitjes së pasurisë kombëtare dhe kriminalizimit të jetës tonë, duke na blerë me çmim qesharak dinjitetin. 
Sigal