Pesë uniforma blu, korrierë dhe ndërlidhës të trafikut të drogës

474
MAKS TUFA
FNSH , zbarkon në Elbasan / Pas urdhër arresteve të prokurorisë nisin hetimet dhe kontrollet për ekzekutimin e vendimeve
Plot tre furgonë të mbushur me forcat e ndërhyrjes së shpejtë (FNSH) prej tre ditësh janë dislokuar në disa pika kyçe dhe ambiente të qytetit të Elbasanit. Shkak është bërë një hetim që ka nisur ditët e para të janarit 2017, pas një informacioni të ardhur në rrugë operative se “në radhët e uniformave blu ka të paktën pesë persona që janë korrierë dhe ndërlidhës të rrjeteve të trafikut të drogës”. Porsa ka marrë informacionin, ka qenë Prokuroria e Elbasanit e cila ka kërkuar ardhjen e dy prokurorëve nga Krimet e Rënda, por edhe prezencën e trupave të forcave speciale. Një burim tepër i besueshëm nga organi akuzës i tha “Telegraf” se “ditët e para të janarit 2017, na ka ardhur një informacion në rrugë operative, ku bënte me dije ndër të tjera se, në radhët e uniformave blu në qarkun e Elbasan, ka ndërlidhës, dhe korrierë të trafikut të drogës, por për arsye hetimi nuk mund të themi asgjë, kemi nisur hetimet, dhe themi se shumë shpejt do të kemi ndalime dhe arrestime, bashkëpunimin e kemi shtrirë tek Krimet e Rënda dhe FNSH, për arsye sigurie”. Prej afro një jave prezenca e tre furgonëve të Forcave Speciale ka rënë në sy edhe tek qytetarët e Elbasanit, të cilët duket sikur ndjehen më të sigurt kur ata patrullojnë ditën dhe natën në rrugët e qytetit. Por shpesh trupat speciale do ti shikosh, edhe tek kryejnë kontrolle dhe verifikime të automjeteve dhe personave në shumicën e akseve rrugore dhe lagjeve të qytetit, pa pasur pranë uniformat blu të Drejtorisë së Policisë Elbasan. Informacioni i cili ka mbërritur ditët e para të janarit 2017 në zyrat e organit të akuzës, duket se nuk ka qenë i pari. Kështu ka ndodhur edhe tre muaj më parë kur nga një informacion i mbërritur jo në polici, por tek zyrat e Prokurorisë, u bë e mundur goditja e një rrjeti falsifikatorësh që pastaj zbuloi një rrjet të sofistikuar të personave që merreshin me tregti armatimesh. Kaq ka mjaftuar që Prokuroria të nxirrte 7 fletë-arreste në tre qytetet e qarkut Elbasan. Ndoshta kështu do të ndodhë edhe pas informacionit që besueshmërinë e ka pasur ta dërgonte vetëm në zyrat e organit të akuzës. Edhe pse forcat speciale janë në gatishmëri dhe në pritje të marrjes së urdhrit , ato sërish duket se po kryejnë edhe disa “detyra” të tjera për të cilat duhej të ishin kujdesur uniformat blu të Elbasanit. Burime ende të pa konfirmuara zyrtarisht bëjnë me dije se në shënjestër të këtij aksioni janë edhe disa persona të lidhur me njerëz të fuqishëm kryesisht deputetë të qarkut të Elbasanit që njihen si mbështetës të elementëve me precedent kriminal dhe trafikantë droge dhe prostitucioni. Elbasani dihet që është një nga linjat e trafikut të drogës Turqi-Bullgari-Shqipëri, i cili realizohet edhe nëpërmjet tregtarëve, por edhe të disa bizneseve të reja që kanë lulëzuar kohët e fundit dhe janë të skeduar për trafikun e drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë,Spanjës dhe vendeve skandinave. Prania e tre furgonëve të forcave speciale në rrugët dhe lagjet e Elbasanit, duket sikur ka nxjerrë jashtë loje uniformat blu, por njëherësh ka rritur besimin dhe sigurinë tek qytetarët, ndërkohë që flitet se një pjesë e këtyre aksioneve kanë si objektiv edhe piketimin e kapove që kanë mbjellë , shpërndarë dhe trafikuar hashash dhe që kanë influencë dhe njohje në qarkun e Elbasanit dhe më gjerë ,për ti pasur si persona të gatshëm në votimet e qershorit 2018,por që gjithsesi këto janë ende të pakonfirmuara zyrtarisht. Prania e tyre duket sikur ka stepur dhe tulatur edhe elementin kriminal, pasi sipas statistikave nga Drejtoria e Policisë Elbasan, vihet re një ulje e ndjeshme e numrit dhe llojeve të veprave kriminale. Ndërkohë në “sitën” e hetimit gjatë këtyre ditëve po kalojnë pothuajse të gjithë efektivët e ardhur në 3-4 vitet e fundit, ndërsa mësohet se shumë shpejt organi i akuzës do t’i kërkojë FNSH të kryejë ndalimet dhe pse jo edhe arrestimet e para në radhët e uniformave blu në tre komisariate, të atyre që duke u mbuluar me rrobën e policit apo oficerit të policisë, kanë kohë që kryejnë edhe rolin e korrierit apo ndërlidhësit edhe të rrjetit të trafikut të drogës. 
Sigal